Më 4 nëntor gazeta “Shqip” botoi një artikull të Monika Stafës me titullin intrigues “Gjuha e tjetrit” një ndër 12 pikat”. Qysh në fillim duhet thënë se duke lexuar edhe disa shkrime të tjera të saj, parapëlqeva të mendoj se edhe kësaj radhe do ta lexoja me interes dhe kënaqësi shkrimin. Kështu, me këtë predispozicion, nisa ta lexoj. Por, sa më poshtë zbrisja në tekst, më duhej here pas here të kthehesha insinktivisht pas, pra më lart, për të verifikuar dyshimin, që po më lindte së bashku me një shije jo të mirë,që po mundohesha ta hetoja prej nga vinte. Dhe kështu m’u desh të bëj disa herë deri sa e përfundova. Kur mbaron artikullin e kupton që degustimi nuk vjen prej problemit që ngre, as prej parashtrimit teorik, por prej argumenteve, që përcjell në terrenin konkret, në adresimin e shkakut dhe të shkaktarit. Problemi i pozuar prej autores në të vërtetë ekziston dhe ai është mosrespektimi apo një lloj alergjie për “gjuhën e tjetrit” midis popujve të Ballkanit. Dhe, në këtë lojë joqytetëruese luajnë të gjithë popujt e Ballkanit. Ndërsa autorja shpall një pozicion të baraslarguar, që kompromentohet shpejt nga shembujt që jep. Në fillim ajo rreket të na tregojë edhe opinionin që ka patur Europa për Ballkanin deri dy dekada më parë, duke e pagëzuar atë Babel-Ballkan ose Ballkan-Babel. Aludimi është i qartë: Ballkani i mosmarrëveshjeve, i moskuptimit të tjetrit(fqinjit), për pasojë Ballkani i sherreve, Ballkani i konflikteve. Dhe, për të bërë një ilustrim për këtë, zonja Stafa shkruan:” Ballkani i gjuhës së refuzuar të tjetrit, Ballkani ku përkthehet dhe letërsia e bulevardeve, por shkrimtari i vendit fqinj mbete i ndaluar”. Në përcaktimin e problematikës për Ballkanin në këtë aspekt autorja ka të drejtë dhe i ecën një vije objektive analize, ndonëse në sipërfaqe. Ajo mëton të shpjegojë pse është ky Ballkani dhe pse Ballkani i ka kufijtë më të dukshëm, më të thiktë, më të vështirë për t’u kapërcyer apo kaluar se vendet e tjera europiane. Dhe duket se e gjen, kur thotë se gjuha e tjetrit është “më kufi se kufiri”. Pra gjuha është vet kufiri i pakalueshëm, sepse është “më kufi se kufiri”. Duke marrë shkas nga gjuha dhe ndryshimi i gjuhëve, ajo me të drejtë, në kontekstin ballkanik , thotë se gjuha e tjetrit është më kufi se kufiri.Pra ajo do të thotë se shkaku i keqkuptimeve , moskuptimeve apo armiqësisë midis popujve të Ballkanit janë gjuhët e tyre (të ndryshme). Nuk del qartë në çkuptim e ka : për gjuhën thjesht si mjet komunikimi, apo gjuha si simbol i ndryshimit, si pjesa më identitare ose ADN-ja e çdo populli (kombi), simbol i të qenit tjetër? Pse flasin gjuhë të ndryshme, apo pse popujt e Ballkanit mendojnë ndryshe (në fakt të gjithë njerëzit mendojnë ndryshe) për njeri –tjetrin? Nuk mendoj se gjuha në vetvete është ndjellësja e fatkeqësisë. Thelbi i konflikteve është jo se popujt e Ballkanit flasin gjuhë të ndryshe, por se mendojnë ndryshe domethene keq për njeri-tjetrin. Dhe kjo nuk është e vërtetë vetëm për Ballkanin.Të tilla ndryshime (dikriminime), etnike, gjuhësore, kulturore, shpirtërore etj kanë qenë shkak i konflikteve edhe midis vendeve të tjera europiane dhe në botë. Por ideja këtu është se pse ende sot, kur Eurpoa është qetësuar e shëruar prej