Ti më the rastësisht, fare pa kuptim
Se një të vdekure s’ke ç’i bën
Unë s’e kuptova pse ishte fjala dhe thashë:
Kjo vajzë-grua ka luajtur mendsh.
Ku ta dija se ty diçka të shqetësonte
Në gji, në pjesën më të bukur për një femër
Dhe, kur në sytë e tu lotët veshën beben,
Një thikë e mprehtë më theri në zemër.
Si mundet vërtet të ishte ashtu?!
Unë këtë kurrë s’do ta besoja
Kaq thjesht të ikje nga bota ti,
Ti, që çmendurisht të dashuroja?
Si mund të ikje kaq pa pritur
Ti, e bukur si Borëbardha e përrallës
Kaq i papërgjegjshëm të ishte vallë zoti,
Sa të merrte ty-yll bukurie të rrallë?!
Dhe supelëshuar thosha: zoti qenka çmendur
Që kërkon të marrë një yll, një shpirt
Ai, më në fund, i bindur nga hiret e tua
E urdhëroi vdekjen të tërhiqej.
Petrit Qejvani,2000