PO PËRSËRIS VETEN, NGA ENVER GOLLOSHAJ

EnverGolloshi

” Gjak shqiptari rrjedh në venat e tua dhe nëse po të kushtoj këtë libër të vogël, këtë e bëj që ta kesh gjithmonë pranë vetes, për të mos harruar kurrë mëmëdhenë tënd, gjuhën tënde amtare, vlerën e së cilës e ardhmja do ta njohë .” Kjo është pjesë e letrës kushtuar bijës së tij, Matildës, e Eduard Shnajder-it, 1893.

Duke lexuar këtë dijetar francez, u shtyra të bëj një përsëritje të vetvetes. Ndonëse për përsëritjen është thënë se “është babai i mërzitjes”. Por diku kam lexuar se këtë shprehje e përdorin njerëzit pa vullnet për të mbuluar dembelizmin e tyre, se në të vërtetë “përsëritja është nëna e dijes”, pasi ajo t’i forcon dhe t’i ngulit më thellë njohuritë që mund të marrësh në jetë, sidomos nga librat. Eduardi nuk ishte shqiptar, por me sa duket, krijoi familje me një shqiptare dhe pati me të një vajzë, Matildën. E ëma që foshnjë kësaj i fliste me gjuhën e saj, shqip. Mirëpo Shnajderi u dashurua pas kësaj gjuhe dhe si dijetar që ishte, i hyri studimit të saj,duke e krahasuar me gjuhën etruske dhe arriti në përfundimin se gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e pellazgëve,por e trazuar. Prandaj e këshillon të bijën të mos e harrojë se “e ardhmja do ta njohë”. Dhe e vërteta është se kjo gjuhë që rridhte nga pellazgët,jo shumë vonë do të merrte ato përmasa që ka sot gjuha shqipe.

Kur këtë e thotë dhe e bën një i huaj, po ne vetë, shqiptarët, ç’mund të themi e ç’mund të bëjmë? Sidomos për fëmijët tanë. A thua se duhet të mendojmë e të bëjmë aq pak? Jo,nuk na lejohet! Dhe askush nuk na jep të drejtë. Unë e kam fjalën për kallaratasit dhe shumë të tjerë që punojnë e jetojnë familjarisht në vende të huaja dhe që janë me shumicë.

Po ç’është gjuha e nënës? E kam thënë edhe më parë, se gjuha e nënës është e barabartë me qumështin e nënës. Këtë e kanë thënë dhe e kanë provuar të tjerë,dijetarët, kurse unë vetëm sa e përsëris. Prandaj edhe shkrimin e quaj përsëritje, se kjo që shkruaj është që nga fillimi vetëm përsëritje. Qumështi i nënës është i përbërë nga natyra me elementë që e pajis fëmijën me imunitete për gjithë jetën dhe nuk mund të zëvendësohet plotësisht me qumësht tjetër. Por gjatë kohës që nëna i jep qumësht fëmijës, bashkë me të i mëkon edhe gjuhën e vet, e cila ka po ato veti që ka edhe qumështi. Por këto veti i ka vetëm gjuha e nënës për fëmijën e saj dhe asnjë gjuhë tjetër nuk i ka.. Nuk i ka se, si qumështi edhe gjuha,dalin nga i njëjti trup ose, më saktë, nga i njëjti gjak. Ju kujtoj: “Me se rrojnë foshnjat? Ç’i rrit çiliminjtë? Dashuria e nënës dhe përkëdhelitë.” Pra qumështi dhe gjuha e nënës bëhen pjesë e trupit të njeriut. Kur isha i mitur, jetoja në një familje himarjote. Zakonisht në Himarë, në familje, flasin greqisht. Gjyshes së asaj familjeje i vdiq një vajzë. Mirëpo ajo shumë herë e qante me fjalë shqipe. Edhe unë e pyeta, pse? Ajo mu përgjigj: ” Se kështu më shërohet xhani”. E vërteta është se gjuha e tyre është shqipja, prandaj u “shërohet xhani” kur qajnë shqip, por rrjedhat e kohës kanë bërë ndryshime, se vërtet ajo familje, me origjinë, është nga Kurveleshi.

