65 VTE MË PARË, NGA NAMIK ABAZAJ

 
25 prilli i vitit 1944 më kujton e më sjell afër shokët e shoqet partizane që njoha ditën e parë të mbërritjes në Sheper të Zagorisë dhe gjatë veprimeve luftarake në krahinë, në Sopik, qytetin e Gjirokastrës, në Konispol, Berat, Lushnjë, Tiranë, Mal të Zi e deri në Vishegrad të Bosnjës Jugore.
 
Më kujton luftimet në ndjekje të hordhive naziste në tokën fqinjë, luftime që përmbushën një detyrë ndëraleate dhe një kontribut të mëtejshëm të Shqipërisë në luftën e saj çlirimtare në krah të koalicionit të madh antifashist Anglo-Sovjeto—Amerikan.
 
Më kujton njërin pas tjetrit rreth 30 partizanët e partizanet kallaratas, pjesëtarë të të njëjtës brigadë, si rast i veçantë për një fshat të vogël që vetëm në një formacion partizan të kishte aq shumë partizanë.
 
Sot, nga të gjithë ata, jetojnë vetëm gjashtë: Lalua, Saltua, Seiti, Xhelua, Arifi dhe unë Namiku. Këta vazhdojnë të jetojne me të njëjtat ideale atdhetare, për të cilat luftuan. Shumë nga ata që nuk jetojnë ishin kryefamiljarë e prindër, por për hir të çlirimit të atdheut e lanë familjen dhe hodhën pushkën krahut dhe luftuan për të, duke sakrifikuar gjënë më të shtrënjtë, jetën, sepse atdheu ishte mbi të gjitha për ta, ashtu sikurse duhet të jetë edhe për brezat e sotshëm e të nesërm. E lanë familjen për një ideal, i cili i bashkoi në Sheper të Zagorisë, ku u formua Brigada e 8 Sulmuese e lavdishme me komandant Asaf Dragotin e komisar Qazim Kondin, që të dy me aftësi e përgatitje drejtuese të nevojshme politike e ushtarake.
 
Maze Jonuzaj, Rruzhdi Petanaj, Hyso Begaj, Kasëm Demiraj, Ormën Ribaj  e Xhafer Hyso ishin me detyra të rëndësishme drejtuese në çetën territoriale dhe këshillin nacionalçlirimtar të fshatit dhe prej  këtej ata shkuan në Sheper. Qysh ditët e para të përurimit të brigadës edhe këtu u ngarkuan me detyra ushtarake e politike nëpër kompanira e batalione të brigadës. Detyrë të rëndë morën Maze e Zeno Jonuzaj për të furnizuar e siguruar partizanët me ushqim, veshmbathje, strehim e shumë kërkesa të tjera. Të gjitha këto i realizonin në bashkëpunim me këshillat nacionalçlirimtare e banorët e fshatrave dhe terreneve ku lëviznin e vepronin partizanët. Ata detyrën e ngarkuar e kryen me nder e përkushtim.
 
Feriku, Barjami, Myrdari, Xhezairi, Shukua, Beshua e tj. lanë fëmijë pa përkrahje apo djali i madh i nënë Selimesë, Xhelua, e la të ëmën e ve me fëmijë të mitur në Varreturke pa asnjë mbështetje. Në Brigadën e 8 nga një familje erdhën edhe dy e tre vetë, si Mazja me djalin, vëllezërit Fuat e Qemal Goxhaj, Kapo e Mystehak Habilaj. Erdhën edhe tre pionierë partizanë: Seiti, Arshiu e Namiku, të cilët vazhduan ndjekjen e armikut deri në Vishegrad të Jugosllavisë.
 
Erdhën edhe tri shoqe partizane: Zonja Memushaj, Lalo Goxhaj(Qejvanaj) dhe pas dy muajsh edhe Salto Golloshaj(Ribaj), e cila zëvendësoi bashkëshortin Ormën Boro që ra trimërisht në Pogon kundër nazistëve gjermanë.
 
Lajmin e hidhur për Ormënin në Kallarat e prunë dy partizanë. Pas pak vëllai i Ormënit, Tafili, hyri në dhomë ku vajtonin gratë dhe u tha: Nënë, nuse Salto dhe ju motra e vajza, lufta i ka këto fatkeqësi, vëllai im ra për atdhe e për lirinë e Shqipërisë. Por vendin e tij nuk do e lëmë bosh. Vendosa të nisem që nesër për në brigadë me dy shokët e tij partizanë. Nusja e Ormënit, Saltua u ngre e tha: vëlla Tafil! Më takon mua të parës ta zëvendësoj Ormënin,për të vazhduar luftën. Dhe të nesërmen Saltua mori rrugën për në brigadën e 8 partizane.
 
Pas dy ditësh, në Kallarat vjen lajmi tjetër për rënien e partizanit Shuko Karabollaj, në të njëjtin luftim e ditë me Ormënin. Bashkëshorten nuk e mbante vendi. Po ai që u trondit më shumë ishte i biri, Samiu i vogël, i cili, pas çlirimit të atdheut, eci në gjurmët e të atit dhe u bë një kuadër i lartë i Ushtrisë Popullore të Shqipërisë.
 
Brigada e 8, pas mbarimit të misionit të saj të lavdishëm, në dhjetor 1945 u kthye dhe u vendos në Korçë me detyrë për mbrojtjen e kufirit.
 
Gjatë përballimit të provokacioneve të ushtrise monarkofashiste greke të fillimgushtit 1949, ra në krye të detyrës, në sektorin e Bilishtit, oficeri Ferik Strataj, ish komandant kompanie gjatë luftës në Brigadën e 8. Po ashtu, në të njëjtin sektor e në mbrojtje të kufirit, ra më 1946  edhe ish partizani i asaj brigade,Ali Ribaj.
 
Lavdi të përjetshme gjithë atyre që nuk kursyen asgjë për çlirimin e mbrojtjen e atdheut dhe të kufijve të tij!
 
Sa më shumë më shtohen thinjat,aq më pranë më vijnë ato ditë të stuhishme partizane plot lavdi dhe sidomos ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën.
 
Edhe burri përlotet ngandonjëherë, por përpiqet t’i fshehë lotët. Mirëpo  ata janë lotë krenarie, prandaj unë nuk kam turp t’i tregoj, se bijtë e Kurveleshit e të Kallaratit, si pjesë e tij, e kryen me nder detyrën e shënjtë ndaj atdheut.
 
Namik ABAZAJ
Ish partizan i Brigadës së 8 Sulmuese.
 
Botuar ne Nr.44 te gazetes Kallarati

Next Post

XHELO DAUTAJ KALLARATIN KURRË NUK E HARRON, nga Namik Abazaj

Hën Gus 13 , 2012
  Në një cep periferik të Kallaratit, në krah të djathtë të përroit të Bodeit ndodhet një vend që quhet Varreturke. Ky emër vendi i përbërë nga përngjitja e fjalëve “varret e turqve” tregon që në Kallarat kanë lënë kockat në luftë me vendasit e janë varrosur në atë vend […]