këtyre demonëve, i ka lënë pas krahëve, Ballkani është ende në “luftë”. Por kësaj autorja nuk i jep përgjigje, ose më mirë, nuk i jep përgjigjen e duhur. Po të ishte se shkak për urrejtje do të ishte thjesht ekzistenca e “gjuhës së tjetrit”, atëhere shqiptarët do të kishin alergji edhe, po themi, prej japonishtes, meqë atë e flet një popull tjetër-japonezët! Gjë që nuk e kanë dhe s’mund ta kenë. Por le të jemi më të saktë: kjo dukuri ngjet zakonisht midis fqinjëve dhe kryesisht për pretendime territoriale, për dominim. Le të kujtojmë këtu francezët dhe gjermanët. Dikur edhe ata kanë patur probleme, bile dhe luftra me njer-tjetrin. Pra, ka diçka më të thellë,më domethënëse që shkakton mëritë, keqkuptimet apo urrejtjen midis popujve. Por znj.Stafa i intereson thjesht dukuria dhe jo faktorët, që e kanë shkaktuar atë. Pra, ajo manovron vetëm në rrafshin horizontal dhe jo edhe në atë vertikal, ku do të gjente dhe përgjigjen e saktë për problemin që ngre. Në këtë rast “tjetri” nuk është thjesht fqinji, por fqinji armik ose i konceptuar si armik. Ky eshtë çelësi për të shpjeguar situatën në Ballkan. Ndërkaq, jo çdo gjuhë e tjetrit është apriori shkak për konflikte, për urrejtje, edhe kur tjetri është fqinji. Psh. pse nuk kemi keqkuptime apo armiqësi me italianët, edhe pse italishtja është “gjuha e tjetrit”…Bile gjuha e dy herë pushtuesit të dikurshëm! (në shekullin e kaluar). Prandaj thamë më lart duhej depërtuar përtej gjuhës si mjet thjesht komunikimi. Konflikti në Ballkan vjen si rezultat i “gjuhës së mendimit” të tjetrit. Këtu duhet patur parasysh raporti me “tjetrin” dhe me gjuhën e tij. Nga rapori që kemi me “tjetrin: (si kombe, si shtete) buron shpesh edhe raporti me “gjuhën e tjetrit”, që në thelb është raport me historinë. Pra lypsej të shpjegohej pse Ballkani i ka këto probleme, (që i dinë të gjithë) sepse gjithnjë ka një histori të gjërave, që do të thotë një shpjegim dhe arsyetim të tyre. E, në këtë shkrim, i vetmi defekt është mosshpjegimi i fenomenit, ndërkohë që është bërë konstatimi dhe evidentimi. Një qasje e tillë do të çonte objektivisht te shkaqet dhe shkaktarët e kësaj dukurie.Ndoshta kjo do kërkonte edhe fajtorin ose fajtorët dhe kjo, me mesa duket , i është dukur djegëse autores…
Autorja e shkrimit, pavarësisht përkatësisë së vet etnike (është shqiptare mendojmë ne, pa e diturt si u është përgjigjur pyetjeve të censusit) duket se kërkon të qëndrojë në një pozicion të paanshëm, duke dashur ti fajësojë njëlloj popujt e Ballkanit shqiptarët, grekët, sllavët për sherret e tyre të vazhdueshme. Një qendrim i tillë do të ishte emancipues.Teorikisht ajo e shtron drejt problemin. “Për sa kohë mjedisi shoqëror nuk është indiferent ndaj ndryshimit etnik, racor, kulturor, gjuhësor, fetar, gjinor, të flasësh për mosdiskriminim është thjesht mashtrim ose vetmashtrim”. Deri këtu duket se e ka fjalë për të gjithë popujt e Bakllkanit. Por shpejt autorja nxiton të vërë gishtin mbi fajtorin : “A mund të jetë edhe ky tejkalim i vëmëndjes ndaj ndyshimit një kriter shtesë mbi 12 pikat për të mundësuar hapjen e portave europiane për Shqipërinë? Nëse do të ishte vërtet edhe një kriter i tillë, atëhere vendi përpara ka një rrugë të vështirë”. Gjuha shkon tek