Gjuha është një dritare në jetë dhe prandaj, sa më shumë gjuhë të dijë njeriu,aq më shumë njeh. Por duhet të dijë se gjuha e nënës është nga ana që lind dielli, pra bie, siç i thonë me Kuran nga Qabea dhe bën dritë më shumë se çdo gjuhë tjetër e huaj dhe njeriu do ta ketë mendjen më të ndriçuar. Prandaj mos e lini fëmijën pa qumështin dhe gjuhën e nënës. Sidomos më e kujdesshme duhet të jetë mëma. Le t’i flasë me gjuhën e saj fëmijës. Le t’i thotë të keqen mëma, tu bëftë mëma dhe jo “na su paro to kako”. Në vitet pesëdhjetë isha mësues në një fshat. Aty më vinin në klasën e parë fëmijë të vllahëve që nuk dinin asnjë fjalë shqip. Po edhe unë nuk dija asnjë fjalë nga gjuha e tyre. Po nuk shkonte shumë dhe për 1-2 muaj edhe ata mësonin shqip. Këta, vllahët, kanë me qindra e ndofta me mijëra vjet që janë larguar nga vendi i tyre. Atdheun e kanë lënë atje, kurse gjuhën e kanë marrë me vete dhe pas kaq shumë vjetësh e ruajnë dhe e flasin. Kurse ju kini 10-15 vjet që jini larguar dhe harroni gjuhën e mëmës e nuk u flisni fëmijëve tuaj. Nuk ju lejohet dhe bëni një gabim të rëndë ndaj tyre. Kur vini në vendlindje me pushime, shumë nga fëmijët tuaj nuk dinë asnjë fjalë shqip. Të mjerët gjyshër e gjyshe që nuk dinë t’i përkëdhelin nipërit e mbesat e tyre në gjuhë tjetër,veçse shqip. Nuk ju falet fare se, po qe se nuk flasin shqip,as që duken se janë shqiptarë. Ka në Amerikë që kanë ikur edhe më se dy shekuj dhe prapë fëmijëve ua mësojnë shqipen. Gjuha jonë është e bukur, elastike që mund të shprehësh çdo mendim apo ndjenjë. Para disa vitesh një gjuhëtar mblodhi nga shumë gjuhë disa fjali përshëndetëse. Kur bëri krahasimin e tyre, të parën zgjodhi përshëndetjen shqipe “Tungjatjeta”, sepse kjo kompozitë përmbledh urimin më të madh, dmth zgjatjen e jetës, të asaj që është më e shtrenjta për njeriun.

Mbase dhe u zgjata ca, por dua t’ju bind me patjetër që ju domosdo t’i mësoni fëmijët të flasin shqip në shtëpi.

Edhe dy fjalë do të them për Atdheun ose, siç e kanë quajtur Rilindësit tanë, Mëmëdhenë-“Mëmëdhe quhet toka/ Ku më ka rënur koka / Ku jam rritur me thërrime/ Ku kam folur gjuhën time…”etj. Më shumë e më mirë se sa e ka thënë i madhi Çajup, është e tepërt të flas unë, por dua të sqaroj ndonjë gjë, se më duket sikur e kini harruar dhe mëmëdhenë. Nuk është e vërtetë se Atdheu qenka ai që jetoj më mirë. Në një bisedë me dy të moshuar,më thanë se, të dy këta, familjen, me djalin me nuse, nipa e mbesa dhe gratë i kanë, njëri në Greqi e tjetri në Amerikë. Vetë jetojnë këtu. E kur i pyeta, pse kështu? Të dy më kthyen, pothuaj, të njëjtën përgjigje:” Kur ishim atje, ne e kishim të tërë familjen, po na mungonte Atdheu. Tani Atdheun e kemi këtu, po edhe fëmijët, se flasim çdo ditë me ta dhe shpeshherë edhe vijnë, kurse Atdheu nuk na vinte atje. Prandaj jemi shumë të kënaqur që jetojmë këtu.

Këto gjëra, pothuajse, i kemi provuar të gjithë. Pra atdheu është i dashur e i shtrenjtë. Prandaj, ju punoni e jetoni,bëni dhe pasuri e prokopi sa të doni dhe më në fund, të vini e ta investoni këtu, në Shqipëri që ta bëjmë atdheun tonë sa më të bukur e sa më të begatë. Atdheu është rrënja e njeriut, ashtu si foleja e zogut në degën e rrapit buzë lumit.

Ju falem nderit. Juaji Enver GOLLOSHAJ

Botuar ne Gazeten Kallarati, Nr. 44, 2009

Next Post

100 VJETORI I PAVARESISE - Refleksione, nga Lefter Hysaj

Mër Gus 1 , 2012
NJE FSHAT I VOGEL NE BRINJE… Pamja që të afron sot “Fshati i Djegur” më shtyu që të shkruaj rreth asaj ngjarje që la gjurmë në historinë e Kallaratit. La gjurmë sepse u krijua një toponim i ri nga një ngjarje me motive patriotike, atdhedhashëse. La gjurmë sepse mund të […]
Lefter Hysi