RIZA PASHO SADIKAJ, NJË FIGURË MJAFT E VLERËSUAR, JO VETËM PËR BOLENËN, POR EDHE KALLARATIN.

Riza Sadikaj, i lindur më 1933 në Bolenë, në një familje me prejardhje patriotike e atdhetare, pasardhës i drejtpërdrejtë i njërit prej kapedanëve të fisit të njohur të Leskodukajve, Sadik Guxhës, vëlla dëshmori, për të gjithë ata që e kanë njohur si emër dhe aq më shumë ata që kanë patur rastin të punojnë nga afër me të, e vlerësojnë Rizain si një figurë me një kontribut të jashtëzakonshëm shumëvjeçar, jo vetëm në vendlindjen e tij Bolenë, por edhe në Kallarat, ku rreth 13 vite ishte Kryetar i Kooperativës së Bashkuar Bolenë – Kallarat dhe rreth 10 vite të tjera,Përgjegjës Sektori në Kallarat, kohë kur këto dy fshatra patën arritje të konsiderueshme ekonomike e social – kulturore, duke ndikuar në rritjen e mirëqenies së familjeve kooperativiste.

Nuk ka familje në Kallarat që të mos t’a ketë njohur Rizain si një njeri me vlera të larta, njeri i thjeshtë, organizator i mirë dhe një njeri i dashur e me humor, që me të drejtë hyn në njerëzit që konsiderohen e mbahen mend për “burra” në Labëri.

Kujtojmë lexuesit kallaratas, se Rizai në detyrat që ka kryer ka qenë gjithmonë pranë tyre. Kështu nga viti 1957 dhe deri 1967 ai ka punuar llogaritar në kooperativën e bashkuar Bolenë – Kallarat. Nga viti 1967 deri në vitin 1980 ka qenë kryetar i kooperativës së bashkuar Bolenë – Kallarat dhe nga viti 1980-1990 ka qenë nënkryetar i kooperativës dhe përgjegjës sektori në Kallarat deri sa doli në pension.

Rizai ishte edhe një familjar i mirë. Ai krijoi familjen e tij, me bijën bolenase, Zeni Lilo Tartaraj (ndarë para kohe nga jeta), me të cilën lindën, rritën, edukuan, shkolluan dhe nxorën në jetë pesë fëmijët e tyre, tashmë familjarë dinjitozë, si prindërit e tyre: Aliun, Beleren, Neshatin, Adrianën e Fatosin.

Para pak kohësh ai u nda nga jeta, duke qenë jashtë vendit te fëmijët në Itali, por amaneti i tij ishte të prehej i qetë në tokën ku u lind dhe që e deshi aq shumë, në Bolenën e tij të dashur, ku iu bë një përcjellje dinjitoze, ashtu siç e meritonte ai burrë, ku përveç bolenasve kishte mjaft e kallaratas dhe të tjerë nga krahina e më gjerë.

Bashkëfshatari i tij, Faslli Koçiaj në fjalën e lamtumirës midis të tjerash do të shprehej: “Mblidhemi sot në këtë ceremoni mortore, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, një burri dhe personazhi publik e shoqërorë mjaftë të dëgjuar të fshatit Bolenë dhe jo vetëm, një emri të memorizuar fortë në kujtesën e bolenasve dhe mbarë fshatrave të krahinës e sidomos Kallaratit për shkak të detyrave shtetërore në kooperativë, por edhe detyrave shoqërore të kryera pas daljes në pension. Riza Pasho Sadikaj, emri i këtij personazhi është tepër i mirënjohur si drejtues i zoti dhe atdhetar i flaktë i çështjes kombëtare. Prandaj – vijoji Faslliu – kur njeriu përcillet me nderime dhe respekte mes shoqërisë, ai mbetet përjetësisht në kufijtë e pavdekësisë. I tillë do të mbetet dhe do të kujtohet në breza, ky kuadër i zoti, ky familjar dinjitoz, ku aktivist i shquar i Bolenës dhe më gjerë, i komunës së Horë – Vranishtit dhe rrethit të Vlorës, i organizatës së familjeve të dëshmorëve, të veteranëve të LANÇ-it, i shoqatës “Bolena”, i kudondodhur dhe i mirëpritur si njeri i traditës dhe zakonit, i bujarisë e maturisë, idealit e atdhetarisë, i vlerësuar me dekorata e tituj nderi, etj.

Rizai, qysh në vitet e tij të rinisë u përkushtua në kryerjen e detyrave shoqërore, u arsimua për drejtim dhe organizim ekonomie, ju besuan detyrat drejtuese për shumë vite, si kryetar i kooperativës në sistemin e kaluar, i zgjedhur në organizata shoqërore e shtetërore, ku zën i tij, jo rrallë dhe pak herë është dëgjuar dhe vlerësuar, për nisma në shërbim të shoqërisë edhe në instanca më të larta të ish rrethit të Vlorës etj. Çdo njeri si qënie njerëzore, natyrisht, që ka një emër, por kur ky emër përbën kujtesë, memorie, kontribut vlerash, në dallim midis të tjerëve, është e vështirë, në mos e pamundur, të shlyhet lehtësisht nga kujtesa. Kështu do të mbetet në kujtesë Riza Sadikaj, te çdo bolenas, te të njohurit e bashkëpuntorët e tij, të rretheve shumë të gjera shoqërore, që ai kishte jo vetëm në Bolenë. Asnjëherë Riza Sadikaj, si drejtues ekonomie nuk u përgojua për padrejtësi, për anësi, për paragjykime selektive, i çiltër kudo, emri i mirë i jetës së tij të gjatë, gjithë virtytesh të merituara.

Pasardhësit e Riza Sadikut, djemtë dhe vajza e tij, nipërit dhe mbesat – u shpreh Faslliu – duhet të ndihen krenarë për babain e gjyshin e tyre. Fëmijët bën më të mirën e mundshme për trajtimin e tij në vitet e pleqërisë, për përkujdesjen shëndetësore dhe mbajtjen e amanetit të tij për t’u prehur në vendlindje. Po kështu komuniteti bolenas, shoqata “Bolena”, veteranët e Luftës e të Familjes së dëshmorëve, duhet të ndihen krenarë dhe të ngushëlluar që humbën një shok idealesh, një ndër bijtë e saj të shquar – përfundoi fjalën e lamtumirës Faslli Koçiaj.

Edhe shoqata e Kallaratit dhe gjithë banorët e këtij fshati shprehin ngushëllime familjes, fëmijëve e të afërmve për ndarjen nga jeta të njeriut tyre të dashur dhe në të njëjtën kohë shprehin vlerësim e mirënjohje për vlerat e larta njerëzore, drejtuese si kryetar i kooperativës së bashkuar Bolenë – Kallarat e përgjegjës sektori në Kallarat, por edhe të lidhjeve miqësore e shoqërore me popullin e Kallaratit.

Qoftë i paharruar kujtimi dhe emri Tij!

Përgatiti për www.kallarati.com dhefejsbukun e shoqatës “Kallarati”,

Besnik Gjonbrataj

Besnik Gjonbrataj

Next Post

NË TIRANË, PROMOVOHET LIBRI I PETRIT QEJVANIT “PERFORMANCË”

Die Shk 4 , 2024
Petrit Qejvani, një nga fëmijët e Ago e Asife Qejvanit, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, u lind më 1 shkurt 1949 në Gjirokastër. Gjatë viteve 1968-1972 mbaroi studimet në Universitetin  e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi dhe më vonë  në vitet 1977-1978 kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare. Prej disa vitesh 1973-1987 […]