ANONIM APO I IDENTIFIKUAR?

NJË PYETJE PËR TË GJITHË KOMUNITETIN KALLARATAS TË FACEBOOK-UT TË SHOQATËS “KALLARATI” DHE MË GJERË.

Është bërë e modës që kohët e fundit në rrjetet sociale, siç ndodh edhe në fb e shoqatës, afrohen për shoqëri e miqësi njerëz anonim, njerëz me pseudonime, me nofka, pa foto, ose ndonjë foto pa lidhje me personalitetin e tij dhe të bëjnë moral e hiqen sikur u dhimbset vendlindja ose origjina e të parëve të tyre. Dhe hajde komuniko me ta, e hajde të kuptosh se kë përfaqësojnë dhe pse nuk identifikohen. A thua se kanë frikë? Po nga kush? Jo nuk e besojmë se është kjo, por si duket e kanë më të lehtë “të hedhin gurin e të fshehin dorën”.

Prandaj me të drejtë shtrojmë pyetjen: Si është më mirë, që në fb të identifikohemi me emrin e mbiemrin shqiptar të gjendjes civile e me foton tonë, apo me pseudonime në shqip, a në gjuhë të huaj?

(Pyetje e hedhur për diskutim të lirë me shokët e miqtë e fb-ut)

A mendoni se është normale të shkëmbesh mendime, a të bësh replikë me dikë anonim, pa e ditur se kush është, nga është, çfarë moshe, gjinie e profesioni ka? Besoj se jo. Pseudonimet zakonisht përdoreshin në kohën e luftës nga partizanët për të mos u diktuar nga armiku dhe në kohën e sistemit të kaluar nga sigurimi i shtetit për bashkëpunëtorët e tij. Pseudonimi gjithashtu është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe poetë me famë botërore, ashtu siç ka patur edhe shqiptarë me pseudonim, që për arsye të ndryshme në krijimet e tyre nuk prezantoheshin me emrin e tyre të vërtetë, edhe pse emri i tyre në publik njihej, por kjo kategori është tjetër dhe nuk mund të krahasohet me anëtarët e fb-ut të sotëm.

Sot në demokraci, që çdo njeri është i lirë të shpreh hapur mendimet e tij, cilado qofshin ato, nuk është e nevojshme të jetë anonim. Pseudonimin dikush edhe mund ta mbajë, nëse i nevojitet me shoqërinë e tij, por jo në fb e shoqatës. Përdorimi i pseudonimit është në të drejtën e vet personit, që ka zgjedhur atë mënyrë të mosidentifikimit të emrit real, por kur shkruan diçka te fb i shoqatës, apo bën një replikë, nuk është aspak etike e morale të jetë anonim, të paktën në fund të shkrimit, apo komentit të bërë, le të vendosë emrin e tij, të dimë me kë kemi të bëjmë, që edhe përgjigja për të, të jetë konkrete. Ne nuk na shqetëson fakti, pse dikush bënë një vërejtje a shpreh një mendim ndryshe. Ka plot në fb, që bëjnë vërejtje e shprehin mendim ndryshe, por janë të identifikuar dhe me dashamirësi i mirëkuptojmë dhe na mirëkuptojnë për atë çfarë thonë dhe kërkojnë. Gjejmë rastin që këtë kategori shokësh e miqsh t’i falënderojmë. Prandaj mirë është që çdokush të ketë emrin e vet që i ka vënë nëna e baba, edhe pse sot mund të mos i tingëllojë bukur, me të drejtën e tij ligjore ta ndryshojë, veçse në Gjendjen Civile të Republikës së Shqipërisë, apo të shtetit ku ka lindur. Po nëse fb i shoqatës tonë nuk do të identifikohej me emrin “Kallarati”, po me një emër kot pa lidhje, si do merreshim vesh që jemi kallaratas??

O njerëz! Vendosni emrin, mbiemrin dhe foton tuaj se do ndiheni më të vlerësuar. Vetëm në këtë mënyrë, duke qenë të identifikuar mund të shkëmbejmë informacione e të shprehim mendime të lira e të merremi vesh me njeri tjetrin, se fshat i vogël jemi. Secili duhet të ndihet krenar për emrin e tij, për mbiemrin, që përfaqëson një fis në Kallarat dhe pastaj të ndihemi krenar që jemi kallaratas e shqiptarë.

Faleminderit dhe presim komentet Tuaja

Kryesia e shoqatës “Kallarati”

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

TË NJOHIM DHE PREZANTOJMË BREZIN E RI KALLARATAS BRENDA DHE JASHTË ATDHEUT

Sht Shk 12 , 2022
INTERVISTË ME INXHINIERIN SHQIPTARO – AMERIKAN SELO QEJVANI (Dhënë për gazetën Kallarati)         Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ Selo Myzafer Qejvani, larguar nga Kallarati në moshë të re në kërkim të një jete më të mirë si shumë moshatarë të tij, fillimisht në Greqi e më pas në Mbretërinë […]