TË NJOHIM DHE PREZANTOJMË BREZIN E RI KALLARATAS BRENDA DHE JASHTË ATDHEUT

INTERVISTË ME INXHINIERIN SHQIPTARO – AMERIKAN SELO QEJVANI

(Dhënë për gazetën Kallarati)

 

 

 

 

Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ

Selo Myzafer Qejvani, larguar nga Kallarati në moshë të re në kërkim të një jete më të mirë si shumë moshatarë të tij, fillimisht në Greqi e më pas në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2006 i bashkohet trungut familjar me banim në Michigan të Shteteve te Bashkuara te Amerikës (SHBA), aty ku babai i tij, Myzaferi kishte disa vite që ishte vendosur. Aktualisht Selua që nga viti 2012, jeton në Norfolk, Virginia.

Selua, është diplomuar Inxhinier Civil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon në këtë profesion po në Norfolk. Selua, përvese një profesionist i zoti, është edhe një djalë që e do sportin, një djalë që e do detin, një peshkatarë i mirë, por edhe instruktor i aftë për t’u mësuar të tjerëve si të peshkojnë në brigjet e Oqeanit Atlantik, falë edhe afërsisë së shtëpisë së tij me lumin Shushica në Kallarat. Gjeneral Tonin Marku, një ish përfaqësues ushtarak shqiptar në Komandën Aleate për Transformim të NATO-s (Allied Command Transformation) në Norfolk, duke u njohur nga afër me Selon shprehet: “Selua është një djalë inteligjent, me kulturë, tradita, norma të komunikimit e të edukatës, që qysh në takimin e parë të bën ta dëgjosh e respektosh. Por ai është edhe një patriot i flaktë i çështjes kombëtare, i cili ruan si gjënë më të shenjtë traditat dhe zakonet shqiptare. Në zyrën dhe shtëpinë e tij do të gjesh të shpalosur flamurin shqiptar dhe fotot e gjyshit e të gjyshes së tij, e cila jeton ende, për të cilët shprehet Jam krenar që jam nipi i tyre, pasi gjithmonë më kanë mbajtur afër dhe me kanë përkëdhelur si birin e tyre”.

Me dashurinë ndaj vendlindjes, Kallaratit, nëpërmjet intervistës së mëposhtme ai na njeh me jetën e tij, me emigrimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshtatjen dhe integrimin me jetën dhe kulturën amerikane dhe në fund jep mesazhin për kallaratasit, se me punë, vullnet dhe shkollim njeriu mund të arrijë gjithçka, qoftë në Shqipëri apo jashtë vendit. “Kudo që mund të të jepet rasti të jetosh, ndihu krenar që je shqiptar”– thekson Selua në fund të intervistës së tij, dhënë me shumë kënaqësi për gazetën Kallarati.

Pyetje. Amerika deri para disa vitesh ishte një ëndërr për shqiptarët, patjetër edhe për ju dhe familjen Tuaj. Si arritët në Amerikë?    

Unë përfundova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë babës tim, Myzi Qejvani, që kishte hedhë baza dhe dokumentuar të gjithë familjen. Të them të drejtën fillimisht Amerika nuk më pëlqeu, pasi ishte ndryshe nga Evropa ku kisha jetuar me parë. Pas pak vitesh këtu fillova të vija re se në këtë shoqëri qeveriste meritokracia. Vura re se të gjithë ishim emigrantë që e quanim veten amerikanë. Amerika është atdheu im i dytë dhe ndihem në vendin tim këtu. Kam shumë miq e shokë vendas dhe jam me fat dhe krenar të jem pjesëtar i kësaj shoqërie.

Pyetje. Në çfarë vendi të Amerikës jetoni? Ndonjë përshtypje të veçantë mund të jepni?

Bashkë me familjen time tani jetoj në qytetin Norfolk, në shtetin Virginia të Shteteve të Bashkuara, pasi më parë deri në vitin 2006 kam jetuar në shtetin e Michiganit.

Pyetje. Çfarë shkolle kryet në Amerikë dhe a ndjetë vështirësi, qoftë të gjuhës, por edhe të përshtatjes me sistemin në arsimin amerikan? 