dhemb dhembi.Vetëm Shqipëria kështu? Pra,znj. Stafa i vë dhe një “kusht” tjetër Shqipërisë dhe shqiptarëve për inetgrimin në Europë, kushtin e “13-“të ose kushtin” Stafa”. Sa keq që politikanëve të Brukselit nuk u ka shkuar ndër mend një kusht i tillë! Por janë me fat që është Stafa në Shqipëri, që i kujton! Pra “kushti Stafa”!..Vërtet për t’u habitur! Dhe, ndonëse deri këtu zbret butë-butë, më poshtë e nxjerr dufin kur thotë: “250 mijë kuqezinj alarmojnë prej muajsh çintegrimin e popullit shqiptar për shkak të vetdeklarimit etnik dhe fetar…Po sikur ti shtojmë kësaj edhe gjuhën?”, e mbyll ajo “preokupimin” e saj. Pse shqetësohet kaq shumë znj.Stafa për mitingjet e aleancës kuqezi? Tek e fundit është një shoqatë e ligjshme, në përputhje të plotë me legjislacionin e shtetit shqiptar dhe që ka të drejtë të shprehet në demokraci. Në mitingjet e tyre kuqezinjtë nuk fyejnë askënd, nuk hedhin parrulla raciste, nuk përbuzin asnjë popull apo komb, nuk këndojnë këngë të përçudnuara shovinisto-raciste, siç kanë bërë ushtarët dhe oficerët e fqinjit të jugut ( pra struktura të rëndësishme shtetërore, dhe jo shoqata) dhe hapur bile, publikisht në prani të personaliteteve më të larta të shtetit) me tekste makabre, barabare se si “t’u hanë mëlçitë dhe zorrët shqiptarëve”! Si thoni znj Stafa, a ka simetri këtu midis shqiptarëve dhe “tjetrit”? Do ishte mire te behej krahasimi… Dhe më poshtë jep shembuj se si shqiptarët, që banojnë në ish-Jugosllavi “fshijnë emrat sllavë dhe i vendosin shqip”. Vërtet nuk e kupton znj.Stafa pse ndodh kjo, nëse ndodh në raste të veçanta? Pse ,ç mund të mendojë një njeri i thjeshtë, që serbët i kanë djegur shtëpi e katandi, i kanë vrarë nënën, gruan apo burrin, i kanë çnderuar vajzën, i kanë rrëmbyer e zhdukur djalin, e kanë fyer dhe poshtëruar jo më larg se një dhjetvjeçar dhe plagët ende nuk janë mbyllur? Mos duhet të jetë i lumtur kur sheh serbë dhe dëgjon serbisht?! Së paku në shtetin e Kosovës serbët gëzojnë të gjitha të drejtat si minoritet, edhe të gjuhës dhe , me sa dimë, as serbët vet nuk kanë pretendime të tilla. As Europa nuk ka kritika për qeverinë e Kosovës në këtë drejtim. Po ja që nuk qenka e kënaqur znj.Stafa(!),që nuk dihet kë përfaqëson. Dhe më poshtë vazhdon çudia e saj kur shqiptarët e ish-Jugosllavisë “pyesin te çuditur pse ne mbajmë emrat sllavë të vendeve të ndryshme, sidomos të fshatrave!”. A i quan normale ajo marrëdhëniet së paku njëshekullore shqiptaro-sllave në ish-Jugosllavi? Si është sjellur fqinji ynë verior me shqiptarët e ish-Jugosllavisë? Kronika e këtyre marrëdhënive është kaq e zezë, sa mjafton të kujtojmë koleksionin barabar të krimeve ndaj shqiptarëve në 10-vjetshin e fundit të shek.XX, që të kujton kohën e frikshme të nazizmit gjerman. Si mendon znj. Stafa, ç’ e detyroi botën demokratike, ShBA dhe Europën të sulmonte një shtet sovran siç ishte Jugosllavia, duke kryer një akt të paprecedent afro gjysmë shekulli pas Luftës së 2-të Botërore? Për sytë e bukur të shqiptarëve, apo për të ndëshkuar diskriminimin (term, që znj Stafa e përdor ) krimet e tmerrshme me frymëzim etnik sllav ndaj një popullsie që sulmohej e masakrohej masivisht e publikisht për shkak të etnisë, të racës, të “gjuhës tjetër”? Dhe në këto rrethana, a mund të lulëzojë lulja e miqesisë?! Mirë do të ishte, por ështe ende herët për një gjë të tillë, sidomos kur serbët ende nuk u kanë kërkuar ndjesë shqiptarëve për mizoritë e shkaktuara. Mos duhet që shqiptarët e tramatizuar të shkruajnë poezi dashurie për serbët dhe serbishten?! Amund të përqafohesh me armikun mbi varret e freskët te njerëzve të dashur?!