UDHËKRYQI I ÇELËSIT, TREGIM

Andi MeçajDëgjohet zhurma e hapave të tij dhe ai këngëzim i guralecëve që e bën rrugën të këndshme për në shtëpi, (pas asaj pune të lodhshme me larje pjatash në hotelin luksoz “Interkontinental”), në atë orë të hershme të mëngjesit. Taksitë e fshikin te pantallonat duke i bërtitur me atë zërin e tyre prej llastiku, por ai ul kokën dhe u bie me shqelm guralecëve që ka më afër, si për t’u thënë: “Hë këngëzoni më fort de, se po më zë gjumi”.

Vargëzon ato që i kishte thënë Muhamed Muhamedi në lidhje me femrat në vendin e tij, hyn në një rrugicë mbushur qelqurina, me ca kukulla në formë femrash e meshkujsh, ca lakuriq e ca gjysmëlakuriq, ku pas pesëdhjetë metrash ja jep një të qeshure gjer te Udhëkryqi i Çelësit, (kështu do e quaj ai këtej e tutje), ku gjithçka e mbulon një mjegull e bezdisshme dhe ai e ndien veten në mes të një dielli që as të përvëlon e as të nxin.

Kalon vetëm një sekondë, a ndoshta një orë, gjithnjë veshur me po atë xhup antishi e kundërftohmë, me jakën që e ngrë edhe dy centimetra më shumë, duke u munduar të shtrij flokët e ngritur si iriq, duke i thënë asaj ndodhie a gjëje, “në djall vafsh” dhe në fund shtrëngon edhe më fort atë sendin e çuditshëm në formë çelësi, bojë ari, që djeg pak në fundin e rrumbullaktë.

Vështron për të mijtën herë ato format e tij të zakonshme, dhëmbët e lëmuar, shkëlqimin nën vezullimin e qelqurinave buzrrugëse.

Kalon veçse një grimë dhe nata i përket.

Ndjen një të dehur t’i vallzojë kërcimin e pijes, t’i nxjerrë një thikë para turinjve, t’i bëjë dy plagë, nga i rrjedhë një lëng i ngjitshëm që duhet të jetë gjak, t’i hedhë një dorë fjalësh të ndyra dhe të shtyhet më tej, gjithë duke kërcyer.

Çjerr një rreckë që e mban gjithnjë për pijanecët, lidh këmbën e majtë, atë të goditurën, gjaku ndalon fiks pas tre minutash. Ngrihet duke u mbështetur te shkopbastuni, fshehur pas një peme me shenjë të kuqe, vazhdon përgjatë rrugës, ku taksitë e puthin përsëri në pantallona, me atë zërin prej llastiku, por tani të bërë më të çjerrë, zë frenash.

E lusin të hipë e heqin zvarrë, ai refuzon, bile njërin që këmbëngul ia than duart me shkopbastunin.

Vazhdon në trotuar nën shoqërinë e kukullave që e vështrojnë nga qelqurinat dritngrënëse, ku shfaqen fytyra të bardha vajzash e djemsh, me rroba luksoze, të qeshur, që humbasin brënda mureve të shtëpive buzë rrugës e ai ndien rënkime portash, shpirtrash, kuisje qensh, përplasje dyersh, zvarritje zinxhirësh. Afrohet çalë-çalë tek një dritare shtëpie dykatëshe, ku hedh vështrimin brënda grilave, i shfaqej një krevat i kuq dhe një djalë i bardhë në anë duke u ngërdheshur nga kënaqësia.

Largohet i raskapitur, i frikësuar, e me mundim kap shkopbastunin dhe e flak i zemëruar pas pesë hapave saktësisht e zgjidh këmbën dhe sheh i çuditur se s’ka asnjë shenjë plagësh në vendin e dëmtuar.

E prek dhe qesh përsëri duke u trupdrejtuar si më parë ku vëren i habitur se gjendet përsëdyti tek Udhëkryqi i Çelësit (emërtim i tij).

Fut dorën i trembur në xhep, çelësi nuk është aty, ulet i stërmunduar në buzërrugë, duke pritur të niset sërish për në shtëpi.

Një mjegull e dendur e riverbon duke i lënë në dorë po atë çelës bojë floriri me po atë nxehtësi tek pjesa e fundme e tij.