Unë kam përfunduar Bachelor Of Science in Civil Engineering dhe Master of Engineering në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programi ishte i ngjeshur për faktin që krahas shkollës edhe kam punuar për të mbështetur veten gjatë gjithë kohës që shkoja në shkollë. Kjo, që studentët të punojnë gjatë fazës së shkollimit, këtu në Amerikë është krejt normale. Gjuha angleze nuk ka qenë problem, pasi më parë kisha jetuar katër vite në Mbretërinë e Bashkuar, në Angli dhe Skoci. Sistemi i shkollimit këtu është shumë praktik në krahasim me atë që kishim në Shqipëri gjatë viteve 1995 kur isha nxënës në shkollë të mesme. Shkolla e Inxhinierisë Civile, që kam kryer, ishte një sfidë që më pëlqente. Punoja mirë në grup me studentë të tjerë, por edhe jam dedikuar shumë ndaj studimit. Kam gdhirë netë të tëra në bibliotekë. Një fakt është që shkollën e inxhinierisë këtu në SHBA unë e kam filluar nga zero, pa konvertuar asnjë diplomë të mëparshme. Kjo me pajisi me një bazë të fortë të shkencës, si edhe komunikimit.

Pyetje. Çfarë pune bëni aktualisht dhe a ndihesh i lumtur dhe i motivuar?

Unë punoj për qytetin e Norfolk. Titulli im është inxhinier (Senior Design and Construction Project Manager). Unë jam Inxhinier Civil i licencuar në shtetin e Virginias. Unë kam njohuri në pesë aspektet e Inxhinierisë Civile që janë: Gjeoteknika, Transortimi, Strukturat, Ambienti dhe Burimet Ujore (Hidraulika), dhe Ndertimi. Puna ime përfshin planifikim, hartim dhe implementim të projekteve të ndryshme, ku ka nevojë për rinovim infrastrukture në qytetin e Norfolk. Unë siguroj që e gjithë skuadra e përfshirë në projekte si konsulentë inxhinierë/arkitektë, kontraktorë dhe lojtarë të tjerë të punojnë së bashku për të arritur përfundimin me sukses të projekteve.

Unë jam i përfshirë në disa projekte që përbëjnë ndërtimin e rrugëve, tubacioneve, stacione pompash, diga, ura, parqe, ndërtesa, etj. Ndiem i privilegjuar që njerëzit këtu më besojnë mua në menaxhimin e projekteve të komplikuara dhe më pëlqen shumë sfida që duhet të gjej zgjedhje nëse dalin probleme. Unë vesh disa kapele si të themi, sepse jam së pari shërbyes publik, gjithashtu jam dhe ekspert si inxhinier dhe kam mësuar shumë për ligjet e rregullat kontraktuale, si edhe marrëdhëniet me publikun. Puna ime është në zyrë, si edhe në terren. Kam fatin e mirë që punoj me kolegë shumë të mirë, të cilët më kanë marrë nën krahun e tyre që kur isha i ri në profesion, më kanë trajnuar dhe më vlerësojnë. Ndihem i motivuar kur arrij të negocioj mosmarrëveshje dhe zgjidh probleme. Jam i lumtur në punën që bëj.

Pyetje. Kohët e fundit ju kemi parë që si inxhinier ndoqët zbatimin e një projekti në Norfolk, a mund të na thoni diçka më tepër rreth tij?

Unë jam përfshirë në një sërë projektesh të qytetit. Një nga projektet që jam i përfshirë kohët e fundit përbëhet nga fonde federale prej afërsisht 120 milion $. Objektivi i projektit është rinovimi i infrastrukturës së dy lagjeve që përmbyten gjatë stuhive të mëdha këtu në Norfolk. Norfolku është i rrethuar nga shumë trupa uji si: Gjiri i Chesapeake dhe shumë lumenj dhe lartësia është shumë pak lart nivelit të detit. Objektivi i projektit është të menaxhohet rreziku i përmbytjeve dhe të krijohen kushte për të ndërlidhur lagjet me njëra-tjetrën dhe për të përmirësuar jetën e banorëve të këtyre komuniteteve. Jemi në fazën e ndërtimit gjatë dy viteve të fundit dhe kemi dhe një vit pune përpara. Kemi pasur sfida të pafundme, por mendoj se do ta përfundojmë punën në kohë.

