Intervistë me mësuesin e përjetshëm të matematikës, kallaratasin Hasan Mehmetaj
Hasan Mehmetaj, lindur në Kallarat në vitin 1953 nga prindërit Boço e Venetike Mehmetaj, i rritur mes vuajtjesh dhe sakrificave si gjithë fëmijët e atij brezi, dashurinë e pasionin për dije do ta shfaqte që në vitet e para të fëmijërisë së tij. Hasani është një nga katër nxënësit kallaratas që bënë emër në gjimnazin e porsa hapur në Brataj në vitin 1969. I arsimuar për matematikë në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë në vitet 1973-1977, ku ishte ajka e profesorëve më të dëgjuar të vendit, për rreth 17 vjet do të shërbente si mësues matematike në Vranisht, ku në vitin 1988 krijoi edhe familjen me vajzën nga Tërbaçi, Besien, pastaj në Llakatund, në Shkollën Industriale në Universitetin e Vlorës dhe në disa shkolla private. Aktualisht Hasani ka mbushur moshën e pensionit, por ai nuk i është ndarë mësimdhënies, ushtron përsëri profesionin e bukur të mësuesit të matematikës, por me kohë të pjesshme. Edhe pse dëshira e tij pas shkollës së mesme ishte për inxhinieri e mjekësi, sot ai shprehet se “Nuk do ta ndërroja me asnjë profesion a degë tjetër të mësuesisë”.
Një jetë të tërë, gati gjysmë shekulli si edukator e mësues i matematikës, për të nota ka qenë dhe është diçka e shenjtë. Ai asnjëherë nuk e ka përdorur notën si mjet presioni, por si stimul nxitës. Hasani me të drejtë konsiderohet nga opinioni si një nga mësuesit më të aftë profesionalisht të rrethit të Vlorës në lëndën e matematikës.
Duke folur për arsimin në ditët e sotme, Hasani tregohet kritik ndaj disa fenomeneve të kohës. “Mendimi im – shprehet ai – është që shkollat e mesme të jenë më shumë profesionale, të konsoliduara, të përqendruara, qoftë edhe me konvikt, ndërsa gjimnazit t’i jepet autoriteti që ka pasur dikur, si në staf pedagogjik, ashtu edhe në kërkesën ndaj nxënësve. Mësuesit duhet t’i jepet autoriteti i dikurshëm, si një personalitet i pazëvendësueshëm në selitjen e “fidanëve” të rinj për të lulëzuar “bahçen” e Atdheut.
Hasani është edhe një familjar i mirë e i rregullt. Për të familja është gjithçka. Bashkë me Besien, lindën, rritën, edukuan dhe arsimin dy çuna të mrekullueshëm, Kloudion arkitekt dhe Erionin inxhinier mekatronik, por ndarja e parakohshme nga jeta e bashkëshortes, shokut të jetës dhe nënës së fëmijëve Besiesë, ishte humbja dhe dhimbja më e madhe e krejt familjes. Megjithatë, jeta për ta vazhdoi dhe sot Hasani është bërë gjysh, por në memorie të tyre shfaqet vazhdimisht portreti i saj i veçantë, i bashkëshortes së denjë dhe i nënës së mrekullueshme.
Hasani është një intelektual me vlera të larta profesionale e shoqërore. Ai është një tip që flet pak dhe kur duhet, duke i zënë vend fjala, por me gjuhën e numrave është “kampion” dhe si tillë nuk i pëlqen publiciteti. Për punën e tij plot pasion e pwrkushtim dhe kontributin e dhënë në arsim, Hasani ka marrë vlerësime të ndryshme nga Drejtoria Arsimore e rrethit, Minstria e Arsimit, etj institucione, ku spikat dhënia e titullit të lartë nga Bashkia e Vlorës “Mirënjohja e qytetit të Vlorës” me motivacionin “Për kontributin e shquar në vite në fushën e arsimit, për konsolidimin e shkollës, për edukimin shkencor dhe atdhetar të shumë brezave të nxënësve, si shenjë vlerësimi dhe simboli i përkushtimit të figurës së ndritur të mësuesit”.
Për të mësuar më tepër rreth figurës së Hasanit si mësues i përjetshëm i matematikës do të thoshim, i kërkuam realizimin e kësaj interviste, për të cilën u shpreh: “Nga natyra nuk kam pasur qejf asnjëherë të bëj ekspozenë e jetës sime, por duke qenë person publik për një kohë shumë të gjatë, pse të mos të pranoj të më bëhet ky “publicitet”. Karakteri dhe lënda e matematikës më kanë edukuar korrektësinë dhe vërtetësinë e pohimeve. Duke qenë se diapazoni i “testimit” tuaj është gjithëpërfshirës, edhe përgjigjet janë pak të gjata, por shpresoj të mos i lodh lexuesit- përfundon Hasani. Le ta ndjekim profesor Hasanin nëpërmjet intervistës së mëposhtme.
Fëmijëria dhe shkollimi në vendlindje. Çfarë kujton sot në këtë moshë?
Në familjen e Boço e Venetike Mehmetaj unë isha fëmija i tretë, pas Elmazit dhe Melaizes. Pas meje pasuan Labika, Havaja, Xhevdeti, Selvia. Kam lindur më 18 janar 1953, duke patur “asistente mami” gjyshe Shahidenë (nga babai). Në hapat e para të vetëdijes fëminore sjell ndërmend kushtet e vështira ekonomike të familjes si gjithë shoqëria, pasojë e krizës që shkaktoi lufta e pushtuesve dhe varfëria e trashëguar.
Rrugën e dijes e nisa në Morrez, ku ishte shkolla fillore. Mësues Servet Golloshi me durim e përkushtim na mësoi ABC-në dhe teorinë e numrave (Aritmetiken). Pasioni, dashuria për dije rriteshin bashkë me ëndrrat për të ardhmen, duke përballuar, jo pa dhimbje, vështirësitë ekonomike, të veshur keq, në shi e breshër, ruanim çantën e librave e fletoreve, detyrat i kryenin nën dritën e llambës me vajgurit dhe kur mbaronte vajguri në dritën e zjarrit.