Përshkon pesëdhjetë metra me saktësi e ngrë jakën e xhupit edhe dy centimetra më tepër, rithotë për atë ndodhinë a gjënë “në djall vafsh”, këngëzon edhe më fort guralecët më të afërt, që të mos ta zërë gjumi dhe vazhdon t’u bëjë prapë bisht taksive që tashmë hungërijnë me zë më të çjerrë llastiku e frenash.

Ndalon një burrë i veshur tepër hijshëm, me kostum e syze të zeza, ku i fut me zor një çantë lëkure nën krah, e puth, i pëshpërit në të dy veshët “merri, janë të tuat” dhe “janë më shumë se ç’të nevojiten”.

Dëgjohet përplasja e derës së makinës luksoze dhe ai këngëzim guralecësh, por tani është një rrapullimë këngëzimesh që e rizgjon.

Ndalon për një grimë ku hap çantën e lëkurtë, fut dorën dhe nxjerr kartmonedha eurosh të ndryshme. Fillon të kërcejë si ai i dehuri që e plagosi ose që nuk e plagosi, kërkon prapë ndonjë shkopbastun të mbajë gëzimin që i tepron, i ringrihen flokët iriq dhe guralecët e anës trotuarit vallëzojnë potershëm harenë e shpirtit të tij.

I pasur ecën në trotuar i shoqëruar nga sytë e kukullave fshehur pas qelqurinave si llambushka.

Çapit përsëri, përsëri takon njerëz me fytyra të bardha si rrobat, dyer të hapen, të kërcasin, të dëgjohen zëra të gëzueshëm, të trishtuar, të vdekshëm, të etur për jetë.

S’bëzan! Vazhdon rrugën me ekstazën në shpirt. Për të bota është ajo çantë.

E merr përsëri nën sqetull çantën dhe hapon i lumtur drejt shtëpisë, ku ecën e ecën pafundësisht dhe si muzikë dëgjon zërat e çjerrë, të llastiktë të taksive dhe këngëzimin e guralecëve anës trotuareve.

Ndien një lehtësim të çuditshëm në krahun e dorës ku mbante çantën, ajo shndërrohet papritur në një pupël dhe në një relikë, po përsëri prej lëkure, por tanimë një e çarë nga fundi i saj, deri tek maja ku duhet të jetë mbyllja e çantës, e bëri të përmendet.

E tund dy tri herë, i bie me shqelm i nevrikosur për atë boshësi tallëse brënda barkut të saj, i jep një goditje prej futbollisti dhe ajo gjë me gojë të shqyer fluturon për një grimë si një zog i plagosur në trotuarin përballë.

Qesh përsëri, kësaj radhe është një qeshje histerike, e përsëritur tre herë, kërcen vallëzimin e të dehurit, kësaj radhe më shumë se herët e tjera, i ngrihen flokët më tepër si iriq, këngëzon me rrapullimë guralecët e afërt me të, (tamam si ajo makina luksoze që i dhuroi çantën me kartmonedha ose që s’ia dhuroi) dhe e ngrë jakën e xhupit edhe dy centimetra të tjera.

Fut dorën në xhep dhe habitet për së treti që çelësi s’ndodhet në xhepin e tij. Ridrejton trupin, ngrë kokën më tepër dhe riçuditet që rigjendet përsëri në krahët e Udhëkryqit të Çelësit, (tani atij udhëkryqi i mungon vetëm tabela), ndërsa si gjithmonë pret i ulur, t’i hedhë pak nga ajo mjegull bezdisëse, t’i qorrojë sytë ai diell i artë që as të përvëlon e as të nxin dhe në xhep t’i fusë atë çelësin çudibërës, që ai më në fund të arrijë të mbarojë këngëzimin e të gjithë guralecëve të buztrotuarëve përgjatë rrugës së pafund për në shtëpi, pas gjithë asaj pune të lodhshme si pjatalarës, orëve të para të mëngjesit të së martës, në hotelin “Interkontinental”.

01.2004

Nga Andi Meçaj

Next Post

KOPSHTI I HIJEVE, TREGIM

Sht Qer 16 , 2012
Diksh më ndjek, mendoi vajza dhe shpejtoi në rrugicën “Psaras”. Ajo është një rrugicë jo shumë e rrahur nga njerëzit, me dyer të frikshme shtëpish dykatëshe dhe degë portokallesh që, të varura në muret ndarëse të tyre, duken sikur do të të kapin në vrapimin tënd, të dalësh sa më […]
Andi Meçaj