Petro Marko është një fakt i dhimbshëm letrar dhe njerëzor. Ai është një rast unikal në letërsinë shqiptare, krejt i veçantë si jetë personale, si veprimtari njerëzore dhe si krijimtari. Në asnjë rast në letrat shqipe fati i veprës nuk ka përcaktuar kaq fort fatin e shkrimtarit dhe anasjelltas, sipas një simetrie dramatike.
“Dy, pra, ishin kategoritë e njerëzve që më pëlqenin, ata që shkruanin dhe ata që ishin revolucionarë”. Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 84.
Në rastin e Petro Markos është e vështirë të ndash qytetarin nga shkrimtari si ëndërr (projekt personal) dhe si ëndërr ( projekt social). Ndërkaq, vetë citimi i mësipërm ta lehtëson analizën sepse shkrimtari vetëpërcaktohet kaq qartë në planin intelektual, shpirtëror dhe atë shoqëror, në projektin personal dhe atë social, saqë ne na mbetet vetëm të sjellim argumente të forta, konkrete nga jeta dhe krijimtaria e tij letrare (veçanërisht romanore), se sa ta përcaktojmë ne atë. Kështu ne na duhet të arrijmë në një përfundim të arritur që më parë prej autorit, por ama duke përcaktuar masën dhe cilësinë e pranisë së tij në të dy pozicionet, thënë ndryshe, duke i verifikuar ato.
Në rininë e vet, çka është edhe koha e formimit dhe orientimit të çdo njeriu (pra dhe të shkrimtarit) Petro Marko përcakton rrugën e tij të jetës: do të bëhet shkrimtar dhe revolucionar. Nëse në projektin personal duket ende i papërcaktuar plotësisht, (nuk bën dallim mes atyre që shkruajnë, pra, të gjithë ata që shkruajnë pa përkatësi ideore dhe klasore) në projektin social është më i përcaktuar: do revolucionarët, (dmth. ata që bëjnë përmbysje, revolucione, që janë të kundërt me reaksionarët, sipas P.Markos). Pra, pa droje, pa pasur frikë se cenojmë sado pak emrin e tij, duhet pohuar se Petro Marko është një shkrimtar revolucionar i angazhuar, bile një revolucionar komunist, ndonëse me një vizion idealist, romantik, personal për komunizmin.
Ky përfundim apo përcaktim më tepër se prej veprës së vet romanore vjen prej veprimtarisë së tij revolucionare të shpallur fare hapur dhe çiltër në librin e tij të fundit “Intervistë me Vetveten”, që mund të quhet pa hezitim edhe romani i jetës së tij. Një libër që të befason me pasurinë e fakteve, ngjarjeve dhe personazheve që përmban. Veçanërisht impresionuese është natyra e jetës së P. Markos, dendësia e ngjarjeve në të cilat ka qenë prezent dhe aktiv, larmia dhe numri i madh i personazheve publike apo ilegale, gjithë elita politike apo intelektuale e kohës, që ka takuar, bashkëpunuar apo kundërshtuar. Një jetë vërtet si në romane, sa legale aq edhe ilegale, konspirative. Ka njohur direkt (personalisht) njerëz të regjimit deri në sferat më të larta, dhe revolucionare, shërbëtorë të fashizmit dhe antifashistë, fashistë dhe komunistë, nacionalistë dhe kolaboracionistë. Pra, një galeri të tërë personazhesh të Shqipërisë së asaj kohe.
Për të, (Për P. Markon), Shqipëria e atyre viteve, regjimi i saj veçanërisht, ishin të papranueshëm. Dihet që një vend i prapambetur ku njeriu, posaçërisht rinia, nuk mund të shprehet, të realizohet as humanisht (si qenie njerëzore), as pastaj profesionalisht bëhet shtrat i ngrohtë që lind ide revolucionare dhe revolucionarë. Dhe Shqipëria për të cilën po flasim, nuk ishte një vend për t’ u lakmuar.