Shkollën 8 vjeçare e përfundova pothuajse me fletë lavdërimi, në dy pjesë: Klasën e V-VI e kreva në Bolenë (rreth tre orë larg), ndërsa klasën e VII – VIII në Kallarat. Kam dhënë provime në klasën e IV në Vranisht dhe klasën e VIII në Kallarat. Kujtoj me respekt mësuesit e pasionuar Lumturi Godaj (drejtoreshë), Bilal Breshani, mësuesi që na edukoi me bazat e Gjuhës Shqipe, xhaxhain tim Namik Mehmetaj, metodist e fjalëpak dhe me një shkrim shumë të bukur, etj. Si komandant i çetës “Mumin Selami” kujtoj veprimtaritë jashtë shkollore si konkurse, lojërat sportive, ekskursione etj.
Dhe pas përfundimit të shkollës 8 vjeçare imagjinata shkonte përtej krahinës së Labërisë, që ngjan si një kështjellë natyrore, e rrethuar nga malet. Dëshira ishte që të gjeja shtigje,për t’i kapërxyer muret e kesaj “ kështjelle” për dije, por një vit ëndrra mbeti në sirtar ( !?)
Episod interesant: Pas kërkesës për të drejtë studimi, Këshilli Popullor i fshatit vendos që unë të ndjek Teknikumin Bujqësor në Delvinë me gjysmë bursë. Vjen mësues Hamit Muharremi dhe ia sjell vendimin babait në shtëpi, duke e sqaruar. Ndërkohë babai e pyet: Çfarë del nga ajo shkollë? Mësues Hamiti i thotë që del agronom i mesëm, pastaj vazhdon universitetin se djali mëson. Atëherë babai i thotë: Po qe për agronom, unë e çoj në brigadë me Rrapon (një bujk shembullor) dhe nuk e largoj nga vetja! Me këtë përgjigje pak a shumë e përcjell edhe babai i “bashkëvuajtësit” tim Lefter Qejvani. Dhe ne u bëmë “asistentë” të mjeshtrit xha Rrapo! Kështu që në moshën 15 vjeçare unë dhe Lefteri iu futëm punëve bujqësore në kooperativë si hapje kanalesh, prerje dru zjarri, korrje – shirje dhe deri në elektrifikimin e zonës duke shtrirë linjën elektrike (në vitin 1969).Mosha e vogël për punë të vështira dhe hallet e mëdha ekonomike të familjes, nuk e shuan zjarrin për dituri, përkundrazi vështrimi kapërcente “muret e kështjellës natyrore”. Gjatë këtij viti “stazhi” nuk rreshta së lexuari libra nga biblioteka e fshatit, ndërsa Lefi avancoi në gjuhën ruse dhe instrumentin e fizarmonikës.
Shkolla e mesme në Brataj, një prej katërshes së nxënësve kallaratas që bëri emër. Çfarë kujtimesh ruani sot?
Shtator 1969, në Brataj hapet i pari gjimnaz në krahinë. Lajmi u prit me gëzim të papërshkruar. Nga të gjitha fshatrat e krahinës; Kallarati, Kuçi, Bolena, Vranishti, Smoktina, Gjormi, Velça, etj vërshuan të rinj e të reja të etur për dije. Dhe në krojet e gjimnazit të Bratit shuan etjen për dituri rreth 55 djem e vajza gjimnazistë (në vitet e tjera nxënësit vijuan degën bujqësore).
Grupi “3+1” (4 shokët nga Kallarati). Në vitin e parë të gjimnazit të përgjithshëm të sapo hapur, ishin dhe 3 kallaratas: unë, Lefter Qejvani dhe Lefter Hysi, ndërsa në vitin pasardhës na bashkohet edhe Lavdosh Jonuzi, djal i zgjuar e këmbëngulës. Zjarri i dashurisë për dije, vullneti dhe vështirësitë e jetës familjare, ishin shtytësit kryesorë që në garën 4 vjeçare të shkollës së mesme, katërshja kallaratase, pa modesti, them që udhëhoqi jetën mësimore – edukative të shkollës. Në mësime ishim të parët, po ashtu në jetën organizative. Unë isha sekretar i Komitetit të Rinisë, Lefter Qejvani, veçse aktivist rinie, ishte edhe “orkestra” e mbrëmjeve tematike -dëfrimi rinore, që janë antipod i “diskove” çoroditëse sot. Lefter Hysi si publicist e historian i ardhshëm, shkruante poezi dhe trajtonte tema nga historiku i fshatrave, gjithashtu së bashku kemi botuar edhe shkrime në gazetën “Zëri i Vlorës”. Nga katërshja jonë, nuk mund të mos përshkruaj me pak radhë shkollimin e shokut dhe mikut tonë L. Qejvani. Besoj se sakrifica e bërë prej tij do të jetë unikale në brezin e atyre viteve! Ai vazhdoi shkollën për katër vjet vajtje ardhje Kallart – Brataj në këmbë rreth 4 orë. Në diell e shi, në ngrica e acar, ishte shembulli i vullnetit, pasionit dhe sedrës për të qenë flamurtar. Ne tre të tjerët qëndronim edhe në konvikt. Në edukimin tonë ndikuan edhe mësuesit e përkushtuar dhe të komunikueshëm, metodistë të zot si B. Deromemaj, K. Mici, A. Ramaj, Ll. Hysi, L. Malaj, drejtori H. Abazi, B. Mici etj, për të cilët ruajmë kujtimet dhe respektin më të madh .
Pas përfundimit të gjimnazit rruga e dijes vazhdoi edhe më lart: L. Qejvani mbaroi Universitetin Bujqësor, dega Zooteknik, punoi në Veri, pastaj në Kooperativën bujqësore Bolenë – Kallarat dhe në vitet e tranzicionit në Komunën Horë – Vranisht. L. Hysi mbaroi Institutin e Gjirokastrës, dega Histori – Gjeografi, punoi edhe në Veri disa vite, më vonë mësues e drejtor shkollë në Bolenë e Kallarat e së fundi në Vlorë. Shoku tjetër i katërshes tonë, edhe pse një vit më pas, L. Jonuzi mbaroi Universitetin Bujqësor, dega Agronomi punoi në Veri dhe më vonë Kooperativën bujqësore Bolenë – Kallarat, ku me kompetencën dhe zotësinë e tij bëri që ekonomia të përparonte. Ndërsa unë ndoqa studimet e larta për Matematikë në Fakultetin e Shkencave, Tiranë.
Dega e matematikës, zgjedhja juaj, apo..?