Pyetje. Shpesh ju shohim në parada me ushtarakët shqiptarë në Norfolk, veshur me kostume popullore shqiptare dhe me flamurin kombëtar, a është ndjenja e patriotizmit dhe malli për atdheun që ju shtyn ta bëni këtë?

Unë jam shqiptar dhe ndjenjën kombëtare e kam shumë të theksuar, të trashëguar edhe nga të parët e mi, por të qenurit larg atdheut të bën ta përjetosh edhe më tepër atë, prandaj unë në shtëpinë time, ashtu si edhe në zyrën e punës mbaj me krenari flamurin kombëtar shqiptar. Me komunitetin shqiptar këtu kalojmë mjaft mirë dhe mblidhemi e festojmë së bashku çdo festë kombëtare, sidomos atë të pavarësisë. Është rast për t’u takuar me njeri tjetrin, të festojmë e të flasim gjuhën tonë. Por në Norfolk ndodhet edhe Komanda Strategjike e NATO-s, (Allied Command Transformation), ku në përbërje të saj ka edhe ushtarakë shqiptarë, me të cilët jemi miqësuar shumë, ku mund të përmend gjeneralin mirditor Tonin Markun, kolonelin Isuf Hamataj e plot të tjerë. Çdo vit në Norfolk organizohet një paradë nga të gjitha vendet e NATO-s, ku secili vend, përfshi edhe Shqipërinë, nëpërmjet tendave, afishimeve dhe parakalimit paraqesin vlerat historike, kulturore, artistike, turistike, zakonet e traditat më të mira të vendit. Në këtë paradë marrin pjesë  pjesëtarë të komunitetit shqiptar me banim në zonën e Hampton Roads, ku dhe është e vendosur Komanda e ACT-së, pjesëmarrës së cilës prej vitesh është edhe familja ime dhe prindërit, të veshur me kostume kombëtare dhe me flamurin kombëtar. Nuk ka më bukur se sa të përfaqësosh traditat dhe zakonet shqiptare në një vend të huaj, siç është Amerika, ku të drejtat e njeriut, pavarësisht kombësisë, besimit e ngjyrës janë të garantuara në nivelin më të lartë.

Pyetje. Edhe pse të larguar shohim që edhe prindërit tuaj mundohen të ruajnë traditën shqiptare, Myzua me cylën dyjare ose longarin dhe Neta me gatimin tradicional të kukurecit, dollmës..?

Ne jemi shqiptarë. Unë jam krenar për traditat tona nga Kurveleshi i Labërisë. Ne shpesh në familjen time festojmë jetën me këngë labe, sheleg të pjekur në hell në oborr dhe birra të ftohta. Neta me gatimet e vendit si Arapash e Mzyua me melodi të longarit vërtetë na transportojnë në kohë në Kallaratin tonë të dashur. Unë jam krenar për identitetin e traditat tona.

Pyetje. A mendon se tashmë je integruar në jetën amerikane?

Po. Unë jam një shtetas amerikan si gjithë të tjerët dhe për këtë jam krenar. Amerika është e të gjithëve. Po punove fuqishëm, po zbatove rregullat e shoqërisë, je i integruar dhe trajtohesh njëlloj pa asnjë diskriminim, si edhe ata të lindurit këtu. Amerika është vend i shanseve të mëdha dhe unë ndihem me fat që jam pjesëtar i kësaj shoqërie.

Pyetje. Në zonën ku punoni e banoni ju, a ka shqiptar të tjerë dhe a janë të organizuar në ndonjë shoqatë patriotike?