Qysh në Shkollën Tregtare të Vlorës, P. Marko do të brumosej me dashurinë për Atdheun dhe urrejtjen për pushtuesit italianë. Aty do të lindnin dhe shkëndijat e para të protestës ndaj luftës e padrejtësisë sociale. Ndërsa në Tiranë do të plotësohej në aspektin e formimit social e do të përcaktohej përfundimisht si revolucionar: regjimi duhej përmbysur. Tashmë ai e kuptoi se realizimi i tij personal pas dështimit të shumë përpjekjeve për t’u punësuar apo ndjekur studimet e larta, nuk mund të bëhej pa realizuar idealet e veta sociale. Ishin kohë të turbullta, por duhej marrë një vendim: prova për të mundësuar sendërtimin e idealit të vet shoqëror, që ishte një ideal revolucionar, komunist erdhi: Lufta e Spanjës, lufta civile e popullit spanjoll. Spanja Republikane u bë simbol dhe test i mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë (popullore) nga diktatura fashiste spanjolle.
Shembulli i Spanjës i thërriste revolucionarët majtistë nga e gjithë bota. Dhe Petro Marko ishte nga ata që mezi e priste këtë sinjal. Dhe shkoi e provoi aventurën e Luftës së Spanjës. Por Republika ra. Simboli u shemb. P. Marko kthehet i deziluzionuar. E flak armën, por jo idealin. E ka ende të mprehtë instiktin e revolucionarit. Dhe sërish në kërkim të idealit. Kësaj here, duket se ylli i idealit dhe fatit të tij po i lindte në Atdhe, ku kishte nisur rezistenca kundër fashizmit. Ndërkaq Petro Marko do të duhet të kalojë shumë kohë nëpër burgjet e fashizmit në Europë (Francë, Itali) para se të vinte në Shqipëri në prag të Çlirimit.
Një aventurë prej revolucionari të paepur që shpejt do të merrte fund. Do të shijojë edhe çlirimin e Atdheut, lirinë. Por shpejt, si pas një fati të parashkruar, do të burgoset dhe nga regjimi dhe shteti për të cilin punoi. (shkroi dhe agjitoi) dhe luftoi (edhe me armë). Kështu ideali, ëndrra sociale iu shemb perfundimisht…., misionari dhe luftëtari idealist u deklasua. Mund të themi se P. Marko ka pasur një jetë gjithë tallaze, të zgjedhur prej tij vetë, por edhe të imponuar.
Shumëkush mund të na thotë: ç’na duhet jeta personale e shkrimtarit, qëndrimet e tij politike, shoqërore e morale! Kemi veprën e tij. Për hir të saj ne njohim dhe e vlerësojmë një shkrimtar. Pak rëndësi ose ndoshta aspak rëndësi ka nëse përputhen qëndrimet që ai ka mbajtur në jetë me mesazhet apo domethëniet e veprës së vet. Por, shkrimtari është qenie shoqërore, para se të jetë shkrimtar dhe do t’i duhet të mbajë qëndrime prej qytetari, që do të thotë se gjatë jetës do teë provohet edhe si qytetar.
Ndërkaq është e vërtetë që ne x shkrimtar e vlerësojmë si të tillë dhe jo si njeri. Por, shkrimtari është një qenie e dyzuar dhe interesimi për jetën e tij, me tepër se kuriozitet, është shprehje e adhurimit të lexuesit për idhullin e vet, tek i cili ai kërkon të gjejë të mishëruar të bukurën dhe të mirën e pacenuar, në plotërinë e vet, sipas parimit idealist se veprat e mira (në këtë rast librat e mirë) i bëjnë dhe njerëz të mirë. Sepse njeriu, (lexuesi) i zakonshëm ka nevojë për modele ndikues. Bota gjithnjë, edhe sot, edhe nesër, ka dhe do të ketë nevojë për modele morale, përderisa amoraliteti nuk është “një mineral i rrallë”.