E vërteta është që në tri kërkesat e paraqitura për studime, nuk kisha zgjedhur Matematikën. Këtë ma sugjeroi edhe mësuesi i respektuar A. Rama, duke më rekomanduar inxhinierinë dhe mjekësinë. Sikurse pas 8-vjeçares edhe pas gjimnazit “peripecitë” vazhdojnë. Komisioni i të drejtave të studimit në Kom. Ekzekutiv, në fillim vendos për të shkuar në Mjekësi, por dikush propozon që unë të shkoja për Matematikë dhe një shoqja jonë nga Bolena të shkonte për Mjekësi me arsyetimin se është femër e do kthehet të punojë në krahinë. E kundërta ndodhi, ajo nuk punoi asnjë ditë në fshatin e lindjes, ndërsa unë punova plot 17 vjet. (Ky konstatim është pjesë e dosjes time, jo episod rasti). Kështu që unë ndoqa studimet për Matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, degë të cilën vit pas viti ndoqa me vullnet e këmbëngulje, duke u diplomuar në vitin 1977. Edhe pse nuk u bëra dot mjek humanist, u bëra “mjek” për edukimin shkencor, mësues i Matematikës, profesion që nuk e ndërroj me asnjë lëndë tjetër.
Prej disa vitesh mësues i matematikës në Vranisht, ku krijove dhe familjen, diçka më tepër, për nxënësit dhe njerëzit në përgjithësi.
Kërshëria e parë në jetën profesionale ishte fillimi i punës në Shkollën e Bashkuar “Hysen Çino” në Vranisht më 15 gusht 1977. Sfidat ishin të shumta: integrimi në një kolektiv mësuesish të përgatitur, me eksperiencë dhe të përkushtuar në realizimin metodiko – shkencor të programit mësimor; tjetër ishte sfida e prezantimit për herë të parë me nxënësit, vështrimet e tyre, duke të bërë skanimin e karakterit, formimit dhe artin e komunikimit; gjithashtu pas këtyre qëndronin familjet, ku diferencat në kulturë dhe mentalitet kërkonin një përshtatje me kalim të rrjedhshëm sipas “avazit” të muzikës labe.
Gjatë zgjidhjes së disa problemeve pedagogjike me profesor Luan Hajdaragën dhe problemeve metodike me profesor Qazim Turdiu, në praktikat profesionale të zhvilluara në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë, kisha marrë komplimentet e tyre: “Ke për t’u bërë një mësues i mirë”. Kjo sedër më ndiqte në çdo hap. Por tani vlerësimin do t’a merrja nga puna konkrete e “komisionit” të mëposhtëm: mësuesit – nxënësit – prindërit. Qysh ditët e para pata përkrahje morale nga ish drejtori F. Shkurti, nga ish mësuesit e gjimnazit B. Mici e G. Mëhilli, bashkëmoshatarët e mi M. Rrokaj e Sh. Aliaj, mësuesit L. Beqiri, L. Caraj, Sh.Pazo etj. Në klasa gjeta nxënës, shumica të përkushtuar, që bënin përpjekje për të përvetësuar kërkesat e programit. Natyrisht kishte edhe nxënës me prapambetje, që vinin nga familje jo me shumë kërkesa ndaj fëmijëve, duke patur mentalitetin “hë se në kooperativë do punojë”.
Nga natyra jam i qetë, i durueshëm, por edhe kërkues për kryerjen e detyrave, shprehje të trashëguara nga mësuesit model të gjimnazit B. Deromemaj e A. Rama, etj. Dhe suksesi nuk vonoi. Tremujor pas tremujori, vit pas viti, ora e matematikës kalonte pa stresin e vështirësisë së vet lëndës, duke e pritur pa ankth “zilen e Matematikës”, kur hyja në klasë.
Në trekëndëshin mësues – prindër – nxënës, secili komponent ka vlerën e vet. Me familjet e nxënësve ishim prezantuar gjatë punës pedagogjike në takime individuale e kolektive, gjatë veprimtarive kulturore – artistike në brigada (që ishin të shpeshta), kështu që ata e kishin krijuar opinionin e vetë për kërkesat e mia për mbarëvajtjen në matematikë të fëmijëve të tyre.
Përsa i përket nxënësve, në vitet ’80 fshati i Vranishtit ishte një nga fshatrat më të mëdhenj në krahinë. Nevoja për arsim bëri, që veç shkollës së mesme ditën, të hapej edhe shkolla e mbrëmjes me të rinj arsimdashës jo vetëm nga Vranishti, por edhe nga fshatrat e tjerë si: Kallarati, Bolena, Tërbaçi, Mesaplikut e deri në Brataj.
Nëse në vitet ’70 gjimnazi i Bratit ishte bërthama ku u përqendruan breza të rinjsh të motivuar për dije e kulturë, pa hezitim mendoj se në vitet ’80 qendra e gravitetit të marrjes së dijes, u zhvendos në Shkollën e Bashkuar “Hysen Çino”, Vranisht.
Ishte një staf pedagogjik për t’u pasur zili, si në kulturën e përgjithshme, ashtu edhe në atë profesionale. Gati çdo i ri dhe e re ndoqi shkollën e mesme. Dhe kjo solli një erë të re në kulturën familjare, në marrëdhëniet shoqërore e sidomos në prodhim, ku parcelat eksperimentale u bënë laboratori i prodhimit të gjerë në të ardhurat e kooperativës bujqësore. Përsa i përket listës së nxënësve, ajo është shumemërore. Me nostalgji e respekt mund të përmend disa prej tyre: Sh. Shyti, Q. Azizi, J. Aliaj, Lumturi Shkurti, Në. Hitaj, Lefteri Shkurti, T. Shkurti, N. Hallko (nga shkolla e ditës); Vojsava Hallko, Vangjel Bega, Ll. Breshani, F. Seraj, etj (nga shkolla e mbrëmjes). Nuk do të mjaftonin faqe të tëra për të pasqyruar jetën shkollore të atyre viteve. Jo për nostalgji, por me dhimbje sjell ndërmend punën e palodhur të mësuesve, sakrificat e mëdha të nxënësve që vinin nga larg, por me dëshirë për të mësuar, e veçanërisht nxënësit e mbrëmjes me një zell e përkushtim të jashtëzakonshëm. Respektet e mia!
Sa për hedhjen e themeleve të familjes sime me Besien, do t’i përgjigjem në pyetjen e radhës. Ishim njohur si veprimtarë rinie, punuam në stafin pedagogjik si koleg, shokë të respektuar, deri sa rrahjet e zemrave arritën “rezonancën” e duhur. Gëtja shkruan: “Shumë rrallë në terezi, rri kandari i lumturisë, bëhu pra i shkathët ti në kohën e ardhmërisë….!” Dhe njëri do ta merrte iniciativën….
