Pse presidenti duhet të jetë i opozitës

PetritQejvani








Petrit Qejvani

Zgjedhja e presidentit që do zëvendësojë z.Topi po paraprihet nga një debat i gjerë politiko-mediatik, duke ngjallur kërshërinë e qytetarëve dhe parashikimet e parapëlqimet e analistëve të ndryshëm për horoskopin presidencial. Ndonëse me “të drejta të kufizuara politike” sërish posti i presidentit është i lakmuar nga palët politike. Presidenti zgjedh kryetarët e disa institucioneve kyçe të vendit si Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e Shërbimit Informativ Kombëtar, është vet kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ndërsa liderët politikë shqiptarë duan një president kukull, një babagjysh të vitit të ri, që shpërndan dekorata dhe bën ç’i thotë kryeministri. Prandaj deklarimet e liderit të opozitës se më i rëndësishëm është procesi se emri, në mos qoftë taktikë, është e gabuar.

Përvoja tek ne ka provuar se integriteti, personaliteti i kandidatit janë më të rëndësishëm edhe se vetë procesi. Po atëherë pse bëhet kaq zhurmë për një proces kaq normal dhe për një post neutral? Për një vend normal demokratik ky proces do të ishte shumë i qetë. Por te ne “që kemi hesape” me njëri- tjetrin, një arbitër i paanshëm është i papranueshëm. Opozita e do presidentin për t’u mbrojtur nga arroganca e qeverisë, kurse pozita e do të mbulojë paudhësitë e saj, por edhe pse “ia jep” Kushtetuta, sidomos pas ndryshimeve fatale për opozitën të 2008. Në frymë Kushtetuta ka konsensusin për zgjedhjen e presidentit (kjo ndihmon opozitën), por ka në germë numrin prej 71 votash së fundi, që ia jep pozitës. Nëse duhej bërë një ndryshim kushtetues për zgjedhjen e presidentit, për nivelin e demokracisë që kemi ne, duhej vënë një nen i tillë: Presidenti i takon gjithnjë opozitës.

Frika e opozitës shtohet më tepër kur hedh sytë në vitin 2013, në zgjedhjet e ardhshme, kur një president i Berishës, i bën zgjedhjet e ardhme parlamentare një formalitet. Berisha që është mjeshtër në prodhimin e “yçklave procedurale”(Kujtoni zgjedhjet e Tiranës), e ka të garantuar fare pa telashe fitoren me një president të “vetin”. Prandaj situata parashikohet të acarohet, duke ditur që Berisha nuk bën lëshime, kur është fjala për pushtet. Ai pretendon, bile, se ka lidhje biologjike me pushtetin! E ka thënë këtë në parlament, faqe të gjithëve. “Do iki kur të më marrë Ai lart”. Ndërkaq edhe Rama kësaj here nuk ka ç’humb: e ka shansin e fundit. Pranimi i një presidenti të Berishës praktikisht vulos edhe fatin politik të Edi Ramës.

Një president i pranuar edhe nga opozita është dhe rekomandim i ndërkombëtarëve, i artikuluar thuajse si kusht. Prandaj mendojmë se ka së paku katër arsye që president të jetë i opozitës:

1. Maxhoranca aktuale nuk është bindëse edhe në numra, (70+4 të majta) përjashto parregullsitë në zgjedhje dhe refuzimi i hapjes së kutive të votimit.

2. Duhen përfunduar disa prej dosjeve më të bujshme si Gërdeci dhe 21 Janari, të theksuara edhe nga raportet e BE-së, në të cilat është e implikuar qeveria.

3. Duhet garantuar pavarësia e gjyqësorit, aq shumë e kritikuar nga BE për të pasur rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

4. Se kështu rekomandojnë dhe ndërkombëtarët.

Në këto rrethana, një president i Berishës veç do tensiononte sërish situatën, duke e bërë më problematike dhe me pasoja të rrezikshme, gjë që bën përgjegjës vetëm Berishën. Prandaj e vetmja zgjidhje pozitive për te gjithë, edhe për Berishën, është një president konsensual.

Gazeta Shekulli 14.05.2012

Next Post

Pak nga jeta dhe aktiviteti artistik i Agim Mataj

Enj Maj 31 , 2012
U lind më 1 qershor 1955 në Kallarat. Ka kryer shkollën e mesme mekanike ne Lushnjë. Menjëherë pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak ka shërbyer si specialist radiozbulimi në radhët e Forcave të Armatosura,. Në vitin 1993, për arsye ekonomike, emigroi në Leçe të Italisë. Aty iu përkushtua punimit […]
A. Mataj