Mund të thuhet se një lloj përputhjeje mes moralit të shkrimtarit me veprën e vet ka kuptim sa është gjallë shkrimtari. Kurse, kur ai nuk është më fizikisht , relacione të tilla me veprën, me domethënien e saj e humbasin kuptimin. Megjithatë, edhe në këtë rast, mendojmë se nuk humbet krejt kuptimi i kësaj simetrie. Seç ka një lidhje misterioze, të pavullnetshme apo kërshëri të lexuesve që të dinë edhe çfarë ka qenë x shkrimtar si qytetar, cilat kanë qenë qëndrimet e tij në jetë: ç’ ka pëlqyer dhe ç’ ka refuzuar, cili ka qenë ideali i tij social-estetik, e pse jo, edhe politik, term ky i fundit që i “tremb” ithtarët e artit të kulluar, të boshatisur nga përmbajtja sociale, një art që gjithsesi, pavarësisht deklarimeve për apolitizëm, asociologjizëm dhe amoralizëm (në kuptimin jo të keq, por të atij që nuk bën moral) nuk mund të jetë pastërtisht i tillë.
Letërsia, arti, është një krijimtari specifike e njeriut, produkt special i ndërgjegjes apo nëndërgjegjes, siç thonë disa, në fund të fundit krijohet nga njeriu, i cili sado të përpiqet të largohet nga shoqëria, të vetëizolohet, të asnjëanësohet, “të verë pambuk në vesh”, është qenie shoqërore dhe reflekton në vepër, natyrisht sipas ligjeve të krijimit, një kohë të caktuar, një mentalitet të caktuar, realitete të caktuara të identifikuara edhe kur janë krejtësisht të fantazuara, sepse ngrihen mbi modele të parapëlqyera prej autorit.
Në fund të fundit, me gjithë mentalitetin e tij social një shkrimtar i vetëshpallur si përfaqësues i letërsisë pa pëmbajtje sociale , nuk mund të jetë në “ asnjë zonë” ose një “ jo-zonë” nëse është e mundur të shprehemi kështu. Është e pamundur që si qytetar, dikush (edhe një shkrimtar) të mos jetë me asnjë palë, me asnjë rrymë, modë të menduari, të jetuari, të krijuari. Kjo, megjithë avokatinë e fortë që mund t’i bëhet është e pabesueshme, sepse është e pavërtetë. Ndërsa për shkrimtarët e përcaktuar si qytetarë, ose thënë ndryshe, për shkrimtarët e angazhuar, çështja është më e lehtë. Dhe kjo nuk e kompromenton aspak letërsinë e tyre, siç mund të mendohet cektësisht.
Unë nuk mendoj se kur një shkrimtar (artist) është i angazhuar, vepra e tij automatikisht duhet të jetë e dobët, meqë mesazhi i saj është i parapëlqyer. Të angazhuar kanë qenë Eskili, Dante, Molier, Gëte, Hygo, Balzak, Tolstoi, Hemingueji, Sartri (këtu nuk e kemi fjalën për shkrimtarët e rreshtuar në kampet ideologjike të fashizmit dhe komunizmit). Në këtë sens, P. Marko është një shkrimtar tipik i angazhuar, që ka një projekt ideo-estetik të vetin, që e deklaron artistikisht në veprat e veta ose joartistikisht, si të themi, në shprehje të ndryshme të vetvetes, si në librin “Intervistë me vetveten”. Nëse do të duhej të përcaktonim fare shkurt raportet e shkrimtarit me qytetarin, do të thoshim se tek Petro Marko shkrimtari nuk e tradhëtoi qytetarin dhe qytetari shkrimtarin.
Projekti artistik i Petro Markos
“Millosh, ti shkruan errët ndaj duhet të shkruash më hapur, që të kuptohesh nga shumica e lexuesve tanë….” Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 167.
Petro Marko duket se dëshiron të krijojë artistikisht një botë që ai e përfytyron sipas idealeve të veta. Ndonëse ai formalisht i përkiste Realizmit Socialist, meqë krijon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore dhe meqë kishte përvetësuar idetë komuniste, gjykuar nga veprat e veta, veçanërisht ato romanore, ai del një shkrimtar i “padisiplinuar” ideo-politikisht. Sepse ai e koncepton komunizmin, siç kemi pohuar në pjesën e parë të këtij kumtimi, në mënyrë idealiste, romantike, si shoqëri të lirisë, drejtësisë, barazisë, prosperitetit. Ndërsa realiteti politiko-shoqëror i pas Luftës II Botërore në Atdheun e vet ishte një ëndërr e përmbysur, një realitet i egër, represiv, veçanërisht për fjalën e lirë, për fjalën artistike, për letërsinë.