Mësues, ku tjetër? Po në Vlorë?
Nga Vranishti, pas shumë këmbënguljesh transferohem në Vlorë, në fillim në Llakatund, ku punova për rreth një vit e gjysmë, me një grup gjimnazistësh të mrekullueshëm, në maturë pata 16 vajza e 2 djem, të cilët dolën shumë mirë, dy prej tyre pas mbarimit të shkollës së lartë u bënë kolege e mia në Universitetin e Vlorës. Më vonë transferohen në shkollën Industriale, ku përsëri ruaj mbresa shumë të mira për opinionin e krijuar si mësues i aftë e metodist. Jo për mburrje, por më janë ofruar edhe poste për drejtor gjimnazi, si në gjimnazin e Vranishtit, zëvendësdrejtor në Llakatund e shkollën Industriale, por që nuk i kam pranuar. Në vitin 1999 me kërkesën dhe mbështetjen e ish rektorit Bilal Shkurtaj, atashohem pranë Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës – niveli më i lartë i mësimdhënies si pedagog i Matematikës.
Ndonjë përjetim gjatë ushtrimit të detyrës si pedagog në universitetin e Vlorës?
Pranimi në universitet si pedagog i Matematikës, veç satisfaksionit për mësimdhënie në tempullin më të lartë të dijes, ishte edhe një obligim për të reflektuar në auditorë, në prani të studentëve, cilësitë e një pedagogu të aftë profesionalisht, të përkushtuar dhe metodist në artin e mësimdhënies. Vështirësitë e fillimit i kapërceva me punë këmbëngulëse dhe me ndihmën e pedagogëve E. Hasimja e A. Qilleri, paraardhës të mi nga Fakulteti i Shkencave,si edhe me kualifikimet në katedrën e matematikës, seminare e kualifikime në Tiranë e kualifikime njëmujore në Universitetin Politeknik, Trieste (Itali) dhe Athinë (Greqi).Gjatë viteve si pedagog m’u dha rasti të isha lektor dhe seminarist në degët Inxhinieri Navale e Navigacion, në Ekonomik, në Ciklin e Ulët dhe degën Matematikë – Fizikë, pra pak a shumë në çdo degë ku jepej Matematikë. Kudo, në çdo Fakultet ku dhashë mësim, studentët kërkonin të regjistroheshin me mua në leksione e seminare.
Kjo më shtoi akoma më shumë sedrën profesionale, duke botuar edhe një tekst për Analizën Matematike për vitet e dyta Inxhinieri e Matematikë. Ndihem i lumtur që kontribuova në edukimin matematik të shumë brezave, një pjesë e tyre sot janë pedagogë të nderuar në Universitet, të tjerë punonjës në mjaft sektor të ndryshëm të jetës ekonomike e shoqërore.
…. Ndonjë përjetim tjetër?
Duhej të përjetoja ngjarje jo të këndshme edhe në Universitetin e Vlorës. Ish rektori Shaskaj, i katapultuar nga Amerika në emër të “reformave” “shkriu” gjithë katedrën e Matematikës në vitin 2009 me një e-mail nga përtej Paqësorit. Pse? Përgjigjen e mori nga Gjykata, ku të gjithë fituam anën financiare, por jo rikthimin (klauzolë e qeverisë Berisha!). Ndërsa vetë rektori, pasi na solli, si Abetaren e parë të Veqilharxhit, një tekst të përkthyer “Calculus”, që e futi në çdo degë me çmimin 100 dollarë, iku nga kishte ardhur, duke mos ia hequr dot Universitetit të Vlorës, emrin “Ismail Qemali”. Pas viteve të punës në universitet, vazhdoj të jap mësim në Gjimnazin nr.1, Vlorë.
Nota për ju, diçka e shenjtë, a keni abuzuar ndonjëherë me të?
Nota është “metri” për të kryer vlerësimin e njohurive të nxënësit për një ose disa çështje mësimore, ballafaquar me kompetencat teorike dhe shprehitë praktike. Matematika, si shkencë ekzakte, ku konceptet lidhen organikisht me njëri tjetrin, është më evidente për të matur nivelin e përvetësimit dhe shkallën e vështirësive. Një mësues që zotëron mirë lëndën dhe ka artin e transmetimit të njohurive, është në gjendje të bëjë vlerësime reale, larg simpative, dallimeve dhe subjektivizmit. Në këtë aspekt, kurdoherë jam udhëhequr nga parimi pedagogjik: “Koka e nxënësit nuk duhet konsideruar si një thes që duhet mbushur, por si një kopsht i lulëzuar, që duhet selitur çdo orë mësimi”. Nota nuk ka vetëm vlerë sasiore (1, 2….10), por edhe vlera emocionale, nxitëse e ballafaquar. Asnjëherë notën nuk e kam përdorur si presion, por kurdoherë si mjet matës për nivelin e njohurive dhe stimul nxitës. Vlerësimin e kam kryer, jo vetëm me ndonjë një ushtrim (në klasë apo detyrë shtëpie) apo me një perifrazim teoreme, por me shumë testime. Në klasë nuk kam dashur të di se i kujt është nxënësi nga familje kuadri, me “pikë” në biografi apo edhe i afërmi im. Arsyetimi i përgjigjeve, transparenca në vlerësimin me notë dhe ballafaqimi me gjithsecilin, mbeten kërkesa kryesore në çështjet e vlerësimit të nxënësit. (Një mësues i aftë nuk i vendos notat në sallën e mësuesve, apo diku tjetër.)
Nga gjithë përvoja 45 vjeçare nuk kap patur reklamim për vlerësimin, përkundrazi jam ndier i respektuar nga nxënësit, prindërit dhe opinioni i gjerë. Në provimet e zakonshme të kryera nga inspektimi, apo maturat shtetërore, shkalla e “gabimit” ka qenë shumë e vogël. Rezultatet e maturantëve të mi, kurdoherë kanë qenë ekselente .Gjimnazi Nr.1 ka pasur rezultate të Maturës, ndêr vendet e para, jo vetëm në Qarkun e Vlorës.
Shkenca e Matematikës, e rëndë, e vështirë, por edhe e bukur, sepse hyn në shkencat ekzakte. Si e konsideroni ju atë?
