BARDHËSI

 

Një grua  lëkundet në rrugën e pafundme

Gruaja mban në buzë

Puthjen e hidhur të atij, që e la.

Tani ajo është vet e dytë

Gjurmët e saj në rrugë

Janë dyfish të mëdha.

Gruaja nxiton midis kalimtarëve

Mbi vetminë e saj rëndon ai që iku (jo që vdiq)

Dhe të rëndon shumë

Barra e atij që të njihte dhe s’të njeh

E atij që të donte dhe s’të do

Që hoqi galloshet tërë baltë të mendimeve të tij

Dhe i shkundi në zemrën e një vajze të re

E cila, ndonëse e ka të pastër zemrën e saj,

S’e fshin dot gjurmën e kujtimit të hidhur,

Ashtu si bora e virgjër gjurmët e kalimtarëve

Veçse kur shkrihet…

 

 

Petrit Qejvani,1970