Endrra kishte qenë e bukur, por zhgjendrra ishte fatale. Komunizmi si ideal social në kohën e Petro Markos ishte në modë. Ndërsa në realitet ishte zhgënjyes. Misionarët, ç’ka ishte edhe vetë shkrimtari tashmë ishin kthyer në revolucionarë. Ata tani kishin punë me armiqtë e tyre, borgjezët, por edhe me veten e tyre (shembulli i P. Markos dhe i qindra të tjerëve). Pikërisht për këtë çdo botim i tij, ashtu si ai vete, u persekutua. Çdo roman i tij ka qenë një lindje e vështirë letrare, duke filluar nga romani i tij i parë “Hasta la Vista”, që shënon edhe romanin e parë serioz për nga vlerat, të letërsisë së sotme shqiptare, e deri te romani i fundit “Ara në mal”. Është për t’u theksuar se me përjashtim të romanit “Qyteti i fundit” (i cili ishte botuar i plotë me ndërhyrjen e kryeministrit të asaj kohe), të gjithë romanet e tjerë nuk kanë dalë siç i ka shkruar autori, por sipas një kirurgjie të ashpër ideopolitike të censurës së kohës. Por, Petro Marko, pavarësisht kësaj, vazhdon të shkruajë më tepër sipas “parimeve të veta” dhe jo aq atyre të Partisë.
Shkrimtarët nuk projektojnë shoqëritë e së ardhmes, as i ndërtojnë: ata vetëm i ëndërrojnë ato. Edhe Petro Marko si shkrimtar i ëndërron.Ëndërron jo vetëm për veten, por për veten dhe të tjerët.Ëndrra e tij është ëndërr sociale, paçka se tek ai shfaqet si ëndërr apo ideal personal, ndonëse ajo nuk është një ëndërr totale (e të gjithë njerëzve), por ëndërr e të gjithë njerëzve shoqërisht të njëjtë apo të ngjashëm me të. Kështu mendoj se duhet kuptuar vepra e Petro Markos.
Ai në veprën e vet e vendos gjithçka në funksion të idealit social. Pjesa më e madhe e romaneve të tij kanë temën e luftës për liri, të luftës kundër fashizmit, veçanërisht. Ndoshta se, në këtë të dytën, ishte vetë protagonist: le të kujtojmë titujt e këtyre romaneve: “Hasta ka Vista”, “Qyteti i fundit”, “Stina e armëve”, “Nata e Ustikës” etj. Duket se Petro Marko është i determinuar nga Lufta II Botërore. Ajo konceptohet jo thjesht si përplasje kundërshtarësh në fushën e betejës, por si luftë ideologjike midis socializmit (komunizmit) dhe borgjezisë (kapitalizmit). Dhe sot, pas dështimit të idealit, njerëz të veçantë edhe mund të degustohen për çka po diskutojmë, meqë sot socializmi që ëndërron autori dështoi si sistem shoqëror. Megjithatë, Petro Marko nuk është fajtor pse ëndërroi. Të ëndërrosh nuk është faj. Njerëzit, veçanërisht kur janë keq, ëndërrojnë bukur, që të zbukurojnë botën, e cila, për hir të së vërtetës, nuk është kaq e bukur (në totalitetin e saj). Ai ishte revolucionar si njeri (mjafton të lexosh “Intervistë me vetveten”). Dhe për pasojë revolucionarët do të popullojnë edhe hapësirat e veprës së tij, së bashku me antagonistët e tyre, të cilët nuk mund të simpatizohen prej autorit sepse janë pengues të idealit të vet social–estetik.