Për nga zbatimet universale, Matematika konsiderohet si mbretëresha e shkencave. Objekt i saj janë marrëdhëniet sasiore e cilësore të objekteve konkrete dhe abstrakte të hapësirës. “Godina” e saj qëndron mbi themelet e aksiomave dhe pohimeve logjike. Bukuria e saj qëndron në elegancën e ndërtimit të teorive si dhe “gjuhën” e përdorur. Muret e saj janë gdhendur përmes teorisë së numrave, formave të hapësirës dhe marrëdhëniet sasiore të tyre.
Në eksperiencën time si mësimdhënës, kurdoherë jam nisur nga kërkesat më të thjeshta, deri në aplikacione abstrakte. Lënda bëhet e vështirë kur interpretimi i çështjeve mësimore nuk bëhet gradualisht, kur detyrat nuk sqarohen mirë ,duke mos u nisur nga mendimi që nxënësi duhet të dijë sa edhe mësuesi në fund të temës. Bukuria edukohet me punë sistematike, me përgatitje serioze dhe një punë të pavarur të përditshme. Lënda bëhet e thjeshtë kur mësuesi i mirë di çfarë të japë, di çfarë të kërkojë dhe vlerësojë te nxënësit, pa bërë diferencime e lëshime.
Sa e lidhur është shkenca e matematikës me të tjerat dhe sa ndikojnë njohuritë e nxënësve të marra në këtë lëndë në arsimimin e mëtejshëm dhe ecjen e tyre në jetë?
Dialektika e njohjes njerëzore ka njohur zhvillimet e veta, herë e udhëhequr nga teoria, e herë duke u paraprirë zbulimeve eksperimentale. Formimi matematik, qoftë në “teori të kulluara”, apo aplikacione, zhvillimet e saj nuk i ka qëllim në vetvete, por instrumente që çojnë përpara kërkimet në mjaft degë të shkencës dhe ekonomisë si në Bioteknikë, Mjekësi, Arkitekturë, Probabilitet – Statistikë, Tregti etj. Ndaj Matematika ka vlera universale dhe fillimet e saj janë paralel me zhvillimet historike – shoqërore të shkencës.
Një brez i ri, me një kulturë të mjaftueshme matematike integrohet mjaft mirë në formimin profesional, apo kërkime shkencore. Vetë Matematika, rrugën e vet e ka çarë përmes teorive të njohura e të panjohura, larg ideologjizimeve, sipas zhvillimeve shoqërore.
Një detaj: Në provimin e Filozofisë, profesore Makbule Çeço më bën një pyetje shtesë: “A ka karakter klasor Matematika”? Dhe nisur nga historiku i zhvillimit të Matematikës, ku teoritë e veta i kanë shërbyer zhvillimeve të brendshme të Matematikës dhe aplikimeve në një sektor shumë të madh të shkencave të tjera, iu përgjigja se ato (teoritë) nuk kanë ngjyrime politike, as hierarki klasore, veç zhvillimeve të intelektit dhe nevojave kërkimore. Për këtë arsye sot çdo fushë e zhvillimit ka në themel të vetin, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tangjente elementë të bazimit matematik të teorisë së numrave dhe logjikës shkencore.
Gjatë ushtrimit të mësimdhënies të lëndës së matematikës, nga opinioni konsiderohesh mësues i “vështirë”, por shumë i drejtë, korrekt dhe i zoti. Ndonjë koment për këtë konstatim?
Vlerësimi ka dy anë, anën e jashtme dhe të brendshme, pra opinionin dhe vetëvlerësimin. Parimi im në jetën intelektuale ka qenë kompetenca në zotërimin e lëndës, arti i transmetimit tek auditori dhe transparenca në vlerësime. “Vështirësia” si mësues ka qenë dhe mbetet mospajtueshmëria me diferencat, apo preferencat në vlerësime (jo në mësimdhënie). Nuk kam dashur të di që në klasë ka fëmijë të “vipave”, të drejtorëve apo zyrtarëve, të fshatit apo qytetit, qofshin edhe të afërm. Të gjithë për mua kanë qenë njëlloj, të barabartë. Ndoshta muajt e parë qëndron nofka “i vështirë”, por në vitet e fundit komunikimi dhe mirënjohja ka qenë e madhe. Në klasën e shtatë, për hir të shkrimit të bukur, shkrova në një fletë kartoni parullën: “Shoku mësues, më ndihmo, më kontrollo, por mos më bëj lëshime”. Flitet para viteve ’70, në kuadër të revolucionarizimit të shkollës, kur unë nuk e kisha shkuar ndërmend se kjo parullë, shumë më vonë do bëhej lajtmotivi i jetës sime profesionale. Një mësues i mirë, me punë këmbëngulëse, me durim dhe stimulim arrin “të shkrijë” akullin midis lëndës së vështirë dhe formimit gradual të koncepteve (gota e ujit nuk pihet menjëherë). Shpesh nxënësve i them se Matematika është më e thjeshtë se lëndët e tjera, nëse ndjek hap pas hapi hallkat kryesore, kryen me punë të pavarur detyrat e dhëna dhe krijon besim te lënda. Me Matematikën nuk bie në dashuri “me shikim” të parë, por pas një pune sistematike e këmbëngulëse.
Nga nxënësit që ke kaluar, të cilët janë të shumtë, a mund të veçosh ndonjërin prej tyre që ka qenë talent në matematikë?
Është e vërtetë, për gati 45 vjet është një plejadë e tërë nxënësish e studentësh që në formimin matematik kanë spikatur me përkushtimin dhe këmbënguljen për të qenë elitë në klasat përkatëse. Do të më pëlqente të evidentoj disa nga nxënësit e parë të viteve ’80, kjo për arsye se, përveçse më dhanë kënaqësinë e profesionit tim, por në kushte jo komode (krahasuar me ditët e sotme) u bënë promotor të zhvillimeve arsimore (qofshin ditën, qofshin edhe në mbrëmje). Nxënësit Shqiponja Shyti, Qerime Azizi, Nasipe Hitaj, Lefteri Shkurti, etj nga nxënësit e ditës, si edhe Vangjel Begaj (Asllani), Vojsava Hallko e Llukan Breshani, etj nga shkolla e mbrëmjes, me përgatitjen e tyre i bënin nder vetes e familjeve të tyre, shkollës ku formuan me arsimin e mesëm dhe një motiv më tepër në punën tonë të përditshme. Shumica e nxënësve, si të Ditës edhe të Mbrëmjes, ndoqën arsimin e lartë, duke punuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si arsim, shëndetësi, ushtri, agronomi, veterineri, etj.
