Parathenie e librit “Nene Duzja e Mumini si Bogonica e Çipini

 
alt Është e vërtetë se ne, shoqata “Kallarati” shumë herë kemi menduar për Heroin, Mumin Selami dhe nënë Duzen, e ëma e Heroit, që të shkruanim një monografi duke ngutur njëri-tjetrin, por asnjeri nuk e mori penën për këtë. Është po ashtu e vërtetë se Kallarati ka bija dhe bij të shkolluar dhe të aftë për një gjë të tillë, madje dhe të përafërt me llojin e shkrimit që donim të bënim, monografisë, por u desh që iniciativën ta merrte një agronom dhe pikërisht Llano Malo Llanaj. Llanoja ka lindur në Kallarat, por rritur në fshatra të tjerë, në rrjedhën e poshtme të lumit Shushicë. Këtë familje dhe shumë te tjera, i ka detyruar nevoja e mbijetesës që të largohen nga fshati mëmë. Llanoja mësoi se ishte kallaratas dhe mbeti i tillë gjithë jetën.  Kam bindjen se geni ecën në breza. Nga familja Llanaj kanë dalë burra të zot e të dëgjuar që nga lashtësia. I tillë ka qenë i ati i Llanos, Maloja, gjyshi i tij, Ferat Halo Llanaj dhe kështu me radhë. Një i tillë, thuhet, se ka qenë edhe Llanoja i parë, burrë mentar nga i cili ruajnë edhe mbiemrin Llanaj. Ja, pra, tek Llanoja ynë, u manifestua geni i zgjuarsisë, trashëguar nga Llanoja i parë. Në emrin tim, pse jo dhe të shoqatës, e falënderoj dhe e përshëndes për këtë punë të nderuar. Llano Llanaj ka shkruar edhe libra të tjerë. Ai është intelektual i mirëfilltë edhe me gradë shkencore, “Doktor i Shkencave Bujqësore”. 
 
NeneDuzjaeMumini 1Shoqata “Kallarati”, Heroit tonë, i bëri bustin dhe e vendosi në piedestal në oborrin e shkollës në Kallarat, që mban emrin e Mumin Selamit, Hero i Popullit. Por Llanqja, me vepren e tij, Heroin tonë dhe Nënë Duzen,  i vendosi në një piedestal të lëvizshëm dhe ne së shpejti do ta kemi një libër në bibliotekat tona si një krenari të ligjshme të fshatit tonë, Kallarat. Duhet të shënoj këtu se shoqatën tonë e ka ndihmuar shumë familja e Çelajve nga Terbaçi, të cilët janë nipër të Muminit, djemtë e Farie Selamit, motra e Heroit. Ndër këta është shquar zoti Laze Çela, po edhe të tjerë, si Rrapoja e Dritan Çela. Kemi vënë re se te kjo familje ka gjak të kulluar patriotik, shkëlqen besnikëria, bujaria, trimëria. Nuk është e rastit që Taze Çela, mbesa e Muminit, bija e Faries, motra e vëllezërve Çelaj, ra dëshmore dhe mbeti “Yll i pashuar”‘. Të tillat dhe të tillët meritojnë lavdi dhe vetëm LAVDI. 
 
Për Mumin Selam Toçin është folur e shkruar shumë dhe me dekret është shpallur hero, nuk është vetëm për aktin heroik në Topana, bashkë me shokët Hajredin Bylyshin, Bajram Tushi e Hiqmet Buzi, por heroike është gjithë veprimtaria e tij, brenda asaj jete të shkurtër. Përveç kësaj, Mumini, i shërbeu Atdheut edhe me rënien e tij heroike, sepse pas këtij akti, fshati Kallarat dhe gjithë krahina e Kurveleshit, u armatos dhe u hodh në luftë kundër fashizmit. Mumini shkroi me dorën e tij (lexo ditarin): “Fashizmi ka ardhur për të vrarë bijtë tanë, për të robëruar Atdheun tonë të shenjtë për të cilin është derdhur shumë gjak”. Në rreshtat e këtij libri, brezat e ardhshëm do të gjejnë te figura e Muminit ato cilësi që i duhen një trimi, një patrioti, një burri shqiptar. Memo Meto (edhe ky, hero) i këndoi:
 
 “Bogonica me Çipinë
 Ç’kanë që qajnë me lot?
 Qajnë me lot për Muminë
 Që nuk ndodhet këtu sot
 Të rnblidhte djalërinë
 Se kishte që tu thosh plot
 I lindur për Shqipërinë
 Shënimet ia gjeta sot”.
 
