NË DATAT 16 & 17 GUSHT 2014 NE KALLARAT U KREMTUA ME MADHËSHTI 100-VJETORI I QËNDRESËS SË POPULLIT TË KALLARATIT NDAJ ANDARTËVE GREKË.
Historia e Kallaratit, është e mbushur plot me akte trimërie e heroizmi, ashtu si gjithë historia e trevës së Labërisë dhe e krejt Shqipërisë.
“Kallarati, fshat i paktë trima burrat, trime gratë”, thotë poeti. Sepse populli i Kallaratit nuk e ka pranuar dhe nuk e ka duruar asnjëherë sundimin dhe pushtimin e huaj. Edhe në korrikun e 1914-ës, populli i Kallaratit nuk mund t’i duronte dot andartët grekë, që cilët donin të pushtonin dhe shkatërronin fshatin tonë. Në këtë qëndresë dhanë jetën 5 dëshmorë Hyso Balil Xhaferi, Murat Avdul Demiri, Çelo Maliq Boshi, Dervish Sali Maçi, Ramadan Hoxha dhe u plagosën shumë bashkëfshatarë të tjerë.
Kanë kaluar jo pak vite, por 100 të tillë dhe jeta, kontributi i tyre kujtohet me mjaft krenari, ashtu siç kujtohet jeta dhe vepara e gjithë dëshmorëve kallaratas të luftës së 1920-ës, luftës antifashiste e deri te dëshmori i fundit i periudhës së demokracisë, të cilët e kanë radhitur Kallaratin përkrah fshatrave të tjerë të Vlorës, Labërisë dhe krejt Shqipërisë si kontribues i lirisë dhe pavarësisë popullit tonë.
Në kujtim të 100-vjetorit të qëndresës së Kallaratit ndaj andartëve grekë, bëri që bashkëfshatarët kallaratas por edhe më gjerë të ardhur nga Vlora, Fieri, Tirana, Saranda e deri emigranëtë nga Italia, Greqia e shumë vende të tjera të mbidhen në datat 16 dhe 17 gusht 2014 të përkujtonë këtë qëndresë, por edhe të takohen dhe cmallen me njëri tjeterin. Erdhën në këtë festë të moshuar veteranë, të rinj e të reja deri edhe fëmijë. Dikush vinte edhe për herë të parë. Interesimi për këtë festë ishte i madh. Ka midis tyre edhe ndonjë të huaj. Kishte edhe nga fshatrat përreth si Bolena, Kuci e Vranishti.
Me të vërtetë që ceremonia kryesore e festës kishte të bënte me 100 vjetorin e qëndresës së kallaratasve ndaj andartëve grekë, por në programin e vet shoqata kishte edhe vendosjen e një pllaka guri në kujtim të luftës së Kallaratit, Kuçit e Bolenës ndaj pushtuesve turq më 1847. Duke ju referuar librit “Enciklopedia e Kurveleshit” mësojmë se në kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit luftëtarët e Kallaratit u prinë nga Dervish Alikua (Kallarati), Lame Petani, Meçe Haxhiu e Birbil Hasani, emrat e të cilëve dalin në letrën e 15 gushtit 1847 me të cilën 89 krerët e kryengritjes iu drejtuan për ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kallaratasit, bashkë me bolenas e kuçjotë, zhvilluan luftime të ashpra në brigjet e Shushicës me forcat e mëdha turke që synonin të dilnin në Kurvelesh të Sipërm përmes grykës së Shurit. Po armiku e theu qëndresën e tyre dhe, për t’u hakmarrë, dogji fshatin dhe u vuri zjarrin të mbjellave. Ndër udhëheqësit e kryengritjes që u varën në Janinë, ishin dhe katër krerët kallaratas. Megjithatë, edhe pas reprezaljeve të mëdha, Kallarati, ashtu si gjithë Kurveleshi e Labëria, nuk u nënshtrua.
Vargjet: “Kallarat, Kuç e Bolenë/ në lum e zunë dyfeknë”, frymëzuan mjeshtrin e punimeve prej guri, Agim Mataj të punonte artistikisht një pllakë kushtuar kësaj lufte. Pllaka u vendos në një gur të madh, pikërisht në Koprift, zgjedhur si vend ku simbolizon tre fshatrat Kallaratin, Kuçin e Bolenën dhe në buzë të rrugës për t’u parë nga çdo kalimtar. Ditën e shtunë mbasdite u bë edhe përurimi i pllakës ku morën pjesë shumë bashkëfshatarë kallaratas.
Festa nisi si zakonisht me ekzekutimin e Himnit Kombëtar. Në vijim u vendosën kurorat me lule pranë lapidarit kushtuar 27 dëshmorëve të Kallaratit që kanë dhënë jetën në periudha të ndryshme të historisë për lirinë dhe demokracinë.
Kurora në emër të shoqatës “Kallarati” u vendos nga Z. Kastrit Karabollaj dhe Violeta Xhaferaj, në emër të Kryesisë fshatit nga Z. Ilir Memushi dhe Laver Gjonbrati, në emër të organizatës së veteranëve nga z. Seit Jonuzaj dhe Xhelo Dautaj, në emër të komunës nga z. Simbol Pazaj dhe Lefter Qejvani.
Pas vendosjes së kurorave fjalën e merr moderatoria, Gerta, e cila pasi ju uron të gjithë pjesëmarrësve mirëseardhjen në Kallarat, në ceremoninë e organizuar nga Shoqata “Kallarati” dhe kryesia e fshatit në kujtim të 100-vjetorit të qëndresës së kallaratasve ndaj andartëve grekë, i uron ata, që ashtu si edhe gjatë ditës së djeshme dhe natës, ku shpërtheu kënga e u pi dollia, edhe sot së bashku, të kalojmë disa orë të gëzueshme, duke ju ofruar të gjithë juve të ardhurve mikpritjen dhe bujarinë tonë kallaratase.
