Historiku i shkollës në Kallarat

alt

Të dashur ish mësues dhe nxënës të shkollës “Mumin Selami” të Kallaratit!

Fshati Kallarat ka historinë tij shumë vjeçare, të qëndresës e të luftës ndaj pushtuesve të huaj, por edhe atë të ndërtimit dhe të lulëzimit të tij në vitet e pasluftës dhe në ditët e sotme të demokracisë.

Një pjesë e historisë së tij lidhet ngushtë me kontributin që ka dhënë Shkolla 8 Vjeçare qe mban emrin e Heroit të Popullit, “Mumin Selami” dhe e një brezi të tërë mësuesish kallaratas dhe jo kallaratas, që për vite të tera me durim, këmbëngulje e profesionalizëm, edukuan, shkolluan dhe u dhanë dijet e para fëmijëve kallaratas, duke i bërë ata të aftë për të konkuruar me shumë sukses ne shkollat e mesme e të larta në mbare vendin.

.Edhe pse sot ajo, mbas shumë vitesh të funksionuari si portë e diturisë, ndodhet e mbyllur, ne duhet të krenohemi për ata çka ajo bëri në drejtim të shkollimit të brezit të ri.

Ne duhet të krenohemi për atë brez të tërë mësuesish kallaratas që me pasion e përkushtim, jo vetëm na shkolluan, por që edhe kultivuan tek ne ndjenjën e dashurisë për njëri-tjetrin, për prindërit dhe vendlindjen tonë, Kallaratin.

Mendoj që nëpërmjet kësaj rubrike, t’i kujtojmë me respekt mësuesit tanë të nderuar, të kujtojmë të gjithë ish nxënësit e kësaj shkolle me tradita.

Kujtimet, mbresat, shifrat, faktet, fotografitë Tuaja, jo vetëm të atyre që punuan ne Kallarat, por kudo ne mbarë Shqipërinë, le t’i bëmë pjesë të këtij uebsaiti në mënyrë që sakrificat Tuaja për dije dhe kulturë te mos humbasin e shuhen kurrë edhe për brezat e ardhshëm.

Ju mirëpresim! 

Adresa: [email protected]


_______________________________________________________________________

ARSIMI NE KALLARAT

(Marre nga Libri “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strati)


Arsimi nga fillimi deri më 1945

Enver StratiPopulli i Kallaratit ka qenë i etur jo vetëm për liri e pavarësi, po edhe për kulturë e dije. Idetë e rilindësve për zgjimin kombëtar gjetën jehonë edhe te kallaratasit, që kishin dalë të shkatërruar e të vrarë nga kryengritja e Tanzimatit, po me një urrejtje të pashuar për pushtuesin. Një ndër të parët në Kurvelesh që përqafoi idetë e rilindësve ka qenë Myftar Ali Kallarati Myftar. I etur për dije, ai lë kopenë në brinjë dhe emigron në Rumani e më vonë në Stamboll, ku mbaron medresenë (shkollë fetare për hoxhe) dhe fillon të interesohet për mësimin e shqipes. Hyn në lidhje me rilindësin Naum Veqilharxhi dhe merr përsipër të sillte evëtarin shqip të tij në Shqipëri. Më 1840, merr një sasi librash dhe niset në këmbë nga Stambolli. Për t’u shpëtuar koshadheve turke, iu desh të udhëtonte në këmbë, rrugë e pa rrugë, nëpër pyje e male për 40 ditë rresht. I rraskapitur nga rruga, sëmuret rëndë dhe me vështirësi arrin në katundin Selckë të Pogonit, fshat në grykën me të njëjtin emër në afërsi veri të Libohovës . Aty strehohet në një shpellë, ku e gjejnë barinjtë dhe e shpien në fshat. Me gjithë kujdesin që treguan selckjotët, nuk i shpëtoi vdekjes. Para se të jepte shpirt, ai u tha se quhej Myftar Ali dhe ishte nga Kallarati. U la porosi që vivlat (librat) t’ua shpërndanin të rinjve që të mësonin e të shkruanin shqip.

Fshati e varrosi me nderime 10 metra larg oborrit të kishës, se ishte jo vetëm Mysliman, por dhe hoxhë. Mbi varrin e tij u ngrit një qivur dhe u vendos një pllakë guri prej mademi te Manastirit, në të cilën u shkrua në shqip dhe greqisht: “ Hoxha i vilajetit Myftar Aliu nga Kallarati, vdekur më 1840”. Ky varr njihet me emrin “Varri i Hoxhës”. Prifti i fshatit urdhëroi të binin tri herë kambanat e kishës. Për të në fshatin Selcë janë thurur këto vargje: “O i ziu babasheh, / Ke fëmijë apo nuk ke?/ S’kemi ç’të bëjmë dhe ne, / të përcollëm si babanë, / Për ty tri kambana ranë.” Qivurin e prishen Greket me 1914 –dhe me 1940. Në historikun e fshatit Selckë, f. 144 shkruhet se Myftar Aliu ishte nga Kallarati, i dërguar, nga patriotët e kohës për të sjellë libra shqip. Mbledhësi i pasionuar i folklorit lab Fatos Mero Rrapaj, ka regjistruar një këngë kushtuar Myftar Aliut.

