KALLARATI (skicë-esse)

PetritQejvani

Në mes të Labërisë së thellë, në të dy anët e Lumit të Vlorës, sapo ai ka marrë startin, në këmbët e malit të Bogonicës, shtrihet Kallarati. Nga të rrallët fshatra të dyzuar, njëri përballë tjetrit, si ne legjendë: një i gjallë, tjetri i vdekur (i djegur), por me rrënojat thuaj 100-vjeçare ende në këmbë, mbresëlënëse.

Është një fshat i vogël, ” i paktë” siç thotë kënga popullore, por i vetmjaftueshëm në qenien tij, me njerëz të qetë e dinjitozë, që zënë vendin, që u takon në jetë dhe në shoqëri, modestë dhe të pagabueshëm në vlerësimin e vetes dhe të tjerëve.Që nuk e matin veten me hijen e mëngjesit, që nuk mburren e bëjnë zhurmë, kur bëjnë gjëra të çmuara, por bëjnë gjithçka bëjnë njerëzit e zakonshëm të kësaj bote.Që zënë pozicionet e tyre kur kërcënohet liria dhe kur duhet thënë fjala. Ata nuk bënë asnjëhere teatër në jetën e tyre, për t’u dukur para të tjerëve, fqinjëve apo botës, sepse janë të natyrshëm. Një fshat mes malesh, me shpatulla mbështetur te mali i tij i bukur dhe bujar, Bogonica, një mal inetresant, me dy maja gati simetrike dhe me një livadh të gjelbër në mes, si për të qetësuar rreptësinë e majave në krah të njera-tjetrës. Duket sikur është projektuar njëherë nga njeriu, pastaj është realizuar, në trajtën e një w-je gjigande, si tek “wolksvageni”. Është një fshat, që nuk shfaqet menjëherë, por pjesë-pjesë për shkak të relievit të thyer dhe të kodrave, që fshihen njera pas tjetrës, me pemë rreth oborreve dhe me një prehër tokë para çdo shtëpie për shkak të terrenit të sertë prej guri e shtufi. Por i bukur, ndoshta më i bukuri i fshatrave përreth , i zbritur buzë rrugës automobilistike, me një lumë të kthjellët, që gjarpëron midis rrepeve, që e bën më poetik dhe romantik. Një fshat i vogël, por i veçantë, me mullirin e dikurshëm, me shkollën, me qendrën shëndetsore, me klubin e vogël ndanë xhadesë, me dyqanin në Qafën e Ubavit, me njerëz, që e kanë ditur me kohe se bota nuk fillon e mbaron me sinoret e fshatit, ndonëse pa emigracion të shënuar. Ndërsa pas vitit 1990 si gjithë të tjerët. Dhe nuk e rrahën ndonjëherë gjoksin se kishin bërë çudira…

Ka qenë fshat i madh dikur, thonë. Bile një këngë popullore flet për 42 dyqane!.Pak si shumë!..Gojëdhëna thotë se dikur një murtajë shoi fshatin dhe, mes lemerisë, ata që shpëtuan iknin ku të mundnin. Një pjesë e tij mbeti, për pamundësi largimi apo nga malli për vatrën,(ku i dihet?!) duke u zhvendosur pak më tej, aty ku sot është Fshati i djegur, një arkeologji e rrallë mbi tokë, një “Trojë e vogël” labe, shqiptare, djegur në fillim të shekullit XX (1914) nga po ata që dogjën Trojën e madhe. Këtë ndjesi më jep, sa herë e vizitoj, sidomos pasdite, në perëndim të diellit, kur nga rrezet e tij muret e rrënuar dhe pluhuri i shkatërrimit marrin një ngjyrë kafe të kuqërremtë. Ka dhe një pllakë në lapidarin simbolik atje. Sot fshati po braktiset sërish, por jo prej ndonjë fatkeqsie natyrore a pushtimi, por thjesht me dëshirë për një jetë më të mirë drejt qyteteve. Ndoshta kjo braktisje do të kthehet në një rilindje, në një pamje e funksion tjetër. Do të vijë koha, kur do të ndërtohen shtëpi të reja për efekt pushimi, sidomos në verë. Nuk është një ide fantastike. Besoj do të ndodhë kështu, bile jo larg, sapo ish fshatarët të “ngopen” me qytetin, gjë që e kanë bërë të tjerët para nesh. Sepse natyra në Kallarat është e bukur: mali, lumi, pylli i Morrezës me rrepe te lashtë, ajri i pastër, qielli i thellë…Duhet vetëm rruga e mirë për të shkurtuar kohën, pasi nga Vlora 50km nuk janë ndonjë distancë e madhe. Ndoshta një ditë një rrugë e mirë do të shkojë dhe atje…

5 mars 2012, Vlorë

Botuar ne gazeten “Kallarati”, Nr. 62 Prill-Maj 2012

Next Post

BOGONIC’ E MADHE, POEZI

Die Maj 27 , 2012
 Bogonic’ e madhe Me sheshe e Vale Me ujë të kulluar Si kristal në male   Ti një pikë vrojtimi Një kështjell’ e lashtë Kush del e shikon Bukuri e rrallë   Të kthehesh nga deti Pafundësinë shikon Dritat italiane Që andej dallon   Të kthehesh nga toka Gjer në […]

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt