Petrit Qejvani
As që pritej që reforma në arsimin ë lartë të mos shkaktonte debate, miratime dhe mospëlqime të ndryshme nga aktorë të ndryshëm, që lidhen drejtpërdrejt me pasojat e jetësimit të saj. E rëndësishme do të ishte që debati të bëhej mbi parime e jo vetëm mbi interesa. Pasi jo gjithmonë parimet përputhen me interesat. Sidomos në momente të tilla ku është shoqëria jonë sot, kur interesat dominojnë mbi parimet, ndonëse shpesh mbulohen me to. Por a është e nevojshme kjo reformë? Dhe pse i kundërvihen asaj? Duke i dëgjuar shumë diskutime duket se kundërshtimi ka devijuar nga rrafshi akademik dhe ka anuar nga aspekti financiar, pra nga paraja. Unë besoj se shumica e shqiptarëve do të ishin dakord për reformimin e arsimit të lartë për ta bërë më kompetitiv. Pra, forcimi cilësor i dijedhënies dhe dijemarrjes që do të thotë rritje e produktit shkencor, që konsiston në rritjen e nivelit akademik të trupës mësimore dhe të kërkesave ndaj studentëve, si domosdoshmëri për një brez të ri me formim solid, të gatshëm për ndërtimin e një Shqipërie europiane. Çdo reformë ka objektivat e saj, midis të cilëve njëri është themelor. Kurse në rastin tonë objektivi themelor lidhet me një objektiv tjetër, kësaj here moral, siç është lufta kundër korrupsionit edhe në këta “tempuj” të dijes, që fatkeqësisht janë pushtuar, si kudo, prej tij. Kjo komprometon edhe prodhimin e këtyre institucioneve të dijes, ku informaliteti dhe falsikueshmëria janë në nivele shqetësuese. Pikërisht për këtë shkak reforma ndeshet me rezistencën e stafeve akademike të universiteteve, flamuri ‘shpëtimtar” i të cilëve do të ishte autonomia. Pra reformës i kundërvihet korrupsioni. Korrupsioni në universitet mbulohet lehtë me një mantel akademik dhe lufta ndaj tij është e vështirë. Për këtë arsye, qeveria duhet të jetë e hapur dhe e vendosur ne synimet e reformës së ndërmarrë prej saj.
Vet kryeministri Rama, para se të vinte në pushtet, e pati ngritur me forcë faktin që universitetet tona janë kthyer në fabrika të prodhimit të diplomave false. Kishte të drejtë, ashtu siç ka të drejtë sot të kërkojë nëpërmjet reformës, kthimin e këtyre “fabrikave” diplomë-prodhuese në funksionin e tyre natyral: dhënien e diplomave me meritë. Mirëpo këto ditë kryeministri deklaroi shtyrjen e reformës. Kjo deklaratë u komentua në një të përditshme si dështim i reformës, pra, edhe i qeverisë. Dhe jepeshin edhe disa arsyetime, sipas të cilave kjo reformë ishte paralajmëruar për të dështuar. Sidomos pas protestës së një grupi studentësh, të cilët ishin të manipuluar. Sigurisht që reforma ka çështje të diskutueshme, pasi nuk ka asnjë reformë 100% të pranueshme. Por unë mendoj se zoti Rama nuk ka hequr dorë prej reformës në arsimin e lartë. Ai, sipas meje, përkohësisht e ka ngrirë atë, më tepër si taktikë për të evituar shtimin e zhurmave të panevojshme, tani në prag të marrjes së statusin. Ndërkaq, vërejtje dhe mendime të ndryshme do të ketë sërish. Kjo është normale. Por autonomia e universiteteve nuk mund të jetë autonomi pa kufij, qoftë në planin akademik, kurrikular, dhe sidomos në atë financiar. Në universitetet tona ka shumëçka për të ndryshuar, qoftë procesi dijedhënës e dijemarrës, qoftë menaxhimi e administrimi financiar. Në këtë rast, vështirësia qëndron në planin moral. Për fat të keq, universitetet tona (sidomos ato publike) janë kthyer në tregje ku dijedhënia dhe dijefitimi janë shndërruar në dijeshitje dhe dijeblerje. Janë përmbysur raportet natyrale në marrëdhënien thelbësore pedagog-student, ku i pari është bërë shitës dhe i dyti blerës. Të gjithë universitetet (ato publike) po funksionojnë si ndërmarrje