TRE VELLEZERIT GJONI NGA KALLARATI QE LUFTUAN PER ATDHEUN

Nga Besnik GJONBRATAJ

Është ndër rastet e rralla, ku familja inkuadrohet e tëra në luftë. Tre vëllezërit Gjoni nga Kallarati i Vlorës, Xhemali më i madhi, Tarja e Nedini më i vogli u përfshinë dhe morën pjesë me armë në dorë në luftën nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ata vinin nga një familje e njohur për tradita të atdhedashurisë, patriotike dhe luftarake. Gjyshi i tyre Beluli dhe babai Çelua, ishin pjesëmarrës në çetën e Kallaratit, në luftën e 1914-ës kundër andartëve grekë dhe në atë të Vlorës në vitin 1920, kundër ushtrisë pushtuese italiane.

Tre vëllezërit Gjoni mbetën jetim qysh në moshë të vogël, pasi të dy prindërit u ndanë para kohe nga jeta. Për ta, për pak kohë u përkujdes gjyshja dhe xhaxhai, por edhe ata vdiqën dhe të tre jetimet mbetën fare pa mbështetje. Në këto kushte i mori në kujdestari familja e dajës në fshatin Kuç, ku qëndruan derisa shkuan në luftë. Ata në moshë fare të re u përballën me vështirësitë e shumta të jetës, me varfërinë, skamjen, shfrytëzimin e përgjithshëm që ishte në atë kohë, plus të qenurit jetim ua shtonte edhe më tepër këto vuajtje.

 

Të tre jetimët, krahas punës e vështirësive për të mbijetuar, duke u marrë me punë të rënda në bujqësi e blegtori, u edukuan dhe brumosën me cilësitë më të mira të familjes, fshatit e zonës me bëmat e heronjve e trimave në breza, dhe në veçanti e mbi të gjitha me frymën e urrejtjes ndaj pushtuesve të vendit.

 

Të edukuar dhe brumosur nga këto tradita, jo vetëm të familjes por edhe të vendlindjes Kallaratit, të Kuçit ku u rritën dhe krejt zonës së Labërisë, ata përqafuan që në fillim lëvizjen nacionalçlirimtare.

Tarja, lindur në vitin 1926, edhe pse në një moshë të re, nisur nga gjendja ekonomike familjes në vitet 1940-1941 së bashku me shumë bashkëfshatarë të tij punoi në disa shoqëri italiane në Vlorë. Pushtimi fashist  i Shqipërisë për të gjithë të rinjtë dhe moshatarët e Tares  ngjalli urrejtje të madhe. Siç tregon një nga bashkëmoshatarët e tij veterani Xhafer Peçi, aty Tarja bie në kontakt me shumë të rinj me ide revolucionarë, midis tyre edhe heroin e popullit Mumin Selami, të cilët ia shtuan së tepërmi urrejtjen ndaj fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Në vitin 1942 kthehet  përsëri në Kuç te dajua dhe inkuadrohet në çetën e fshatit dhe merr pjesë në shumë aksione, siç ishte ajo për likuidimin e postëkomandës së milicisë në Kuç. Më 28 nëntor 1942 merr pjesë në luftimet për likuidimin e administratës  fashiste të nënprefekturës së Gusmarit në Kurvelesh, ndërsa më 31 dhjetor po të vitit 1942  merr pjesë aktive në luftën e Gjormit kundër fashistëve italianë dhe mercenarëve të vendit.

