TREGIM- “BALADË PËR KËPUCËN QË S’ECI”

Hiqmet MecajNuk dihet shkaku se si qeni buldog futi turirin brenda në atë dollap të madh, kapi me dhëmbë këpucën e majtë, pikërisht kur ajo, bashkë me këpucën e djathtë, po luteshin si përditë të dilnin përjashta, të visheshin e të shkelnin në udhët e botës, në shi a në diell, s’kishte rëndësi, vetëm të ndjenin harenë e të ecurit, sepse kishin vite që rrinin aty të kyçura, në errësirën e atij dollapi. Po buldogu kapi vetëm njërën, të majtën, e nxori që andej, pasi i futi dhëmbët e mëdhenj në lëkurën e bukur e të qepur me finesë, shkoi te ballkoni e, si bëri disa lodra të rrezikshme duke e kafshuar dhe lëshuar, duke e shtyrë me këmbë e turinj, ajo këpucë e majtë ndjeu se fluturoi në ajër, bëri ca kolotumba të rrezikshme, që asaj iu dukën të bukura, pastaj, si u shuk dy-tri herë në një çimento të fortë, kërceu e u fsheh në një kaçubë të vogël bari.

U rrënqeth kur preku barin, pastaj ndjeu rrezet e diellit ta ngrohnin, t’i depërtonin në të gjitha poret e trupit, sipër llapës, nëpër lidhëse, të lodronin brenda birave të vogla, aty ku një fill elegant kishte bërë ato të qepura aq të bukura, që i shkonin për shtat vetëm një këpuce luksoze por fatkeqe. Ishte e lirë, në ajër, mund të mendonte, të shikonte, bile edhe ëndrra se si, pasi përshkoi trotuare, hendeqe, pirgje me gurë e me baltë, ca duar të buta e përkëdhelën, e pastruan mirë e mirë e pastaj i shtruan sipër lëkurës elegante një bojë të ndritshme, ku edhe dielli verbohej po të shihej në të.

Vetëm kaq. Shpejt e kuptoi vetminë, ajo ishte këpucë dhe kishte lindur bashkë me të djathtën, pa të s’kishte asnjë vlerë. Kur rrinte aty mes barit, ndjeu një dorë ta ngrejë lart, ta përkëdhelë e të thotë “ç’këpucë e bukur, qenkam me fat”. Një këmbë u fut brenda saj dhe qëndroi aq bukur sa që ai tha përsëri “qenkam me fat”. “Po e djathta ku është”? tha zëri pas pak. E kërkoi të djathtën e, meqë s’e gjeti, e hodhi përsëri këpucën e bukur aty ku ishte, në kaçuben e vogël mes barit. Në atë çast, këpuca e majtë, që s’kishte qënë kurrë e keqe në shpirt, iu lut zotit që atij njeriu t’i këpuste këmbën e djathtë. Dhe ky mendim iu ngulit thellë, aq sa çdo çast uronte t’i kalonte aty dikush këmbëdjathtëkëputur, ta vishte, të ecte tok me të se, të thuash të drejtën, për të ecur kishte lindur.

Së shpejti ra mbrëmja. Hapat u rralluan. Ajo ndjeu barin të fëshfërinte, pastaj lidhëzat u drodhën, disa këmbë të vockëla prekën butësisht lëkurën e saj dhe një hardhucë u zhyt brenda. Ishte hera e parë që shikonte hardhucë, e cila duhet thënë që në fillim, nuk i pëlqeu, se lëvizte shumë, sikur diçka kërkonte e diçka nuk i pëlqente. Ajo doli prapë dhe u kthye pas pak me një të dytë që, pasi u përkëdhelën bënë seks hardhucërishte, pa ceremonira, pa zhveshur rrobat e tepërta, siç kishte parë zakonisht këpuca nga brima e dollapit ku rrinte. Pastaj hardhucat, si iu lutën zotit për shtëpinë e bukur që u bëri dhuratë, fletën në krahët e njëra tjetrës pa gërhirë e pa lëvizur fare. Kurse këpuca mbeti zgjuar gjithë natën e natës. Mendonte të djathtën, ku ishte, edhe ajo e ndjente vetminë, atje në errësirë, pa shpresë për të dalë jashtë.

Asnjëherë, mendoi ajo, nuk ecëm siç duhet. Ca shkallë, pak trotuar, brenda në makinë, prapë trotuar, shkallë, ashensor e më pas muaj e muaj të tërë brenda errësirës së atij dollapi të frikshëm. Do kalbem këtu, mendoi, pa bërë atë për të cilën linda, do strehoj hardhuca , kërmij, krimba, deri sa një ditë dikush do të më hedhë mes plehrave, larg këpucës së djathtë. Edhe atë do ta flakin për fajin tim, mendoi.

Ndërkaq filloi një shi i dendur, ajo shkëlqeu aq bukur nga drita e rrugës, sa edhe vetë u habit dhe, në pamundësi të gjente të djathtën, iu lut zotit që njeriu i parë që do ta merrte në dorë të kishte vetëm një këmbë.

28 . 3 . 2000

P . Faliro . Athinë

Next Post

TREGIM-"ZHURMA PRAPA DERËS"

Sht Maj 26 , 2012
                Në fillim zhurmën prapa derës e dëgjoi Nameti. Sapo e kishin gjetur shtëpinë e re që u duhej: dy dhoma të vogla, një korridor, që e nxinte edhe bibliotekën, ku vunë tavolinën e vogël sa për t’u ulur. I kishin rregulluar të […]
Hiqmet Mecaj