(në filma mund t’i thuash dhe ” I dashur armik”!) Dhe nga veriu autorja zbret në jug, në Himarë, ku meraku për tabelat greke duket më i madh. Ajo harron që Himara nuk është zonë minoritare, paçka se tre fshatra flasin edhe greqisht. Mos duhet të presim që tabelat në gjuhën greke të vendosen edhe në Tiranë për ta përmbushur edhe kushtin e “13-të Stafa” për t’u pranuar si vend kandidat për anëtar në Bashkimin Europian? Nuk i shkon ndër mend autores së shkrimit p.sh:, pse nuk ka tabela shqip në Çamëri, kur çamët janë shqiptarë etnikë? Pa le për qindra mijëra arbëreshë (arvanitas) të shpërndarë në të gjithë Greqinë, që ende fshehurazi flasin shqip për shkak të terrorit dhe dhunës së gjithanshme të ushtruar me dhjetra e qindra vjet për të shuar identitetin e tyre shqiptar?! Anuk i ka parë e dëgjuar dëshmitë e shqiptarëve të Thrakës me zë dhe figurë në emisinin “Shqip’ të koleges së vet R.Xhunga 2-3 vjet më parë, ku shpreheshin se kisha dhe shteti grek (policia, thanë ata) nuk lejonte futjen e shqipes në shkolla për nxënësit arvanitas? Apo, më keq akoma, kronika skandaloze në Çamëri, ku po kjo gazetare (R.Xhunga) së bashku me kameramanin ndiqeshin nga policia greke dhe iu desh ndërhyrja e minisrtit të jashtë shqiptar te homologu grek që të mos u ndodhte gjë gazetarëve? Dhe këtu kemi reagimin e shtetit dhe jo më të një qytetari të thjeshtë! Atëhere ç’duhet të bëjnë shqiptarët? Të bëjnë referendum për të hequr dorë nga të drejtat e veta dhe të mbrojnë “të drejtat e tjetrit’? Apo znj. Stafa do të thotë që e drejta është gjithnjë me më të fortin?! Duke kaluar nga fqinji verior në atë jugor Stafa përpiqet të bëjë edhe dallimin e qendrimit të shqiptarëve ndaj tyre. Shqiptarët demonin sllav sikur nuk e vënë re, na thotë Znj .Stafa, kurse atë të jugut, po. “Por demoni tjetër me emrin e fqinjit të jugut ngre me vrull dallgë zemërimi”, shprehet ajo dhe shtron disa pyetje, që bëhen në mjediset intelektuale e shoqërore shqiptare dhe që janë pyetje krejtësisht të drejta, (nëse si kriter bazë i marrëdhënieve të shëndosha midis popujve dhe shteteve është reciprociteti, mosndërhyrja në punët e tjetrit, pavarësisht justifikimeve e alibive të ndryshme): “Pse liturgjia në kishë bëhet greqisht dhe pse kreu i kishës bizantine nuk është shqiptar? Pse shqiptarë emigrantë ndrrojnë emrat dhe, mos qoftë e thënë,(vini re ironinë e saj) edhe kombësinë? Pse qeveria lejon me lehtësi shkollat greke në vend pa siguruar fatin e shqipes në Greqi?” Dhe zonja Stafa duhet ta dije se të gjitha këto ndodhin, jo pse duhet të ndodhin, por sepse shteti shqiptar ështe ende i dobë, sikurse dhe për lëshime të qeverisë. Dhe çfarë reagimi tjetër mund të vijë nga shqiptarët? A është europianiste, a përputhet me parimet dhe vlerat e Europës demokratike trysnia për t’u ndryshuar emrat emigrantëve shqiptarë apo etninë nga një shtet anëtar i BE? A ka