Patriotët ven e vijnë

Plot me vilva mbushur gjinë.

Ç’thonë për Myftar Ali

Dyzet ditë nga Stambolli

Rruga mbarësi s’i solli.

La pas Sarajet e ngjolit,

Hyri fshtatrave të Pogonit,

Vate në një fshat të thellë,

Nga katër male mbështjellë.

Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,

Tre këmbana për të ranë,

Bënë nder si për babanë.

Kur ia hoqën xhamadanë,

Dualën librat shqipe radhë[1].

Kryesia e shoqatës “Kallarati”, me sekretar Enver Golloshi, Kastriot Karabolli, Nasip Tozaj dhe Razi Golloshi, me 11.05.2007 i morën eshtrat e tij së bashku me një grusht dhé dhe i varrosën me nderime në varrezat e përbashkëta të fshatit në Fshira më 7 gusht 2007, pranë bashkëfshatarëve të nderuar Duze Barjami dhe mësuesve të parë Meçan Selami e Telo Zhibi. Myftar Aliu do të mbetet një nga figurat e spikatura historike të Kallaratit që u përpoq të nxiste mësimin e gjuhës amtare në vendlindjen e tij.

Dëshira për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën e nënës ka qenë e zjarrtë te shqiptarët. Dhe këtë dëshirë kallaratasve nuk ua kanë shuar dot as pushtuesit dhe kisha greke, as mungesa e kushteve. Ata kanë shfrytëzuar të gjitha rrugët e mundshme për të marrë arsim shqip në shkollat jashtë vendit: Janinë, Korfuz, Itali, Bukuresht, Stamboll etj. Të tillë kanë qenë: Xhebro Strati, Alem Qejvani, Lame Petani, Dervish Qejvani, Hodo Shakaj, Haredin Haxhiraj, Sheme Llanaj, Shafi, Janji Remzi Janji, Tasim Janji, Shamo Meçe, mulla Beqir Zhibi, Selam Barjami, Veliko Breshani, Balil Xhaferi, Isa Petani, Hyso Xhaferi, Kadri Xhaferi, Haxhi Breshani, Murat Demiri, Birçe Ribi, Murat Ribi, Ramadan Hoxha, Rexhep Mataj, Bendo Habili, Halo Llani, Ramadan Strati Lelo Sinavarfi, Habip Gjoni, Lulo Gjoni, Çelo Gjoni etj.

Dëshirën ë zjarrtë për mësim në gjuhën amtare e dituri e nxiti më shumë patrioti i madh Ismail Qemali, i cili në bisedën e bërë me patriotët e fshatit më 1909, veç detyrave për luftë kundër osmanëve dhe grekëve, dha porosi dhe për të mësuar shkrim e këndim shqip. Në mënyrë simbolike, ai i dha të riut Myftar Golloshi një abetare shqipe si dhe dërgoi për të mësuar për arsimtar në Korfuz Meçan Selam Qejvanin, i cili më vonë në do të bëhet flamurtari i mësimit të shkrimit dhe këndimit në gjuhen shqipe, jo vetëm në Kallarat, por dhe në vise të tjera të vendit.

000 0321Duke punuar në bujqësi e blegtori, të rinjtë e Kallaratit i mësonin shkronjat shqipe përmendsh, duke shfrytëzuar kolektivisht ndonjë abetare si ajo që I. Qemali i dha Myftar Golloshit, me ndihmën e shokëve që dinin ose si autodidaktë. Pllakat e gurit ata i kthenin në fletore dhe lapsat i zëvendësuan me gurë shtufi etj. Në këtë mënyrë, vjedhurazi, arritën të mësonin të shkruanin dhe të lexonin shqip para shpalljes së Pavarësisë rreth 30 vetë: Sali Breshani, Azbi Breshani, Myftar Golloshi, Xhebro Golloshi, Nelo Golloshi, Fein Strati, Ali Hoxha, Xhemil Tozaj, Feti Tozaj, Zenel Maçi, Mehmet Goxhi, Ramo Karabolli, Sako Karabolli, Daut Shakaj, Ferat Llani, Barjam Goxhi, Maze Boci, Razo Rjepi, Tafil Ribi, Manxhar Ribi, Veip e Memush Balili, Muslli Ribi, Nazo Demiri, Shaqo Hysi, Nebo Qejvani, Llano Mehmeti, Damo Karabolli, Shaban Hysi etj.

