LAMTUMIRË FËMIJËRI, POEZI

Andi Meçaj

Shokut tim të ngushtë, Marios,

i pëlqente të hidhte mace

nga kati i gjashtë,

t’u vinte flakën,

t’i lëshonte natën nëpër rrugica

si flakadanë shëtitës,

të mblidhte kaçole nëpër lokale,

t’i shtypte me gurë dhe t’ua fitonte

gjithë kaçolet e tjera në lojë

djemve të lagjes,

pastaj të hypte në tarracën e pallatit

dhe t’i vërviste që andej

me sa fuqi kishte,

ato binin si shi florinjsh nëpër rrugë,

të lagte njerëz me pistoletën me ujë,

të vriste me shpata si tre mosketjerët,

të rrihej me ndonjë që s’ia pëlqente fytyrën,

të tallte në rrugë atë që i dilte përpara.

Derisa dikush na lajmëroi

që po iknin me anije, varka,

rimorkiatorë e trape, drejt Italisë.

Atëherë u lamë lamtumirën

shakave, lojërave, ia mbathëm.

Por Marioja s’i harroi kurrë shakatë,

ndërsa kthehej nga qyteti ynë i lindjes

për në Bari, e kapën me disa kile bar të ndaluar

fshehur në astarin e palltos.

Tani, kur e marr ndonjëherë në telefon,

më thotë duke qeshur: “Shoku im i ngushtë,

këtu në burg, është një maçok i zi!”

2010

Nga Andi Meçaj

Next Post

SHTËPIA E MADHE, POEZI

Die Qer 17 , 2012
I vogël, shtëpia më dukej e madhe, i madh, shtëpia më ngjan e vogël. Muret më njohin, rrinë seriozë, nuk vishen më gaztorë duke më argëtuar si dikur. Nuk është më drethkla që më përqafonte shpesh me degëzat e saj të holla dhe gjethet e mëndafshta, tani gjelbëron dhomën e […]
Andi Meçaj