Po mbushen 23 vjet nga dita që Jazo Bajram Davacaj (Sinovarfi) është ndarë nga jeta në moshën 65 vjeçare. E kujtojnë atë sot si prind të shkëlqyer fëmijët e tij, Bardha, Dafina, Havaja, Shpresa, Brunilda e Vojua. E kujtojnë si gjysh të dashur nipërit dhe mbesat. E kujtojnë ish nxënësit dhe kolegët e tij mësues, në Dushkarak, Bolenë, Mesaplik, Kuç e Kallarat, si një mësimdhënës tepër të aftë. E kujtojnë bujqit e blektorët kallaratas, me të cilët punoi për gati 15 vjet. Por Jazon e kujtojnë edhe të gjithë bashkëfshatarët e tij, si një njeri të mirë, të ditur, të dashur, punëtor e me karakter të fortë, tolerant dhe jo hakmarrës. Por mbi të gjitha Jazon e kujtojnë ish nxënësit në gjithë zonën ku punoi në arsim, si një ndër mësuesit më të përgatitur dhe të aftë të lëndës së matematikës.
Jazua u lind në Kallarat më 1 maj 1934. Mbas përfundimit të shkollës 7 vjeçare në Kallarat dhe Tërbaç, në vitin 1960 mbaron shkollën “Normale” në Elbasan. Më vonë kryen edhe 2 vjet filialin pa shkëputje nga puna po në Elbasan në degën Matematikë – Fizikë. Për disa vjet rresht punoi si mësues në shumë fshatra të rrethit të Vlorës si: në Dushkarak, Bolenë, Kuç, Mesaplik dhe Kallarat. Për shkak të zbatimit të luftës së klasave në vitin 1974 e heqin nga arsimi dhe për 15 vjet rresht punoi si punëtor i thjeshtë bujqësie e blegtorie, duke mos përbuzur asnjë lloj pune e duke punuar me ndershmëri përkrah burrave e grave të fshatit.
Në vitin 1989 pranohet përsëri në arsim, duke u emëruar në shkollën 8 – vjeçare “Mumin Selami” të fshatit të tij, Kallaratit.
Ja si e kujton ish drejtori i shkollës së Kallaratit në ato vite, Lefter Hysaj: “Në shtator të vitit 1989, pas kërkesave të përsërituta të Jazos drejtuar Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Vlorës për t’u rikthyer në arsim, duke qenë drejtor i shkollës më thirrën dhe më komunikuan vendimin e emërimit të Jazos si mësues në Kallarat. Atë mbasdite i vete në shtëpi dhe i jap lajmin e gëzuar. Ai m’u hodh në qafë. Në sytë e tij pashë lot. Ishin lot gëzimi, lot brenge, apo të dyja bashkë!? Ai kishte qenë mësues. Kur e pushuan punoi 15 vjet si bujk e bari dhe ja përsëri kthehej në profesionin e tij të dashur. Përsëri do të ledhatonte nxënësit me duart e tij me kallo, do të kapte përsëri shkumësin në vend të kërrabës e lopatës.
Pas një copë here bisede, ngrihet e kërkon në raft dhe më sjell një fletore. Ishte një fletore bukurshkrimi e ish nxënësit të tij nga Mesapliku, Idajet Jahaj (ish mësues dhe sot shkrimtar). “Ja,kjo fletore është e ish nxënësit tim, të cilin e kam patur shembullor” – më thotë Jazua. Edhe sot e kujtoj këtë moment. Vetëm një mësues model si Jazua, mund të ruaj fletoren e nxënësit për më shumë se 20 vjet”– përfundon Lefteri. (marrë nga gazeta Kallarati, nr. 7, 2003)
Jazua ishte martuar me Qenon (ndarë nga jeta në vitin 2015), bijë nga fisi i dëgjuar Manolaj të Kuçit, me të cilën lindën dhe rritën 7 fëmijë: Bardhën, Dafinën, Havanë, Shpresën, Bujarin (ndarë nga jeta 1996), Brunildën e Vojon (i cili sot trashëgon profesionin e tij të mësuesit), të gjithë të denjë për familjen dhe shoqërinë.
Siç theksuam edhe më lart, Jazua edhe pse ndaj tij kishin rënduar padrejtësi, duke e hequr për disa vite nga profesioni i dashur i mësuesit, asnjëherë nuk u tregua hakmarrës. Në vitet e demokracisë, më 1992 Jazua konkuroi brenda subjektit të tij politik për kryetar të Komunës së Vranishtit, ku edhe pse nuk fitoi, jo ai, por subjekti politik, pranoi me vetëdije e ndëgjegje rezultatin dhe në vitet e mëvonshme tregoi bashkëpunim, në interes të ecjes përpara të proceseve demokratike në dobi të popullit të zonës.
Me rastin e 100 – vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat, në ceremoninë e organizuar në gusht të vitit 2016, me propozim të shoqatës “Kallarati” dhe të kryesisë së fshatit, Këshilli i Bashkisë së Himarës nderoi me certifikata mirënjohjeje disa nga mësuesit më të vjetër dhe me kontribut të veçantë që kanë shërbyer në shkollën “Mumin Selami”, ku ndër ta ishte edhe mësuesi Jazo Davacaj me motivacionin: “Për kontribut në fushën e mësuesisë dhe edukimit të brezit të ri”.
Por në vitin 1996 familjes Davacaj, iu desh të përballonin një fatkeqësi tepër të rëndë, pasi humbi jetën në emigracion në Greqi, djali i madh, Bujari. Kjo ngjarje e rëndë do të ndikonte në gjendjen shpirtërore të Jazos, i cili më vonë sëmuret rëndë dhe më 25 prill 1999 në moshën 65 vjeçare ndërron jetë, duke lënë në pikëllim fëmijët, bashkëshorten, nipërit e mbesat, por duke lënë si kujtim e trashëgimëni emrin e tij të mirë.Kryesia e Shoqatës Kallarati në këtë përvjetor të kujtimit të ndarjes nga jeta të Jazos, u shpreh fëmijëve, nipërve e mbesave vlerësim e mirënjohje për kontributin e babait të tyre, Jazo Davacit në një nga fushat e dijes, siç është arsimi.
Qoftë i paharruar kujtimi dhe aktiviteti Tij!
Kryesia e Shoqatës Kallarati
25 prill 2022