Meditim mbi ditarin e Heroit të Popullit Mumin Selami. Nga Idajet Jahaj
Ai jetoi vetëm 19 vjeç. Edhe kaq sa rrojti, jeta e tij qe e ngjeshur me etje diturie e veprimtari në shërbim të atdheut. Ai karakterizohej nga aspirata e thellë e dijes, veçori kjo edhe e shumë intelektualëve të tjerë që kishte nxjerrë fshati i tij. Kjo aspirate përshkonte tërë qenien e tij. Shkroi disa hartime e skica meditative, që në vitet e gjimnazit në Tiranë,1939-41.
Pak skica i janë gjetur atij, por është një thesar I vërtetë ditari i tij. Megjithëse i shkurtër, rreth 18 faqe, ditari është ruajtur me shkrimin e tij, në një fletore pak të zverdhur nga koha e gjatë.
Ky thesar shënimesh është lagur me lotët e nënës së tij, Duzes së famshme, apo të afërmve të tij që e kanë ruajtur me fanatizëm atë, nëpër dekada si një relike të çmuar shpirtërore, të një kohe dhe epoke të trishtshme. Sepse atëherë vendi ishte i pushtuar e I shtypur nga të huajt dhe bota përvëlohej në flakët e Luftës së Dytë Botërore.
Djaloshi Mumin ishte vetëm 18 vjeç kur e internuan nga Tirana në fshatin e tij, në Kallarat. Aty ai kaloi pak kohë, pranë nënës së tij të dashur e bashkëfshatarëve të respektuar. Aty ai pa lotët e mjerimit të popullit, pa qiellin plot me aeroplanë që hidhnin fletushka fashiste, pa natyrën e maleve të Lumit të Vlorës-plot madhështi për krenarinë e lirisë, male këto që kultivonin aq e aq virtyte tëm rralla ndër banorët e tyre. Aty ai ndjeu rrahjet e një zemre të madhe rënkonin gjëmimshëm nga mjerimi e shtypja; pa mundimin gjigant të punëtorëve të xhadeve që zvarriteshin si thnegla mjeruese kockë e lëkurë…
Të gjitha këto ai i shkroi ditë pas dite në një ditar, me laps kopjativ (që nuk i humbet boja), në një fletore fletë gjatë e vija-gjerë. Fletorja u ruajt, por për çudi e paralelizëm-ashtu si jeta e tij,- e ndërprerë në mes. Thotë në fund të 18 faqeve “vijon”, por është ndërprerë nga vetë ai, apo ka humbur pjesa tjetër? Megjithatë, dritën e thesarit nuk e pengon as gjysma. Edhe sikur të ishte vetëm një fjali apo një pasazh i tij, do të ndriçonte sërish…Sepse thesari ndriçon edhe në një grimcë.
Mendime të habitshme, për kohën e moshën e heroit. Pra, ai ishte dy herë hero: për veprimtarinë, gjakun dhe për shkrimet e mendimet e tij të dritta.
Ja një kryemaksimë e tij: “Mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu.” Po sa e sa të tjera ka rreshtuar e dritësuar ai? Këtu poshtë po renditim disa esenca të tilla të atij djaloshi-hero.
Ai shkruan për botën, luftën, varfërinë, bashkëfshatarët, malet e vendlindjes, vashëzën që u varros në lëndinë, nënën, kohën, qiellin me vija avionësh, skeletet e punëtorëve…Për burrin që loton se s’ka bukë për të ngrënë, për fëmijën e copëtuar nga bomba, për lulet, barin, lëndinën, ëndërrat, dashurinë…Për çfarë nuk shkruar heroi i penës edhe në ato pak faqe! Fare pak mundësi i la koha e jeta të shkruajë, por edhe ato ndriçojnë. Ndriç0jnë mendimet e një të pjekuri në moshë ashtu si profili i gjithë të rinjve “të thinjur” të viteve 30-40 të shekullit të kaluar. Edhe Mumini i Vlorës, i Kallaratit, me ato pak shkrime të tij ndriçoi e rreshtohet për nga tematika e forca shprehëse poetike-filozofike, krahas autorëve të tjerë të rinj e të shquar të kohës si Qemal Stafa, Veli Stafa, Nonda Bulka, bashkëkrahinori i tij- Shefqet Musarai etj, etj.
Sa shumë do ta kishte pasuruar publicistikën apo krijimtarinë e tij të mëvonshme djaloshi Mumin, nëse plumbi fashist nuk do t’i kishte prerë jetën! Humbje të tilla janë fatkeqësi të mëdha. Jo më kot bilbili tjetër i madh poetik i krahinës së Lumit të Vlorës, oratori Memo Meto nga Kuçi, do të shkruante elegjinë e famshme për shokun e tij të penës-Muminin e Kallaratit:
Bogonica me Çipinë ç’kanë që qajnë me lot?
Qajnë me lot për Muminë, që s’e shohin këtu sot.
Të bën grupe me rininë, siç bënte para një mot.
Të mblidhte djalërinë, se kishte për t’i thënë plot,
I lindur për Shqipërinë, shënimet ia gjeta sot.
S’ka fat e shkreta krahinë, shokët të qajnë me lot.
Poeti qan poetin, heroi qan heroin. Kjo elegji hyn ndër më të ndjeshmet e tilla në vjershërimin poetic të njerëzve të shquar të vendit. Bën dritë dhe është e denjë për antologjitë e memories së kombit…
Maja e zezë e plumbit Muminit i preu jetën…Por ai la shembullin e madh të heroit pas: të heroit të gjakut, por edhe të mendimeve…
Ja disa maksima të tij:
= Nuk di në është paqe apo jo.
= Shumë e fortë është zemra e njeriut.
= …Se sa bukur qytetërimi botëror i sotëm ka mundësi të copëtojë sa e sa trupa njerëzish.
= Bota është e më të fortit dhe e më të madhit.
= Drejtësia ndër popuj vdiq, padrejtësia dhe gënjeshtra mbizotërojnë…
= Lufta është rrënuesja e njerëzimit.
= Mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu.