Saimir Strati thyen rekordin “Guinness” me shqiponjën në Prishtinë

Saimir StratiPrishtinë – Artisti shqiptar, Saimir Strati, ka përdorur 620 kilogramë fasule për të krijuar mozaikun 63-metrash katrorë, më të madhin në botë. Kështu mozaiku me shqiponjën dy krenare, nga pasditja e së hënës, edhe zyrtarisht ka thyer rekordin “Guinness”, për mozaikun më të madh në botë, të krijuar me fasule, që e mbante një mozaik i punuar në Kinë, tre vjet më parë.

Muri i një hoteli që mban emrin e kryeqytetit të Kosovës, ka qenë hapësira në të cilën Strati ka renditur 1 milion e 350 mijë kokrra fasule, me të cilat ka krijuar shqiponjën dy krenare. Një matje zyrtare nga ana e ekipit të Librit të Rekordeve “Guinness”, ka rezultuar edhe me dorëzimin e certifikatës zyrtare për rekordin e ri. Strati me këtë rekord “Guinness”, shton numrin e tyre në shtatë.

“Deri më tash mozaiku më i madh me fasule ka qenë në Kinë me 60 metra katrorë, i krijuar në vitin 2009. Tash Saimir Strati ka krijuar një mozaik 63 metra katrorë. Kështu që, me mandatin që më është dhënë, konfirmoj se ky është rekordi i ri ‘Guinness’”, ka thënë Anabel Loudi, përfaqësuesja e Librit të Rekordeve. “Jam e gëzuar që po e bëj këtë thyerje të rekordit po e deklaroj në këtë qytet të bukur si Prishtina”, ka shtuar ajo.

Strati, i cili rekordin e parë e ka thyer në vitin 2006 me mozaikun ‘Leonardo da Vinci’, të cilin e ka realizuar me 400 kilogramë gozhda, ka thënë se ka punuar me shumë dashuri.

“Por ka qenë një nga rekordet më të lodhshme. Kam punuar për një muaj nga 18 orë në ditë”, ka thënë Strati.

Në mozaikun me shqiponjën dykrenare me fasule janë krijuar vetëm tri nga nëntë flatrat e shqiponjës që është në flamurin zyrtar të Shqipërisë. Shqiponja është me fasule të zeza ndërsa pjesa tjetër e murit është mbuluar me fasule ngjyrë kafeje të çelur. Strati thotë se me qëllim nuk ka përdorur fasule të kuqe.

“Fillimisht më kanë ardhur fasulet e kuqe po nuk i doja. Këto që janë vënë tani, i kam siguruar me shumë vështirësi”, ka thënë Strati. Ai ka dhënë një arsye pse nuk ka dashur që mozaiku të jetë kuq e zi.

“Sepse ishte shumë e kuqe dhe dilte si poster, dhe unë doja që të jetë një vepër arti”, ka thënë Strati. Mirëmbajtja e këtij mozaiku sipas Naim Spahiut, nga Galeria “Open Art” – që së bashku me hotelin kanë qenë mirëpritësit e ngjarjes – do të bëhet me lyerjen e saj me llaç që e mbron prishjen e fasules. Strati ka në bagazh edhe rekordet si ai vitit 2007, me veprën e tij “Shpirti i pakontrolluar”, në vitin 2008 me veprën “Mediterraneana”, më 2009 me figurën e mbretit të popit, Majklëll Xheksonit, pastaj më 2010 ka thyer rekordin me veprën “Monedhat e artistëve” dhe më 2011 me veprën “Një botë, një familje, një kafe”. “E kam pasur ëndërr që të realizoj këtë mozaik në Kosovë. Kjo është mënyra ime për të lobuar për shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Strati. Edhe si shumica e ngjarjeve të këtij viti, edhe kjo është proklamuar si e zhvilluar për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Ky rekord është një dhuratë për gjithë popullin kosovar dhe nder për sakrificën që ka bërë”, ka thënë artisti i mozaikëve. Në Kosovë për herë të parë është shënuar një rekord “Guinness”. E në këtë kontekst me tone patriotike ka folur edhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka. Sipas tij, kosovarët kanë hyrë moti në librin “Guinness”.

“Populli kosovar ka hyrë në Guinisin e kujtesës historike e jo që 10 apo 20 vjet, por para shumë shekujve”, ka thënë Lauka. Ai ka zgjatur fjalimin duke folur për rezistencën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

(LajmeShqip.com)

Next Post

Saimir Strati thyen rekordin “Guinness” me shqiponjën në Prishtinë

Mar Nën 27 , 2012
Prishtinë – Artisti shqiptar, Saimir Strati, ka përdorur 620 kilogramë fasule për të krijuar mozaikun 63-metrash katrorë, më të madhin në botë. Kështu mozaiku me shqiponjën dy krenare, nga pasditja e së hënës, edhe zyrtarisht ka thyer rekordin “Guinness”, për mozaikun më të madh në botë, të krijuar me fasule, […]
Saimir Strati