Kërkesat e shumta për hapjen e shkollës në fshat nuk merreshin parasysh nga autoritetet osmane. Edhe kur banorët e Kallarati deshën të ndërtonin vetë një godinë shkolle, autoritetet i ndaluan. Por dëshira për të mësuar i detyroi kallaratasit ta zgjidhnin vetë çështjen e mësimit të shqipes. Telo Duro Zhibi, duke punuar tek miku i të atit në Vlorë, mbaron shkollën e Muradies (mejtepin turk) dhe filloren shqipe. Si atdhetar i përkushtuar, shkollimin në gjuhën shqipe Telua nuk e konsideroi si stoli për vete, por për t’u mësuar shkrim e këndim gjithë moshatarëve të tij në Kallarat e gjetkë

Ai u bë nismëtar i parë i mësimit shqip në Kallarat, duke hapur në mars 1916 në shtëpinë e Dushan Jonuzit kursin e parë te mësimit të gjuhës shqipe. Haurin e Dushanit, që shërbeu si klasë, mund ta quajmë edhe shkollën e parë shqipe. Për karrige u përdoren gurë, trungje druri, skufe lëkure dhe një dërrasë e zezë e prodhuar vetë. Mësimin Telua e jepte falas. Në fillim në kurs morën pjesë pak fëmijë. Për të mos u diktuar nga organet qeveritare, godina e shkollës e ndryshonte vendin, duke u zhvendosur në shtëpinë e Maliq Boshit, të Xhevit Gjombratit etj. Kursi u ndërpre më 20 tetor 1916, kur autoritetet italiane dhe ato vendëse ligjëruan hapjen e shkollës së parë shqipe me tri klasa në Kallarat.

Telo Zhibi më vonë ka hapur shkolla shqipe në Peshkëpi e Zhulat të Gjirokastrës dhe në Nivicë të Kurveleshit. Telua ishte edhe një nga figurat kryesore të Kongresit të Labërisë më 1924, krahas Halim Xhelos, që ishte figura kryesore. Ai u zgjodh kryetar i komisionit për emancipimin e gruas. Në dokumentet e prefekturës së Vlorës, në faqen 167 shkruhet: “Sherif Zeneli nga Kurveleshi i Sipërm lidhet me patriotin Telo Zhibi për të përhapur librat shqipe, se ai e dinte etjen për dije dhe ndërgjegjen kombëtare të këtyre krahinave.”

Figurë tjetër e shquar dhe më komplekse në lëvrimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe është Meçan Selam Qejvani. Tek ai kishte lindur dëshira për kulturë dhe dije me përpjekjet e s’ëmës, Bejkes, se babai e kishte lënë të vogël. I ndihmuar nga miku i të atit, Mato Muharremi nga Vranishti, vijoi shkollën shqipe në Muradie të Vlorës. Në shkollë takohet me Halim Xhelon, i cili më vonë bëhet vëlla me hajmali me të. Meçani dallohej në mësime. Halimi, më vonë, në kujtimet e tij shkruan: “E quanin Meçan, i gjatë sa unë, fytyrërrumbullak, i mbushur, m’u duk shumë i zgjuar; ta rrëmbente menjëherë mendimin pa e nxjerrë fjalën nga goja.”

Zgjuarsinë e Meçanit dhe të Halimit i pikasi dhe I. Qemali në vizitën që i bëri shkollës më 1909, i cili u tha mësuesve që këta e paskan syrin pishë dhe i dha porosi Jani Mingës, përgjegjësi i arsimit, që këta të vazhdonin shkollën më lart. Pikërisht, në zbatim të kësaj porosie, Meçani dërgohet për të vijuar gjimnazin në Korfuz. Këtu, veç mësimit greqisht, dy ditë në javë bëhej mësim dhe në gjuhën shqipe. Në kujtimet e tij, Meçani tregon: “Kur mora vesh se do të vijoja shkollën në Korfuz, I. Qemali m’u duk perëndi dhe, kur fillova të mësoja e shkruaja shqip, më lindën në deja gjak shqiptari.” Dhe siç do të shihet, veç përhapjes së mësimit dhe të shkollës shqipe, përfshihet dhe në veprimtari atdhetare.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Meçani në moshën 18-vjeçare, hap me 1913 shkollën e parë shqipe në Vranisht, në fshatin e mikut Meto, që e ndihmoi të mësonte shqip. Pra, tani Kallarati kishte dy mësues të talentuar që përhapën mësimin e shqipes jo vetëm në fshatin e tyre, por dhe gjetkë.

Hapja e shkollës së parë shqipe në Kallarat

Shkolla shqipe e Kallaratit, që nga dita e hapjes më 20 tetor 1916 dhe deri në ditën që u mbyll më 2006, ka kaluar në disa etapa, që dallohen në veçoritë e tyre, të kushtëzuara nga zhvillimet në vendin tonë.

