ANATOMIA E KRIMIT DHE MORALI NË KRIZË. Nga Petrit Qejvani

                      

PetritQejvaniAnatomia e krimit në vend po pasurohet cdo ditë  monstruozisht.Tashmë askush nuk mund të mohojë që Shqipëria është kthyer në një laborator krimi. Përditë e më tepër fytyra e krimit bëhet më e përbindshme, aq sa dhe fantazia më e shfrenuar nuk mund ta imagjinojë.

 

Por krimi i fundit në Xhafzotaj ka shokuar me të drejtë opinionin pasiv shqiptar. Natyrisht, që të gjithë, besoj, bashkohen në vlerësimin  e fabulës së krimit ( marrëdhëniet kriminel-viktimë) deri te përfundimi i kësaj marrëdhënie anormale, me një fund tragjik për viktimën “fajtore pa faj”. Përtej hulumtimeve sociale- psikologjike për të gjetur justifikimin e kësaj historie absurde, (cka duhet bërë nga njerëzit e duhur në vendin e duhur) është e nevojshme të kuptohet c’ka ndodhur në moralin e shqiptarëve këto dy dekadat e fundit.

 

Krime si ky apo të ngjashëm me të tregojnë në mënyrën më elokuente krizën morale të shoqërisë sonë  apo moralin tonë në krizë. Ato tregojnë se përmbysja rrokopujthi dhe mekanike e moralit të mëparshëm (le të themi tradicional) është dicka e komplikuar dhe se shoqëria jonë nuk i lan dot kaq shpejt duart me të, sikundër p.sh: i lan fjala vjen me politikën, ku konceptet dhe strukturat e vjetra shtetërore i zëvendëson me të reja shumë më  shpejt. Sepse kodet morale, konceptet morale ndryshojnë shumë ngadalë (me breza njerëzorë) dhe se disa vlera morale janë të përjetshme dhe nuk mund të njësohen e rrëzohen me sistemet politike. Nga ana tjetër, zelli i tepruar për të përqafuar gjthcka ka sistemi i ri si pozitive, nuk është një altenativë e suksesshme.

 

Nga një shoqëri me kod moral të rreptë dikur, (para viteve’90) shoqëria ë sotme shqiptare është pa një kod të ri moral. Njeriu shqiptar vërtitet i dyzuar midis kodit të vjetër tradicional dhe tundimit të moralit të ri borgjez, ende të pa kodifikuar, pra, të pranuar gjerësisht si një moral i ri. Disa vlera morale tradicionale u quajtën si produkte të socializmit dhe për këtë shkak u anatemuan pa të drejtë. Kështu, u shkelmuan dhe disa vlera të përhershme, të domosdoshme për të mbajtur në këmbë familjen, si bërthamën e shoqërisë, si p.sh besnikwria bashkëshortore, shenjtërimi i familjes, që u quajten jo rrallë, demode, anakronike.  Largimi me shpejtwsi nga tabuja u quajt celësi i mënyrës së re të jetesës. Pra, kontrata e martesës mund të shkelej nga njeri apo tjetri, dhe kjo shihet si një kontratë e zakonshme.    

 

Marrëdhëniet dashurore në përgjithësi u trajtuan si marrëdhënie tregu, thjesht më jep-të jap, duke u zhveshur mga” magjia” karakteristike. U ngrit në qiell liria pa kufi dhe trupi njerëzor,vecanërisht i femrës, u shndrrua në metaforë, duke u parë thjesht si burim kënaqësie fizike. Liria seksuale u trumbetua si flamuri i të gjitha lirive! Vecanërisht kjo te femrat. Shtimi i divorceve me protagoniste femrat u shenjua si fitore e lirisë(!) dhe jo edhe si krizë e familjes. U cvlerësuan disa gjera të shenjta e të shtrenjta për cdo kohë, të pakonvertueshme materialisht, si dashuria dhe trupi i njeriut, që jo rrallë konsiderohen mall. Njeriu shqiptar u quajt i paditur në cështjet seksuale, thua se nuk e njhte më parë  trupin e tij(!), ndërkohë  që raca njerëzore,(dhe ajo shqiptare) kanë ardhur për bukuri deri në ditët tona pa mësime “speciale” për seksin, pasi seksi është dicka insinktive, e trashëguar. Kaq keq është shpërdoruar propaganda për seksin, saqë shumë prindër (natyrisht “intelektualë”) në vend të porositin fëmijtë e tyre të marrin librat me vete, i porositin, kur shkojnë në shkollë, të mos harrojnë prezervativin ose kontraceptivët e tjerë.!..(a thua se shkojnë në stallë!)