Sa kanë ndikuar në formimin tuaj mësuesit e pedagogët e tu të matematikës dhe çfarë mendon se ke marrë prej tyre? A mund të kujtosh disa prej tyre?
Drejtimi profesional që njeriu merr në jetë kushtëzohet si nga përkushtimi, dashuria për profesionin, aftësimi i vazhdueshëm dhe modeli që të udhëheq.
Deri në gjimnaz mësuesit i kam pasur model për punën e tyre plot pasion, trajtimin metodik, punën me shkrim dhe komunikimin shkencor e shoqëror. Kështu në klasën e V-VI të tetëvjeçares, mësuesi i vizatimit, Muharrem Leskaj ndikoi te unë mjaft në shkrimin e bukur, ishte i veçantë si në vizatime të lira, ashtu edhe në të shkruarit, që u bë pjesë e edukatës time në punët me shkrim. Gjithashtu xhaxhai, Namiku kur jepte mësim karakterizohej nga qetësia dhe dallohej për shkrimin e dorës shumë të bukur. Po ashtu mësues Bilal Breshanaj na edukoi plot pasion e kërkesa rregullat drejtshkrimore të Gjuhës Shqipe, që qysh nga tetëvjeçarja formimin gjuhësor ia dedikoi atij mësuesi.
Seriozitetin, saktësinë dhe metodikën e mësimdhënies i përvetësova nga mësuesit e shkencave të gjimnazit: Besnik Deromemaj, Kujtim Mici e Adriatik Ramaj, si dhe drejtori Halo Abazi – mësues që i pata si model në karrierën time. Në universitet mund të pohoj se Shkencat e Natyrës patën pedagogë me emër, të kualifikuar jashtë vendit si: Petraq Pilika, Aleko Minga, Skënder Gjinushi, Rexhep Meidani, Osman Kraja, Makbule Çeço, Qazim Turdiu, Luan Hajdaraga, Ç. Teliti etj. Ishim me fat që brezi ynë u diplomua nga këta korifej të shkencës, të zotë në mësimdhënie dhe shumë njerëzor në marrëdhëniet pedagog – student, metodistë të zotë. Këta ndikuan edhe në formimin tim profesional, duke pasur në çdo hap si udhëheqës metodistë model të një mësimdhënësi.
Me daljen në pension, cili është angazhimi Juaj në jetën shoqërore e intelektuale?
Jeta i nënshtrohet ligjeve të natyrës dhe atyre shoqërore. Sipas tyre jeta e njeriut kalon në tre stade: rinia – jeta aktive – mosha e tretë (pensioni). Ndoshta kalimi i viteve në moshën e tretë, s’na pëlqen, por rrjedhjen e kohës, as e ndalojmë, as e kthejmë dot pas. Kjo është dialektika. Me daljen në pension, unë nuk e ndërpreva veprimtarinë profesionale, duke vazhduar mësimdhënien me kohë të pjesshme në gjimnaz. Përvoja jetësore, edukata profesionale dhe aktiviteti fizik e mendor, veç vlerave personale, kanë edhe vlera shoqërore, pasi eksperienca dhe performanca e mirë janë vlera për shoqërinë, aq më tepër kur merresh me edukimin e rinisë.
Ndjehem krenar, që si mësues i Matematikës jam vlerësuar edhe me certifikata mirënjohje nga Ministria e Arsimit, Drejtoria Arsimore dhe Këshilli Bashkiak. Veç anës profesionale, në takime me të rinj e shokë diskutojmë edhe për edukimin e fëmijëve tanë e brezave të rinj me dashurinë për vendlindjen, për promovimin e vlerave historike e jetësore, duke restauruar shtëpitë dhe transmetuar vlerat kulturore, që i mungojnë shumë komunitetit. Në këtë aspekt brengë mbetet një “rilindje” e jetës në fshatin tonë. Ndoshta të rinjtë do ta kthejnë kokën nga “Troja e Vogël – e Kallaratit”, për ta zhvilluar sipas mundësive dhe kushteve të reja.
Përjetuat humbjen e parakohshme të bashkëshortes Besies, njeriut të jetës, e cila përveç kontributit ndaj familjes, kishte një kontribut të vlerësuar shoqëror, ç’mund të kujtoni dhe thoni për të?
Jeta shoqërore ka në themel familjen, si bërthamë në të gjitha sistemet shoqërore. Kam mendimin se njeriu në jetë ka dy sfida kryesore, krijimin e një familje harmonike dhe integrimin në jetën shoqërore aktive. Ndërsa këtë të dytën e kisha zgjidhur në më të mirën e mundshme, sipas kushteve të kohës, për të parën vendosmëria nuk bazohej as në dhënie provimesh e as pjesëmarrje në panaire. I përkas tipit të flegmatik të personalitetit, i prirur për të kontrolluar emocionet, këmbëngulës në realizimin e një detyrë të ngarkuar, pak indiferent dhe i përmbajtur në marrjen e vendimeve të mëdha në jetë.
Me Besien isha njohur qysh në rini, kur ishim në aktivitete të rinisë, duke zhvilluar seminare e veprimtari të përbashkëta me Komitetin e Rinisë. Pas përfundimit të Universitetit, unë u ktheva në Vranisht ku gjeta në kolektiv edhe Besien në fillim mësuese e më vonë si drejtuese e Byrosë së Partisë të kooperativës dhe më pas përsëri punuam në një kolektiv, tani të dy mësues në shkollën e mesme. Pas një periudhë jo të vogël njohje, tik – taku i zemrave tona arriti “rezonancën” e nevojshme, deri sa në tetor 1988 krijuam familjen. Si familjarë kompensonim njëri tjetrin, ajo e socializuar dhe shumë e drejtpërdrejtë në gjykime, unë korrekt dhe këmbëngulës në anën profesionale. Me sakrificë jeta e re nisi në shtëpinë e re në Kallarat. Në vitet e para shkonim e ktheheshim nga puna në Vranisht, rreth tre orë larg, në kohë të mirë e të keqe, por asnjë ditë nuk mungonin nga puna.