Etapa e parë përfshin periudhën 20 tetor 1916 deri në shtator 1920, kur u shporrën italianët nga Vlora. Hapja e shkollës së parë shqipe në Kallarat shënon ditën më rëndësishëm të popullit të shumëvuajtur. Kallaratasit këtë ditë e quajtën ditë të shënuar, ditë të kurorëzimit të kërkesave të tyre. Mësuesi i parë i shkollës ishte Hodo Jaho, i pasuar nga Musa Sinani, të dy borshjotë, dhe më 1918 Meçan Selam Qejvani. Godinën e nisur për xhami ata e kthyen në shkollë, e pajisën me pak orendi e mjete mësimore. Fëmijët mësonin dy vetë me një libër dhe me ndonjë copë hartë të vjetër.

Veçori dalluese e kësaj etape është se shkolla u zhvillua në kushtet e pushtimit italian. Për të përmbushur qëllimet e tyre shkombëtarizuese e kolonialiste, në shkollë, veç mësuesve shqiptarë, u vu si drejtor një mësues italian, maestro Xhulioti, dhe u fut mësimi i detyruar i gjuhës italiane. Megjithatë, hapja e shkollës u quajt një sukses i madh për fshatin. Maestrua italian nuk mundi të luante rolin kryesor, atë e luajtën mësuesit shqiptarë, si Telo Zhibi e Meçan Selami, të cilët e kundërshtonin me forcë.

Dashurinë dhe etjen për kulturë e dije të fëmijëve e ka pasqyruar në një libër maestrua italian i shkollës së Bolenës, i cili në librin e tij ngre lart kulturën italiane dhe mundohet të poshtërojë kulturën tonë. Por megjithatë, ai detyrohet të pasqyrojë drejt cilësitë e mira të popullit të Bolenës, që janë të përbashkëta me ato të Kallaratit siç janë zgjuarsia, etja për të mësuar, mikpritja për miqtë dhe urrejtja për armiqtë. Ai shkruan në librin e tij: “Fëmijët qenë të pajisur me një vullnet të mrekullueshëm dhe me shpirt emulacioni të madh.”

Etapa e dytë fillon në shtator 1920 deri në qershor 1923, kur u mbyll nga Qeveria e Xhafer Ypit. Qeveria e Fan Nolit, që erdhi në fuqi në qershor 1924, pati jetë të shkurtër, vetëm 6 muaj, dhe nuk arriti dot të bënte gjë për shkollat.

Në këto dy etapa të shkollës shqipe në Kallarat morën arsim tri klasë fillore rreth 70 vetë të moshave të ndryshme. Për t’u vënë në dukje është se midis tyre nuk figuron asnjë femër, gjë që tregon se sa të forta ishin paragjykimet. Mbyllja e shkollës u bë për mungesë fondesh, pasi qeveritë që erdhën në fuqi, nuk e quanin si detyrë të shtetit kombëtar arsimimin e popullit. Më 20 shtator 1923, pas mbylljes së shkollës, qeveria nxori një vendim, sipas të cilit shkollat mund të mos mbylleshin, po të paguante populli i katundit. Po popullin i Kallaratit në këtë periudhë e kishte mbërthyer një varfëri e madhe dhe nuk kishte mundësi të përballonte shpenzimet për pagesën e mësuesit. Kështu që fëmijët e Kallaratit mbeten analfabetë, me përjashtim të ndonjërit që shkuan të mësonin në vende të tjera ku kishte shkollë, ose mësonin si autodidaktë a me ndihmën e shokëve që kishin qenë në shkollë, siç kishin bërë të paret.

Etapa e tretë e shkollës fillon në shtator 1935 deri në korrik 1939. Përfaqësuesit e Kallaratit, me shpenzimet e fshatarëve, kishin shkuar disa herë në Tiranë për të kërkuar të hapej shkolla, por kërkesa e tyre binte ne vesh të shurdhët. Pas përpjekjesh të shumta, arriti puna që qeveria e Zogut, për të hapur shkollën vuri kushtet: “Të kishte një numër të caktuar nxënësish dhe fshati të siguronte vetë godinën e mësimit” (shkollën). Këto kushte u përmbushën dhe shkolla u hap. Në të u regjistruan dhe moshat e rritura, duke arritur numri i nxënësve arriti në 40–45 vetë. Ndërsa për ndërtesë, falë shpirtit human të hoxhës së fshatit, u përshtat xhamia e fshatit. Mulla Beqir Zhibi tha: “Të hapet shkolla në xhami, pa unë do ta fal xhihanë në qafë të Brodanit.”