Në Korrik të vitit 1943,Tarja del vullnetar për t’u rreshtuar në radhët e brigadës së parë sulmuese dhe caktohet në batalionin e parë të asaj brigade në të cilën u rreshtuan edhe shumë bashkëfshatarë  të tij. Ai mori pjesë në shumë luftime që zhvilloi brigada e parë sulmuese si në Vithkuq, në Pogradec, në Qafë Kërrabë, në Lushnjë, Patos, Qafë e Kiçokut, Kurvelesh, në Tendën e Qypit, Bargullas, në inkursionin e tre batalioneve të brigadës së parë në Shqipërinë e mesme e atë të Veriut në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nacionalçlirimtare etj. Më 4 Prill 1944, siç tregonte bashkëluftëtari dhe bashkëfshatari i tij, veterani Dalan Memushi, batalioni i parë i brigadës u ndesh me forca të mëdha gjermano-balliste ne Balbardhë të Beratit. Rezistenca nga ana e armikut ishte shumë e fortë, i cili jo vetëm ishte në mbrojtje dhe në pozicione të fortifikuara, por kishin edhe armatime më të forta e më të fuqishme. Si rrjedhojë sulmi i forcave partizane nuk po përparonte, pasi zjarri armik ishte shumë i dendur para pozicioneve të tyre. Tarja, duke parë që përparimi partizan nuk po ecte siç duhej, vendosi të afrohej me shpejtësi një pozicioni mitraljeri të armikut, i cili kontrollonte me zjarr një sektor të tërë, ku nëse eliminohej kjo armë armike, batalionit i krijoheshin kushte për të kaluar në sulm të suksesshëm. Pasi e miratoi vendimin, Tarja e realizon me mjeshtëri afrimin, asgjëson mitraljerin armik me zjarrin e granatave të dorës dhe kështu forcave partizane iu krijuan mundësitë te sulmonin në atë sektor. Në momentin që Tarja po i jepte shenjë nënrepartit të vet partizan për të filluar sulmin, nga krahu tjetër një armik merr shenjë dhe e godet Taren për vdekje. Armiku e kish shënuar në ballë dhe atje e mori plumbin Tare partizani. Nuk arriti të thoshte as edhe një fjalë, veç i mbeti dora e shtrirë në drejtimin ku tregonte për sulm.  Ja si i kënduan shokët e tij në atë kohë: “Tare Gjoni, një trim djalë/E mori plumbin në ballë/Derdhi gjakun për vatan!”. Me  rastin e rënies së Tare Gjonit më 4 prill 1944, komanda e brigadës së parë sulmuese, njofton familjen e tij në të cilën shkruhej: “Duhet të jeni kryelarte për birin tuaj që luftoi heroikisht dhe u nderoi duke dhënë edhe jetën për interesat e popullit. E gjithë Brigada e I Sulmuese ju dërgon ngushëllimet më të përzemërta dhe betohemi mbi gjakun e birit tuaj dhe shokut tonë, Tares, se do të vazhdojmë me besnikëri deri në fund rrugën që ai ndoqi dhe se do t’ia marrim hakun!”. Trimërinë dhe aktin heroik të Tare Gjonit populli i Kallaratit e përjetoi me këngë: Tare Gjoni zemër hekur/goditur me plumb në vetull/goditur me plumb në ballë/bir, o Tare, lule djalë…

 

Vëllai tjetër, më i madhi ndër vëllezërit, Xhemali, lindur më 1920, pasi mbaroi tre klasë shkollë nisur nga të qenurit jetim, siç tregonte veterani Dalan Memushi, në vitin 1936 u largua nga fshati për të gjetur diku punë dhe pas shumë përpjekjesh arriti në Durrës. Aty afrohet te vila ku pushonte mbreti Zog dhe me këmbënguljen e zgjuarsinë e tij, kërkoi ta takonte atë për t’i kërkuar  ndihmë për të vazhduar ndonjë shkollë, por rojet nuk e lejonin duke e goditur me shqelma e grushta. Në këtë kohë nga zhurma që u krijua mbreti Zog del në ballkon dhe pyet se kush është ai fëmijë dhe çfarë kërkon. Ai urdhëroi silleni lart. Mbasi dëgjoi hallin për gjendjen ekonomike dhe papërkrahje të tij dhe të dy vëllezërve, mbreti urdhëroi që Xhemalin ta çonin në “Strehën  Vorfënore” në Tiranë. Atje Xhemali vazhdoi edhe shkollën, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera, gjë e cila ndikoi të shkonte të kryente edhe studimet e larta në Itali. Atje duke qenë me studime, pasi mori vesh se italianët kishin pushtuar Shqipërinë, i ndërpreu ato dhe u kthye në Atdhe për t’u përfshirë në luftën e madhe antifashiste. Fillimisht  inkuadrohet partizan në çetën “Hajredin  Tremishti” në Kurvelesh, pastaj në batalionin “Asim Zeneli” dhe me krijimin e Brigadës së 6-të Sulmuese u bë pjesëtar i saj deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e saj deri në çlirimin e vendit, përfshi edhe në  tokat jugosllave.

