WITHERS,ARVIZU,SHBA DHE SHQIPERIA. Nga Petrit Qejvani

PetritQejvaniAsgjë të panatyrshme nuk ka në titullin e ketij shkrimi. Të katër emrat rrinë natyrshëm pranë e pranë. Dy të parët ambasadorë, i treti emri i vendit të cilit i përkasin dhe  i katërti vendi i kryerjes së shërbimit. I pari ish-ambasador, i dyti ambasador në detyrë. Edhe ky nesër do të jetë një “ish”. Kurse ShBA dhe Shqipëria do jenë përgjithmonë. Withers dhe Arvizu, ndonëse përfaqësues të të njëjtit shtet, megjithatë të ndryshëm, jo thjesht si dy njerëz me identitet të veçantë (si të gjithë njerëzit), por dhe të veçantë në perceptimet politike dhe qëndrimet ndaj klasës politike shqiptare dhe ndaj Shqipërisë në përgjithësi.


Pikërisht diskordanca në qëndimet ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri është pika më debatuese e performancës së tyre në Tiranë. Veçanërisht dallimet janë bërë më të dukshme pas deklaratave të ashpra që Withers ka bërë më se një herë kundër mënyrës së qeverisjes së Shqipërisë nga maxhoranca aktuale, por as opozita nuk është alternativë bindëse, sipas tij, po për shkak të lidershipit. Bile ai thotë se Shqipëria është në udhëkryq! Një konstatim që nuk mund të kalohet aq lehtë.Withers paraqitet më kritik dhe, ndonëse më “artist” në shprehje, më i drejtpërdrejtë në opinionet e tij. Arvizu më pak “artist” në shprehje, por më ezopik në deklaratat publike , sidomos lidhur me opozitën, kurse më i qartë dhe i drejtpërdrejtë në mbështetje të qeverisë dhe kryeministrit aktual Berisha. I pari, ndonëse elegant në shprehje, duket që nuk e simpatizon kryeministrin, i dyti ndonëse më “prozaik”, s’e fsheh simpatinë ndaj kryeministrit, duke e quajtur me një deklaratë kërcitëse  “burrë shteti” në një moment kur shteti vriste qytetarët! Ndonëse të dy amerikanë, Withers duket dhe ca “shqiptar”.

 

Pikërisht këto dy qëndrime  të ndryshme, bile do t’i quaja të skajshme, të përfaqësuesve të të njëjtit shtet kanë ngjallur debatin në atë që a përfaqësojnë në çdo rast politikën e shtetit të tyre këta ambasadorë, të paktën në rastin shqiptar, (teorikisht kjo e padyshimtë) apo ka dhe devijme të lejueshme të karakterit personal, që burojnë nga sipatitë apo antipatitë personale dhe në ç’masë një diplomat i inivelit të lartë është “i lirë” nga kanunet e shtetit të vet.

 

Disa ngjarje serioze dhe qëndrimet ndaj tyre të ambasadorëve të ShBA kanë shkaktuar dilemën se a reflektojnë këto qëndrime opinionin e administratës amerikane për Shqipërinë. Kjo i ka hutuar jo pak analistë të ndryshëm, sidomos ata kritikë me qeverinë , të cilët, meqë nuk duan të jetë kështu, justifikojnë qëndrimet me dy standarte te SHBA-së me faktin “ngushëllues” se ky është opinion personal i ambasadorëve! Sigurisht kjo është naïve dhe pak e besueshme. Siç shihet, qëndrimet nuk janë pranë, por boll të largëta. Atëhere këtu lindin me të drejtë disa pyetje: ose Withers nuk i ka rspektuar standartet amerikane apo Arvizu është i tillë. Ose Withers ka mbrojtur këtu parimet e shpalluara të demokracisë, që janë universale, (njëlloj për të gjitha vendet që aspirojnë demokraci) ose ShBA i neglizhon këto standarte, të paktën në raste si i Shqipërisë. Atëhere, nëse është kështu, dalim te përfundimi jo dhe aq i padrejtë se SHBA dhe Europa kanë më tepër interesa sesa parime jashtë vendeve të tyre. Ose (gjë e pamundur!) ndërkombëtarët nuk e njohin gjendjen në Shqipëri.ose mendojnë se Berisha është më i përshtatshmi për nivelin e demokracisë shqiptare dhe ndoshta për hir të origjinës (është nga veriu) ai ka më shumë ndikum në faktorin shqiptar jashtë Shqipëisë se çdo politikan tjetër.


Ndoshta për këtë Berisha edhe kritikohet edhe mbështetet prej tyre. Në fakt kritikat ndaj tij janë shpesh të belbëra (nuk shqiptohen qartë). Se cili është mendimi i tyre i vërtetë kjo me siguri do të duket pas zgjedhjeve të 23 Qershorit te vitit 2013. Prandaj më kot mundohemi të flozofojmë, për arsyet  “e pakuptueshme” të qëndrimeve amerikane  apo dhe europiane ndaj realitetit politik në Shqipëri…

 

Marre nga Blogu “Fjala ime”

 


Next Post

HISTORIA MUND TË RISHKRUHET, JO TË RIBËHET. Nga Petrit Qejvani

Die Shk 17 , 2013
Debati mbi rishkrimin e historisë , ndonëse nuk është i ri, herëpashere dëndësohet dhe merr karakter të ashpër polemik dhe jo çdo herë shkencor. Veçanërisht tani në prag të 100-vjetorit të pavarësisë ai merr ngarkesë të re, pasi është momenti për rivlerësimin  e  disa figurave historike për shkak të politizimit […]
PetritQejvani