Mumini ishte një nga bijtë e shqipes me horizont, me përmasa të thella e të gjera patriotike. Idajet Jahaj, një poet i ri, mundi ta zbulojë pse kërkonte Mumini një trëndafil me katër fletë, (gjë e rrallë) se ishte simboli i Shqipërisë me katër vilajete, ide e  Rilindasve – sa thellë ishte futur Heroi ynë në atë moshë të njomë! Pra, “i lindur për Shqipërinë” që sot mund të përkthehet “i lindur për heroizëm”. Dhe populli u këndon bijve të tij trima:
 
“Shumë vjet kanë kaluar
Mumin, s ‘të kemi harruar
Katër vet në Topana
Qysh e kthyet në kala
Derdhet gjakun e kulluar
Mbetet “yje të pashuar”
 
Mumini ishte akoma shumë i ri, por mendimet e tij ishin të mëdha, veçse jetën ia prenë në lulëzim, në kohën e shpërthimit të tij. Megjithatë ai ua la shokëve të tij të rinisë: Adil Petanit, Barjam Toçit, Fejzo Rjepaj, Tare Gjonit, Mehmet Karabollit, Filos, Ormënit e shumë të tjerëve që ndoqën rrugën e tij, që çliruan Atdheun e shumë prej tyre ranë në fushën e betejës.
 
Nënë Duzia: Përcaktori Nënë, iu ngjit natyrshëm kësaj labëreshe, se ajo u bë nëna e të gjithëve dhe ky përcaktor u bë pjesë e emrit të saj. Edhe vet Enver Hoxha i drejtohej”…Nene Duze…”. mbeti pjesë e emrit të ndritur të saj. Për ne, kallaratasit, është e vështirë të flasësh për cilësitë e kësaj nëne, për virtytet e larta të saj. është po kaq e vështirë të rrekesh e të kërkosh se ku i gjeti ato forca dhe energji me të cilat luftoi e punoi. Natyrisht, Heroi ynë, Mumin, një nënë të tillë do të kishte se heronjtë lindën nga heroinat. Kur i thoshte Mumini: “Ti nënë nuk duhet të ligështohesh edhe sikur të vritemi ne, se ne luftojmë për çlirimin e Atdheut”. Nënë Duzia kishte besim te madh te idealet e djalit, prandaj punoi e luftoi me të gjitha forcat. Të rinjtë e të rejat i kishte merak për shkollën, prandaj shkonte shpesh në seksion të arsimit dhe i thoshte: “Qeremo, këtë apo atë djalë do ma dërgosh neë shkollë” (Është fjala për Eqerem Kallfën, ish-shef i seksionit të arsimit). Po kishte burrë t’ia prishte fjalën deputete Duze Barjami?! I ndrite shpirti! Të gjithë djemtë e Kallaratit i bëri me shkollë e deri kuadro të larta dhe drejtuan shtetin dhe ekonominë për kohën që flasim.
 
Në të gjithë Shqipërinë punoi, në rrugët automobilistike, në hekurudhë bashkë me të rinjtë, të frymëzonte me shembullin e saj, të bënte për vete. Ajo ishte vetëm nënë, nënë Duzia tani kam të drejtë të them se ka qënë një nënë e madhe e barabartë me nënë Terezen. Në moshën 60 e ca vjeçare ajo mësoi të shkruaj me shkronjat kapitale dhe mbante shënime. Një gjë e rrallë. I çonte gratë nën 50 vjeçe nëpër kurse për të zhdukur analfabetizmin. Por, për fat të keq, ka mbetur në harresë. Prandaj unë po shkruaj këtu në librin e ndritur të Llanos që ta njohin brezat e ardhshëm. Kjo është një detyrë e madhe dhe fisnike e shoqatës  “Labëria”, që figurat e Labërisë dhe sidomos të labëreshave të vendosen në vendin e duhur, në vendin që meritojnë. Shoqata “Labëria” është një grupim fisnik, prandaj këtë fisnikëri duhet ta pasurojë me këto figura fisnike, si nëna e madhe, Duze Barjame. Libri, për të cilin shkrova këto pak rreshta, është shkruar nga një intelektual i kompletuar, Llano Llanaj, i cili duhet falënderuar për mundimin që ka bërë në shërbim të shoqërisë dhe veçanërisht të Kallaratit, që e do aq shumë. I uroj jetë të gjatë, shëndet dhe punoftë sa më shumë për Kallaratin.
 
 
Enver GOLLOSHI
Vlorë 30.05.2008

Next Post

Migjeni i Labërisë, nga Çize Xhaferi

Die Kor 1 , 2012
Kallarati ka pasur e ka djem që kur e marrin penën, dinë se ç’shkruajnë. Kohët e fundit është botuar dhe ka mbërritur te lexuesi e në veçanti tek i kallaratasi, libri: “Nënë Duzja e Mumini si Bogonica e Çipini”. Autori i këtij libri është intelektuali i fshatit tonë, z. Llano […]
NeneDuzjaeMumini 1