Godina e xhamisë në qendër të Morrezës ishte një sallë e madhe, me kapacitet afërsisht 40- 50 vetë, me dysheme e tavan pishe dhe me katua, që mësuesit e përdornin si masë dënimi për nxënësit. Kjo u pajis nga vetë fshatarët me disa banka e stola dërrase të thjeshta, një dërrase të zezë, me një tavolinë e karrige për mësuesin. Kishte një ndarje të vogël ku pushonte dhe përgatitej mësuesi. Këtë dhomë mësuesi Remzi Mati e përdori për banim me gruan dhe vajzën. Në fillim, sipas marrëveshjes me hoxhën, ditët e premte dhe të festave fetare do të përdorej për shërbesa fetare; por më vonë mulla Beqir e përdori si xhami vetëm ditët e Bajramit e të Novruzit.

Shkolla ishte e pajisur dhe me disa mjete të thjeshta mësimore, si pak harta e globi. Me sakrifica, prindërit u siguronin fëmijëve abetaret, librat shkollorë, fletoret, lapsat, penë e shishe boje, që i mbanin në trasta leshi. Çdo nxënës kishte një dërrasë të vogël të zezë me vija, që shërbente për të mësuar dorën, në të cilin shkruhej me lapsa shtufi e shkumës.

Në shtator 1935, në klasën e parë të shkollës u regjistruan, veç atyre që i zinte mosha shkollore, që ishin të paktë, dhe të rriturit që s’kishin pasur mundësi të shkolloheshin më parë. U regjistruan edhe rreth 20 vajza. Gjatë 4 vjetëve të shkollës, nga 1935–1939, mbaruan tri klasë fillore rreth 73 vetë. Veçoria e kësaj etape është se zhvillohet pa pushtues, me numrin më të madh të nxënësve dhe në kushte disi më të mira të godinës dhe të pajisjeve. Edhe plotësimi i nxënësve me mjete mësimore ishte më i mirë.

Mësimet jepeshim me cilësi më të lartë, sidomos nga mësuesi normalist Remzi Mati. Ai i zhvillonte të gjitha lëndët mësimore, bënte mësimin e gjimnastikës, jepte edhe mësim kënge me fizarmonikë, organizonte shëtitje në vendet si Mesapliku, Lëngat e Vranishtit dhe në Bletëz të Kuçit, ku bashkoheshin dhe shkollat e tjera. Në fund të vitit shkollor organizohej një ceremoni në prani të prindërve, ku jepej një koncert me recitime, këndohej himni kombëtar dhe këngë për flamurin etj.

Mësues Remziu bëri disa ndryshime në shkollë. Më parë nxënësit në mëngjes dhe çdo pushim, kur do të hynin në klasë, viheshim në rresht dhe në hyrje duhet të nderonin me dorë në zemër fotografinë e Naltmadhërisë (Zogut), të vendosur në mur në krye të klasës. Këtë ai e thjeshtoi, duke e bërë rreshtimin dhe nderimin vetëm një herë në mëngjes. Po ashtu, në marrëveshje me pleqësinë, vendosi që çdo familje që kishte fëmijë në shkollë të sillte në verë një ose dy barrë dru, duke i shpëtuar fëmijët nga detyrimi që çdo mëngjes të sillnin nga një dru në shkollë, pasi mëngjeseve me ngrica u thaheshin duart.

Veç këtyre, mësues Remziu organizoi atë që mund të quhet punë prodhuese, rregullimin e mjedisit të shkollës. Na vuri të merrnim gurë nga përroi i Morrezës për ndërtimin e mureve të oborrit, krijoi një ngastër tokë ku u mbollën perime dhe lule, të cilave u shërbenin nxënësit. Madje, në verë, kur mbyllej shkolla, mësuesi bënte grafikun që çdo ditë një nxënës t’u shërbente perimeve dhe luleve. Pra, ai krijoi një kopsht botanik të vogël ku fëmijët mësonin të punonim, të mbillnin lule, perime etj.

Por me gjithë këto, shkollimi ishte i paplotë, pasi arsimi fillor ishte 5 klasë. Për ta përfunduar filloren, një pjesë që patën mundësi, e vijuan shkollën në Vranisht, Bolenë dhe gjetiu, duke marrë arsim komplet fillor. Kështu, në Bolenë e vijuan shkollën Perlat, Selam e Shaniko Meçan Qejvanaj etj. ; në Kuç Tare dhe Nedin Çelo Gjoni; në Mavrovë Hamdi, Nexhip e Zyber Shuaip Shero, Ahmet, Razip e Nuredin Karabolli; në Delvinë Arif Dalan Abazi, Hodo e Hamdi Zeqo; Dervish Nasip Qejvani në Borsh; Imer e Belere Daut Shakaj në Qishbardhë; kurse Mumin Selam Toçi, Nasip Shate Qejvani e Sinan Lame Petani mbaruan plotoren në Sarandë dhe në vijuan gjimnazin Tiranë; Nuredin Breshani mbaroi shkollën tregtare në Vlorë; Avdurraman Beqir Zhibi në normalen e Elbasanit.