Sipas zakonit, fjala të parit i jepet të zotit të shtëpisë, kryeplakut të fshatit, zotit Ilir Memushaj.
_____________________________________________________
Fjala e hapjes nga kryeplaku i fshatit, z. Ilir Memushaj
Të nderuar pjesëmarrës, bashkëfshatarë, miq e të ftuar,
Në emër të gjithë banorëve të Kallaratit, në emër të burrave, grave, të rinjve, të rejave, të fëmijëve që banojnë në këtë fshat, si përfaqësuesi juaj në detyrën e kryeplakut të fshatit, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në këtë ditë të shënuar të kremtimit të 100-vjetorit të qëndresës së Kallaratit ndaj andartëve grekë më 1914.
Mirë se erdhët, ju të dashur bashkëfshatarë, në fshatin tuaj, ku lindët, u rritët dhe u shkolluat, por që ndodheni me punë dhe banim anekënd atdheut.
Mirë se erdhët, ju të rinj e të reja, që, edhe pse nuk keni lindur në këtë fshat,
ndiheni krenarë që është fshati i prindërve, gjyshërve apo i stërgjyshërve tuaj.
Mirë se erdhët, ju emigrantë kallaratas, që për arsye ekonomike dhe për një jetë më të mirë jetoni e punoni anekënd botës, ju që keni provuar dhe ndier më shumë se kushdo se sa e shtrenjtë është dashuria për vendlindjen.
Mirë se erdhët ju që nuk jeni kallaratas, por që diçka shumë e shtrenjtë ju lidhë me të, familja juaj e krijuar me bija, mbesa e stërmbesa kallaratase, pra mirëserdhët ju dhëndurët kallaratas.
Jo më kot Çajupi në poezinë e tij “Mëmëdheu” do të shprehej: Mëmëdhe quhet toka/ ku më ka rënë koka,/ ku kam dashur mëmë e atë,/ ku më njeh dhe guri i thatë,/ stërgjyshët ku kanë qenë/ dhe varret q’i kanë vënë,/ ku jam rritur me thërrime,/ ku kam folur gjuhën time,/ ku kam fis dhe ku kam farë,/ ku kam qeshur, ku kam qarë,/ ku rroj me gaz e me shpresë,/ ku kam dëshirë të vdes.
Në këtë urim mirëseardhjeje, padyshim që falenderimi shkon për kryetarin e komunës së Vranishtit Z. Simbol Pazo dhe kryepleqtë e fshatrave Kuc, Bolene e Vranisht, të cilët na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre në këtë festë.
Nuk mund të lë pa falënderuar edhe të gjithë bashkëfshatarët e mi, me të cilët zgjohemi çdo mëngjes, punojmë, qajmë hallet dhe gëzojmë së bashku. Faleminderit për ndihmën dhe kontributin tuaj të pakursyer për të pritur sot në gjirin tonë kaq shumë të ardhur.
Të dashur pjesëmarrës,
Të gjithëve ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë të shënuar, në kujtim të 100-vjetorit të qëndresës së popullit të Kallaratit ndaj andartëve grekë më 1914, ku dhanë jetën Hyso Balil Xhaferi, Murat Avdul Demiri, Çelo Maliq Boshi, Dervish Sali Maçi, Ramadan Hoxha dhe u plagosën shumë të tjerë.
Kanë kaluar jo pak vite, por 100 të tillë dhe jeta, kontributi i tyre kujtohet me mjaft krenari, ashtu siç kujtohet jeta dhe vepara e gjithë dëshmorëve kallaratas të luftës së 1920-ës, luftës antifashiste e deri te dëshmori i fundit i periudhës së demokracisë, të cilët e kanë radhitur Kallaratin përkrah fshatrave të tjerë të Vlorës, Labërisë dhe krejt Shqipërisë si kontribues i lirisë dhe pavarësisë popullit tonë.
Duke përfunduar, uroj së bashku të kalojmë këtë ditë të veçantë, duke gjetur si çdo herë tjetër mikpritjen dhe bujarinë kallaratase.
Faleminderit
Fjala e përshëndetjes e Kryetyarit të Shoqatës Atdhetare & Kulturore “Kallarati”, z. Kastriot Karabollaj
Të nderuar miq e bashkëfshatarë,
Në emër të të kryesisë dhe të anëtarësisë së shoqatës së kulturore-atdhetare ju përshëndes dhe uroj që ta kalojmë gëzuar këtë ditë të shënuar në historinë e fshatit tonë. Falënderoj në veçanti deputetin prefektin e Qarkut zonjën Etiona Hoxha, kryetarin e Qarkut z. Sadrid Danaj, kryetarin e bashkisë së Himarës z. Gjergj Goro, deputetin tonë z. Fatmir Toçi dhe deputeten Valentina Leskaj, kryetarin e komunës dhe miqtë nga Vunoi, Kuçi, Vranishti, Bolena e Mesapliku, të cilët na nderojnë sot me pjesëmarrjen e tyre.
Jemi mbledhur sot për të përkujtuar një ditë që ka mbetur e pashlyer në kujtesën tonë, 100-vjetorin e qëndresës së fshatit të Kallaratit kundër andartëve grekë. Më 14–15 korrik 1914, përballë rrezikut që u erdhi te dera, burrat dhe gratë e fshatit tonë, në vend që të iknin për të shpëtuar jetët e veta, rrëmbyen armët dhe vendosën të mbronin nderin dhe pasurinë e krijuar me shumë mundime. Njëqind e ca vetë, të armatosur keq dhe shumë prej tyre pa përvojë lufte, kundër një force tri herë më të madhe në numër, të stërvitur dhe të armatosur me armë moderne të kohës. Të merrje një vendim të tillë në një kohë kur shteti kishte rënë dhe pa ndihma nga fshatrat fqinje, këtë mund ta bënin vetëm burra trima, që s’u trembej syri nga lufta. Dhe luftuan dy ditë, duke i larë me gjak pragjet e shtëpive.
