Në këtë kllapi të syrit rri një qiell tjetër,
aty të kam vendosur,
të më ruash një vend,
do të të sjell lajme të reja,
do të të tregoj për shiun që rrjedh brenda meje,
ti tani banon në një mungesë të madhe,
edhe unë jam në një mungesë të madhe
megjithatë takohemi. Rrobat e tua, këpucët, fustanet,
kapelat e rrumbullakëta, hidhërimin e këmbës,
të gjitha i flaka,
ti vjen natën, gjithnjë natën,
si dritë hëne ngjyrë limoni,
më futesh në shtratin e gjerë…
Tani mungesa bëhet dhomë,
tani mbushet me zëra që dikur kanë qenë,
fytyrë, mërzitje, temperaturë, lodhje
në një kohë me kufij të paqartë. Dua të ta fshij pluhurin,
të të blej flokë të rinj, jo prej bari e rrënjash,
të të çoj nëpër vende të panjohura,
ku shpesh jemi takuar e puthur.
27.10.2005