2013-11-08 në orën 10:44.MD
Atmosferës së ndezur politiko-mediatike për shkak të disa aksioneve të forta të qeverisë, sidomos atë të kontrollit të territorit dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, befas iu shtua edhe një lajm i ri:
Shqipëria caktohet si vend i përshtatshëm për shkatërrimin ë armëve kimike të regjimit antidemokratik të Assadit të Sirisë!Dhe, siç edhe pritej, nuk është pritur mirë nga opinioni publik shqiptar.Opozita e shfrytëzon këtë lajm për show poltik. Kurse ambientalistët dhe qytetarët e kanë seriozisht. Sa për zërin e qeverisë, ai ende nuk po dëgjohet.
Po pse zgjidhet Shqipëria si vend i përshtatshëm për shkatërrimin e këtyre armëve vdekjeprurëse? Ata që e kanë përzgjedhur Shqipërinë japin dhe disa argumente, si për shembull se Shqipëria është një vend me përvojë në shkatërrimin e armëve,(!) bile, sikurse thuhet, i pari në botë që është demilitarizuar nga armët kimike. E dyta, për shkak të pozicionit gjeografik dhe kostos së ulët të transportit të këtyre armëve. Arsyeja e tretë dhe më e forta është se Shqipëria nuk kundërshton dot, ndërsa të tjerët kundërshtojnë , si Norvegjia. Këtë arsyen e fundit ata nuk e artikulojnë, por nënkuptohet.
Qeveritë shqiptare nuk kanë zë ndaj të mëdhenjve. Janë të njohura pranimet e muxhahidinëve iranianë apo ujgurëve kinezë të strehuar në Shqipëri, a thua nuk ka vende të tjera ku mund të shkojnë!
Në shtypin gjerman këto ditë thuhet se po ushtrohet presion mbi qeverinë e Tiranës për ta pranuar këtë “ofertë” jo të këndshme “partneriteti”. Edhe në shtypin shqiptar është theksuar se SHBA dhe Rusia i kanë kërkuar Shqipërisë të pranojë mijëra ton armë kimike të shfarosjes në masë për t’ishkatërruar.
Të nderuar miq amerikanë dhe ish-miq sovjetiko-rusë, ju falenderojmë për respektin që keni në aftësitë tona armëshkatërruese. Por nuk ju duket se po na i zmadhoni ca vlerat në këtë drejtim?!
Vërtet, vetëm Shqipëria e vogël ,vendi më i prapambetur në Europë për nga zhvillimi ekonomik dhe teknologjik, mund ta kryejë këtë operacion? Nuk ka vende të tjera? Tek e para dhe e fundit, nuk i keni ju vetë kapacitetet tekniko- shkencore për ta bërë këtë, si dy vende lider në prodhimin e armëve? Sigurisht që po. Bile Rusia që ia ka shitur këto armë Assadit, duhet ta bëjë e para.
Në fund të fundit ne jemi një vend shumë i vogël dhe s’kemi shkretëtira për ta bërë këtë, edhe sikur të kishim kapacitetet njerëzore dhe materiale. Ne s’na del sipërfaqja as për t’u prehur ata që ndrrojnë jetë…
Nëse vendet e tjera europiane nuk e pranojnë, një operacion i tillë mund të bëhet fare mirë në stepat apo tajgat e pafund të Rusisë ose në shkretëtirat perëndimore të SHBA-së, krejt të pabanuara. Ne ju falenderojmë për besimin dhe vlerësimin që keni për ne, por mos na e kërkoni një gjë të tillë.
Mos ia kërkoni qeverisë shqiptare, që sapo miratoi një ligj për mospranimin e mbetjeve të riciklueshme nga Europa, të pranojë këtë.Sepse diskreditohet. Ne ju respektojmë ju miq amerikanë për gjithçka keni bërë për shqiptarët dhe ju jemi mirënjohës. Mos u nisni nga ajo që ne nuk jemi një popull i rafinuar (civilizuar) dhe sakrifikohemi kollaj për mikun!
Ju lutemi, ne nuk jemi kaq të zot sa na bëni ju në këtë rast! Ju silleni me ne si mësuesi autoritar me nxënësin e prapambetur që, veç kujdesit për ta bërë më të mirë, na vini edhe ndonjë detyrë (kusht) të tillë,që nuk e kemi qejf, por s’kemi ç’bëjmë dhe ulim kokën.
Ambasadori Arvizu tha në Shkodër se ne (SHBA dhe Shqipëria) jemi krenarë që jemi partnerë në NATO. Sigurisht. Por nuk besoj se në këtë rast kemi të bëjmë me partneritet. Këtu ka veç vasalitet nga ana jonë.
Ne nuk jemi të marrë të mendojmë se jemi të barabartë me amerikanët. Ju e dini këtë. Ju dini gjithashtu që ne (së paku këto njëzet e ca vjet) nuk kemi zë të kundërshtojmë të mëdhenjtë. Mos na e bëni kaq qejfin! Por ju e keni një të drejtë që na e kërkoni këtë: ne kemi treguar se kemi përvojë për të shkatërruar mjedisin, natyrën tonë barabarisht në këto njëzet e ca vjet kaosi paskomunist.
Ne kemi rrafshuar pyjet, kemi kthyer lumenjtë në baltovina të helmuara, kemi rrethuar qyetet me gurore dhe furra gëlqereje si në mesjetë, ku digjen goma makinash, ,duke e sterrosur qiellin si një vend në luftë.
Ne kemi betonuar bregdetin, duke u sjellë me natyrën si pushtues në kalim.(pushtuesit afatgjatë sillen më mirë). Dhe për këtë një meritë të veçantë kanë politkanët tanë aspak patriotë. Në këtë drejtim ju keni plotësisht të drejtë të zgjidhni Shqipërinë për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, sepse ju mendoni se nuk ka ç’të prishet më shumë! Por, megjithë këtë, mos na e kërkoni një gjë të tillë, që të mos t’u lëmë peshqesh brezave që do vinë një Shqipëri të helmuar nën tokë e mbi tokë.
Ne kemi më pak se çdo vend tjetër europian sipërfaqe për individ dhe shumë më pak sipërfaqe të gjelbëruar. Dhe, në fund fare, atë që heziton t’jua thotë qeveria,ju a themi ne si qytetarë: ju lutemi mos i sillni armët kimike të Assadit për t’i shkatërruar në Shqipëri!
Boll e kemi prishur dhe helmuar vet mjedisin tone, vendin tonë! Ju, përkundrazi, mund të kishit marrë një nismë për dekurajimin e shkatërrimit të mëtejshëm të natyrës sonë, të vendit tonë për rehabilitimin e tij. Ne besojmë që ju nuk do të na detyroni të pranojmë një dhuratë të tillë për hir të atyre që thamë më lart, por edhe të asaj që ne jemi populli më proamerikan në Europë. Qoftë dhe për këtë të fundit terhiqeni këtë ofertë qe te besojme se buron nga partneriteti dhe jo vasaliteti.
Do t’jua dimë për nder.