Jehona e kësaj qëndrese të armatosur dhe i të vrarëve e të plagosurve është përcjellë nga brezi në brez nëpërmjet rrëfimeve të të parëve dhe këngëve popullore që i janë kushtuar. Sot, të mbledhur këtu për ta përkujtuar, i falemi me nderim të thellë veprës së tyre dhe ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje për dëshmorët, të plagosurit dhe viktimat e 1914-s:
Të nderuar bashkëfshatarë!
Për organizimin e kësaj veprimtarie, shoqata kulturore-atdhetare Kallarati dhe kryesia e fshatit kanë punuar së bashku për gati dy vjet, duke planifikuar çdo gjë deri në hollësi dhe duke tërhequr mendimin e anëtarëve të shoqatës dhe të banorëve të fshatit. Kërkuam ndihmën e bashkëfshatarëve kudo që janë: këtu në fshat, në qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë Shqipërisë. Thirrjes sonë i janë përgjigjur shumë vetë, që kanë ndihmuar financiarisht e materialisht. Pa ndihmën e tyre, nuk do të kishim mundur ta bënim me sukses këtë veprimtari. Kështu, pllakën e memorialit në Koprift e përgatiti mjeshtri i gdhendjes në gur, Agim Mataj. Pllakatin, banderolat dhe ekspozitën me fotografi nga jeta e fshatit e përgatitën z. Besnik Gjombrataj e Aleksandër Çala dhe shtypjen e saj e sponsorizoi z. Bako Xhaferaj. Çezmën dhe stolat i bënë pa asnjë pagesë një grup të rinjsh të fshatit. Ndihma në të holla e materiale kanë dhënë Aranit Rjepaj, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Shkëlqim Leskaj, Idajet Toçaj, Sinan Strati, Selam Jonuzaj, Lavdosh Jonuzaj, Miri Ribaj, Xhevdet Demiraj, Skënder Jonuzaj dhe blegtorët e fshatit Hekuran Ribaj, Sami Davaci, Muhedin Qejvanaj, Blerim Xhaferaj, Ladi Kondi, Lame Shakaj. Janë edhe shumë të tjerë që kanë ndihmuar me shuma më të vogla, emrat e të cilëve janë publikuar e do të publikohen në faqet e gazetës “Kallarati”.
Ajo që na gëzon e na jep shpresë se punë të tjera do të bëjmë edhe në të ardhmen, është fryma e gatishmërisë së të gjithëve për të kontribuar. Me këto ndihma do të vazhdojmë të bëjmë botimin cilësor të gazetës, që arriti numrin e 75-të. Do të botojmë historikun e fshatit dhe një përmbledhje të vëllimshme me folklor nga fshati. Qe parashikuar që sot të ishin botuar, por punët nuk ecën me ritmin që mendonim, megjithatë për takimin e verës së ardhme besojmë se do të jenë kishim gati.
Duke përfunduar, uroj ta kalojmë të gëzuar këtë ditë.
Fjala e profesor doktor Rami Memushaj, mbi qëndresën e popullit të Kallaratit ndaj andartëve grekë më 1914 dhe kontributi në luftërat e tjera për liri e demokraci.
Të nderuar miq!
Të nderuar bashkëfshatarë e bashkëfshatare!
Ndihem i gëzuar që ndodhem sot mes jush dhe i nderuar që më jepet rasti të flas në këtë kremtim kushtuar 100-vjetorit të qëndresës së Kallaratit ndaj andartëve grekë.
100 vjet e një muaj më parë, në mëngjesin e 14 korrikut 1914 fshati ynë u zgjua jo nga zhurmat e zakonshme të jetës në paqe, po nga krismat e armëve dhe shpërthimet e bombave. Gratë dhe fëmijët u ngritën të lebetitur, pa kuptuar ç’ndodhte, kurse burrat, që e prisnin sulmin e andartëve, rrëmbyen pushkët dhe zunë muret e avllive e ledhet e arave. Nënat dhe gjyshet mblodhën ç’plaçka mund të ngrinin dhe, me fëmijët për dore, braktisën shtëpitë, duke zbritur poshtë, drejt përroit të Morrezës. Pamje më rrëqethëse nuk ishin parë: plaka e pleq të rënduar nga mosha, gra të ngarkuara, nuse me djepe e foshnja në krahë, fëmijë iknin për të mos rënë në duart e barbarëve të rinj të Ballkanit. Iknin, po me sytë e mendjen prapa, ku mbetën meshkujt e aftë për të mbajtur armë dhe gra trime për t’i ndihmuar e për t’u lidhur plagët.
Kanë qenë skena që populli i anëve tona i pat përjetuar edhe gjatë pushtimeve të mëparshme, po me ndryshimin se barbarët nuk vinin nga fusha, si herët e tjera, po zbrisnin nga mali, që kësaj here nuk i mbrojti dot banorët e vet. Letërsia shqiptare e as kinematografia jonë nuk kanë arritur t’i rindërtojnë ato skena për t’ua lënë brezave të rinj si dëshmi se nëpër çfarë vuajtjesh ka kaluar populli ynë për të arritur të jetojë i lirë e i pavarur. Megjithatë, ka ende dëshmi të gjalla dhe dokumentet historike që flasin për atë ngjarje.
Burrat e fshatit tonë, që nga fundi i nëntorit 1912, kur forcat greke të vendosura në Himarë u përpoqën të pushtonin Kallaratin, Kuçin e Bolenën, kishin mbajtur pjesën e tyre të frontit nga Gjothanasi në Bogonicë. Lart në Gjothanas, ata u kishin bërë ballë për gati dy vjet sulmeve të grekëve. Më 14 prill 1914, në një luftë të rreptë dhe të pabarabartë, “kallarat ia bënë forra”, duke i detyruar grekët të tërhiqen. Gjothanasi u skuq nga gjaku i Murat Avdul Demirit e Çelo Boshit, që dhanë jetën, dhe i Demir Avdulit, i cili, së bashku me djalin e tij Canen, u plagosën.