ndodhur në Shqipëri që, qoftë dhe një grek (i vetëm) minoritar të jetë detyruar të ndrrojë emrin dhe nga Jorgo p.sh:,të quhet Ibrahim? Ku është këtu reciprociteti? Historia ka provuar më se një herë se shqiptarë kanë qenë viktima të naconalizmit agresiv dhe shovinizmit të fqinjëve tanë jugorë dhe veriorë. Ata kanë patur strategji të shkombtarizimit të shqiptarëve, dhe jo thjesht politika shtetërore korente, duke angazhuar akademi, institute, shoqata, shkrimarë dhe, posaçërisht, fenë, diversionin fetar si më të kamufluar dhe më të efektshëm, sidomos në jug. Me të drejtë shtrohet pyetja: Pse Greqia nuk lejon hapjen e klasave ku të mësohet shqipja, së paku për emigrantët e rinj, që janë disa qinda mijëra?Përvoja historike flet për krime ndaj popullit shqiptar, për pushtime ,vrasje, djegie fshatrash, spastrime masive, vrasje pas shpine me thikë e helm të mësuesve dhe patriotëve që donin të përhapnin e t’u mësonin shqipen shqiparëve. Do të mjaftonte vetëm të përmendnim Papa Kristo Negovanin dhe K.Kristoforidhin. Dhe kemi te drejte te pyesim: A ka ndonje martir grek që është vrarë nga shqiptarët se donte t’u mësonte grekëve greqisht? Sigurisht qe nuk ka per t’u gjendur kurre! Këtu s’ka kurrfarë simetrie. Autorja nuk e ka “kthyer koken pas ne histori”, se e ka ndjere qe do t’i binte “kauza, qe mbron. Prandaj shkrimi, me gjithe stilin interesant, është i pozicionuar keqas njeanshem dhe nuk eshte aspak objektiv dhe mbushamendes.Tek e fundit, si mund të duash kaq lehtë atë, që nuk të do? Amo chi mi ama, thonë italianët. Pse kaq frikë dhe amplifikim, xhanem, për të ashtuquajturin nacinalizëm shqiptar? Nacionalizmi shqiptar është më tepër një tezë e shpikur nga antishqiptarët. Kë kemi kërcënuar ndonjëherë ne shqiptarët? Cilin fqinj kemi pushtuar, plaçkitur, kemi djegur dhe shkatërruar? Kurse për fqinjët e veriut dhe jugut kronika e krimeve ndaj shqiptarëve është shumë e pasur . Nacinalizmi shqiptar, nëse ka patur ndonjëherë, ka lindur si reaksion ndaj nacionalizmave agresivë të fqinjeve tanë verioro-jugorë. Pra ka qenë një nacionalizëm pasiv, reaktiv, vetmbrojtës dhe shpesh i pasukseshëm. Por në raportet dypalëshe nuk mjafton vetëm qendrimi i njerit. Mos duhet që, sipas moralit kristian, kur” dikush na godet në njerën faqe t’i kthejmë tjetrën”, ne shqiptarët, kur dikush na kërkon një gjë që s’i takon, duhet t’i japim dhe një tjetër? Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, ndër raportet midis popujve ballkanikë, më problematiket kanë qenë ato shqiptaro-sllave dhe shqiptaro-greke e më pak ato sllavo-greke. Ndërkaq është e vërtetë që Ballakani vuan ende nga komplkset nacionaliste (dhe jo vetëm Ballkani) për shkak të historisë, sepse popujt dhe shtetet e Ballkanit, hartat e tyre , kufijtë shtetërorë, janë produkt i historisë, i aktorëve të shumtë, i vet ballkanasve, shqiptarëve, grekëve dhe sllavëve të Ballkanit, por dhe i faktorëve të shumtë jashëballkanikë, të cilët kanë patur interesat e tyre në Ballkan dhe i kanë dhënë formën që ka sot. Pra në Ballkan ka diskriminim dhe një mentalitet diskriminimi, i cili do kohë të tejkalohet. Dhe ky diskriminim në mënyrë të dallueshme deri dje ka qenë kundër shqiptarëve. Kjo duhet pranuar. Por nga kush? Nga popujt e