ZËDHËNËSET SEKSI TË PD ZËDHËNËSET SEKSI TË PD. Nga Petrit Qejvani

PetritQejvaniDitë më parë dy të përditshme kanë publikuar një foto me diçitura rozë të zëdhënëses më të re të PD-së, një ishmodele joshëse. Bile njëra prej tyre e tregonte në anëdet me fustan tyli ngritur shumë mbi gju, pikërisht aty ku fillon “zona e ndaluar”( jo ajo e Bushatit) për të treguar se, sa me lart te ngjiteshe, aq me nxehte bente. Me këtë rast njëra prej gazetave krahasonte dy partitë e mëdha PD e PS,duke vënë në dukje se në këtë drejtim PD ia kalon PS , e cila nuk i kushton sa duhet rëndësi imazhit(?!) a thua imazhi i partisë është fytyra e zëdhënëses! Por ajo që të bën përshtypje nuk është vet konstatimi, sesa vonesa e konstatimit.Vet prej kohësh kisha ndërmend të shkruaja diçka për këtë, por nuk e di përse nuk shkrova. Drejt e kishin gazetat, që shpreheshin se zëdhënëset e PD janë seksi. Por kjo nuk është e re për PD. Nuk mund të mos konstatosh se të gjitha zëdhënëset e PD kanë qenë femra seksi nga 2005 e këtej.

Nga na tjetër PS nuk ka thuajse fare zëdhënëse. Dikur, po. Është e vërtetë se PS nuk nxjerr në foltoret e komunikimit zëdhënëse (femra),dhe duket se atë vend e ka fshirë fare. Por shohim shpesh deputetë a funksionarë të PS, që bëjnë deklarata të ndryshme. Dikur edhe PS ka patur zëdhënëse. Por tani “koha rozë” e kryetarit të PS me sa duket ka perënduar (ndoshta këtë e kanë shpejtuar edhe sulmet e Berishës) dhe ka ardhur (!?..) koha” rozë” e kryetarit të PD! Ajo që të bën përshtypje këtu është se një parti e djathtë, konsevatore, po tregon dobësi të mëdha për seksin e bukur! Kaq inetensive është kjo dobësi, saqë mjafton të kujtosh shpeshtësinë e ndërrimit të këtyre bukurosheve, a thua se PD nuk është një parti politike, por një pasarelë modelesh apo agjenci turizmi, që promovon bukurinë femërore. Bile aq më shumë bie në sy kjo, po të kemi parasysh që kryetari i PD mbahet si një burrë epik dhe aspak lirik në opinionin publik.

Megjithatë, gjithkush e di që edhe një zëdhënëse nuk mund të vejë pa miratimin e kryetarit të gjithpushtetshëm. Dikush do të thotë se kjo është një hamendje e tepruar. Por po të kujtosh një prononcim të Berishës nga foltorja e PD kohë më parë për largimin e një zëdhënëseje, që erdhi pas largimit të E.Mëhillit, duke bërë edhe justifikimin e largimit të saj publikisht ( a thua është kaq ë rëndësishme që këtë ta bëjë kryetari i partisë për një post papagalli?!) do të ndërmendësh se PD dhe kryetari i saj kanë raporte diskrete me të bukurën, sigurisht në funksion elektoral..Ai e kupton forcën e imazhit..Dhe nuk është ndonjë gabim të adhurosh të bukurën dhe, sidomos, femrat e bukura. Në thelb nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon. Jemi në kapitalizëm,ku pasuria, pushteti dhe qejfi ecin bashkë. Kjo është deviza e borgjezisë. Tashmë drejtuesit e PD (para 10-20 vjetësh të varfër si gjithë të tjerët) i kanë mbyllur hallet, janë pasuruar. Punët e tyre i kanë fjollë, paçka se punët e shtetit i kanë për lumë. Pasi i kanë vënë punët e tyre në vijë, nuk mbetet tjetët veç qejfit. Kjo dreqo jetë është shumë e shkurtër dhe duhet jetuar! Sidomos kur jeton mirë! Rendja pas së bukurës është kthyer në tendencë në PD, sidomos këto dy mandate, e , më dukshëm, këtë mandat të fundit, gjë që shenjohet me rekrutimin deri në organet drejtuese të PD-së e disa femrave të përfolura të muzikës apo spektakleve, disa artisteve dhe pornostareve,(normalisht specie apolitike) talenti i vetëm i të cilave është zbulimi i pjesëve intime për tundim publik. Sipas Biblës kjo është një punë djalli. Por jemi në politkë dhe politika është zona e djallit. Të mos ia hamë hakun, në këtë pikë udhëheqja e lartë e PD ia kalon dhe gjahtarit të famshëm të femrave të bukura, Silvio Berluskonit! As ai nuk ka në Partinë e tij femra kaq te reja dhe të bukura si zëdhënëse, veç në Mediaset. Si duket, ai qejfin e bën jashtë partisë…

Zbukurimi i imazhit të shkatërruar të PD pas ngjarjeve të ’96-97 ishte një preokupim dhe truk i kryetarit të PD, që nisi qysh me KOP-in, pra zbukurimi i imazhit politik, kurse imazhi pamor apo më mirë, siç thuhet tani “luku” i PD do të ishin zëdhënëset e reja. Dhe në këtë pikë Ustai i PD është në rregull. Ai e njeh pushtetin e bukurisë. Por ajo që evidenton edhe më tepër shpirtin feminist te udhëheqjes së PD, dashurinë për të bukurën, jo thjesht si kategori estetike, por si dëshirë, si pasion ndaj femrave të bukura, është krahasimi me zëdhënëset e partive europiane e , sidomos, me zëdhënëset e administratës së BE në Bruksel, ku ndoshta dhe për rastësi, asnjera prej zëdhënëseve nuk është as e re, as e bukur.(pa le që në Bruksel ka edhe zëdhënës meshkuj!). Europa borgjeze duket se ka një koncept tjetër për zëdhënëset (zëdhënësit). Ajo, siç duket, i do zëdhënës(i)et të mendojnë kur flasin dhe jo të “këndojnë” si papagalli këngët e partisë apo qeverisë…Duke parë zëdhënëset e BE e kupton se sa pa shije janë borgjezët e rafinuar të Europës, krahasuar me drejtuesit tanë shijehollë!..Dhe kjo na bën të lumtur dhe krenarë….

Marre nga Blogu “Fjala ime”

Next Post

WITHERS,ARVIZU,SHBA DHE SHQIPERIA. Nga Petrit Qejvani

Die Shk 17 , 2013
Asgjë të panatyrshme nuk ka në titullin e ketij shkrimi. Të katër emrat rrinë natyrshëm pranë e pranë. Dy të parët ambasadorë, i treti emri i vendit të cilit i përkasin dhe  i katërti vendi i kryerjes së shërbimit. I pari ish-ambasador, i dyti ambasador në detyrë. Edhe ky nesër […]
PetritQejvani