Por, më 28 qershor të atij viti të mbrapshtë, qeveria e princ Vidit, duke mos mundur t’i ndihmonte me armë e nozullime forcat shqiptare që luftonin kundër ushtrisë greke dhe bandave të andartëve, urdhëroi që mbrojtësit të tërhiqeshin në thellësi dhe popullsia të largohej drejt Vlorës e Beratit për t’u shpëtuar raprezaljeve. Duke mos hasur në qëndresë të organizuar, fuqia greke më 14 korrik hyri në Kurveleshin e Sipërm dhe, po atë ditë, një forcë prej 300 ushtarësh e andartësh, të veshur të gjithë me rroba civile, u shfaq në kufijtë perëndimorë të Kallaratit, duke sulmuar nga disa drejtime. Të gjithë burrat e fshatit, sado të paktë në numër, arritën ta ndalnin përparimin e grekëve, duke u shkaktuar të plagosur e të vrarë, ndër këta edhe komandantin e tyre. Luftonin një grusht burrash të armatosur keq, një pjesë e të cilëve nuk kishin rënë në luftëra më parë, kundër një armiku shumë më të madh në numër, të armatosur mirë dhe të stërvitur për luftë. Pas riorganizimit të forcave, armiqtë u hodhën sërish në sulm, duke arritur të marrin anët e fshatit dhe të përparojnë drejt qendrës së tij. Zjarri i armëve, flaka e shtëpive që po digjeshin dhe vapa e korrikut bashkë ndezën edhe gurët; Gryka e Honit gjëmonte dhe mali i Bogonicës ushtonte nga krismat e armëve. Megjithëse dy nga udhëheqësit e qëndresës, Hyso Xhaferi e Ramadan Hoxha, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, ndër ta edhe i riu Dervish Maçi, që vdiq pa arritur në spital, burrat e Kallaratit nuk luajtën nga pozicionet. Vetëm kur u pa se armiku po përpiqej t’i fuste në darën e rrethimit dhe t’i masakronte të gjithë, komisioni drejtues i luftimeve dha urdhër për t’u tërhequr drejt anës veriperëndimore, që kishte mbetur pa u zënë nga armiku. Pas dy ditë luftimesh të përgjakshme, më 15 korrik fuqia armike arriti ta pushtonte fshatin, duke grabitur e djegur të gjitha shtëpitë e tij. Tymi dhe flaka e shtëpive që digjeshin mbuluan brinjën. Fshati më i bukur i Lumit të Vlorës u kthye në gërmadhë.
Në këtë luftë dyvjeçare, Kallarati humbi njëmbëdhjetë vetë dhe pësoi humbje të mëdha pasurore. U vranë në luftime pesë vetë: Çelo Maliq Boshi, Dervish Sali Maçi, Hyso Balil Xhaferi, Murat Avdul Demiri e Ramadan Hoxha; pesë të tjerë, Muço Karabolli, Sali Maçi, Yzeir Medini, Maliq Boshi dhe djali i tij vdiqën të internuar në Greqi. U plagosën 8 vetë: Cane Demir Demiri, që vdiq nga plagët e marra, Rexhep Bego Mataj, Lulo Abaz Gjoni, Nebo Qejvani, Isa Sejdin Petani, Fein Çelo Strati, Demir Avduli Demiri, Xhebro e Hito Boçaj. Shumë të mëdha qenë dëmet materiale. Andartët dogjën e bënë shkrumb e hi me gjithë ç’kishin brenda të gjitha shtëpitë dhe xhaminë: nga rreth 130 shtëpi, shpëtuan vetëm tri. U grabitën afro 1500 kokë bagëti të imta, mjaft qe, lopë e kuaj.
Në këtë njëqindvjetor, kujtojmë me nderim të thellë dhe u përulemi dëshmorëve, viktimave dhe të plagosurve të 1914-s, që nuk i kursyen jetët e tyre në mbrojtje të nderit dhe të pasurisë. Me qëndresën e tyre, burrat dhe gratë e Kallaratit ia ngritën edhe më lart emrin fshatit tonë, të cilit poeti popullor i këndoi:
Kallarat njëqind shtëpi,
në mes të kazasë rroftë,
luftuan me trimëri,
për vatan qenë të zotë.
Qëndresa e fshatit tonë ndaj pushtimit grek përbën një shembull të rrallë në historinë shqiptare të asaj periudhe. Sepse, kur lufta e organizuar kishte pushuar në gjithë frontin e Jugut dhe popullsia ishte nisur në një eksod biblik drejt ullishtave të Vlorës e të Beratit, Kallarati qe fshati i vetëm që e vijoi deri më 15 korrik luftën e organizuar me armë. “Një fshat i vogël në brinjë”, sikurse thotë kënga, pa ndihmë nga fqinjët dhe i braktisur nga shteti, nuk iu dorëzua armikut, po i ktheu pushkët. I vetmi aleat qe atdhetari vunjotës Nase Beni, i cili luftoi krah për krah miqve të tij.
Kjo qëndresë dëshmon një veti të kallaratasve të cilën na e thonë bukur këngët popullore që i janë kushtuar: “Kallarati fshat i pakë, trima burrat, trime gratë” apo “Kallarati si kala, të bukur trima që ka. Trima, po “trima pa mburra”. Pikërisht, trimëria, thjeshtësia e ndershmëria janë veti që i kanë dalluar burrat e gratë e Kallaratit në Kurvelesh e Labëri. Trimërinë e tyre ata e kishin dëshmuar edhe para 1914-ës, e dëshmuan edhe pas saj, në Luftën e Vlorës dhe në Luftën Antifashiste, gjë që i ka bërë të nderuar e të respektuar në krahinë. Po gjithnjë fjalëpakë e modestë.
