PUSHIME NË ATDHE, POEZI

Andi Meçaj

“Këtu ka mbaruar çdo gjë!,

më thotë sivjet Tiku.”

“Këtu ka mbaruar çdo gjë!,

më tha vjet Tiku.”

“Këtu ka mbaruar çdo gjë!,

më thoshte parvjet Tiku.”

 

Këtë më thotë gjithmonë Tiku

shoku im i fëmijërisë

dhe i rinisë së hershme,

Vjen çdo vit disa javë në atdhe

për t’u çmallur me nënën,

për të më thënë këtë frazë,

ndërsa takohemi në rrugë,

unë duke nxjerrë shëtitje mendimet e mia,

ai nipin e tij të vogël, që ia lexoj në sy

se një ditë të bukur vere

do të vijë të pushojë në vendlindje

duke thënë:

“Këtu ka mbaruar çdo gjë!”

2010

Nga Andi Meçaj