KUJTIM LESKAJ: “DEDIKIM PËR MËSUESIN SHEMBULLOR, NAMIK LLANO MEHMETAJ”

(Ky shkrim është vijim i shkrimit të mëparshëm për mësues Namik Mehmetaj  “MËSUESI KALLARATAS QË LA GJURMË DRITE”, duke shtuar edhe dedikimin e dërguar nga zoti Kujtim Leskaj, i cili për arsye shëndetësore nuk u përgjigj dot më parë)

Shpesh jeta të jep shanse të arta, nga ku të njeh dhe të privilegjon të jetosh, apo punosh për një kohë të caktuar me koleg, shok, apo miq të veçantë.

Unë fatmirësisht e kam pasur këtë shans, ku në profesionin e hershëm si mësues e për një kohë të gjatë drejtues në Shkollën 8-vjecare “Tartar Zifo”, Bolenë të njihem dhe të punoj me shumë koleg, mësues, të cilët kanë lënë mbresa dhe kujtime të rralla në kujtesën dhe ndërgjegjen time.I tillë ka qenë edhe mësuesi nga Kallarati, Namik Mehmetaj. Sot, që po shkruaj këto rreshta për mësues Namikun, më shfaqet përpara syve si atëherë kolegu, shoku dhe miku i rrallë për mua dhe gjithë kolegët, të cilin e kam adhuruar, respektuar dhe vlerësuar për vlerat e shumta njerëzore, profesionale, por edhe komunikuese, që ai mbarte dhe rezatonte në jetën dhe aktivitetin e tij të përditshëm si prind, si mësues, por edhe si intelektual, qytetar, si mik apo shok.

Me korrektësinë që e karakterizonte në profesionin e mësuesit, por edhe përgatitja e tij profesionale, si dhe pasioni dhe përkushtimi i tij, mua si drejtues i shkollës ma bënte tepër të lehtë punën.Më kujtohet se kur doja ta qetësoja veten për ndonje problem që më dilte, shkoja kontroll në orën e mësimit të mësues Namikut, i cili të qetësonte dhe të freskonte nga ana shpirtërore me organizimin e mrekullueshëm që i bënte orës së mësimit nga ana metodiko – shkencore, por edhe një organizim të përsosur të orës së mësimit duke i aktivizuar të gjithë nxënësit për të marrë pjesë në mësim qoftë gjatë kontrollit të nxënësve, qoftë gjatë dhënies së dijeve të reja.

Ai ishte një mjeshtër i mësimdhënies, ishte tepër i afruar dhe i adhuruar me nxënësit e tij, ishte shumë kërkues ndaj tyre, por edhe tepër metodist.

Namiku nuk pati asnjë rast të vinte në shkollë pa u përgatitur për orët e mësimit. Do të ishte e rrallë që unë të kisha një rast të kundërt e të jashtëzakonshme.

Fjalëmbël ku ato i artikulonte me ngadalë dhe qetësi e ku çdonjëra prej tyre transmentonte mesazhe bashkimi, respekti, shoqërore dhe këshilluese, por dhe profesionale për çdo koleg.

Në portretin e mësues Namikut bie në sy figura e një edukatori sa modest, aq edhe këmbëngulës dhe rezultativ. Gjithmonë model në sjellje, por gjithashtu model në etikën dhe estetikën që e karakterizonte. Një burrë i pashëm, i hekurosur dhe i llustrosur, edhe pse rrugëtimi i përditshëm i tij për të ardhur në punë ishte i largët dhe me terren tepër të vështirë, rruga ishte me shumë baltë dhe e gjatë rreth 40 minuta. Interesante ishte se mësues Namiku kur vinte në mëngjes në shkollë dukej sikur vinte nga “SHESHI I FLAMURIT” të Vlorës, nuk bëhej me baltë as këpucët dhe ne me të qeshur e pyesnim me çfarë ke ardhur? Me çfarë ke ecur? Se ne na beheshin pisë, jo vetëm këpucët, por dhe pantallonat dhe përpara se të futeshim në shkollë duhet të pastronim këpucët dhe pjesën e poshtme të pantallonave, sepse mësuesi duhet të ishte model në klasë edhe nga paraqitja figurative. Kështu mësoheshin edhe nxënësit, të cilët para se të futeshin në shkollë dhe në klasë pastroheshin. Futeshin në garë me njëri-tjetrin se kush do të ishte më i zoti që të vinte në klasë si mësues Namiku. Ai mbeti në kujtesë si mësuesi që kurrë nuk u bë me baltë.

Do të kalojnë vite, sa të jem do të kujtoj, shumë koleg, miq apo shokë, ku kemi lënë gjurmë tek njeri-tjetri. Ishin kohë sa të vështira, por edhe tepër njerëzore.

Namikun do ta kujtoj, me respekt dhe mall, për të gjitha ato vyrtyte të tij të rralla, që përmenda më lartë, por edhe si një person, i cili vlerat e tij ua la trashëgimi të përjetshme fëmijëve të tij, të cilët i takoj me kënaqësi dhe ndihem shumë i lumtur.

Me respekt, Kujtim Leskaj

Orikum 15/04/2022

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

AGIM ”KALLARATI", REALIZON MEMORIALIN E GREQISË SALENTINE NË LEÇE TË ITAISË.

Sht Maj 7 , 2022
Nga Besnik GJONBRATAJ Jo më kot e kemi cilësuar edhe në shkrime të tjera që, Agimi tashmë në çdo punim që bën me krenari identifikohet me emrin mjaftë kuptimplotë e të bukur, “AGIM KALLARATI”. Punimet e tij prej guri në Leçe të Italisë, e kanë bërë të njohur si një […]