Historia e qëndresës së fshatit tonë, të krahinës së Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë është pjesë e identitetit tonë. Ajo ka ndikuar në brumosjen tonë shpirtërore, në karakterin e qëndrueshmëm dhe në sedrën e shëndoshë që na karakterizon. Vërtet, fshati nuk ka mundur të na sigurojë mirëqenien, që e kemi gjetur në qytete apo në vendet e huaja ku kemi emigruar. Por kjo nuk duhet të na bëjë ta harrojmë e as ta mohojmë fshatin tonë apo të prindërve tanë, po të jemi krenarë për të. Kush nuk ka ndier emocione të forta në çastet kur përgjigjen tonë: “Jam nga Kallarati”, personi të cilit i jemi prezantuar, e ka vijuar me vargjet: “Kallarat, Kuç e Bolenë, në Lumë ç’e zunë dyfeknë”!
Prej fshatit kemi marrë kujtimet e bukura të fëminisë dhe ato cilësi që na shquajnë e na nderojnë para të tjerëve dhe na frymëzojnë në përpjekjet tona për t’u dalluar në shkollë e në punë, duke filluar nga punët e thjeshta e deri tek artet dhe shkenca, ku bijtë dhe bijat e Kallaratit janë shquar. Hidhini një sy ekspozitës me fotografi të përgatitur për rastin e sotëm për të kuptuar se fshati ynë, sado i vogël, i ka dhënë jo pak jetës politike dhe ekonomike, shkencës, sportit dhe artit shqiptar.
Një mësim tjetër që nxjerrim nga qëndresa e Kallaratit ndaj pushtuesve, është nevoja për të qenë të bashkuar. Në luftën e tij kundër ushtrisë greke fshati veproi si një repart ushtarak, duke luftuar të gjithë meshkujt që mund të mbanin armë dhe duke ruajtur jetët e të moshuarve, grave dhe fëmijëve. Po këtë bashkim të atyre kohëve sot nuk e kemi arritur ende. Pluralizëm nuk do të thotë përçarje e mërira, po alternativa të ndryshme për arritjen e qëllimit të përbashkët, që është ringjallja e fshatit dhe jeta në harmoni. Askush nuk ka pse ta ndiejë veten të mënjanuar e të përjashtuar. Çdo punë e mirë për fshatin na nderon të gjithëve, ashtu si çdo akt i shëmtuar na rëndon e na turpëron të gjithëve. Po për të bërë punë të mira për fshatin e për ta ringjallur atë, duhet të jemi të gjithë të bashkuar.
Kemi nevojë për bashkim jo vetëm në shkallë fshati, po edhe krahine. E kemi pritur me gëzim lidhjen në një bashki me vëllezërit tanë të Bregut. Këtë bashkim e shohim jo vetëm si rivendosje të marrëdhënieve të lashta të ndërprera përdhunisht, po dhe si garanci se elementë të atij krahu nuk do të mund të përdoren më kundër nesh si më 1914-n apo siç duan të bëjnë grekomanët e sotëm.
Trashëgimia jonë historike shërben si një pishtar që na ndriçon në udhën tonë në jetë dhe na ruan të mos biem në greminën e veseve. Mjerisht, sot kanë dalë njerëz të shkolluar – historianë, filozofë, gazetarë, imamë etj. – që kanë vënë në pikëpyetje këtë trashëgimi, të gjitha arritjet, vlerat dhe simbolet tona kombëtare. Këto shtylla që mbajnë kombin, ata i quajnë mite, të cilat duhet t’i braktisim, në qoftë se duam të bashkohemi me Evropën. Mite ata quajnë prejardhjen tonë ilire, Skënderbeun, luftërat shekullore kundër pushtuesve, nënë Terezën etj., që, në të vërtetë, nuk janë legjenda të sajuara, po fakte e persona historikë. Deheroizimi i Luftës Antifashiste, që u ushqye nga fundi i palavdishëm i socializmit, pati si pasojë jo vetëm përbuzjen e heronjve e të dëshmorëve të saj, shkatërrimin e monumenteve historike kushtuar kësaj lufte, po dhe shtrembërimin e thelbit të saj, madje shpalljen e të gjitha luftërave të kota. Kanë arritur deri aty sa të shtrojnë pyetjen se cili është tradhtar: Ballaban Pasha e Hamza Kastrioti apo Skënderbeu. Dhe islamikët e shkolluar në vendet arabe, që përpiqen të ringjallin Perandorinë Otomane apo të ngrenë një shtet internacional islamik, shkojnë më tej, duke e quajtur Skënderbeun qafir, që tradhtoi islamin dhe masakroi myslimanët. Janë këta autorët e shtatores së turpshme të Skënderbeut që u gjet në dalje të Tiranës apo që kryejnë akte të turpshme para monumenteve të tij në Kosovë. Në ndihmë këtyre u vijnë edhe ca historianë, profesorë e akademikë në Tiranë, të cilët rrahin të na mbushin mendjen se nën Perandorinë Osmane Shqipëria njohu zhvillim ekonomik etj. Pra, sipas këtyre, do të kishte qenë më mirë që Shqipëria të mos e kishte kundërshtuar pushtimin osman. Njëlloj si këta, ca të tjerë na thonë se nuk duhet të kishim luftuar as kundër italianëve e gjermanëve, që kishin dalë këndej për turizëm.
Të gjitha këto veprime njerëzish të çoroditur, në mos edhe të shitur, që rrahin të zhbëjnë deri në gurin e fundit historinë më se dymijëvjeçare të popullit tonë, synojnë shpëlarjen e trurit të brezave të rinj. Dhe në një tru të shpëlarë, që nuk njeh historinë kombëtare e nuk ka ideale kombëtare, imamët e shkolluar në Turqi e në Arabi e kanë të lehtë të mbjellin dogmat e tyre që ndezin përçarje fetare e kombëtare dhe i bëjnë shqiptarët mish për top, duke i dërguar të vriten në vendet arabe, si atë familjen nga Kuçi që humbi në Siri.