Ballkanit apo nga politikanët e Ballkanit? Nga të gjithë, apo vetëm nga një popull? Dhe autorja e shkrimit më në fund e gjen fajtorin, ndonëse ca tërthorazi, kur thotë: “Amund të jetë edhe ky tejkalim i vëmendjes ndaj ndryshimit një kriter shtesë mbi 12 pikat për të mundësuar hapjen e portave europiane për Shqipërinë? Nëse do të ishte vërtet një kriter i tillë, atëhere vendi ka përpara një rrugë të vështirë”…Pra duket sheshit se objektiviteti i pretenduar në fillim të shkrimit bie dhe, në mënyrën që nuk pritej (sepse është e pavërtetë) balanca e fajit anon mbi Shqipërinë. Kështu mund të shprehej vetëm një nacionalist i thekur grek! Është vërtet për të ardhur keq që njerëz të medias (dhe të një medieje jo dosido) bëhen avokatë të akuzave të pathemelta të ultranacionalistëve të vendeve fqinje (nuk po them të qeverive të tyre).Vërtet mendon zonja Stafa se fajtorë për ekzistencën e diskriminimit dhe nacionalizmave ballkanike janë shqiptarët?! E habitshme! Pse, ç kërkohet prej shqiptarëve, që janë copëtuar e shpërndarë në pesë shtete si popull e si territor dhe ku shteti kryesor shqiptar, Shqipëria ësht sa 1/3 e asaj që duhet të ishte?Apo mos vallë shqiptarët duhen bërë kurban për të qetësuar orekset nacionaliste të fqinjëve të tyre, aspak të fshehura edhe sot,veç më të stërholluara? Pastaj znj.Stafa na përmend Zvicrën si një vend me harmoni etnike dhe gjuhësore. Dhe mire ben. Por sërish “harron” historinë. Harron që Zvicra ka historinë e saj , rrethanat dhe kushtet specifike të formimit, që e bëjnë atë të pangjashme me asnje vend tjetër europian, pale ballkanik dhe, kësisoj, të paimitueshme. Zvicra nuk është as anëtare e BE. Për hir të specifikave të saj.
Shkrimi, veç anësisë ose më mirë anësive të autores, sepse ajo me keqardhje vëren reagimet negative të shqiptarëve ndaj fqinjit të Veriut dhe të Jugut, ka mungesë konseguence. Gjatë lëkundjeve të mundimshme nga veriu në jug, ajo i bën shqiptarët një herë më tepër antisllavë e një herë më tepër antigrekë. Ja si shprehet ajo, e sëkëlldisur për fqinjët tanë fatkeqë, meqë janë fqinjë me ne:” Por pa shkuar pas në histori, a nuk do të mjaftonte koka e kthyer prapa e qytetarit të zakoshëm shqiptar, kur veshi i zë gjuhën e tjetrit, sidomos të fqinjit verior?” Dhe nuk e di për çarsye sllavët i quan poliglotë! Ndoshta se flasin gjuhët sllave!..dhe harron se shqiptarët flasin më shpejt e më mirë gjuhët e huaja, qoftë dhe ato të fqinjëve. Pastaj thotë të kundërtën:” Por demoni tejtër me emrin e fqinjit të jugut ngre me vrull dallgë zemërimi”. Kjo është inkonseguencë e pastër. Po pse znj.Stafa nuk shkon pas në histori, sikurse shprehet vet, për të gjetur origjinën e “kokës së kthyer prapa” të shqiptarit, kur dëgjon gjuhën e fqinjëve? Nuk i ntereson e vërteta? A ka patur rastin ajo të shikojë a e”kthejnë kokën pas” apo jo fqinjët tanë veiorë e jugorë, kur dëgjojnë të flitet shqip? Pa le kur shohin pasaporta shqiptare! Zonja Stafa duhet ta dijë se përsa i përket të drejtave të minoriteteve, shteti shqiptar kurdoherë, në kohën e Zogut, edhe të E.Hoxhës dhe patjetër sot në demokraci, është model në Ballkan dhe mund të krahasohet me më të përparuarit. Ndërsa grekët, ndonëse nuk i njohin zyrtarisht minoritetet, me gjithë praninë e tyre atje, e sidomos minoritetin shqiptar, me gjthë kritikat e organizatave të ndryshme per te drejtat e njeriut, janë prej vitesh anëtarë të BE. Që ky shkrim mjerisht ka synime të qarta në mbështetje të synimeve greke, dëshmon dhe një fakt i çuditshëm, i cili duket aq shumë i kërkuar dhe artificial, sa të habit dhe nuk mund të gjendet,veç duke qenë i paramenduar.