Disa djem të Kallaratit vijuan edhe shkollat larta: Hasan Selam Toçi, pasi mbaroi medresenë në Tiranë, shkoi në Egjipt, ku mbaroi të lartën për letërsi dhe për teologji fetare. Izet Mejdi Bushi, Shahin Osmën Jonuzi, Veledin Ibro Rjepi dhe Demir Lato Haxhiraj vijuan akademinë ushtarake në Itali dhe u graduan oficerë. Dervish Hodo Shakaj e Abaz Muslli Shakaj mbaruan në Itali shkollën e ulët për nënoficerë; kurse Rruzhdi Petani, Lilo Dine Habili e Hasan Shamo Meçe mbaruan shkolla të ulëta ushtarake brenda vendit dhe u bënë nënoficerë etj.

Në shtator 1939 shkolla u mbyll për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Që nga viti 1916, kur u hap për herë të parë, e deri më 1939, dyert e shkollës mbetën hapur 11 vjet. Po, pavarësisht nga koha e shkurtër që qëndroi e hapur dhe nga arsimi gjysmëfillor që jepte, shkolla pati një rëndësi të madhe. Mbi 200 djem dhe vajza të Kallaratit kaluan në bankat e saj dhe ndihmuan edhe atë pjesë që nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollat. Po kështu, shkolla ndihmoi në përhapjen e kulturës dhe të dijes në popull. Kjo ndikoi shumë te djemtë dhe vajzat e shkolluara që të kuptonin më mirë dhe më shpejt nevojën e luftës kundër pushtuesit fashist. Pikërisht, ish-nxënësit e shkollës qenë të parët që morën pjesë me armë në Luftën Antifashiste, ku një pjesë dhanë jetën.

Arsimi në vitet 1945–2000

Megjithëse me pushtimin e vendit shkolla u mbyll, Partia Komuniste organizoi “shkollat popullore” në repartet partizane dhe në çdo fshat. Kursi i parë u hap në shtëpi të Hanko Janjit (Toçes), me afërsisht 20 të rinj e të reja. Mësues në fillim ishte partizani Xhemal Gjoni e më pas, kur ai shkoi partizan, punën e tij e vijoi Telo Zhibi. Edhe bijtë dhe bijat e Kallaratit që morën pjesë në rreshtat partizane, veç stërvitjes për të mësuar si të luftonin kundër armiqve, mësuan dhe shkrim e këndim shqip. Në shtator 1945 u çel shkolla fillore me katër klasë, që mori emrin “Mumin Selami”.

Kurset e ndryshme të zhvilluara gjatë Luftës dhe çelja e shkollës fillore, me arsimtarë të emëruar, shënojnë etapën e katërt dhe më të rëndësishme të arsimit në Kallarat. Arsimi dhe shkollimi gjatë kësaj etape ndryshojnë si në sasi dhe në cilësi nga etapat e mëparshme.

Së pari, ajo u zhvillua nën kujdesin e pushtetit popullor dhe mbi bazën e një strategjie të plotë. Për herë të parë në Kallarat kemi shkollë fillore të plotë, e cila ishte e detyrueshme. Hapja më 1967 e shkollës 7-vjeçare u krijoi mundësi fëmijëve të Kallaratit të mos shkonin në Vranisht a Bolenë si më parë për të vijuar ciklin e lartë, po ta merrnin arsimin e detyrueshëm shtatëvjeçar në vendlindje. Më 1976, shkolla u bë 8-vjeçare dhe vijoi pandërprerë deri më 2006, kur u mbyll u mbyll për mungesë nxënësish. Kështu, nga vitit 1945 deri më 2006, shkolla e Kallaratit i mbajti dyert hapur 62 vjet për qindra fëmijët e fshatit, po dhe të Pajamehut e të Lumit të Kuçit.

Me hapjen e 7-vjeçares, u ndërtua shkolla e re, me numrin e duhur të klasave e të mjediseve ndihmëse, si zyrë, sallë mësuesish dhe muze e, laboratorë, si dhe me pajisjet e nevojshme, si orendi mësimore, laboratorë e kabinete mësimore. Shkolla në vijimësi u plotësua me personalin e nevojshëm mësimor, me arsim e specializim përkatës. Në këtë shkollë kanë dhënë mësim rreth 30 mësues, nga të cilët 16 kanë qenë bij dhe bija të Kallaratit. Katër prej tyre kanë ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës, si Bilal Breshani, Çize e Violeta Xhaferi dhe Leftar Hysi. Arsimtarë vendës të saj që nga fillimi kanë qenë Telo Zhibi, Xhemal Gjoni, Enver Golloshi, Sami Karabolli, Hamit Muharremi, Servet Golloshi, Namik Mehmeti, Kujtim Hysi, Hasan Mehmeti, Jazo Sinavarfi (Davaci), Shelege Karabolli, Burbuqe dhe Dafina Meçan Qejvani.