Prandaj, të dashur bashkëfshatarë, t’i edukojmë fëmijët me ndjenjën e dashurisë për fshatin, për krahinën dhe për Shqipërinë, që të mos bien viktima të ideologjive antikombëtare e të mos na turpërojnë. Ky është qëllimi themelor edhe i kësaj veprimtarie të organizuar nga shoqata kulturore-atdhetare “Kallarati”. Memorialin që sapo u përurua në Koprift, kushtuar lidhjes së ngushtë të tri fshatrave tona gjatë kryengritjes së Tanzimatit, dhe lapidarin e pllakat përkujtimore që janë vënë e do të vihen, duhet t’i ruajmë si gjëra të çmuara. Fshati i Djegur nuk do shkatërruar më, po do kthyer në një vend pelegrinazhi për vendës e turistë, si një muze i hapur i gjenocidit grek. T’i ruajmë këto monumente, se janë dëshmi të gjalla të qëndresës së fshatit tonë kundër pushtuesve dhe na paraqesin si një fshat me histori.
Me asfaltimin e pritshëm të rrugës Vlorë-Kuç dhe lidhjen e saj me rrugën kombëtare, do të shtohet numri i udhëtarëve që do të kalojnë këndej dhe këto monumente do të tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë e turistë, duke shërbyer si një burim të ardhurash për fshatin. Kjo do të rigjallërojë jetën e tij, do të kthejë këtu familje të mërguara, që do të ngrenë biznese apo kolektiva bujqësore e blegtorale, të cilat do të prodhojnë fruta, perime e bulmetra për tregun e Himarës e të Vlorës.
Meritojnë lavdërime të rinjtë që kanë bërë çezmën dhe stolat, po ata që kanë mundësi materiale më të mëdha duhet të kontribuojnë më shumë. Një fshat turistik me kabina druri në Fshatin e Djegur do të ishte një investim që do të tërhiqte pushues, po edhe ushtrues të sporteve malore, si ngjitjet alpinistike, fluturimi me planer etj. Bogonica ka kushte ideale për sporte të tilla.
U bëjmë thirrje biznesmenëve e njerëzve tanë në mërgim jo vetëm të ndihmojnë, po më shumë të shohin mundësitë për të investuar në fshat. Nuk duhet t’i lëmë lëndina këto toka me ujë që shumëkush do t’i lakmonte. T’i ruajmë pyjet që kanë shpëtuar dhe të shihet mundësia që, në bashkëpunim me ndërmarrjen pyjore, të ripyllëzohen kodrat e zhveshura nga zjarret dhe prerjet pa kriter. Kjo do të hapte edhe fronte pune për fshatin. Të mos e shfarosim me armë, me dinamit e helme faunën e ujit e të tokës; të mos i shfrytëzojmë në mënyrë barbare bimët mjekësore dhe mbulesën pyjore. Të gjitha këto janë pasuri që i takojnë jo vetëm brezit të sotëm, po dhe brezave të ardhshëm.
Natyrisht, pa rrugë dhe pa ndihmën e shtetit, zhvillimi i fshatit tonë dhe i fshatrave të luginës së Shushicës është i vështirë. Janë për t’u përgëzuar përpjekjet që ka bërë e po bën për zonën deputeti ynë, z. Fatmir Toçi, dhe e nxitim të luftojë për ndërtimin e rrugës dhe për kthimin e vëmendjes së shtetit ndaj Labërisë, e cila deri më sot ka qenë e braktisur nga të gjitha qeveritë.
Duke ju falënderuar për vëmendjen për të më dëgjuar, nuk më mbetet tjetër veçse, në emër të shoqatës dhe në emrin tim, t’ju uroj të gjithëve shëndet, mbarësi e lumturi në familje dhe mirupjekshim në të ardhmen në veprimtari të tjera!
Fjala e përshëndetjes së z. Seit Jonuzaj, kryetar i shoqatës së veteranëve të luftës të rrethit të Vlorës
Të nderuar bashkëfshatarë!
Të nderuar të ftuar!
Kjo veprimtari kushtuar 100-vjetorit të qëndresës së fshatit tonë kundër agresionit të bandave shoviniste greke, më jep rastin t`ju përshëndes në emër të Kryesisë së komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit.
1914-ta ishte një vit lufte që përfshiu zona të tëra të Shqipërisë së Jugut. Qarqet shoviniste greke u hodhën në veprime barbare të papërmbajtura, duke sjellë banda të armatosura me andartë e banditë gjiritllinj, d.m.th. nga ishulli i Kretës, me shami të zezë lidhur për koke si piratë. Fillogreku himarjot, Spiro Milo që qëndronte prapa tyre, u përpoq të hynte në bisedime me paritë e fshatrave të krahinës për ta lejuar ushtrinë greke të futej pa luftë në fshatrat e tyre. Pati fshatra që pranuan, por komisioni i Kallaratit, i ngritur për të drejtuar veprimet mbrojtëse nga kërcënimi grek, e hodhi poshtë një kërkesë të tillë. Përfaqësues i këtij komisioni, Birçe Guxhë Ribaj, që shkoi në Himarë, i tha Spiro Milos se Kallarati nuk do të lejojë këmbë greku të shkelë territorin e tij, përndryshe, kushdo që do të guxonte do të pritej me luftë. Ky ishte qëndrim burrëror që mbajti fshati ynë ndaj pushtuesve grekë e veglave të tyre. Dhe kur bandat greke e shpërfillën paralajmërimin, duke rrethuar e sulmuar fshatin, kallaratasit u ngritën të tërë në mbrojtje të tij.
