DEMIR LATO-NJË NGA OFICERËT E PARË KALLARATAS, nga Hasan Hysi

 Demir Lato Haxhiaj, lindur në Kallarat më 1900 në familjen atdhetare të Haxhiajve, ishte një nga oficerët e parë kallaratas të periudhës para Luftës së Dytë Botërore. I ati i Demirit, Lato Lulo, ishte burrë i mençur e atdhedashës i spikatur që kish luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj për mbrojtjen e për çlirimin e trojeve shqiptare nga turqit, grekët dhe italianët. Ai mori pjesë në mbrojtjen e fshatit nga sulmet e andartëve grekë më 1914, në Luftën e 20-ës për çlirimin e Vlorës e të rrethinave të saj nga pushtuesit italianë. Dhe pavarësisht nga mosha e thyer, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte një mbështetës i vendosur i Lëvizjes Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë italogjermanë. Fjala e tij kishte peshë te kallaratasit që kishin moshë për të luftuar pushtuesit. Pra, Latua ishte një patriot i vërtetë. Dhe me këto ndjenja atdhetarie të të atit u rrit e u brumos edhe djali i tij i vetëm, Demiri.

Me shkollimin që kish kryer, Demiri ishte pajisur me një kulturë ushtarake dhe qytetare të lartë. Ai ishte një intelektual i mirëfilltë. Këtë e tregon edhe biblioteka e tij vetjake që ishte e mbushur me shumë libra nga fusha e shkencës, kulturës e historisë në gjuhë të huaj e në shqip të autorëve më në zë, të huaj e shqiptarë. Është e kuptueshme që kjo bibliotekë e pasur i shërbente atij për ngritjen e nivelit kulturor e intelektual, për zgjerimin e horizontit të tij. Kjo gjë e bënte atë edhe më të vetëdijshëm për të qënë një atdhadashës i formuar, për të kuptuar më mirë rëndësinë dhe vlerat e atdhetarizmit.

 Demiri ishte një kuadër ushtarak i vlerësuar në ushtrinë shqiptare të viteve 30-të. Por më 1935 shpëtheu kryengritja e Fierit kundër mbretit të vetëshpallur, Ahmet Zogolli. Demiri, me sa duket, kish shfaqur simpati për këtë lëvizje, prandaj mbreti Zog e liroi nga ushtria dhe e internoi familjarisht në Korçë deri më 1938. Në këtë vit ai kthehet në Tiranë, ku kishte edhe shtëpinë dhe vendoset me punë si ekonomist në Kryqin e Kuq Shqiptar.

Duke qënë me punë pranë Kryqit të Kuq, Demiri e shfrytëzoi këtë vend pune për të ndihmuar shumë familje në nevojë të fshatit të tij, Kallaratit. Nga një anë ai ndërmjetësonte pë t’u dhënë ndihma ekonomike familjeve më të varfëra, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollës së fshatit, ku ai sillte fletore, lapsa e ndonjë ushqim simolik për ta, i shoqëruar edhe nga gjimnazisti i asaj kohe, Mumin Selami. Ky i fundit e ndihmonte Demirin për shpërndarjen e ndihmave nxënësve të rrjeshtuar para shkollës. Nga ana tjetër, Demiri ndëmjetësonte për të sistemuar në Strehën Varfënore fëmijë jetimë, siç ishin fëmijët e Çelo Gjonajt etj.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Demiri, ndryshe nga i ati dhe kallaratasit e tjerë që u lidhën me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ai u pozicionua në krahun tjetër politik të asaj kohe, por pa i sjellë ndonjë përçarje apo pasojë tjetër dëmprurëse fshatit e më gjërë, Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ashtu sikurse edhe dy oficerët e tjerë kallaratas,shokë e bashkëkohës të tij, Shahin Jonuzaj e Veledin Rjepaj. Për këtë flet fakti që kur ata, në fund të nëntorit 1944, iu bashkuan formacioneve partizane, u trajtuan si kuadro me gradat ushtarake që kishin pasur dhe u emëruan në detyra përkatëse të rëndësishme, pa pasur asnjë pasojë.

Demiri u rreshtua në Brigadën e 27 partizane të sapokrijuar, duke marrë pjesë në radhët e saj në luftime për çlirimin e Tivarit dhe të krahinës së Krajovës në Malin e Zi. Me kthimin e kësaj brigade në Shkodër, Demiri u caktua intendent në prapavijën e Korpusit të parë aty. Këtu, në Shkodër, Demiri u sistemua edhe familjarisht dhe qëndroi deri në fund të vitit 1945, kur u transferua në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë, Tiranë,  në sektorin e prapavijës me detyrën e kotroll-revizorit. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në prill të vitit 1946, kohë kur u arrestua dhe u burgos. Akuza e burgosjes së tij ishte për pjesëmarrje në një grup të paligjshëm kundër pushtetit popullor të vendosur pas çlirimit. Megjithëse akuza nuk u pranua prej tij ,ai u mbajt në burg deri në dhjetor 1948, kur për shkak sëmundjeje u nda nga jeta.

Demiri ishte martuar me Merjo Shaqen-një grua e zgjuar e fisnike, me cilësi të larta moralo shoqërore e njerëzore, e dhembshur e bujare që gjithnjë të priste buzagaz e me ngrohtësi të veçantë.

Për vlerat e tij intelektuale e atdhetare, emri dhe kujtimi i Demirit , por dhe i Merjos, ruhen e do të ruhen te të afërmit dhe të gjithe kallaratasit që i kanë njohur, te miqtë e shoqëria e tyre kudo.

           Hasan HYSAJ

Botuar ne Gaezeten Kallarati, Nr 44, 2009

Next Post

65 VTE MË PARË, NGA NAMIK ABAZAJ

Hën Gus 13 , 2012
  25 prilli i vitit 1944 më kujton e më sjell afër shokët e shoqet partizane që njoha ditën e parë të mbërritjes në Sheper të Zagorisë dhe gjatë veprimeve luftarake në krahinë, në Sopik, qytetin e Gjirokastrës, në Konispol, Berat, Lushnjë, Tiranë, Mal të Zi e deri në Vishegrad […]