 

Një industri e tërë në funksion të “emacipimit”, duke filluar që nga bisedat në studiot televizive me femra “moderne” e meshkuj liberalë “jashtë derës së shtëpisë”, te intervista me ca “artise” që tregojnë se tani për tani janë pa dashnorë (hata e madhe kjo(!)), te telenovelat e mbushura me tradhti bashëshortore, me shfaqje të tipit “big bother”, ku drejtuesja ngazëllehet nga suksesi që në big brotherin e parë u realizua puthja live e deri te i fundit ku ”suksesi”qe i paparë, pasi u bë seks live! Dhe deri te konsiderimi i raporteve dashurore apo martesës si “ekskursioni i radhës”.

Në një atmosferë të tillë të shplarjes së trurit, ku janë marrosur dhe 70-80 vjecarët(!)  është normale që të marrosen adoleshentët dhe të rinjtë. Dhe të ketë edhe drama si ajo e Xhafzotajt, apo ajo e vrasjes trefishe, ku, për habi të të gjithëve dhe kundër logjikës së gjërave, gruan nuk e vret burri për tradhti (megjithëse as kjo nuk përligjet), por e vret njëri nga dashnorët! Dhe lidhur me këtë, një e ftuar (ishte grua, jo vajzë) në një studio televizive, në mbrojtje të gruas-viktimë (duhet të ishte e një shoqate për mbrojtjen e grave) tha se një femër mund të shkojë edhe me tre meshkuj njëherësh(!), por ti s’ke pse e vret. Duke e banalizuar problemin (shih konceptimin ë “lirisë” seksuale) ajo harron se këto janë raporte midis njerëzish, se të bësh dashuri nuk mjafton vetja jote, por duhet dhe një tjetër (partneri) dhe se marrëdhëniet intime janë marrëdhëniët më të ngushta dhe prandaj ato janë të komplikuara edhe vetëm me një person, pale pastaj me dy apo tre. Në këtë rast nuk merret fare parasysh që ne vijmë nga një shoqëri patriarkale dhe se, edhe në vendet e zhvilluara, ngjarje të tilla ndodhin për shkak të cilësisë së këtyre marrëdhënieve.

 

Një shoqëri  si kjo jona ku secili lëviz për hesap të vet, pa pyetur për ligj e rregull, ku shteti nuk është në lartësinë e tij, ku ndëshkimet janë qësharake, ku kufiri midis  virtytit dhe vesit është bërë kaq diskret sa virtyti dhe vesi shpesh ndrrojnë vend, ku fshatari medon se bëhet qytetar që ditën e parë të zbritjes në qytet, ku është përmbysur rendi i gjërave, dhe, mbi të  gjitha, ku shoqëria nuk ka guxim të shohë të metat e veta, por mbulon kokën si struci, nuk ka  se si të mos presësh drama të reja.     

 

Në një shoqëri  ku muza kryesore është paraja dhe  deviza  është qejfi ( shikim ky vecanërisht shqiptar i kapitalizmit!) dhe kur këto shumica s’i realizon dot, doemos që drama të tilla do jenë të zakonshme dhe ne më kot do ngremë supet të habitur (nga padija apo hipokrizia) pas cdo drame të re. Problemin e komplikon edhe tendenca (si ajo e shfaqur në politikë për gjoja deideologjizimin e botës pas rënies së murit të Berlinit) për demoralizimin (zbrazjen nga morali) e botës moderne pra, për një botë pa moral (pa rregulla morale të pranuara nga të gjithë)! Ose të kuptuar si “cdo individ ka moralin e vet”!…

 

Nga ana tjetër, dihet që kapërcimet morale gjithmonë janë traumatike. Prandaj pasthirrmat keqardhëse nëpër studiot televizive tingëllojnë hipokrite.. Periudha nga morali patriarkal në atë liberal do të jetë me kosto morale dhe humane si kudo gjetkë.. Për këtë të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm.

 

Tetor,2012

Next Post

Fshatrat Kuç dhe Kallarat kthehen në ishuj të izoluar. Nga Fatmir Toci

Die Shk 3 , 2013
 1000 BANORË TË KURVELESHIT TË IZOLUAR PREJ DY JAVËSH. Lumi i Shushicës gllabëron 200 metra rrugë nacionale, shteti bën indiferentin. Fshatrat Kuç dhe Kallarat kthehen në ishuj të izoluar, në rrezik jeta e banorëve. Dy javë më parë kemi njoftuar, madje kemi dhënë alarmin për izolimin e fshatrave Kurveleshit të […]
Fatmir Toci