Angazhimi social me njeri-tjetrin për ne shqiptaret është disi në bazë të aftësive. Njerëzit janë të zënë me punë e halle. Unë bëj të pamundurën për t’u njohur me të gjithë shqiptarët këtu afër. Jemi një dorë e mirë që takohemi me njeri tjetrin por pandemia na ka diinkurajuar për pak kohë, pasi ligjet e rregullat e vendosura për këtë kohë i zbatojmë me përpikëri. Me komunitetin e këtushëm si me shaka u  them shokëve se kam krijuar Shqipërinë e Vogël “Little Albania”. Unë jam krenar që kam qenë baza fillestare për tre kushërinjtë e mi të parë me familjet tyre (Luli, Ardita dhe Renato) pas ardhjes së tyre në Amerikë. Ata tani janë të integruar në jetën këtu dhe madje një prej tyre ka sjellë një kushëririn e vet me familje. Shpresoj që degët do të shtohen e rriten më shumë. Pse të mos kemi sa më shumë edhe kallaratas?

Pyetje. Si i mbani lidhjet me vendlindjen? A ju mungon përkëdhelja e gjyshes? A ju mungojnë shokët? A ju mungon natyra e bukur e Kallaratit,? A ju mungon gjithçka tjetër….?

Unë me të vërtetë jetoj në Amerikë dhe jam shtetas amerikan, ashtu siç jam edhe shtetas shqiptar, por unë vij shpesh në Shqipëri, të paktën njëherë në çdo dy vjet, por edhe më shpesh. Nëse ka rast për pushime, mundohem t’i bëj aty në vendlindje. Jam përpjekur që mëma (kështu i thërrasim gjyshes) të vijë këtu në Amerikë, por s’e kam bindur dot. Unë kam qenë nipi i parë që kam lerë në shtëpinë e gjyshit e gjyshes dhe kam pasur lidhje të forta me ta. Kujtimet e vegjëlisë me shoqërinë i kam ende të freskëta. Kallarati është i bukur dhe mendjen aty e kam. Më mungon shumë ushqimi ynë, qoftë edhe bukë misri vatre me ullinj e djathë, apo një përshesh me kos deleje. Me sinqeritet më mungojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha përkëdhelja e gjyshes time, të cilën gjej rastin ta përshëndes edhe nëpërmjet kësaj interviste dhe t’i uroj jetë të gjatë e shëndet.

Pyetje. Çfarë kujtimesh të veçanta ruan për jetën fëminore dhe atë shkollore në Kallarat?

Në familje mbaj mend që gjatë regjimit totalitar, fshehurazi dëgjonim Zërin e Amerikës dhe që më caktoheshin punë si ruajtja e bagëtive e punë në ara. Me babon (kështu i thërrisja gjyshit) kapnim peshq me rreze në përrua të Cergezës, mblidhnim bar për lepujt që i mbanim disi ilegalisht dhe kujdeseshim për lopën e vetme që kishim. Në Qafën e Ubavit ishim një grup fëmijësh që bënim ekspedita nga lumi, loznim me karro me kushineta e lloj e lloj aventurash të ndryshme në terren. Nga jeta shkollore mbaj mend pushimin e gjatë dhe rruga e gjatë që bëja në këmbë nga Morreza ku ishte shkolla e deri ne Varth ku banonim. Kam grisë shumë këpucë me të gjuajtur gurët e asaj rrugës së gjatë me kalldrëm. Mbaj mend dhe shpjegimin e mësimit në matematikë nga mësuesi i shkëlqyeshëm Jazo Davaci.

Pyetje. Cili ishte hobi juaj në Kallarat dhe a ka ndryshuar me vajtjen në Amerikë?