Lindja e dy fëmijëve ishte lumturia e familjes së re për gjyshen e të afërmit (dajo, xhaxhallarët, teze e halla). Pas transferimit në Vlorë familja jonë ishte shndërruar në një shkollëzë të vogël: dy mësues e dy nxënës. Krahas ditarit për punën e përditshme kishim edhe kujdesin për mirëedukimin dhe shkollimin e çunave. Besia fillimisht punoi në shkollën “15 Tetori”, pastaj në shkollën “Ismail Qemali” dhe më vonë në shkollën jopublike “Bota e Shkencës”. Përkushtimi në punë ishte një cilësi e rrallë, gjithmonë klasat që jepte mësim dalloheshin për rezultate të larta. Por strukturat ekstremiste dhe dashakeqëse “zbulojnë njollën” në biografi duke arritur ta mënjanojnë nga misioni i saj. Absurditet i madh të kërkosh “armiq” në armatën e mësuesve të depolitizuar!? E përjetoi keq këtë situatë, por sedra, kurajua dhe vendosmëria bënë që të rikthehej përsëri në punë, por …. stresi ishte një armik tjetër. Në këtë periudhë shëndeti filloi të shfaqte dobësitë e veta, derisa vazhdonte e rëndohej. Sëmundjen nuk donte ta pranonte, por ajo kishte bërë vend. Bëmë shumë përpjekje, dy herë në spitalet jashtë vendit në Greqi e Itali, por betejën se fituam dot (Në betejë ka fitues e të humbur).
Deri në momentin e fundit të jetës, mendjen e kishte te familja, vazhdimin e jetës, përparimin e fëmijëve dhe tek nxënësit e saj. Iku para kohë duke marrë me vete idealet që kishte për daljen në jetë të çunave e krijimin e familjeve të tyre, për të kaluar sa më mirë moshën e tretë së bashku, etj. Dhimbjen për të e kthyem në forcë, çunat vunë në jetë amanetet e nënës, për ne mbetet bashkëshorte model, nënë e përkushtuar, mësuese e devotshme, aktiviste e dalluar shoqërore. Për këtë kam patur vlerësime pune nga Drejtoria Arsimore, Këshilli Bashkiak e Shoqata Atdhetare e Kulturore “Tërbaçi”. Koha për Besien ndaloi, por për ne, rrjedha e kohës vazhdon, duke patur gjithmonë pranë dashurinë familjare e shoqërore.
Keni dy fëmijë të mrekullueshëm, cila ka qenë zgjidhja e tyre në shkollë e jetë?
E vërtetë që një familje ndihet e lumtur, kur në jetë sjell trashëgiminë, lufton me kërkesat e përditshme dhe përjeton të ardhmen. Duke qenë se nga kontributi ynë kanë dalë breza djemsh e vajzash të mrekullueshme, s’kishte si të ndodhte ndryshe për mirëedukimin e çunave tanë. Ndërsa nëna qëndronte më afër problemeve humanitare e edukative, babai kishte kujdesin e formimit shkencor për të ardhmen. Dhe përpjekjet tona nuk na zhgënjyen. Pas përfundimit të gjimnazit (ishin një vit diferencë në moshë), Klaudioja aplikon disa degë dhe “godet” në profesionin e babait, i del e drejta e studimit në Fakultetin e Shkencave për Matematikë. Pasi vazhdoi mbi tre javë në këtë degë, ndryshuam mendim si familje dhe regjistrohet në Arkitekturë, degë të cilën e përfundoi shumë mirë, duke e dashuruar profesionin. Punon në Urbanistikën e Vlorës, duke pasur firmën e vet në disa vepra si: Ura e Zvërnecit, lokale e pallate në Lungomare, në veprën Lungomare 2. Bashkë me projektet profesionale ka projektuar edhe jetën familjare, duke qenë vazhdues i kërkesave për një jetë serioze e dinjitoze.
Ndërsa Erioni përfundoi Inxhinierinë Mekatronike dhe sot punon në një firmë gjermane në Tiranë, ka kryer një sërë kualifikimesh jashtë vendit dhe ndihet mjaft mirë profesionalisht. Erioni ka avancuar në lidhje me vëllain, pasi ka krijuar familje me shoqen e jetës Dianën (juriste), duke sjellë në jetë gëzimin e familjes, Nolanin e vogël, i cili më dha statusin “gjysh”. Si prind jam krenar, që sakrificat tona i justifikuan duke dalë në jetë. Shpesh më duhet të bëj “korrigjimet” e detyrave që kryejnë (por jo me laps të kuq).
Çfarë do t’iu sugjeronit sot fëmijëve në shkolla, jo vetëm për matematikën, por në përgjithësi për mësimin?
Çdo bazë ekonomike kërkon edhe superstrukturën e vet, njerëzit intelektual e profesionistë. Ndërsa brezi ynë u rrit në një sistem ku edukimi ishte i centralizuar, përgatitja profesionale e kishte të sigurtë vendin e punës, sot zhvillimet drejtohen nga diversiteti i lartë i zhvillimit ekonomik e social. Nëse brezi ynë edhe pse punoi në dy sisteme të ndryshme ekonomiko – shoqërorë, kishte formimin profesional, përkushtimin ndaj punës e familjes dhe arriti të integrohej me kërkesat e reja, të rinjtë e sotëm përballen me shumë sfida. Brezit të sotëm i duhet një edukim i qëndrueshëm nga familja dhe shkolla, së pari për një personalitet me integritet, larg “viruseve” të induktuar nga sistemi dhe një kulturë e gjerë formuese, për të përballuar konkurrencën e egër në çdo vend pune.
Bota e zhvilluar ka arritur nivele të paimagjinueshme ekonomike e qytetare. Dëshira për të mësuar, dashuria për punën dhe kualifikimi i vazhdueshëm sjell prosperitetin e duhur. Shembujt negativ të drogës, prostitucionit, pasurimit brenda ditës përmes trafiqeve e korrupsionit, janë plagë që tentojnë të çorodisin të rinjtë, t’i largojnë nga idealet e shëndosha shoqërore e familjare, për t’i pasur si “lëndë e parë” partitë në fushata elektorale.
Shkollimi, kualifikimi, njohja e gjuhëve të huaja, synimi për të arritur mirëqenien me djersën e ballit, janë shinat ku treni i së ardhmes të sjell më afër në botën e qytetëruar. Dhe që treni i shpejtësisë së lartë të përshkojë “arteriet” evropiane e më gjerë, nuk duhet menduar se realizohet lehtë, por me një vendosmëri e përkushtim të madh për arsimim, kualifikim e synim, gjithmonë e më shumë se gjithçka realizohet.