Gjithë simpatia e tij shkon për revolucionarët, njerëzit e thjeshtë, të poshtëruar, të refuzuar. Në kohën e sotme sigurisht pikëpamje të tilla janë të kapërcyera dhe të largëta për pjesën demokratike të botës. Por, ka momente në histori kur imponohen pozicione social-estetike të forta në kohë përplasjesh sociale e politike të mëdha, veçanërisht në kohë antagonizmash globale. Në këto kohë jo vetëm fryma e veprave letrare e artistike, por edhe personazhet janë të ngjyrosur politikisht. (Kështu ndodh edhe me romanet e Petro Markos, sepse ai është një shkrimtar i angazhuar). Në kohë më të qeta, poziconet social-estetike zbehen, pasi janë zbehur me parë pozicionet ideologjike-politike dhe njerëzit e personazhet e dy “zonave” përballë (kundërshtarë) fillojnë t’i ngjajnë njeri-tjetrit (në mendim e veprim). Krijohet kështu e njëjta klimë politike e sociale, e për pasojë, edhe estetike, krijuese.
Petro Marko, gjykuar nga teknikat romanore, mjeshtëria e të shkruarit, është një shkrimtar i drejtpërdrejtë, në kuptimin më pak i sofistikuar formalisht (si strukturë romanore, si stil, si shprehje). Këtë e pohon edhe vetë Petro Marko në bisedën shumë domethënëse me Migjenin rreth stilit, formës apo problemeve që duhen ngritur në art e publicistikë, kur i thotë Migjenit: “Millosh, ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 167).
Ndërsa ideali i tij estetik është majtist komunist për nga frymëzimi, por një komunizëm i bukur, human, i ngjashëm me ëndrrën, prandaj edhe që mobilizon maksimalisht, thekshëm, dhe që kërkon edhe zgjidhje përmbysëse si forcë ideale dhe si veprim praktik revolucionar. Vepra e tij, ashtu si ai vetë, përshkohet nga romantika revolucionare dhe nga dëshira për të provuar deri në sakrifikim. Personazhet kryesore të tij (që mendojnë e veprojnë njësoj si ai), që janë thjesht vetja e vet, d.m.th. Petro Marko në versione të ndryshme, janë të prirur nga një “shpirt aventure serioze”, në kërkim të idealit, prandaj edhe fundi i tyre është i mprehtë dhe i prerë: fitojnë ose humbasin dhe jo edhe fitojnë edhe humbasin (kujtojmë çiftet e personazheve Gori-Anita, te “Hasta la Vista”, toger Leka – Ana Maria Monti te “Qyteti i fundit” dhe Andrea–Sonja te “Nata e Ustikës “(“Një natë dhe dy agime”).
Personazhet e Petro Markos ashtu si autori i tyre, nuk meditojnë e fantazojnë të ndryshojnë botën, por edhe luftojnë e punojnë për ta ndryshuar atë. Petro Marko si stil i qëndroi besnik më tepër një letërsie të drejtpërdrejtë, sepse duke u shprehur hapur, thjesht (siç pohon në takimin me Migjenin cituar më lart) ai mendon se kjo është rruga më e shkurtër për të impresionuar të tjerët (sidomos njerëzit e thjeshtë), simpatizantët ose “shokët e idealit” (fjalën shok, shoqe, ai e përdor shpesh në veprat veta deri tek libri i fundit “Retë dhe gurët”) njerëz përgjithësisht të shtresave të varfëra, të gjera, të margjinarizuara nga pushteti i së keqes, zakonisht ky një pushtet politik apo ideologjik jomasovik, jo popullor.
