Kur akrepat e orës puthën njeri-tjetrin
zilja e telefonit më ftoi ta ngre.
Gëzuar vitin e Ri.
Ishte një zë gruaje i butë si kadife
plot mister në vetminë e dhomës sime të errët.
E pyeta kush ishte, i drojtur,
se mos më ikte
si një zog i bukur,
që këndon
në degën e shpresës së akullt.
Një grua, tha dhe e mbylli telefonin.
Për pak çaste
dhoma u mbush me zogj, që këndonin
dhe befas ngrinë
në mes të këngës.
Petrit QEJVANI, 2006