20 SHKURT 1942, NË KALLARAT U KRIJUA KËSHILLI ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR.

Një nga organizmat e para të lëvizjes që u krijua në Kallarat ishte këshilli nacionalçlirimtar i fshatit. Ky këshill ishte një organ pushteti administrativoushtarak i rëndësishëm në shërbim të luftës naionalçlirimtare. Prandaj, për krijimin e tij në Kallarat erdhën si të deleguar drejtues të rëndësishëm të Lëvizjes në Kurvelesh Mustafa Matohiti, Ali Lalaj etj.

Pasi u takuan e biseduan me mbështetës të njohur të Lëvizjes, vendosën që mbledhja të bëhej në një shtëpi jashtë qendrës së fshatit, ngaqë këshilli krijohej në kushte ilegaliteti dhe nuk duhej të binte në sy kjo mbledhje.

Si vend i përshtatshëm për mbledhjen u zgjodh shtëpia e Murat Birçe Ribajt në Basha. U bisedua edhe se kush duhej të merrte pjesë në atë mbledhje. Kështu, më 20 shkurt 1942 në mbrëmje, të deleguarit me kallaratasit e përzgjedhur për të marrë pjesë në atë mbledhje të fshehtë, iu drejtuan shtëpisë së Ribajve në Basha.

Fillimisht të pranishmit u njohën nga të deleguarit me qëllimin e mbledhjes, me situatën politike në vend, me përpjesëtimet që po merrte Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe me rolin e detyrat e këshillit nacionalçlirimtar etj.

Pas sqarimeve e shkëmbimit të mendimeve, u kalua në krijimin e këshillit nacionalçlirimtar të përbërë nga:

1. Meçan Selam Qejvanaj, kryetar,
2. Telo Duro Zhibaj, sekretar,
3. Veliko Murat Breshanaj, anëtar,
4. Lelo Jazo Davacaj, anëtar,
5. Fein Çelo Strataj, anëtar,
6. Murat Birçe Ribaj, anëtar.

Të gjithë anëtarët e këshillit bënë betimin se do të ruanin fshehtësinë dhe do mbeteshin besnikë deri në fund në shërbim të luftës për çlirimin e atdheut.

U caktua edhe një korrier i këshillit, Ormën Boro Ribaj, i cili po ashtu, u betua për konspiracion.

Në mëngjes, anëtarët e këshillit të porsazgjedhur, së bashku me të deleguarit, u zhvendosën nga Bashai në Përrua të Gjorme, në shtëpinë e Meçan Selamit. Këtu këshilli vazhdoi mbledhjen e tij të parë për konkretizimin e detyrave. Mustafa Matohiti me shokët e tij dha udhëzime të hollësishme për punën dhe detyrat konkrete që do të kryente këshilli dhe secili anëtar i tij.

Të zgjedhurit në këshillin e sapoformuar nacionalçlirimtar ishin figura të njohura të fshatit me vlera atdhetare.

Këshilli nacionalçlirimtar i Kallaratit ishte një nga të parët që krijohej në krahinën e Kurveleshit, i dyti pas atij të Kuçit.

Ky këshill luajti një rol të rëndësishëm politiko-organizativ në fshat gjatë gjithë luftës, si për mobilizimin e banorëve të fshatit në ndihmë të luftës çlirimtare, për pritjen e strehimin e forcave partizane nëpër familje, sigurimin e ushqimit për ta, mbledhje ndihmash ushqimore, veshmbathjeje për partizanët. Këshilli priste e strehonte ilegalët, ndiqte me kujdes lëvizjet e forcave armike, bashkërendonte veprimet me këshillat nacionalçlirimtare të fshatrave përreth dhe mbante lidhje me këshillin krahinor, duke informuar e marrë udhëzime prej tij etj.

Këshilli, krahas problemeve të luftës,shërbente edhe si një organ qeverisës vendor dhe për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të banorëve. Gjatë operacioneve ndëshkimore që ndërmerrnin forcat pushtuese, këshilli, në bashkëpunim me komandën e vendit, jepte kushtrim dhe merrte masa për largimin e banorëve nga shtëpitë duke i orientuar që të ngjiteshin për mbrojtje nëpër shpellat e malit dhe në vende të tjera të sigurta etj.

Pranë këshillit nacionalçlirimtar, më 12 prill 1942 u krijua edhe një njësit i armatosur me veprimtarë e simpatizantë të Lëvizjes me rreth 10-15 vetë.

Seit Jonuzaj

Besnik Gjonbrataj

Next Post

NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TË HYSO BALIL XHAFERAJ.

Die Shk 27 , 2022
Kryesia e shoqatës ”Kallarati” dhe familja Xhaferaj, njofton gjithë bashkëfshatarët e saj dhe jo vetëm, se në datën 27 shkurt 2022, pas një sëmundje të rëndë dhe të papritur, pushoi së rrahuri zemra e birit të fshatit tonë, këngëtarit të dëgjuar të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Hyso […]