Në Kallarat kanë dhënë mësim dhe 13 mësues nga vende të tjera: Safet Gjoni nga Fterra, Kozma Llazari nga Çorrajt, Jahja Jajai nga Kavaja, Mërgim Korça, Liza Doda nga Shkodra, Nevzat Velaj nga Vlora, Feti Mezini nga Bolena, Lefter Beqiri nga Tërbaçi, dhe Xhevo Kaçaj, Shaban Halili, Lumturi Godaj, Naxhie Bisha, Idajet Gjokutaj nga Kuçi, Viron Avduli nga Tragjasi, Vasil Tata nga Kudhesi etj. Me përkushtimin e tyre dhe me kujdesin e treguar për t’u dhënë fëmijëve të Kallaratit arsimin e planifikuar, ata kanë gëzuar dashurinë e nxënësve dhe respektin e prindërve.

Gjithashtu, mësuesit e Kallaratit kanë dhënë kontributin e tyre në përhapjen e dijes dhe të kulturës në fshatra dhe krahina të tjera, si Telo Zhibi, Meçan Qejvani, Jazo Davaci, Namik Mehmeti, Enver Golloshi, Fatmir Mataj, Rami Memushaj, Llambro Hysi, Kujtim Hysi dhe Bilal Shakaj, Shelege Karabolli, Dafinë e Burbuqe Qejvani etj.

Krahasuar me etapat e mëparshme, arsimi i kësaj etape ndryshon në mënyrë cilësore. Qeveria zogiste, më 1935, kur u hap shkolla në Kallarat, dha alarmin për rrezikun e “superprodhimit intelektual”. Ministri i Arsimit Fejzi Alizoti dhe këshilltari italian pranë kësaj Ministrie trembeshin se gjimnazet e vendit do të krijonin papunësi intelektuale për njerëzit me diplomë. Shkollimi i të varfërve u sillte telashe, pra, për të drejtuar dhe sunduar pa telashe, populli duhet të ishte analfabet. Prandaj për Kallaratin qeveria zogiste dha gjatë 15 vjetëve vetëm 8 bursa, nga të cilat 5 për studime të larta jashtë shteti: 4 për oficerë në Itali dhe një për teologji në Egjipt.

Kurse plani strategjik i qeverive nga viti 1945 e këndej ka qenë arsimimi masiv i popullsisë, sipas shkallëve deri në marrjen a arsimit të lartë. Vendi nuk mund të dilte nga prapambetja shekullore, pa zhdukur analfabetizmin dhe pa shkollimin e brezave të rinj. Menjëherë pas çlirimit të vendit, veç hapjes së shkollës, u dha orientimi që brenda një kohe të shkurtër të zhdukej analfabetizmi në moshat deri 50 vjeç. Në Kallarat, më shumë se 70% e popullsisë ishin analfabetë dhe pjesën më të madhe të analfabetëve e përbënin gratë. Hapja e kurseve kundër analfabetizmit dhe puna e përkushtuar e mësuesve bashkë me zellin e parrëfyeshëm të “nxënësve” bëri që më 1955, me përjashtim të rreth 30 burrave dhe 42 grave shumë të moshuara, të gjithë të tjerët të mësonin shkrim e këndim. Shembull në këtë drejtim u bënë gratë, si Duze Barjami, Xhevo Jonuzaj, Shaze Qejvanaj etj., megjithëse ishin në moshë të madhe.

Për të plotësuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme me kuadra që i duheshin vendit, pushteti organizo hapjen e shkollave të ulëta e të mesme profesionale dhe të kurseve të ndryshme, pa lënë pas dore dhe marrjen e arsimit të lartë. Në fillim, nga Kallarati u dërguan djem dhe vajza, që mësuan për mësues, llogaritarë, specialistë bujqësie, ndërtimi, minierash, mjekësie si dhe në shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe në Shkollën e Bashkuar etj. Për të përgatitur specialistë të lartë, mjaft djem u dërguan qysh në fillim të mësonin në shkolla ushtarake dhe civile në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera socialiste deri në Kinë, si: Avduram Zhibi, Banush Rjepi, Hamit Qejvanaj, Dalan Memushaj, Nedin Hoxha, Namik Abazi, Hane Petani, Nexhip Memushi, Hajri Zhibi etj. Me hapjen e shkollave të larta në vend, shumë djem e vajza kallaratas u dërguan me bursë për studime në to.

Veç marrjes së arsimit me shkëputje nga puna, një pjesë djemsh dhe vajzash të Kallaratit vijuan studimet e mesme e të larta pa shkëputje nga puna, me korrespondencë ose natën. Nga shkollat profesionale me dhjetëra të rinj e të reja kallaratas dolën teknikë të mesëm ndërtimi, minierash, bujqësie, shëndetësie, arsimi, kulture etj.