Luftë e ashpër u ndez ndërmjet andartëve helenë, të mirëstërvitur dhe të armatosur deri në dhëmbë që drejtoheshin nga oficerë të përgatitur dhe kallaratasve që luftonin, siç thonë vargjet e një kënge, “me sëpata e me hanxharë, dyfeqet lidhur me gjalmë” në mbrojtje të fshatit të tyre. Por epërsia e madhe në forca, armatim dhe përgatitje ushtarake të agresorëve që mateshin me banorët e një fshati të papërgatitur ushtarakisht e me armatim të paktë e të dobët, e bëri të pamundur përballimin e atij agresioni. Luftuan trimërisht burra e gra, u derdh edhe gjak trimash. Por fshati i bukur në brinjë u pushtua, shtëpitë u bënë shkrumb e hi, populli u detyrua të largohej dhe të strehohej përkohësisht në fshatrat e Grykës së Mesaplikut e të Lumit të Vlorës, ku gjeti mikpritje vëllazërore. Ngjarje tragjike, shumë e dhimbshme.
“Kallarat u bë hata/Luftojnë burra e gra/Vrini o burra më ta/Se greku më qaf` u ra”, thotë kënga.
Pra, këto vargje flasin qartë se ç`luftë e rreptë është bërë më 1914, ku la kokën, përveç të tjerëve, edhe vetë drejtuesi i këtyre bandave, kapiteni Cullaqis.
Dhe kjo qëndresë heroike e Kallaratit ishte në traditën atdhetare të tij për të luftuar e derdhur gjak në mbrojtje të lirisë e pavarësisë, duke filluar nga lashtësia e deri në Luftën e Dytë Botërore për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. “Kallarat, Kuç e Bolenë/Në lumë ç`e zunë dyfeknë” janë vargjet e një kënge të hershme që flet për trimërinë e burrave të Kallaratit, Bolenës e Kuçit, fshatra këto që në çdo kohë i kanë qëndruar në krah njëri-tjetrit, ashtu siç ishin bashkë edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, sikurse edhe me fshatrat e tjera të krahinës.
Le të shërbejë veprimtaria e sotme, ashtu si edhe veprimtaritë e tjera përkujtimore kushtuar ngjarjeve historike, për të frymëzuar dhe edukuar brezin ri me ndjenjën e atdhedashurisë. Dhe atdhedashuria fillon që nga familja e fshati.
Sot kohët kanë ndryshuar, shumë kallaratas, kryesisht të rinjtë, janë larguar nga fshati për një jetë më të mirë brenda e jashtë vendit, por Kallarati kurrsesi nuk duhet braktisur, sepse ky është atdheu ynë i vogël, ku kemi lindur apo kemi origjinën. Kemi fshat me histori, me të cilin krenohemi të gjithë. Prandaj duhet ndihmuar e investuar për zhvillimin dhe ecjen përpara të tij që të ketë edhe këtu një jetë të begatë e të kulturuar. Dhe shembujt nuk mungojnë, fakt ky që na gëzon, por duhet bërë më shumë.
Në përfundim, nuk mund të lë pa falënderuar e përgëzuar drejtuesit e fshatit dhe të Shoqatës K/A “Kallarati” për përpjekjet e tyre për ta organizuar e realizuar, jo pa vështirësi, këtë veprimtari të bukur, duke bërë të mundur të mblidheshim sot këtu në Kallaratin tonë të gjithë ne që mundëm të vinim për ta kremtuar së bashku 100-vjetorin e luftës së 1914-s.
Lavdi dëshmorëve të 1914-s dhe të gjithë dëshmorëve të Kallaratit!
Rroftë populli atdhetar i Kallaratit!
_______________________________________________________
Në festën e Kallaratit, Këshilli i Komunës, Vranisht, akordoi dhënien e disa titujve nderi për figurat më të spikatura të Kallaratit
Në këtë aktivitet Komuna e Vranishtit, pjesë e së cilës është edhe Kallarati, kishte menduar të shpërndante disa certifikata mirënjohje për disa nga figurat e Kallaratit për kontributin e dhënë prej tyre në luftën për liri, ndërtimin e vendit dhe sot në ditët e demokracisë.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës Zoti Simbol Pazaj, pasi falenderoi për ftesën, u ndal në mënyrë të veçantë në kujtimin që i bëhet luftës dhe përpjekjeve të Kallaratit në luftën për mbrojtjen e trojeve nga çdo pushtues. Gjithashtu kryetari i komunës shpërndau dhënien e disa titujve “Nderi i Komunës” dhënë me vendim të këshillit të komunës si më poshtë:
Këshilli i komunës u akordoi:
Z. Veip Balil Memushaj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunes” me këtë motivacion“Luftëtar i shquar për lirinë e pavarësinë e vendit”;
Z. Demir Lato Kallarati (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunes” me këtë motivacion: “Intelektual e patriot i shquar qe luftoi gjithmonë për çështjen kombëtare”;
Z. Fein Çelo Strataj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunës” me këtë motivacion:”Luftëtar i vendosur në luftërat për liri e pavarësi”;
Z. Sajmir Strataj titullin “Nderi i komunes” me këtë motivacion:”Artist dhe atdhetar, mbajtës i disa rekordeve “GINNESS”
Gjithashtu këshilli i komunës kohë më parë u ka dhënë:
Z.Meçan Selam Qejvanaj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunes” me këtë motivacion:”Mësues i palodhur, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepur për çështjen kombëtare”,
Z. Salo Rexhep Mataj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunes” me këtë motivacion:”Drejtues i palodhur, shembull i korrektesës në punë e kudo“
Profesor Rami Memushaj, duke marrë çertifikatën e të atit Veip Balilit, Brahim Strati çertifikatën e të atit Fein Çelo, Elmaz Mehmetaj i afërt i Demir Latos dhe Edmond Strati i vëllai i Saimir Stratit, falenderuan Këshillin e Komunës dhe Kryesinë e fshatit për vlerësimin e bërë.
