Kallarat, fshat me vlera
Nga Bolena prit urime,
Ja bën fora si nga hera,
Paçi kurdoherë gëzimë!
Kallarati, një ndër pesë fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm, qëndron krenar nga historia, ballëlart nga fisnikëria, i dalluar si fshat i zakonit, i traditave, i bujarisë, i mikëpritjes dhe i atdhetarisë. Lidhjet tona të hershme, midis Bolenës dhe Kallaratit janë tradicionale, zakonore, miqësore dhe të përbashkëta në breza, për liri e pavarësi. Ju adhuroj për kompaktësinë tuaj si fshat, me njerëz me emër, me trima dhe kapetanë të kohërave, me luftëtarç sypatrembur, me heronj dhe dëshmorë, me njerëz artdashës, të kulturës dhe të dijes. Në jetën time njoh dhe respektoj shumë kallaratas të nderuar, si vëllezërit Esat e Bilal Breshanaj, Seit Jonuzaj, Çize Xhaferaj, Besim Jonuzaj, Gafur Shametaj, Bejo Xhaferaj etj, si dhe burrin e nderuar të atij fshati, luftëtarin e brigadave partizane, Sihat Tozaj.
Kallarati dhe Bolena, si fshatra fqinjë, historia kurdoherë i ka parë dhe gjetur bashkë, në të njëjtin front, kur e ka kërkuar nevoja. Le të kujtojmë këtu vitet e qëndresave antiturke, 1846, 1847, kundër shovinistëve grekë më 1913-1914, epopenë e 1920-ës, luftën e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare…
…Bogonica me Çipin…!
Dy male kreshnikë, përballë njëri-tjetrit, sjellin vargje kënge dhe atdhetarie, akte sublime…
Bogonica me Çipin,
Ç’kanë që qajnë me lot,
Qajnë me lot për Muminin,
Që s’e shohin këtu sot,
Të bën mbledhje me rininë,
Siç bënte para një mot…
Heroi i Popullit, Mumin Selami i Kallaratit dhe nip ai në Bolenë mbetet lapidar heroizmi, hero epoke, nderi i fshatit Kallarat, i Kurveleshit dhe i Labërisë…
Ju uroj, të nderuar kallaratas, për të gjitha ato aktivitete që organizoni dhe jo rrallë pasqyrohen në telereportazhe, takim brazash etj. Këtë urim jua përcjellim ne si Bolenë edhe për ditën e Takimit tuaj të Brezave, 15 gusht 2009… U takofshi për mot gëzuar, me emër të nderuar…!
Faslli KOÇIAJ, anëtar i redaksisë së gazetës “Bolena”
Botuar ne numrin 45 te gazetes Kallarati 2009