Më 6 maj 2007 u mbushën 5 vjet që Familjes Mataj i mungon Salua, por edhe neve bashkëmoshatarëve të tij na mungon ky burrë i nderuar i Kallaratit, ashtu siç i mungon gjithë fshatit. Meqë ne vërsnikët e tij rrojmë dhe e kujtojmë, themi se na iku para kohe. Në përgjithësi këto raste njerëzit i shpjegojnë me një “kështu e kish të shkruar”, duke ia faturuar Zotit. Po për mua nuk është kështu se vdekja e ka një shkak dhe shkaku vetëm në raste të veçanta nuk dihet. Rasti i Salos, për mendimin tim e ka një shkak dhe unë do ta shkruaj në këtë shkrim përkujtimor.
Salo Mataj gjatë gjithë jetës ka qenë me siklet, pak i sëmurë. Salua, bashkë me mua shkuam në kurs për arsimtarë. Ai u sëmur dhe iku. Shkoi për të bërë ushtrinë, ai përsëri u sëmur dhe ia ndërprenë shërbimin ushtarak, duke e kthyer në shtëpi. Pastaj, më vonë vate dhe e mbaroi detyrimin ushtarak. Pra, ka pasur një diçka. Salua ka qenë djalë i vetëm. Kështu që ai ka pasur një përkujdesje e shërbim të veçantë nga e ëma dhe motrat e tij. Prandaj atë diçka (në i thënçim sëmundje) e ka mposhtur, e ka mundur dhe e ka vënë nën këmbë, duke e mbajtur atje tërë jetën sa nuk i lëvizi dot. Por erdhi një kohë (pleqëri) që Salon e gjeti gafil, pasi nuk e priste. E mori dhe pak me të mirë, duke i dhënë pak shëndet. Ajo (diçkaja) i doli nga këmba, mori fuqi, natyrisht edhe nga inati dhe nuk E lëshoi derisa bëri punën e saj. Ne u mjaftuam me mendimin se Salua nuk u dergj, nuk vuajti shumë dhe kaloi në atë botën tjetër. Për mendimin tim, kjo shpejtësi ka qenë hakmarrja e asaj që Salua e kishte torturuar “diçkanë” tërë jetën, duke e mbajtur nën këmbë.
Salo Mataj kish lindur më 9 shkurt të vitit 1930 në një familje patriotike. I ati, Rexhep Bego, ka qenë një burrë i urtë, i matur, i respektuar e me logjikë të fortë dhe shpesh zgjidhej kryeplak i fshatit. Rexhepi ka luftuar kundër andartëve grekë më 1914, më 1920 ishte pjesëmarrës në Luftën e Vlorës kundër imperialistëve italianë, ku dhe u plagos. Për këtë luftë Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore e ka dekoruar pas vdekjes me “Medaljen e Trimërisë”. Edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare familja Mataj vazhdoi patriotizmin e trashëguar nga Rexhepi. E ëma e Salos, Havaja, bashkë me të birin dhe me vajzat mbështetën Lëvizjen, shtëpia e tyre e mbajti derën hapur për partizanët,ndërsa xhixhi Havaja,
Siç i flisnim ne të rinjtë dhe vajzat e saja, Xhiko e Asife u bënë aktiviste të organizatës së grave antifashiste dhe Salua aktivist i organizatës së rinisë dhe një nga anëtarët e kryesisë së kësaj organizate. Si i tillë ai gëzonte statusin e veteranit të lanç. Xhixhi Havaja me Salon kanë strehuar edhe një partizan të plagosur, por meqë shtëpia e tyre ndodhej pranë rrugës, ata e shpunë në Lëmplak, përtej lumit, tek Bexheja e Hoxhajve.
Salua u martua me Merjemen nga Bolena, me të cilën lindën e rritën shumë fëmijë dhe nga kjo gjë ata ishin të lumtur, sepse nga djalë i vetëm që ishte Salua, tani ata u shtuan. Salua ka bërë punë të ndryshme, ka qënë edhe magazinier në minierën e Selenicës. Në vitin 1956, kur në Kallarat u krijua kooperativa bujqësore, Salua u zgjodh kryetar i saj. Si një drejtues i aftë i kësaj ekonomie kolektive të fshatit, ai u mbajt në këtë detyrë për 10 vjet rresht, duke e kryer atë me nder, sepse punonte me përkushtim dhe me ndërgjegje të lartë. Por kur kooperativa e Kallaratit u bashkua me atë të Bolenës dhe kryetar i kooperativës së bashkuar Bolenë-Kallarat u zgjodh bolenasi Hasan Jaçe, si njeri me përvojë më të madhe, Salua u zgjodh nënkryetar i saj. Më vonë Salua kreu edhe detyra të tjera në organet e pushtetit vendor. Por ai ka vazhduar të merrej edhe me detyra shoqërore dhe pas daljes në pension Salua drejtoi për shumë vite, derisa u nda nga jeta, organizatën e veteranëve të lanç.
Të gjithë ata që e kanë njohur e kujtojnë Salon me respekt si një njeri të dashur, të ndershëm, të sinqertë e të pastër në ndërgjegje. Unë uroj nga ana ime që në zemrat e fëmijëve dhe të nipërve e të mbesave Salua të mbetet i paharruar.
Këshilloj djemtë e tij që në çdo 5 vjet të organizojnë ceremoni përkujtimore, sepse ai e meriton se nuk është e paktë të ishe kryetar i parë i kooperativës bujqësore dhe ta drejtosh atë vite me radhë, gjë për të cilën pasardhësit kanë të drejtë të krenohen sepse ne kemi punuar ashtu si na mësonin ata që na udhëhiqnin.
Enver Golloshaj
Botuar ne Nr. 63 te Gazetes Kallarati Maj-Qershor 2012