______________________________________________________
Përshëndetje nga pjesëmarrësit
Feti Brahimi nga Lapardhaja e Vlorës, i njohur në zonë dhe më gjerë si rapsod popullor e merr fjalën dhe pasi përshëndet popullin e Kallaratit dhe organizuesit e kësaj veprimtarie me një vjershë enkas për këtë takim reciton:
Sa herë kaloj kësaj gryke,
ndaloj pak në Kallarat,
sytë më marrin arratisje,
shikoj larg e shikoj qartë
Këto male presa thikë,
këtë vend shumë të begat,
shikoj ca mure antike,
dhe sot duken si në gjak.
Dorë e grekut kryqe, kryqe,
dogji këtë fshat të lashtë,
ju lutem mos bëni prishje,
e ruani këtë jatak.
Keto mure kuti nisje,
Te nje nusje me duvak,
Jane fakte historike,
Jane gjerdane per ne qafe.
Jane kenge e jane ligje,
Gjysher te djegur ne flake,
Gure te kalase laberishte,
Ta quash kala eshte pak.
Jane dekada dhe vite,
Duket sikur eshte larg,
Nje minut ka bere bastisje,
E liga do nje sahat.
Ujet e kesaj Shushice,
Lumi bardhe ketu e larte,
I mbajne mend ato tronditje,
Te gjithe historine e arte.
Laberia male, brigje,
Me trimat e ezhderhase,
U ka bere balle armiqve,
Gjakun ia ka dhene kalase.
Në përfundim Feti Brahimi uron kallaratasit paçi gëzime dhe qofshi kurdoherë me gaz.
Ju o miq paçi gëzime,
kurdoherë qofshi me gaz,
urime nga zemra ime,
dashuri dhe paqe pastë…
_______________________________________________________
Bora Xhaferaj, e ardhur enkas nga Tirana me një buqetë me lule të freskëta kërkon të përshëndes të pranishmit duke iu drejtuar atyre: “Përshëndetje të gjithëve. Jam Bora stërmbesë e njërit prej dëshmorëve të Kallaratit të 1914-ës, Hyso Balilit. Duke vlerësuar lart aktin e 5 dëshmorëve të asaj qëndresë të korrikut të 14-ës më lejoni të vendosë pranë lapidarit kushtuar dëshmorëve të Kallaratit të të gjithë kohërave, një tufë me lule për stërgjyshin dhe gjithë dëshmorët e tjerë. Më tej ajo bën thirrje qytetare të pranishmëve për ruajtjen e ambientit edhe në fshat, mos hedhjen e mbeturinave me vend e pa vend, sidomos në lumë sepse ato përbëjnë burim infeksionesh për të gjithë sidomos për fëmijët. Komuna dhe strukturat e tjera lokale sugjeron ajo duhet të mendojnë dhe japin zgjidhje këtij problemi mbarë kombëtar.
Aleksandër Çala, nga Hoxhara e Fierit, dhëndër i Tare Karabollaj nga Kallarati, i cili ka bërë mjaft fotografime nga ajri të Kallaratit dhe njëkohësisht bashkëideues për ekspozitën e paraqitur në këtë festë ne pershendetjen e tij nder te tjera thekson:
“Kam përjetuar emocione të mëdha në momentin e realizimit të fotove nga ajri. Pamjet e bukura të këtij fshati që i ka të gjitha, lumin, fushën dhe malin e Bogonicës aq madhështor me kokën tek retë të bëjnë për vete dhe ndjehesh krenar që je dhëndër nga ky fshat me tradita e me natyrë të bukur dhe mjaft tërheqëse. Ju këshilloj të ruani çdo gjë të bukur që ju ka falë natyra dhe t’i zhvilloni ato më tej”.
________________________________________________________
Pas ceremonisë zyrtare
Pas përfundimit të përshëndetjeve moderatoria, Gerta,e cila e kreu më së miri rolin e saj, falënderoi pjesëmarrësit dhe të ftuarit dhe deklaroi të mbyllur aktivitetin duke ia lënë vendin bërjes së fotove, këngëve dhe drekës tradicionale në raste të tilla.
Ky ishte edhe momenti më i bukur, pasi të gjithë ndodheshin para sheshit, dikush takohej e çmallej që nuk kishte patur mundësi deri në atë kohë, shumë vraponin të bënin fotografi personale, dyshe, treshe e deri ato si fis për t’i patur si kujtim nga kjo festë në Kallarat.
Ndërsa të ftuarit dhe një pjesë e kallaratasve, burra, gra, të rinj, veteranë sipas një liste të hartuar më parë ku të përfaqësoheshin të gjithë brezat dhe fiset, vijojnë drekën në klubin e Zeqos, ku kërcet kënga dhe ngrihen dollitë.
Këtë drekë e bënë më të bukur dhe tërheqëse pjesëmarrja e këngëtarit të Lapardhasë, tashmë të njohur në gjithë vendin për repertorin e tij të pasur të këngës labe dhe asaj popullore, Nazif Çela, shoqëruar nga biri i këtij fshati, hedhësi i këngës labe në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë, Hyso Xhaferin, të shoqëruar edhe nga kallaratasit et jerë, Bejkush Lace, Hekuran Ribi, Dilaver Mataj, Zeqo e Renato Hoxha etj, kënga e të cilëve zgjati edhe pas largimit të të ftuarve.
Grupe të tjerë të rinjsh e të rejash, por edhe më të vjetër dhe fëmijë, kërcyen e dëfryen në sheshin para klubit nën muzikën e zgjedhur popullore.
Të tjerë vijuan drekën në lokalet e tjera dhe në shtëpitë e kallaratasve sipas fiseve dhe miqësive përkatëse.
Pergatiti: Besnik Gjonbrataj