të paregjistruara në tatime. Kurse rektorët janë pronarët e vërtetë të tyre. Ata nuk merren drejtpërdrejtë me studentët. Nuk turpërohen me 5 mijë apo 10 mijë lekë, që marrin pedagogët për çdo student, por me 10 mijë euro e lart për çdo vend pune për pedagogët e rinj. Shto këtu dhe fondet për projekte, dieta e udhëtime “turistike”, të bëra e të pabëra. Siç shihet dhe dihet, universitetet janë kthyer në tregje informale me pedagogë që shesin nota dhe rektorë që shesin vende pune. Dhe ky treg funksionon për bukuri sipas kërkesës dhe ofertës! Ka blerës që duan diploma të shkollës së lartë, prandaj ka edhe shitës të këtyre diplomave. Ka pedagogë që duan vende pune në universitet, prandaj ka rdhe shitës (rektorë) të vendeve të punës. Ndaj, rezistenca më e madhe dhe kundërshtimi kryesor i reformës është pikërisht për menaxherin e qeverisë (ministrisë) dhe jo për anën kryesore, atë të përmbajtjes dhe kurrikulës, të procesit akademik, çka normalisht duhet të ishte fusha kryesore e debatit. Pra, ata duan t’i shpëtojnë kontrollit shtetëror në përdorimin e fondeve publike apo dhe të atyre që vijnë nga tarifat e studentëve, pasi janë mësuar me abuzime. Këtu duhet të godasë fort reforma; këtu duhet të mos tërhiqet Rama.
Sigurisht, ka probleme të shpërndarjes së këtyre fondeve në mënyrë përpjesëtimore midis departamenteve, sipas efektivitetit dhe kontributit që sjellin, jo patjetër material, por edhe intelektual ( këtu e kam fjalën për shkencat e edukimit e ato të albanologjisë, kaq të nevojshme në kuadër të integrimit e globalizimit), pasi ato pasqyrojnë identitetin tonë. Por një gjë duhet të jetë e qartë: përderisa qeveria është financuesja kryesore e universiteteve, ajo nuk mund të zhvishet nga e drejta për të ditur ku shkojnë dhe si përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë. Por këtu qeveria duhet të gjejë të tilla mekanizma që ta bëjnë sa më të besueshëm dhe objektiv menaxhimin e parave. Këtu s’është vendi për detaje, por këto mekanizma duhet të jenë gardiane të shpërdorimeve të mundshme. Ndërsa shkalla e autonomisë është normale të varet nga shkalla e aftësisë financiare të institucionit për të përballuar vet pagat e personelit akademik dhe burokratik, si dhe të projekteve të ndryshme. Nëse i kërkon lekë qeverisë, ajo duhet të dijë dhe si harxhohen ato. Autonomia është dhe duhet të jetë në përpjesëtim me aftësinë “vetëqeverisëse” të universiteteve, pasi autonomia financiare është thembra e Akilit e universiteteve dhe është gjithashtu pika më e nxehtë e debatit të tanishëm. Për këtë arsye, çdo kujdes apo kontroll i qeverisë mbi të shkakton nervozizëm te kupola e universiteteve. Kjo tregon se objektivi themelor i reformës, që është ngritja e nivelit të stafeve akademike në nivelin e vendeve të përparuara, modernizimi i proceseve dijedhënës e dijemarrës dhe përgatitja e brezit të europianëve të nesërm, nuk mund të bëhet pa luftën kundër korrupsionit moral në universitete, që në thelb është korrupsion material. Dhe kjo nuk lidhet doemos me nivelin shkencor të stafit akademik. Se jeta po provon që edhe profesorë të vërtetë vendosin nota (kjo është më e lehta) dhe firmosin edhe doktoratura pa asnjë vlerë për hir të parasë! Si kudo në shoqërinë tonë, për të patur një ngritje të përgjithshme (në çdo sektor) duhet më parë një ngritje morale. Në shoqërinë tonë beteja kryesore është beteja brenda vetes, është beteja morale. Deri tani ne e kemi humbur atë. Por pa e fituar atë, çdo betejë tjetër ose çdo reformë, është e dështuar që në nisje. Kjo është kryereforma. Nëse arrin të bëjë këtë, Edi Rama i ka bërë të gjitha reformat!
Marre nga Gazeta Shekulli