SAMI KARABOLLI, “MËSUES DHE USHTARAK I DEVOTSHËM”

Sami Shuko Karabolli, lindur në Kallarat në vitin 1938, në një moshë krejt të vogël, u detyrua të rritej jetim së bashku me dy motrat e tij, për shkak të rënies dëshmor i atdheut të babait të tyre, Shuko Karabolli.

Përpara se të flasim për Samiun, në interes të lexuesit mendoj se do të ishte, njohja me aktivitetin e të atit në luftën antifashiste nacionalçlirimtare  dhe shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”.

Shukua lindi në Kallarat në vitin 1914 në një familje me ndjenja të theksuara patriotike e atdhetare. Babai i tij Ramua dhe dy xhaxhallarët, Birbili dhe Damua kanë qenë pjesëmarrës në qëndresën e kallaratasve ndaj andartëve grekë më 1914 dhe Luftën e Vlorës më 1920 ndaj pushtuesve italianë.

I ndikuar nga kjo ndjenjë patriotizmi e familjes së tij, por edhe e krejt fshatit Kallarat, bëri që Shukua të lidhet me lëvizjen nacionalçlirimtare dhe së bashku me shumë bashkëfshatarë  të tij të inkuadrohet në Batalionin e Tretë të Brigadës së Tetë Sulmuese. Megjithëse në moshë të re ai dallohej për trimëri, dashuri me partizanët dhe urrejtje të pakufishme ndaj pushtuesve gjermanë.

Duke qenë se, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigadës së Tetë i besohet, sigurimi dhe ruajtja e zhvillimit me sukses të punimeve të Kongresit të Përmetit, batalioni i tretë i kësaj brigade, ku bënte pjesë edhe Shukua, dislokohet në zonën e Pogonit, afër kufirit grek nga ku pritej ardhja e armikut. Dhe kështu ndodhi në fillim të muajit Qershor 1944 forcat gjermane shpërthyen ofensivën kundër forcave të batalionit të tretë, të cilët e përballuan me sukses dhe nuk lejuan përparimin e tij në thellësi të Gjirokastrës dhe Përmetit, duke i detyruar forcat gjermane të sprapsen në panik në drejtim të kufirit grek, në afërsi të Sopikut. Kompania ku bënte pjesë Shukua u urdhërua që natën duke u gdhirë 8 korriku ta sulmonin kundërshtarin deri në thellësi të tokës greke. Në këtë betejë nga ana e armikut mbetën të vrarë 20 veta dhe shumë të plagosur, kurse nga forcat tona ngelën të vrarë 4 partizanë dhe të plagosur 7 vetë. Midis të vrarëve ishte edhe partizani kallaratas, Shuko Karabolli, i cili me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Vlorë  nr. 186 datë 30 korrik 1983 shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Në këto kushte, Sami Karabolli së bashku me dy motrat e tij, u detyruan të rriteshin jetim me nënën e tyre, Xhevon. Samiu duke qenë djal dhe më i madhi i motrave, u burrërua para kohe, duke marrë përgjegjësi familjare në një moshë mjaft të re. Pasi mbaroi shkollën fillore në Kallarat, shtatëvjeçaren në Shtëpinë e Fëmijës, Vlorë dhe të Mesmen në Shkollën Pedagogjike në Shkodër në vitin 1956 do të kthehej përsëri në vendlindje, tashmë mësues në shkollën, ku mësoi për vete ABC-në. Samiu i përket brezit të mësuesve të viteve 50-60-të së bashku me mësuesit: Hamit Muharremin, Jazo Davacin, Shelege Karabollin e Servet Golloshin, ku krahas mësuesve të mëparshëm si: Enver Golloshi, Bilal Breshani, Namik Mehmetaj, etj do të kontribuonin në shkollimin e fëmijëve kallaratas dhe në përgjithësi në zhdukjen e analfabetizmit të viteve të para të pasluftës.

Në vitin 1960 Samiu përzgjidhet për të kryer Shkollën e Bashkuar për oficer në degën e Kimisë, duke ndryshuar disi profesionin e tij të parë. Këto dy profesione u ndërthurën mjaft mirë në karakterin e tij, duke e bërë atë mjaft të vlerësuar në shoqëri e kudo. Edhe pse ndoshta jo çdo kallaratas e njohu atë, sidomos brezi i ri, por ata që e njohën kanë se çfarë të kujtojnë e thonë për të. Kudo ku shërbeu e punoi Samiu, Tiranë, Kukës, Tropojë e Shkodër la mbresat më të mira.

Duke qenë, se për shkak të njëjtit profesion, pata rastin që ta njohë Samiun në Shkodër në punë si ushtarak, por edhe familjarisht, më takon dhe e kam për detyrim moral të shkruaj këto rreshta për miqtë e shokët e fejsbukut në kuadrin e rubrikës “Kujtojmë mësuesit tanë në vite”.

Nuk besoj të ketë njeri që ka pasur rastin të njohë Sami Karabollin, si epror, vartës, koleg apo komshi, që të mos thotë fjalët më të mira, sidomos shkodranët. Ai ishte njeri i matur, me kurajë, me zemër të gjerë, fjalëpaktë, por edhe shumë i vendosur për zbatimin e  rregullave, ligjeve të shkruara dhe të  pashkruara. Ai kishte një dashuri të madhe për vendlindjen e tij, Kallaratin. Duke qenë gjithmonë larg tij e kujtonte atë me shumë mall e dashuri, kujtonte çdo njeri.

