Nga Petrit QEJVANI
Atdheu im
Mërmërimë e pafund e zërave të grave dhe burrave të fisit tim
Lindjet dhe vdekjet
me baltën tënde ngjeshur
Gjithçka imja: vesa e mëngjesit dhe gurët e përjetshëm,
Gurë malli,
që rëndojnë në zemrën time më tepër se në tokë
Kockë e pathyeshme e gjeneratave ,
që ripërtërihen si bari
Këngë madhështore
e gjokseve të gjalla dhe të vdekura
Me një finale
si maja e maleve
Për herë të fundit
Mbi truallin tënd rënça
Me buzë të çara
nga etja,
nga malli…