

Për Mumin Selam Toçin është folur e shkruar shumë dhe me dekret është shpallur hero, nuk është vetëm për aktin heroik në Topana, bashkë me shokët Hajredin Bylyshin, Bajram Tushi e Hiqmet Buzi, por heroike është gjithë veprimtaria e tij, brenda asaj jete të shkurtër. Përveç kësaj, Mumini, i shërbeu Atdheut edhe me rënien e tij heroike, sepse pas këtij akti, fshati Kallarat dhe gjithë krahina e Kurveleshit, u armatos dhe u hodh në luftë kundër fashizmit. Mumini shkroi me dorën e tij (lexo ditarin): “Fashizmi ka ardhur për të vrarë bijtë tanë, për të robëruar Atdheun tonë të shenjtë për të cilin është derdhur shumë gjak”. Në rreshtat e këtij libri, brezat e ardhshëm do të gjejnë te figura e Muminit ato cilësi që i duhen një trimi, një patrioti, një burri shqiptar. Memo Meto (edhe ky, hero) i këndoi:
“Bogonica me Çipinë
Ç’kanë që qajnë me lot?
Qajnë me lot për Muminë
Që nuk ndodhet këtu sot
Të rnblidhte djalërinë
Se kishte që tu thosh plot
I lindur për Shqipërinë
Shënimet ia gjeta sot”.
Mumini ishte një nga bijtë e shqipes me horizont, me përmasa të thella e të gjera patriotike. Idajet Jahaj, një poet i ri, mundi ta zbulojë pse kërkonte Mumini një trëndafil me katër fletë, (gjë e rrallë) se ishte simboli i Shqipërisë me katër vilajete, ide e Rilindasve – sa thellë ishte futur Heroi ynë në atë moshë të njomë! Pra, “i lindur për Shqipërinë” që sot mund të përkthehet “i lindur për heroizëm”. Dhe populli u këndon bijve të tij trima:
“Shumë vjet kanë kaluar
Mumin, s ‘të kemi harruar
Katër vet në Topana
Qysh e kthyet në kala
Derdhet gjakun e kulluar
Mbetet “yje të pashuar”
Mumini ishte akoma shumë i ri, por mendimet e tij ishin të mëdha, veçse jetën ia prenë në lulëzim, në kohën e shpërthimit të tij. Megjithatë ai ua la shokëve të tij të rinisë: Adil Petanit, Barjam Toçit, Fejzo Rjepaj, Tare Gjonit, Mehmet Karabollit, Filos, Ormënit e shumë të tjerëve që ndoqën rrugën e tij, që çliruan Atdheun e shumë prej tyre ranë në fushën e betejës.
Nënë Duzia: Përcaktori Nënë, iu ngjit natyrshëm kësaj labëreshe, se ajo u bë nëna e të gjithëve dhe ky përcaktor u bë pjesë e emrit të saj. Edhe vet Enver Hoxha i drejtohej”…Nene Duze…”. mbeti pjesë e emrit të ndritur të saj. Për ne, kallaratasit, është e vështirë të flasësh për cilësitë e kësaj nëne, për virtytet e larta të saj. është po kaq e vështirë të rrekesh e të kërkosh se ku i gjeti ato forca dhe energji me të cilat luftoi e punoi. Natyrisht, Heroi ynë, Mumin, një nënë të tillë do të kishte se heronjtë lindën nga heroinat. Kur i thoshte Mumini: “Ti nënë nuk duhet të ligështohesh edhe sikur të vritemi ne, se ne luftojmë për çlirimin e Atdheut”. Nënë Duzia kishte besim te madh te idealet e djalit, prandaj punoi e luftoi me të gjitha forcat. Të rinjtë e të rejat i kishte merak për shkollën, prandaj shkonte shpesh në seksion të arsimit dhe i thoshte: “Qeremo, këtë apo atë djalë do ma dërgosh neë shkollë” (Është fjala për Eqerem Kallfën, ish-shef i seksionit të arsimit). Po kishte burrë t’ia prishte fjalën deputete Duze Barjami?! I ndrite shpirti! Të gjithë djemtë e Kallaratit i bëri me shkollë e deri kuadro të larta dhe drejtuan shtetin dhe ekonominë për kohën që flasim.
Në të gjithë Shqipërinë punoi, në rrugët automobilistike, në hekurudhë bashkë me të rinjtë, të frymëzonte me shembullin e saj, të bënte për vete. Ajo ishte vetëm nënë, nënë Duzia tani kam të drejtë të them se ka qënë një nënë e madhe e barabartë me nënë Terezen. Në moshën 60 e ca vjeçare ajo mësoi të shkruaj me shkronjat kapitale dhe mbante shënime. Një gjë e rrallë. I çonte gratë nën 50 vjeçe nëpër kurse për të zhdukur analfabetizmin. Por, për fat të keq, ka mbetur në harresë. Prandaj unë po shkruaj këtu në librin e ndritur të Llanos që ta njohin brezat e ardhshëm. Kjo është një detyrë e madhe dhe fisnike e shoqatës “Labëria”, që figurat e Labërisë dhe sidomos të labëreshave të vendosen në vendin e duhur, në vendin që meritojnë. Shoqata “Labëria” është një grupim fisnik, prandaj këtë fisnikëri duhet ta pasurojë me këto figura fisnike, si nëna e madhe, Duze Barjame. Libri, për të cilin shkrova këto pak rreshta, është shkruar nga një intelektual i kompletuar, Llano Llanaj, i cili duhet falënderuar për mundimin që ka bërë në shërbim të shoqërisë dhe veçanërisht të Kallaratit, që e do aq shumë. I uroj jetë të gjatë, shëndet dhe punoftë sa më shumë për Kallaratin.
Enver GOLLOSHI
Vlorë 30.05.2008