Më bëre të mendoj thellë për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetje. Në Kallarat kam jetuar nga lindja në 1981 deri ne 1994 kur u largova për në shkollë në Gjirokastër. Në Kallarat gjatë kësaj kohe mbaj mend që bashkë me kushëririn tim Klodi Qejvani ishim peshkatarë të tmerrshëm. Kapnim peshq në lumë gjatë gjithë verës. Metodat ishin të ndryshme, por po përmend dy me efektivitet. Kapnim peshq me duar nën gurët e lumit. Metoda përfshinte vendosjen e duarve rreth gurit në rrjedhë të ujit dhe ndien për lëvizje peshku. Mbasi ndienim lëvizje te duart e kapnim peshkun kurth nën gur duke i bllokuar daljet me duar dhe e hidhnim në breg dhe nganjëherë me gjithë gurë. Kapnim Mustak, Troftë ose Qefull dhe nganjëherë nepërkë gabimisht. Gjithashtu peshkonim me xham dhe pirun. Me këtë metodë vendos një copë xham kundra rrymës dhe shikon për peshq anës gurëve dhe pasi i gjen i qëllon me pirun. Kishte gjithmonë telashe në shtëpi se mungonin pirunët që na humbisnin lumit dhe faji gjithmonë binte mbi mua.

Këtu në Amerikë kam shumë hobe. Kam aq shumë, sa po të shtoj dhe një më shumë, jam i sigurt që do më ndajë gruaja. Lista është: lundrim, peshkim, gjueti, futboll, bletëmbajtje, etj.

Pyetje. A ka krijuar Selua familjen e tij?

Po. Unë kam një familje të mrekullueshme dhe ndihem me fat. Gruaja ime, Anja, dhe fëmijët tanë Arta e Arbër janë jeta ime.

Pyetje. Po me shoqatën Kallarati dhe gazetën e saj, jeni i njohur dhe çmendim keni për t’i përmirësuar?

Po. Të falënderoj ty Besnik dhe të gjithë të përfshirët me shoqatën. E di se sa kohë dhe përkushtim harxhon për këtë. Shoqata është me rëndësi të madhe për të bashkuar komunitetin tonë kallaratas ndonëse të vogël, por të fuqishëm.

Pyetje. A mendon se jeta në Kallarat, tashmë që rruga përfundoi së ristrukturuari, do të rrisë dëshirën e njerëzve për të banuar e jetuar atje?

Po. Rruga me siguri do të rrisë ekonominë e krejt zonës të luginës së Lumit të Vlorës.

Pyetje. Ju kam ndjekur mediatikisht për kontestimin rreth projektit të rrugës që kalon në Kallarat, konkretisht ku qëndrojnë ato?

Më lejo të qartësoj. Unë e mirëpres rrugën dhe e di që është me rendësi të madhe për Kallaratin, luginën e Lumit të Vlorës, por edhe të gjithë Shqipërinë. Është një aks kryesor që do të mundësojë lëvizjen e shpejtë të njerëzve e mallrave. Por unë protestoj marrjen e pronës private forcërisht nga administrata shqiptare. Toka e familjes së babait tim, përfituar me reformën e vitit 1991 (i njohur si ligji 7501) është përdorur për ndërtimin e rrugës së re në Varth, në Kallarat. Në këtë moment të kësaj interviste asnjë nga të përfshirët në ndërtimin e rrugës nuk na ka përfillë për të dhënë tokë publike (Republika e Shqipërisë ka më shumë se gjysmën e territorit teknikisht si pronë publike) në vend tjetër ose madje edhe lloj tjetër kompensimi. Unë kam paditur të gjithë të përfshirët në këtë gllabërim të padrejtë. Deri tani katër seanca dhe dy gjyqtarë të ndërruar, nuk kam shumë besim te sistemi i drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, e cila nuk dallon të drejtën nga e shtrembra. Arsyeja se pse po e protestoj këtë konfiskim të pronës tonë, është parimore dhe për të mbrojtur edhe të drejtat e pronarëve të tjerë në Kallarat.

Lidhur me kualitetin e cilësinë e punës së rrugës, kam bërë komentet e mia (për vetëm një segment të vogël rreth 1km) për sponsorizuesit, hartuesit dhe ndërtuesit e rrugës, përsa u përket mangësive që cenojnë sigurinë publike. Është detyra ime t’i dal për zot vendit, pasi unë jam pjesëtar i komunitetit kallaratas. Rruga bëhet me djersën e shqiptarëve për ne shqiptarët dhe duhet të bëhet e saktë.

Pyetje. Cila është vizita juaj e fundit në vendlindje, si u ndjetë dhe me çfarë përshtypjesh u larguat me siguri për t’u rikthyer përsëri atje?