Duke qenë se Kallarati ishte zonë e lirë, në fund të vitit 1944 Xhemali, vullnetarisht  rihapi shkollën në Kallarat, ku u regjistruan shumë bashkëfshatarë të tij të etur për dije e kulturë dhe shërbeu aty dy vjet si mësues. Pas çlirimit Xhemali fillimisht punoi si redaktor në gazetën “Puna” dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në vite 1954-1958. mbaroi shkollën e lartë për drejtësi dhe për shumë vite deri sa doli në pension punoi si jurist përsëri në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Bashkë me bashkëshorten lindën, rritën dhe edukuan  4 fëmijë, një djalë dhe tre vajza. Më 26 gusht 1988 Xhemali u nda nga jeta duke lënë një emër mjaft të mire, që do të ngelet si frymëzim për brezat e ardhshëm.

 

Edhe Nedini vëllai më i vogël, lindur më 1927, vetëm 15 vjeç dhe i njomë nuk deshi t’ia dinte për moshën dhe vështirësitë, por eci në gjurmët e vëllezërve, pra ai hodhi mbi supet e tij pushkën e gjatë, më e gjatë se trupi i tij ende i njomë. Ai mori pjesë në LANÇ nga nëntori i vitit 1942 në çetën “Sulo Lala” dhe “Hajredin Tremishti”. Më vonë në batalionin “Ismail Hakiu”, në Grupin e Parë  Operativ e pastaj në Brigadën e 14-të Sulmuese, ku mori pjesë në tërë luftimet e saj në zonën e Sarandës, Delvinës e Gjirokastrës deri në çlirimin e tyre e krejt vendit. Nedini në luftë, edhe pse shumë i ri, u poqë para kohe dhe evidentoi vlerat si një luftëtar i vjetër duke u dalluar për gjallëri, guxim e trimëri dhe kryer me nder e dinjitet detyrat e ngarkuara. Ai e çoi deri në fund idealin e tij dhe amanetin e vëllait Tares, të rënë dëshmor, atë të rënëve të tjerë dhe të brezave paraardhës për t’i sjellë vendit lirinë për të cilën ata dhanë jetën dhe gjakun e tyre.

Pas çlirimit të vendit, Nedini vazhdoi të qëndroi e punoi në radhët e Ushtrisë Popullore pasi ai mendonte se liria e fituar me gjak duhet mbrojtur, ndaj e ndiente në shpirt se ai ishte i motivuar dhe i gatshëm për ta vazhduar këtë mision të shenjtë edhe pse ishte i ndërgjegjshëm se duheshin përpjekje, privacione e sakrifica të shumta.

Për ta vazhduar me dinjitet e nder rrugën që zgjodhi në jetë, Nedini ndjente domosdoshmërinë për t’u arsimuar më shumë. Për këtë qëllim të madh, ai krahas kryerjes së detyrave të ditës u angazhua  dhe kreu shkollën 7 vjeçare e atë të mesme të arsimit të përgjithshëm në Tiranë e pastaj në shkollën ushtarake për Artilerinë Kundërajrore në ish Jugosllavi e ish Bashkimin Sovjetik dhe Akademinë Ushtarake për Artileri Kundërajrore në Tiranë. Pasi u kompletua me arsimin e nevojshëm civil e ushtarak, Nedini e ndiente veten të aftë si në planin teorik e atë praktik për kryerjen me sukses të gjitha detyrave që ju ngarkuan deri në instancat e larta të Mbrojtjes Kundërajrore.