Po për kolegët, mësuesit, ku sot këto profesione janë më pak të dëshirueshme e të të lakmueshme për maturantët, çfarë mesazhi keni?
Siç shprehej i madhi Dritëro, “Ky është shekulli i reaktorëve rreth diellit”. Dhe të arrish këtë “urbanizim” duhen mendje të ndritura që t’i përgjigjen çdo hallke të zhvillimit. Historia njerëzore ka njohur zhvillime të paimagjinueshme nga një stad në tjetrin, përmes edukimit arsimor e shkencor. Shembujt janë të panumërt nga shkolla serioze e mësues të apasionuar kanë dalë gjeni të shkencave në çdo fushë. Nëse inteligjenca zë 1% dhe puna konkrete 99% s’ka postulat tjetër që të zëvendësojë edukimin shkollor në veçanti. Por kjo arrihet me një punë të përkushtuar të stafit pedagogjik, në stimulimin e veçantë për degë më të rëndësishme, që i japin tonin intektual të rinisë. Kjo kërkon që mësuesi i lëndëve shkencore të jetë i vlerësuar, qoftë edhe me diferencë në pagë (jo njëlloj me lëndën Edukim Arti), të mos jenë më të paguar vetëm ekonomistët, apo juristët. Ana tjetër e medaljes është rritja prestigjit të shkollës e të mësuesit (do të thosha në nivelet e viteve ’80, që maturanti të mos joshet nga vlerësime të pamerituara, nga testime bastarde të ashtuquajturës “Matura Shtetërore”, ku vetë shteti stimulon hipokrizinë e testimeve dhe ministria i paraqet si arritje.
Më lart listova pedagogët që më edukuan anën shkencore në fakultet, jam vet dëshmitar i të qenurit pedagog, veçanërisht me studentët e mjekësisë, por sot këto degë kanë degraduar në mbijetesë dhe jo në cilësi. Dhe duhet menduar që mësues të paaftë “selitin” të ardhmen që duam, pra padashur, do të mbjellim grurë e do të korrin tërshërë. E s’ka si ndodh, ku në zonat rurale, shkollat janë kthyer në qendra sociale, ku mësuesi ruan vendin e punës dhe zhvillon mësim me klasa kolektive. A thua, jemi në vitet e para pasluftës?!
Mendimi im është që shkollat e mesme të jenë më shumë profesionale, të konsoliduara, të përqendruara, qoftë edhe me konvikt, ndërsa gjimnazit t’i jepet autoriteti që ka pasur dikur, si në staf pedagogjik, ashtu edhe në kërkesën ndaj nxënësve. Mësuesit duhet t’i jepet autoriteti i dikurshëm, si një personalitet i pazëvendësueshëm në selitjen e “fidanëve” të rinj për të lulëzuar “bahçen” e Atdheut.
Çfarë mendon si të veçantë që trashëgove në jetë nga prindërit dhe çfarë u përcjell ti sot fëmijëve të tu?
Familja jonë ishte e madhe: dy prindër dhe shtatë fëmijë. Deri në vitet ’70 nuk bëhej fjalë për mirëqenie, por për mbijetesë. Si shumica e brezit të tyre, prindërit e mi nuk kishin kulturë arsimore, por kishin kulturën dhe shkollën e jetës. Me sedër, korrekt dhe të përkushtuar në punët e kooperativës na rritën dhe edukuan me dashurinë për familjen dhe punën, larg veseve të këqija. Me të ardhurat e siguruara, u përpoqën që unë, Xhevdeti e Selvija, të përfundonim shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin, bujqësoren dhe ekonomiken. Ndërsa të gjashtë fëmijët u bënë krah pune, unë ndoqa studimet e larta. Prindërit tanë ishin kërkues ndaj fëmijëve për punë të ndershme, sjellje korrekte dhe qëndrim të drejtë në marrëdhëniet shoqërore. Ky është kapitali që trashëguam prej tyre. Ne si fëmijë nuk u bëjmë “gjyqin” pse nuk na lanë prona e pasuri, pasi e tillë ishte gjendja ekonomike e shoqërore e jetës në ato vite kudo në fshatra.
Sot, që unë vet jam prind, edhe pse rritur e edukuar në vitet e tranzicionit, kërkesat për çunat e mi janë arsimimi, kualifikimi i vazhdueshëm, ndërtimi i një familje harmonike dhe prezantimi si “dikush” në jetë.
Diçka për vendlindjen, Kallaratin, jo vetëm për banorët që jetojnë atje, por për gjithë kallaratasit, tashmë anembanë botës, çfarë mesazhi keni për ta?
“Guri i rëndë peshon në vendin e vet” – thotë populli. Prandaj vendlindja është një “gur” sinori për gjendjen civile të secilit. Fëmijërinë dhe rininë e kalova në fshat, ku luaja me shokët, bënim “plazh’ në lumë, kreva shkollën 8 – vjeçare, punova edhe në brigadë bujqësore, në ndihmë të familjes. Zhvillimet e viteve ’80 në Kallarat i kujtoj me nostalgji me moshatarët e mi, duke ua treguar edhe çunave, një jetë e vështirë, por edhe e bukur.
Fshati pati shkollë model, qendër kulturore, bibliotekë, muze historik, qendër shëndetësore me mjekë, infermierë e mami, fushë sportive, etj. Tranzicioni solli ndryshime drastike në fshat, të gjitha ato qendra të arsimit, shëndetësisë e kulturës i “zhdukën”, fshati u boshatis, aq sa sot ka pak banorë, pothuajse të moshës së tretë.
Kallaratasit kanë qenë punëtorë, arsimdashës dhe patriotë. Breza të shumtë kuadro kanë shërbyer e shërbejnë në sektorë të ndryshëm. Djemtë e vajzat që emigruan jashtë vendit, kanë ndërtuar një jetë më të mirë. Vitet e fundit vihet re kthimi i “vështrimit” nga vendlindja, nga shtëpitë e prindërve, të cilat po i restaurojnë. Shpresoj që brezat e rinj do t’ia kthejnë dinjitetin e dikurshëm fshatit Kallarat, për të mos thënë “na ishte dikur”, sikurse themi për “Fshatin e Djegur” në prehrin e Bogonicës.
Faleminderit për intervistën!
Intervistoi për gazetën “Kallarati”: Besnik GJONBRATAJ