SHTËPIA E MADHE, POEZI

Andi Meçaj

I vogël, shtëpia më dukej e madhe,

i madh, shtëpia më ngjan e vogël.

Muret më njohin,

rrinë seriozë,

nuk vishen më gaztorë

duke më argëtuar si dikur.

Nuk është më drethkla

që më përqafonte shpesh

me degëzat e saj të holla

dhe gjethet e mëndafshta,

tani gjelbëron dhomën e kujtimeve të mia.

Nuk është më bufeja

ku pjatat dhe filxhanët kinezë

bënin paradë mode,

tani zbukurojnë

tavolinën e madhe të kujtesës.

As divanet dhe kolltukët e kadifenjtë

që ua kisha dërrmuar brinjët me shqelma

nuk janë më,

tani të dashurit e mi ulen në ta

kur i kujtoj.

As biblioteka e vjetër

që nxinte një mal me libra

e që i lexoja fshehurazi

nuk qenka më,

tani ato libra m’i lexojnë gjyshërit

duke tymosur çibukë në qoshe të kujtesës.

Po ai portreti im biond i fëminisë

ku të jetë zhdukur kështu?!

Tani padyshim rri varur

në murin më të bardhë të kujtesës.

Po nëna e dashur që më donte pafundësisht

ku të ketë shkuar vallë?!

Tani patjetër është këtu me mua,

duke kujtuar shtëpinë tonë të madhe.

2010

Nga Andi Meçaj