Po si e njoha unë Sami Karabollin? Kisha dëgjuar për të që në shkollën tetëvjeçare në Kallarat. Dija që Samiu ishte djalë dëshmori, kishte qenë mësues në Kallarat dhe se ishte ushtarak me banim në Shkodër. Duke qenë se ai nuk kishte njeri krejt të afërt në Kallarat, pasi nënën, Xhevon e kishte me vete dhe motrat në Berat, në Kallarat vinte shumë rrallë saqë unë nuk kisha arritur ta shihja ndonjëherë. Nga fjalët që kisha dëgjuar për të nga më të moshuarit dhe nga babai e përfytyroja atë një njeri të mirë e të zgjuar. Nga njohjet që pata më vonë i tillë ishte.

Në vitin 1983 me mbarimin e shkollës ushtarake më emëruan oficer në Shkodër. Babai më porositi: “Bir kur të vesh në Shkodër do të takosh edhe kallaratas të tjerë, por do të takosh dhe do të mbështetesh tek një nga njerëzit më të mirë kallaratas, tek Sami Karabolli”. Dhe kështu bëra. Ditën e parë të punës duke hyrë në Divizionin e Shkodrës, pyes dikë nëse e njihte Samiun. Po më tha, atë xhanushin (ishte shprehja më e përdorshme e tij) dhe më drejtoi për tek ai pasi ishte diku në oborr. Pasi u prezantuam e u njohëm me të, më pyeti për babain, nënën, vëllezërit, kallaratasit me radhë dhe për këdo. U kënaq shumë që një bashkëfshatarë i tij erdhi në Shkodër dhe u bëmë dy ushtarakë kallaratas. Menjëherë filloi të më prezantonte me ushtarakët e tjerë, t’ju tregonte atyre me njëfarë “mburrje” e nostalgji nga historia e Kallaratit dhe Labërisë. Më afroi në shtëpi, duke më thënë që të vish si në shtëpinë tënde. Aty njoha edhe nënë Xhevon, për të cilën kisha dëgjuar fjalët më të mira që i takon një nëne të mrekullueshme. Ajo më pyeste për çdo gjë në Kallarat, jo vetëm për njerëzit, por edhe për gurët, pemët e për çdo gjë tjetër.  Aty njoha bashkëshorten e tij, Dritën, një grua zonjë, fjalëpakë dhe tepër mikpritëse, vajzën e vetme e mjaft inteligjente të tij, Entelën. Për aq kohë sa ai ishte në Shkodër, pasi pas disa vjetësh ai u afrua në Tiranë, shtëpia e tij ishte si një strehë edhe për mua, ashtu siç dua të përmend edhe familjen tjetër kallaratase me banim në Shkodër, atë të Nuri Hysit, Havasë e fëmijëve të tyre.

Samiu ishte një ushtarak i zoti, jo vetëm se kishte mbaruar të gjitha kualifikimet ushtarake e civile të kohës, por në punën e tij si inxhinier kimist ushtarak ishte një specialist i përkryer dhe me emër. Ai ishte një organizator i përsosur. Me fjalët e ngrohta dhe vendosmërinë e papajtueshmërinë me të keqen, ishte bërë mjaft i vlerësuar në punë e shoqëri. Si bir i një dëshmori, shtëpia e tij në Shkodër në çdo 5 Maj ishte e vizituar nga ushtarakë dhe autoritetet vendore për kontributin e babait të tij rënë për çlirimin e vendit

Të tilla cilësi ai manifestoi edhe në Tiranë, vend ku e kishte filluar dhe e përfundoi karrierën e tij ushtarake. Kudo i përkushtuar, kudo i vlerësuar për punë dhe marrëdhënie të shëndosha shoqërore e familjare.

I tillë Samiu mbeti edhe me daljen tij në pension, duke u bërë një nga aktivistët më të dalluar të Shoqatës “Kallarati” në Tiranë dhe si Sekretar i Shoqatës së të Rënëve të Kombit.

Samiu ishte një intelektual tek i cili jeta kishte ndërthurur tiparet më të mira të një njeriu. Spikatën tek ai cilësi të tilla që rrallë se mund ti gjesh tek çdo njeri. Ai ishte dhe mbeti një njeri i dashur i komunikueshëm, i zgjuar, punëtor,  me marrëdhënie të shkëlqyera me njerëzit e çdo kategorie dhe një familjar i përsosur.

Ai u nda nga jeta para kohe në vitin 2008, në kohën më të mirë që mund ta shijonte atë akoma. Ai ishte me plot gojën një familjar, shok, ushtarak dhe mësues i devotshëm.

Ai u nda nga jeta para kohe, por duke lënë pas një emër të nderuar e të vlerësuar për familjen, të afërmit, shoqërinë e kallaratasit në përgjithësi. Jeta e vepra e tij do të kujtohet me nderim e respekt nga të gjithë.

Le ta kujtojmë kurdoherë Samiun si një mësues e ushtarak të devotshëm dhe një familjar shembullorë

Nga Besnik Gjonbrataj

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

AFTËSITË PROFESIONALE DHE VLERAT E LARTA MORALE E QYTETARE E BËJNË MËSUESIN TË VLERËSUAR NË SHOQËRI.

Hën Tet 31 , 2022
Intervistë me mësuesin e përjetshëm të matematikës, kallaratasin Hasan Mehmetaj Hasan Mehmetaj, lindur në Kallarat në vitin 1953 nga prindërit Boço e Venetike Mehmetaj, i rritur mes vuajtjesh dhe sakrificave si gjithë fëmijët e atij brezi, dashurinë e pasionin për dije do ta shfaqte që në vitet e para të […]