678 613489358677206 826175146 nNë këtë etapë 62-vjeçare mund të thuhet së është kryer një revolucion i thellë në arsimimin e bijve dhe bijave të Kallaratit. Për këtë mjafton të krahasojmë gjendjen arsimore të fshatit më 1945 me atë më 2003. Më 1945 kishte rreth 160 vetë me arsim fillor (tri klase), 10 me të mesme dhe 4 vetë me shkollë të lartë ushtarake, kurse më 2003 vetëm me arsim të lartë në të gjitha degët janë 350 vetë, nga të cilët: oficerë me akademi dhe shkolla të larta brenda dhe jashtë shtetit 70 vetë plus 40 oficerë të dalë nga Lufta; ekonomistë 31; inxhinierë 28; agronomë e zooveterinerë 17, nga të cilët një me gradën shkencore “doktor i shkencave” (Llano Llanaj); mjekë 15, nga të cilët një me gradë shkencore (Hanëme Patani), merceologë 2 mësues 85, nga të cilët një me gradë shkencore (Rami Memushaj); gazetarë e krijues 11 (nga këta, gazetarja Arta Dodo Tozaj është korrespondente e Televizionit “Top Channel” në Këshillin e Europës në Bruksel); juristë 11; me arsim të lartë filozofik 11; psikologë 3; dhe në veprimtari të tjera (shkrimtarë, artistë, këngëtarë, piktorë, skulptorë, sportistë) 26 vetë[2]. Në ushtri dhe polici kanë shërbyer mbi 35 nënoficerë, nga 7 që para Luftës.

Nga Kallarati janë 8 pedagogë, që kanë dhënë ose japin dhe sot mësim në Universitete: dr. Hane Rruzhdi Peetani, prof. dr. Rami Veip Memushaj, Seit Maze Jonuzi Hasan Boço Mehmeti, Sonila Cane Strati (Limaj), Fatbardha Cane Strati, Gafur Hasan Meçaj e Yllka Razi Golloshi. Në periudhën 50-vjeçare, nga 1945 e deri në ditët tona, Kallarati është përfaqësuar në Kuvendin Popullor me 4 veta: Duze Barjami, deputete në të gjitha legjislaturat derisa vdiq më 1961; Sihat Tozaj në 5 legjislatura; Sulltanë Veip Gjombrataj në dy dhe Gafur Hasan Mece në një legjislaturë në parlamentin pluralist. Afërsisht 40 djem dhe vajza të Kallaratit, me përjashtim të drejtorëve të shkollave dhe pedagogëve të universiteteve, për periudhën pas Çlirimit, kanë pasur funksione të ndryshme drejtuese. Sihat Tozaj arrin te marrë postin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv në Vlorë, të sekretarit të parë të komitetit të partisë së Punës në Gjirokastër dhe sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sinan Tozaj mund të konsiderohet drejtues veteran në industrinë e minierave, i dekoruar me titullin më të lartë “Hero i Punës Socialiste” dhe si veteran e invalid i LANÇ i dekoruar me medalje nga Presidenti Rus Jelsin dhe ai amerikan Klinton në Moskë. Llano Llanaj ka qenë drejtor i Institutit të Agrumeve dhe Ullirit në Vlorë.

Në organet ushtarake (ushtri e polici), pas Çlirimit kanë pasur përgjegjësi ushtarako-politike mjaft kuadra: Rruzhdi Petani, Hamit Qejvani, Esat Breshani, Dalan Memushaj, Seit Jonuzaj, Nedin Gjoni, Selam Qejvanaj, Razi Golloshi, Sinan Strati, Vasil Xhaferi, Besnik Gjombrati, Mehmat Karabolli, Arif Abazi, Namik Abazi, Sadik Gjombrati, Agim Strati, Kujtim Hysi, Sami Karabolli, Haxhi Gjoni, Kasëm Demiri, Dodo Tozaj, Qerim Breshani, Neshat Tozaj, Sinan Petani, Çune Qejvani etj.

Marre nga Libri “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strati


[1] F. Mero Rrapaj, Këngë popullore të Labërisë, Tiranë, 1991, kënga 834.

[2] Të dhënat janë përpunuar në bashkëpunim me Razi Golloshin dhe Besnik Gjombratin. Emrat për shkurtim i hoqa, se janë pasqyruar në broshurën “Kallarati në shifra. Burime njerëzore”, botuar nga Llano Llanaj dhe Seit Jonuzaj.



Next Post

Mësuesit kallaratas në vite

Die Pri 22 , 2012
LISTA E MESUESVE QË KANË PUNUAR NË SHKOLLËN “MUMIN SELMI” NDËR VITE – 1916-1923 1. Jaho               Hodo             Borsh 2. Musa              Sinani           Fterrë 3. Telo                Duro              Kallarat 4. Xholito           Gulielmo         Itali 5. Mecan            Selami           Kallarat 6. Istref                Pulo               Borsh 1935-1940 7. Adem              Hodo              Borsh 8. […]