XHELO DAUTAJ KALLARATIN KURRË NUK E HARRON, nga Namik Abazaj

 
Në një cep periferik të Kallaratit, në krah të djathtë të përroit të Bodeit ndodhet një vend që quhet Varreturke. Ky emër vendi i përbërë nga përngjitja e fjalëve “varret e turqve” tregon që në Kallarat kanë lënë kockat në luftë me vendasit e janë varrosur në atë vend pushtues osmanë (turq). Pikërisht aty kishte shtëpinë familja e Miftar Dautit. Në këtë familje lindën dy djem e dy vajza: Xhelua, Hamidea, Abazi dhe Xhixhua. Breza të tjerë lindën e do lindin në vazhdimësi të atij fisi. Koha ka treguar se të gjithë këta breza kanë ecur dhe ecin në gjurmët e të parëve të fisit të tyre Dautaj.   
 
Për prindërit e Xhelos, Miftarin e Selimenë ka shumë për të thënë, si për atdhetarizmin, ashtu edhe për dashurinë e respektin për bashkëfshatarët, për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, nipërve  e mbesave me norma e sjellje korrekte në familje e shoqëri. Këtë tregojnë edhe vargjet-elegji kushtuar ish-të shoqit të saj, Miftar Dautit që kam dëgjuar nga e ndjera nënë Selimea në vitin 1984, në  shtëpinë e djalit të vogël të saj, Abazit, në Durrës: 
 
“Miftar Dauti, mor im shoq
Amanetin që më le
Edhe unë ta mbarova
Fëmijët i rrita dhe i gëzova
Në rrugë të drejtë i çova
Këta u bënë të mirë
Ashtu, siç i doje tinë
Miftar Dauti o burrë
Kur ishe djalë i ri
U rrite në ato male
I bjerje culës dyjare
Së bashku me bashkëfshatarët
 luftoje për atdhe…”
 
Me Xhelon jam njohur nga afër gjatë viteve 1935-38, kur u ulëm në bangat e shkollës fillore në Morrezë. Ishte fjalëpakë, të dëgjonte me vëmendje, nuk prishej me shokët, tregonte respekt ndaj mësuesit dhe të mëdhenjve si në shkollë dhe jashtë saj.
 
Pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste dhe krijimit të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, krijimit të këshillit nacionalçlirimtar të fshatit, të organizatës së rinisë antifashiste, të çetës territoriale etj. të rinjtë dhe të rejat, duke përfshirë edhe Xhelon, u organizuan dhe dhanë kontributin e tyre të vyer atdhetar për çlirimin e vendit.
 
Më 20 prill 1944 nënë Selimea  e përcolli Xhelon-djalin e madh që e kish veqilin e shtëpisë dhe im atë përcolli mu-djalin e vetëm për në Brigadën e 8 partizane që do krijohej në Sheper të Zagorisë më 25 prill. Më takoi të udhëtonim bashkë me Xhelon. Kësaj here për të kryer një detyrë të rëndësishme atdhetare-për të çliruar vendin nga pushtuesit nazistë.
 
Sa mbërritëm në Sheper, ku ishte vendi i përurimit të Brigadës së 8, takuam kallaratasit e tjerë të ardhur nga fshati kryesisht, si dhe disa të ardhur nga çetat dhe batalionet partizane të Kurveleshit. Gjithsej bëheshin rreth 28-29 kallaratas, të cilët u bashkuan në këtë njësi luftarake të madhe partizane. Në radhët e kësaj njësie në luftuam deri në çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944. Pas çlirimit Xhelua kreu detyra të ndryshme në drejtim të rinisë, partisë dhe të pushtetit në Tiranë, Tepelenë, Mat etj. 
Një shoku im, veteran i LANÇ, Todi Gjoni, bashkëstudent me Xhelon dhe Nika Treskën në Shkollën e Partisë në Tiranë në vitin 1950, sa herë që takohemi nuk harron të më shprehë fjalët më të mira për të dy në drejtim të sjelljes, zgjuarsisë, edukatës së tyre dhe të ndihmës që i jepnin atij në përgatitjen e leksioneve. Ai kujton me shumë respekt Nikën dhe Xhelon kur dolën para klasës, para shokëve e shoqeve për t,iu njoftuar fejesën e tyre me njëri-tjetrin dhe aty për aty filluan t’i qerasnin, Nika përpara me llokume dhe pas saj, Xhelua me karamele. Shokët e shoqet e tyre të klasës i urojnë të trashëgohen, jetë të lumtur e të gjatë.
 
Pastaj Xhelua e Nika u martuan, krijuan familje të shëndoshë e të lumtur. Ata lindën e rritën tri vajza dhe i edukuan e i shkolluan më së miri, të cilat janë model në sjellje si në familje e shoqëri, ashtu edhe në punë.  Dëshira e Xhelos, po dhe e Nikës gjithmonë ka qënë të krijonin mundësi të bëheshin banorë të qytetit të Vlorës për të qenë më afër Kallaratit që Xhelua e ka aq për zemër, që të shkonte herë pas here në vendlindjen e tij për t’u çmallur me fshatin e me bashkëfshatarët. Dhe këtë ata e realizuan, pas daljes në pension pleqërie u vendosën me banim në Vlorë dhe sa herë shkonte Xhelua në Kallarat e shoqëronte edhe Nika. Të dy bashkë shkonin në çdo veprimtari apo feste fshati që zhvillohej në Morrezë.
 
Xhelua është një bir i nderuar dhe i respektuar i Kallaratit Ai shfaq dashuri e mall të madh për të e për kallaratasit. Pikërisht kjo gjë e bëri atë një mbështetës të flaktë dhe veprimtar të Shoqatës kulturore-atdhetare të Kallaratit. Pena e tij nuk ka reshtur asnjëherë së shkruari shkrime cilësore e të goditur (në prozë e në poezi) në gazetën “Kallarati” të Shoqatës për ngjarje e figura të fshatit, duke filluar që nga numri i parë i saj e në vazhdim. Kohët e fundit, shoqja e tij e jetës dhe nëna e vajzave, Nika, u nda nga jeta, gjë që i ka brengosur Xhelon dhe fëmijët, prandaj u shprehim ngushëllime të thella.
 
 Namik ABAZAJ     
Botuar ne gazeten Kallarati, Nr.51

Next Post

NAMIKU BURRË I NDERUAR I KALLARATIT

Hën Gus 13 , 2012
  Shumë burra të mirë ka patur e ka Kallarati, që i kanë dhënë vlera historike me bëmat e me mendjet e tyre. Në Qafën e Ubavit grumbulloheshin të tërë, kuvendonin e rregullonin çdo punë të fshatit. Mund të përmendim Telo Zhibajn, Meçan Selamin, Birçe Guxhën, Lelo Jazon, Llano Delon, […]