Nedini është nga ato kuadro që i qëndroi besnik deri në fund armës së tij të dashur të Artilerisë Kundërajrore duke shërbyer për rreth 40 vjet. Ai i ngjiti shkallët e karrierës si oficer një e nga një, me aftësi, përgjegjësi, maturi e përkushtim, deri sa arriti të kryejë detyra të larta në forcat e MKA-së deri atë të Komandantit te MKA-së në korpusin e Burrelit për disa vite, duke e mbyllur karrierën ushtarake në Tiranë.

Për kontributin e madh që dha Nedini gjatë luftës dhe atë gjate 40 viteve për rritjen, forcimin e modernizimin e Mbrojtjes Kundërajrore të vendit deri në vitin 1984, kur doli në pension të plotë, është dekoruar me 10 urdhra e medalje të shërbimit ushtarak, si dhe mjaft stimuj të ndryshëm moral.

Nedini, me bashkëshorten, lindën, rritën, edukuan e shkolluan dy djem e dy vajza te cilët kanë ndërtuar jetën e tyre dhe ecin në gjurmët e babait të vetë. Pas daljes në pension pleqërie, Nedini, nuk zgjodhi qetësinë e tij personale, por me përkushtim vijoi të eci në rrugën e idealit të tij për mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave të LANÇ-it, për të cilën luftoi e punoi në mbrojtjes të saj për gati 40 vjet. Ai u inkuadrua në organizatën e nderuar të veteranëve dhe shoqatën e familjeve të dëshmorëve të atdheut, ku jo vetëm punoi në vijimësi e pa u lodhur si anëtar i tyre, por qysh në fillim e vazhdimisht edhe si kryetar i organizatës së veteranëve në lagje, ku dallohet për drejtimin e saj. Nedini militon me përkushtim e dinjitet për të mbrojtur vlerat e LANÇ-it ato të heronjve, dëshmorëve të saj si dhe të simboleve e çdo gjëje tjetër që ka të bëjë me të, duke qenë shumë aktiv në organizatën e nderuar të veteranëve të LANÇ-it dhe shoqatën e familjeve të dëshmorëve të Atdheut. Gjithashtu ai është tepër aktiv në shoqatën e vendlindjes ‘Kallarati”, si dhe në shoqatën “Labëria”.

Nedini, edhe pse në një moshë afër të 90-tave, është tepër aktiv në jetën shoqërore dhe mbetet një luftëtar i flaktë për mbrojtjen e idealit për të cilin ai me dy vëllezërit Taren e Xhemalin, si dhe shumë shqiptarë të tjerë, luftuan dhe derdhën gjak për lirinë e këtij vendi.

Vlerësim e respekt për vlerat, sakrificat dhe kontributin e vëllezërve Gjoni nga Kallarati i Vlorës, ndaj çështjes së madhe, lirisë së atdheut tonë të dashur, Shqipërisë.

 

Botuar ne gazeten Telegraf me 29 qershor 2016

Next Post

TRE VELLEZERIT GJONI NGA KALLARATI QE LUFTUAN PER ATDHEUN

Enj Qer 30 , 2016
Nga Besnik GJONBRATAJ Është ndër rastet e rralla, ku familja inkuadrohet e tëra në luftë. Tre vëllezërit Gjoni nga Kallarati i Vlorës, Xhemali më i madhi, Tarja e Nedini më i vogli u përfshinë dhe morën pjesë me armë në dorë në luftën nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit. Dhe nuk kishte […]