Personazhet e tij, ose ata pas të cilëve është P. Marko si përkatësi sociale, kanë pak ose aspak në jetë, prandaj kërkojnë të gjithë botën. Për këtë arsye ata harxhojnë shumë energji dhe rrezikojnë deri në aventurë dhe shpesh, në fund humbasin jo vetëm idealin, qëllimin, por edhe jetën. Por, edhe kur mbeten gjallë ata janë bosh, hije të vetvetes, pasi është vrarë ideali për të cilin jetojnë dhe luftojnë. E, prej këtej lind zhgënjimi, boshësia, drama, jo vetëm e personazheve, heronjve të tij, por edhe të atij vetë, që vjen si pasojë e utopisë (“Hasta la Vista”, “Qyteti i fundit”, “Nata e Ustikës”). Personazhet e Petro Markos kanë ngjashmëri me ata të sivëllezërve të tij shkrimtarë Heminguej e Remark, ndoshta sepse u duhet të përballen me të njëjtat rrethana, pavarësisht pozicioneve në llogoret e luftës apo dhe pozicioneve të ndryshme ideore të krijuesve të tyre.
Ata kanë të përbashkët një frymë humbjeje, disfate. Tek Petro Marko kjo frymë është më e zbehtë, sepse është e veshur me optimizmin komunist, ndërsa te Hemingueji apo Remarku është më e rëndë dhe e zymtë, artistikisht më evidente, sepse është e zhveshur nga optimizmi ideologjik (kujto “Hasta la Vista” dhe” Lamtumire armë”,” Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”).
Krahasuar me dy të tjerët, personazhet e P. Markos kanë pak ose aspak dilema, sepse janë të përcaktuar, të orientuar në veprimet dhe qëllimet e tyre. Kjo ndodh ngaqë personazhet e Heminguejit dhe të Remarkut “i kanë çuar” në luftë, kurse ata të Petro Markos “kanë shkuar vet“ në luftë.
Të parët janë ushtarë, të dytët janë misionarë. Të parët i mallkojnë ata që i kanë çuar në luftë, të dytët i idealizojnë ose të paktën nuk i mallkojnë, ndoshta sepse misionarët humbjet i quajnë të rastit, ndërsa misionin e quajnë të përjetshëm dhe udhëheqësit e tyre profetë. Ndonëse personazhet e romaneve të Petro Markos janë bartës të një fryme revolucionare në karakterizimin e tyre, në mendimet dhe veprimet e tyre, në portretizimin e tyre, nuk janeë kukulla të ideve të autorit, sepse nuk janë krijuar sipas parimit dogmatik bardhë e zi. Ata nuk janë revolucionarë të përsosur, krijesa ideale, ikona, përkundrazi, ata kanë edhe mangësitë e tyre, mangësi me të cilat natyra pajis edhe njerëzit më të mirë, që shërbejnë si model për të tjerët. Interesante është të theksohet se, përkitazi me zhgënjimin ideologjik që pëson autori, vjen dhe largimi i tij prej humanizmit klasor, si p.sh. në “Hasta la Vista” drejt humanizmit panklasor ose mbiklasor si p.sh. në romanin “Qyteti i fundit” (rikujtojmë p.sh. dashurinë e toger Lekës, një ish-partizan e komunist me një “mbetje” fatkeqe të fashizmit, kundërvenie e hapur me moralin revolucionar komunist).
Ndërkaq në krijimtarinë e P. Markos , si metodë dominon realizmi (jo socialist) me gjithë përkimet herë-herë me këtë të fundit, sepse ai nuk e duronte dot dogmën dhe prandaj edhe pagoi haraç gjithë jetën për këtë. Në veprat e tij ka elemente dhe imtësi, detaje deri natyraliste, dokumentare, shpesh, duke nisur nga emrat e personazheve të tij e deri te “bëmat“ e tyre. Kjo është veçori e artit të tij, një bindje e tij me pluset dhe minuset e saj. Nëse do të duhej t’i përcaktonim përmbledhtazi personazhet e veprave të tij, përgjithësisht do të shohim se janë të parealizuar si qenie njerëzore dhe shoqërore në ëndrrën e tyre si qëllim, sepse ëndrra gjithherë është një projekt (idealitet) kurse realiteti materialitet.
Duke patur parasysh të gjitha këto, vepra e Petro Markos qëndron me dinjitet në fondin më të mirë të letërsisë shqiptare e për këtë do të kujtohet e vlerësohet gjithmonë edhe autori i saj, sepse P. Marko i dha Letërsise Shqiptare atë që mund t’ia jepte vetëm ai.