Në synimin e saj për” të gjetur e mbrojtur” minoritete në Shqipëri, edhe atje ku ato mungojnë, sidomos në jug të vendit, ajo përmend një fakt se si N.Hrushovi (shef i dikurshëm i Kremlinit) gjatë vizitës së tij në Shqipëri, paska dëgjuar të flitet greqisht në Korçë(!) dhe” qeveria komuniste (shqiptare P.Q) e mbyti opinionin me qinda faqe letrash e shkresash…për të shkulur nga mendja e njerëzve se kjo mund të kishte qenë e vërtetë”. Pra, kaq thellë shkon për të gjetur “argumente”( vizita e Hrushovit në Shqipëri është e vitit 1959) për të thënë se në Korçë flitet greqisht, pra, ka grekë! Ky ështe “zbulimi” i Hrushovit dhe i Stafës! A thua deklarata e një politikani përbëka një fakt shkencor! Aq më tepër e një politikani ortodoks sllav..Ajo që të bën përshtypje në këtë rast është zelli me të cilin znj.Stafa gërmon në favor të të tjerëve dhe jo të vendit të saj. Por dhe nëse ajo është një greke etnike, për hir të parimeve të së drejtës dhe barazisë midis popujve dhe minoriteteve, duhet të interesohet dhe për pakicat shqiptare, sidomos në fqinjin e jugut. Dhe nëse në Korçë Hrushovi ka dëgjuar të flitet greqisht, në 4 shtete të Ballkanit (përjashto Shqipërinë dhe Kosovën) flitet edhe shqip (sepse ka shqiptarë). Kurse, sa për diskriminimet, të cilat i numëron në fillim të shkrimit, ato sigurisht ekzistojnë në Shqipëri, kur ekzistojnë edhe në vendet më të zhvilluara, në Europë dhe në Amerikë. Dhe ekzistojnë më shumë në fqinjët tanë veriorë dhe jugorë. Sigurisht, do të ishte mirë të mos ekzistonin. Por ne duhet ta shohim botën siç është dhe jo si duhet të jetë. Dhe ta shikosh botë siç është duhet të jesh jo vetëm i shkolluar, por dhe pa komplekse. Dhe shfaqje kompleksi nuk është vetëm ksenofobia, por edhe ksenomania…dhe sidomos albanofobia.
Gjatë këtyre viteve të demokracisë kaotike shqiptare kam takuar disa intelektualë shqiptarë që jetojnë sidomos në perëndim që patriotizmin, atdhetarinë e quajnë të vjetëruar dhe patriotët (njerëzit e zakoshëm), ata që e duan Shqipërinë si vendin e tyre, i quajnë demode. Ndërsa kam takuar dhe europianë që, kur kam dashur “t’i provokoj” (ne fakt per te thene nje te vertete) për atdheun e tyre p.sh: se Gjermania është më përpara se Franca , megjithëse me kulturë, kanë reaguar në mënyrë nacionaliste. Kurse ne, disa prej nesh në të vërtetë, për të qenë “modernë”, “globalistë”, ‘internacionalistë” e kemi kollaj ta shajmë vendin tonë para të tjerëve, d.m.th veten tonë. Në rastin më të mirë kjo është snobizëm, kurse, kur u shërbemjë të huajve në dëm të vendit tonë, kjo është mercenarizëm. Dhe gjatë historisë nuk ka munguar një lloj shpirti mercenar ndër shqiptarët, që shfaqet aty-këtu edhe sot, prandaj,veç të tjerave, jemi këtu ku jemi. Ne vërtet sot nuk mund të mburremi me Shqipërinë, por as nuk duhet të na vijë turp që jemi shqiptarë.
Petrit QEJVANI, nentor,2011, Vlore