STATUTI I SHOQATËS “KALLARATI“, THEMELUAR ME 12 JANAR 2003

Shoqata “KALLARATI” themelohet me vullnetin e mirë të anëtarëve të saj, në pajtim me Ligjin nr.7850 datë 29.07.1994, “Për Kodin Civil  të Republikës së Shqipërisë”

I. Emri dhe qëllimi i shoqatës.

Neni 1.

Shoqata ka emrin e vet të përcaktuar:  Shoqata “Kallarati”

Neni  2.

Qëllimi i Shoqatës “Kallarati” është të njohë,  të mbajë gjallë dhe të propagandojë  kulturën, traditat, zakonet, folklorin, ndjenjën e atdhetarizmit dhe të luftërave për liri e pavarësi të kallaratasve, si dhe të njohë kontributin e figurave të shquara të këtij fshati në periudha të ndryshme të historisë.

Neni  3.

Një nga drejtimet kryesore të Shoqatës “Kallarati” është të mbajë gjallë te çdo bijë e bir i saj dhe tek ata që kanë lidhje gjaku me ta, krenarinë dhe dinjitetin e të qenit kallaratas si dhe traditat e shkëlqyera patriotike e kulturore në të gjitha periudhat historike.

Neni  4.

Të studiojë dhe propagandojë rolin dhe ndihmesën e kallaratasve në të gjithë historinë e luftërave të popullit shqiptar. Të përkujtojë dhe nderojë dëshmorët e fshatit që kanë dhënë jetën në mbrojtje të lirisë e pavarësisë. Të evidentojë dhe propagandojë  figurat e shquara të bijve dhe bijave të këtij fshati si politikanë e shtetarë, shkencëtarë, artist, sportist etj.

Neni  5.

Të evidentojë, propagandojë e përgjithësojë krijimtarinë popullore të fshatit: Folklorin, etnografinë, zakonet dhe t’i transmetojë ato në brezat e tanishëm e ata që do të vijnë më pas.

Neni  6.

Të  njohë dhe propagandojë veprimtarinë social – ekonomike të fshatit: Arsimin, kulturën, ekonominë, etj dhe sipas mundësisë të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre problemeve në dobi të mirëqenies së fshatit.

Neni  7.

Të evidentojë familjet dhe individët me gjak kallaratas që jetojnë e punojnë në qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Neni  8.

Të punojë për rritjen e frymës së solidaritetit të kallaratasve në ditë të mira dhe të kwqia.

II. Kushtet e pranimit në shoqatë.

Neni  9.

Në shoqatë pranohet çdo person me origjinë nga Kallarati ose me lidhje gjaku me të, që jetojnë brenda dhe jashtë kufijve të Atdheut. Mund të pranohen anëtarë nderi edhe persona me origjine jo kallaratas që kanë dhënë ndihmë të shquar për fshatin. Në shoqatë nuk ka dallime të bindjeve politike e besimeve fetare.

Neni  10.

Çdo anëtarë i shoqatës ka të drejtë të zgjedh dhe të zgjidhet në organet drejtuese me votën e lirë.

III. Organizimi i shoqatës.

Neni  11.

Shoqata organizohet mbi baza territori. Organizimi dhe shtrirja e saj bëhet në Degë e Seksione, në çdo qytet e fshat të Shqipërisë ku ata banojnë, si dhe në emigracion e diasporë.

Neni  12.

Shoqata ka qendrën në Vlorë ku është numri më i madh i anëtarësisë dhe ka degët e saj në Kallarat, Vlorë, Fier, Tiranë, Greqi, etj.

Neni  13.

Organi më i lartë është Kuvendi i Shoqatës, i cili mblidhet një herë në katër vjet. Në Kuvend merr pjesë 1 delegat në çdo 10 anëtarë. Zgjedhja e delegatëve për në kuvendin e shoqatës bëhet me votim të hapur.

Neni  14.

Kuvendi zgjedh organet drejtuese si Kryetarin dhe Kryesinë e shoqatës, e cila përbëhet nga 17 anëtarë. Kryesia mblidhet një herë në tre muaj dhe thirret nga kryetari.  Mbledhja quhet e mirëqenë kur marrin pjesë më shumë se ½ anëtarëve.

Neni  15.

Çdo Degë zgjedh me votë të lirë Kryetarin dhe Kryesinë e degës që përbehet nga  5 – 9 anëtarë.

IV. Rregullat e votimit.

Neni  16.

Për zgjedhjen e organeve drejtuese të shoqatës, degës apo seksionit duhet të marrin pjesë më shumë se ½ e anëtarëve. Kryetari i shoqatës, degës apo seksionit zgjidhet jo më shumë se dy mandate radhazi.

Neni  17.

Statuti miratohet në Kuvendin e shoqatës me votim të hapur. Për ndryshimet në statut, duhet të marrin pjesë jo me pak se 2/3 e antarëve të kuvendit.

V. Burimet e financimit.

Neni  18.

Burimet financiare të shoqatës do të përbehen:

Nga kuotizacioni i anëtarëve në masën 1.000 lekë në vit.

Nga sponsorizimet e personave që kanë aktivitet biznesi dhe personave të tjerë dashamirës që kanë mundësi financimi.

Neni  19.

Kriteret e shpërndarjes të të ardhurave financiare përcaktohen nga kryesia e shoqatës.

VI. Emblema.

Neni  20.

Shoqata ka emblemën dhe vulën e vet. Emblema do të jetë një rreth: në qendër do të jetë lapidari i dëshmorëve të fshatit dhe në harkun e rrethit: Shoqata “Kallarati”

PËR SHOQATËN “KALLARATI”

S E K R E T A R I                                                K R Y E T A R I

Enver  GOLLOSHAJ                                         Gafur   SHAMETI

Vlore, me 12 Janar 2003

Next Post

NJË JETË TË TËRË PËR EDUKIMIN E BREZIT TË RI KALLARATAS

Pre Shk 5 , 2016
  –Intervistë e dyfishtë me intelektualët bashkëshortë, Violeta e Çize Xhaferaj- Violeta e Çize Xhaferaj, bashkëshortë, kolegë, por edhe eprorë e vartës për vite të tëra në arsim për edukimin e brezit të ri kallaratas e më gjerë. Rast i rrallë ky. Dy intelektualë të mirëfilltë, që përveç kontributit në […]