Unë isha në Kallarat këtë vjeshtë që shkoi. Më lëndon që ne kallaratasit kemi ikur nga trojet tona. Shpresa vdes e fundit, por drita në fund të tunelit është ende e dobët dhe shumë larg. Ligjet e Republikës së Shqipërisë nuk afrojnë asnjë nxitje për kthimin tonë në atdhe. Madje, është shumë vështirë që të ndërtosh edhe një banesë të thjeshtë në Kallarat, pasi ligjet e pronës private janë të paqarta. Toka ime në Varth e konfiskuar për të ndërtuar rrugën e re është një dëshmi e kësaj fatkeqësie. Unë kam dëshirë të madhe, por nuk di se ku të filloj procesin, pasi nuk ka shtëpi në shitje, nuk jepen leje ndërtimi për në tokë publike e shumë të panjohura të tjera. Unë do vazhdoj të kthehem në vendin tim pavarësish sfidave dhe besoj se do t’a gjej një kasolle si simbol të rrënjëve të mia në Kallarat.

Pyetje. Falë zhvillimeve demokratike në vitet 90-të, që krijuan mundësinë e emigrimit deri edhe në Amerikë siç është edhe rasti i familjes tuaj, nëse nuk do të kishte ndodhur kështu, ku do ta shihte Selua veten sot?

Burrash, pasi karakteri im është protestues ndaj të padrejtës dhe udhëtues i lirë i botës, unë mendoj se do përfundoja në burg politik ose i vrarë në kufi.

Pyetje. Edhe pse larg vendlindjes, të shohim mjaft aktiv ndaj zhvillimeve, në Shqipëri, por sidomos ndaj vendlindjes a mendon Selua se mund të bëjë diçka për Kallaratin dhe konkretisht?

Po. Unë jam gati të jem i përfshirë për të përmirësuar jetën e çdo kallaratasi. Çdo kallaratas mund të më kontaktojë për çdo lloj konsultimi si Inxhinier por edhe si një bashkatdhetar. Më konkretisht unë dua që të ndërmarrim një projekt për të ndihmuar me krijimin e banesave dhe bizneseve të të gjithëve atyre që dëshirojnë të kthehen në Kallarat. Dera ime është e hapur për të gjithë kallaratasit.

Pyetje. Prej disa vitesh jeton e punon në Amerikë, ku je shkolluar dhe krijuar familjen tënde, parë edhe me mentalitetin e njerëzve në Kallarat, por edhe me mentalitetin tashmë të një qytetari amerikan, cili është mesazhi për kallaratasit në përgjithësi dhe në veçanti për ata që jetojnë në fshat?

Meqë me pyete, po i them disa ide që unë vet mundohem të ndjek:

  • Bëhu mjeshtër i menaxhimit të kohës. Puno fort, kujdesu për familjen, dhe argëtohu.
  • Respekto mendimet dhe idealet e të tjerëve.
  • Trajto njerëzit me respekt, dinjitet, dhe mirësjellje.
  • Protesto padrejtësitë.
  • Beso në shkencë dhe fakte. Mos e ha sapunin për djathë pasi propagandat e ndryshme janë më të fuqishme sot se kurrë.
  • Prano Gjergj Kastriot Skënderbeun si heroin tonë më të madh e të famshëm që shpëtoi, jo vetëm shqiptarët, por edhe Evropën nga sunduesit otomanë.
  • Rikujto veten që kombi ynë është shumë mbijetues, i cili kundra çdo përpjekje të perandorive sunduese të ndryshme e dëshirës së shteteve fqinjë për të na shpërbërë, ne shqiptarët kemi mbrojtur identitetin tonë.
  • Mos harro që pjesa më e madhe e shqiptarëve ndodhen jashtë Republikës së Shqipërisë dhe koncepti i një Arbërie të Madhe është në mendjen tonë dhe e mundshme.
  • Ndihu krenar që je shqiptar.

Faleminderit

 

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

20 SHKURT 1942, NË KALLARAT U KRIJUA KËSHILLI ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR.

Die Shk 20 , 2022