TREGIM-“ZHURMA PRAPA DERËS”

Hiqmet Mecaj

 

 

 

 

 

 

 

 

Në fillim zhurmën prapa derës e dëgjoi Nameti. Sapo e kishin gjetur shtëpinë e re që u duhej: dy dhoma të vogla, një korridor, që e nxinte edhe bibliotekën, ku vunë tavolinën e vogël sa për t’u ulur.

I kishin rregulluar të gjitha plaçkat, kompjuterin, lavatriçen, sobën e madhe me korent. Lëviznin pak ngushtë, por s’ka gjë. Ballkoni ua qetësonte disi shpirtin, me kopshtin e madh plot me portokalle të egra, ullinj, kaçube të lulëzuara e zogj.

Sapo ishin shtrirë për të fjetur kur filloi zhurma. Iu duk si pëshpërimë e ngjirur. Fqinjët, tha me vete. Është banesë e madhe me shumë sipëri, patjetër dikush do të pëshpëritë.

Mirëpo e veçanta e kësaj pëshpërime ishte se shuhej kur ngrihej në këmbë, kur shkonte pikërisht atje ku i dukej se e kishte fillimin. U trembkan fqinjët kur dëgjojnë hapat, mendoi, nuk pëshpëritin më.

I dyti e dëgjoi zhurmën djali.

-Mos fol me vete,- i tha.- Nuk je plakur aq sa të flasësh me vete.

-Janë fqinjët,- u përgjigj Nameti.

Djali u ngrit, kontrolloi gjithçka, zhurma heshti, por sapo u shtri, ajo nisi nga e para, e ngjirrur, gërryese.

-Po tani, nuk po flet me vete?- tha djali.

Nameti patjetër që do të nxehej.

-Kurse mua më ngjan pak me zërin tënd,- i tha me inat.

Të dy mbajtën vesh. Pëshpërima e ngjirrur vazhdonte. Dukej se vinte nga dera. Djali erdhi e u shtri në dhomën e Nametit.

-Ke të drejtë,- i tha,- duhet të jenë fqinjët.

-Çfarë thonë?

-Nuk kuptoj asnjë fjalë,- u përgjigj djali.

-Te kjo banesë fliten njëqind gjuhë,- tha Nameti.- Nuk i mësojmë dot të gjitha, kështu që nuk i kuptojmë dot se ç’thonë.

Djali heshti. Heshti edhe Nameti.

-Nuk fle dot,- tha djali tepër i nervozuar.- Më duket se mërmërit dera.

Vërtetë, zhurma vinte andej.

-Do të jetë ndonjë insekt drungrënës,- tha Nameti.

-Ai po flet, nuk po ha,- tha djali,- dëgjoje.

Vërtetë ishin fjalë, por të një gjuhe pa kuptim. Një farë kuptimi duhej ta kishin, mirëpo për ta qe lodhje e madhe ta zbërthenin.

-T’u mbush mendja që nuk është insekt?- tha djali pas këtij zbulimi.

Nameti u ngrit në majë të këmbëve. Pëshpërima e ngjirrur pushoi. Hapi me kujdes derën, vështroi në korridorin e shumëbanesës, shkoi deri te shkallët. Asgjë, asgjë e dyshimtë, as pëshpërimë e as zhurmë. Hyri brenda dhe, sapo u shtri, te dera filluan përsëri fjalët e ngjirura pa kuptim.

-Lere derën hapur,- tha djali.- Pa fjetur nuk shkoj dot nesër në punë.

Nameti u ngrit, hapi derën dhe u shtri përsëri. Zhurma rifilloi.

-Nuk është gjë me rëndësi,- tha Nameti,- fli.

Djali u ngrit dhe gjithë nervozizëm e shkuli derën nga vendi. Mirëpo edhe e shkulur dera filloi të fliste me atë gjuhën e saj të pakuptimtë, sapo djali u shtri. U ngrit përsëri gjithë inat, e ngriti derën në krahë dhe e nxori jashtë pallatit, në rrugë. U kthye triumfator.

-Të shikojmë tani,- tha,- do flasë prapë?

Mirëpo ajo foli prapë, njësoj si më parë kur ishte e pashkulur.

-Po tani, mos do shkulësh parvazin?- pyeti Nameti gjithë inat.

-Nuk fliste dera,- tha djali.- Kot ia hodhëm fajin derës.

Mirëpo zhurma e mërmërimës vinte pikërisht andej, nga boshllëku ku duhej të ishte dera, veç tani qe më e shkoqur, megjithëse më e pakuptimtë.

-Do mësohemi,- tha Nameti.

-Do mësohemi,- tha edhe djali që tani, i lodhur, kishte mbyllur sytë.

Edhe Nameti e ndjente veten të lodhur. Po e zinte gjumi, ndërsa hapësira e derës së shkulur vazhdonte të fliste e të fliste. Po i tregonte një përrallë, që ai tashmë filloi ta kuptonte. Përralla i tregonte për një derë të largët në ngjyrë të bardhë, që atij iu duk si e shtëpisë së tij. Dera i lutej të shkonte ta merrte e ta vendoste në vendin e asaj që sapo shkuli i biri. Natën tjetër dëgjoi tjetër përrallë. Kështu çdo natë. Derën e shkulur, që hodhi djali në rrugë, e kishin marrë, përrallat i tregonte hapësira.

2005

–Last edited by besniku on 2009-06-23 15:37:08 —

Next Post

TREGIM-"RRUGA PËR LUVËR"

Sht Maj 26 , 2012
Ai hyri pa trokitur kur Nameti digjej nga ethe të forta gripi, dridhej dhe sytë i qenë ndezur nga shkëndija, ca të flakëruara e ca të shuara, si pluhur hiri. Ai foli pa u ulur, pa i dhënë dorën, përpëliste qerpikët, as u mundua të kërkonte të falur që tjetri […]
Hiqmet Mecaj

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt