BILAL BRESHANAJ, MËSUESI I PËRJETSHËM I GJUHËS SHQIPE

(Përmbledhje e shkurtër e jetës dhe aktivitetit në arsim e profesor, Bilal Breshanaj) Nga Besnik Gjonbrataj

 

Të gjithë mësuesit lënë mbresa dhe mbahen mend nga nxënësit, edhe pse kalojnë vite e vite, aq më tepër mësuesit e gjuhës shqipe, ata që të japin bazat për një shqipe të shkruar e të folur standarde.

Një prej këtyre mësuesve është edhe Bilal Breshanaj, me një karrierë të suksesshme në mësimdhënie prej më shumë se katër dekadash dhe nga këto rreth 25 vjet vetëm në vendlindje, në Kallarat, por edhe në qytetin e Vlorës, në fshatrat e tjera si në Dushkarak – Sevaster, Kocul, Bolenë, etj. Është një prej mësuesve me një karrierë mësimdhënie në vendlindjen e tij më të gjatë. Një nga nismëtarët dhe realizuesit e kalimit në vitin 1966 të shkollës së Kallarati,t nga cikli i ulët katërvjeçar në atë tetëvjeçar.

Mësues Bilali i përket brezit të parë të mësuesve kallaratas të pasluftës, të cilët tërë jetën e tyre ia kushtuan shkollës shqipe, duke dhënë mësim e luftuar analfabetizmin, jo vetëm në Kallarat, por edhe në shumë fshatra të tjerë të Vlorës.

Përveç kontributit në arsim si mësimdhënës dhe drejtues, kontribut të veçantë e të vlerësuar ka dhënë edhe në jetën shoqërore dhe në pushtetin lokal të fshatit e të komunës së Horë – Vranishtit, si edhe në shoqatën kulturore e atdhetare “Kallarati”.

Mësues Bilali, u lind në Kallarat më 1 janar të vitit 1934 në një familje me ndjenja patriotike e atdhetare. Shkollën fillore e disa klasa të tjera i kreu në qytetin e Vlorës pranë dajos së tij, Izet Bushit, ndërsa klasën e 7 – të e përfundoi në Tërbaç në vitin 1948.

Më pas në vitet 1948-1949 kreu kursin njëvjeçar për mësues në Vlorë dhe u emërua mësues në shkollën e Nartës, duke dhënë mësim edhe në shkollën e mbrëmjes, ku qëndroi deri në vitin 1950. Në vitet 1950-1952 kthehet mësues në vendlindje në Kallarat, ku njëkohësisht plotëson shkollimin në shkollën Pedagogjike Elbasan pa shkëputje nga puna. Në vitet 1953 – 1954 kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Burrel. Në vitin 1955 emërohet mësues në Bolenë – Fshat dhe më vonë deri në vitin 1956 mësues në Dushkarak -Sevaster.

Në vitet 1956 – 1958 plotëson shkollën e mesme në Gjimnazin e Punëtorëve, Tiranë. Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1958 emërohet drejtor i shkollës 7 – vjeçare Kocul, Vlorë, shkollë e sapo hapur atë vit për atë zonë, ku qëndroi deri në vitin 1961, duke patur me vete edhe familjen e tij. Me hapjen e shkollës 7  vjeçare në Hundxhepe, Bolenë në vitin 1961 emërohet drejtor i saj, ku mbulonte edhe fshatrat: Mesaplik e Kallarat. Në vitet 1963 – 1964 shkon në Tiranë e përfundon Institutin për Gjuhë – Letërsi shqipe, me shkëputje nga puna, në vendin e të cilit emërohet po bashkëfshatari i tij, Rami Memushaj. Në vitin 1966, duke qenë i vetmi mësues me arsim të lartë, në sajë të përpjekjeve dhe kontributit të tij, në Kallarat hapet cikli tetëvjeçar, ku më vonë u plotësua me mësues të kualifikuar dhe bazë materiale si klasa e kabinete të kohës. Nga viti 1966-1989 për gati 25 vjet rresht, deri sa doli në pension në moshën 55 vjeçare sipas ligjit të kohës, por që kishte akoma energji, mësues Bilali punoi në shkollën 8 –  vjeçare “Mumin Selami”‘. Pas viteve 90 – të kontribuoi në jetën shoqërore. Për disa vite ishte kryeplak i fshatit, anëtar i këshillit të komunës dhe tre vite Kryetar i Këshillit të Komunës Horë – Vranisht, ku mbajti pozicion ekuilibrues e  konsensual në vendimet e tij, larg qëndrimeve partiake të kohës.

Mësues Bilali, me gjithë fatkeqësinë familjare, rriti edukoi dhe arsimoi 7 djem (Edmondin, Arbenin, Fredin, Aleksandrin, Krenarin, Torin dhe Artanin) të denjë për veten e tyre dhe shoqërinë.

Për punën me përkushtim e devotshmëri mësues Bilali ishte dekoruar nga Kuvendi Popullor në vitin 1987 me urdhrin “Naim Frashëri”, Klasi i III, me motivacionin: “Dalluar për punë të palodhur në fushën e arsimit dhe për ndihmesën e dhënë  për edukimin patriotik të brezit të ri”, certifikata të ndryshme nga Ministria e Arsimit si “Mësues i dalluar”, ndërsa nga Këshilli i Bashkisë së Himarës në vitin 2016 (pas vdekjes) me Certifikatë Mirënjohjeje, si një nga mësuesit më të vjetër dhe me kontribut të veçantë në arsim me motivacionin: Për kontribut në fushën e mësuesisë dhe edukimit të brezit të ri”  dhe shumë vlerësime të tjera.

Vitet e fundit të jetës, mësues Bilali i kaloi në Vlorë pranë djemve të tij, deri sa u nda nga jeta më 13 prill 2013 nga nje sëmundje e papritur.

Mësues Bilali, do të mbahet mend nga breza të tërë nxënësish kallaratas dhe më gjerë, si një mësues elokuent e me kulturë të lartë, i dashur me nxënësit, kërkues dhe  profesionalisht i përgatitur, si dhe një veprimtar i shquar në jetën shoqërore e me kontribute të vlerësueshme ndaj vendlindjes, Kallaratit.

Falenderojmë djemtë (Edmondin dhe Fredin) për ndihmesën e dhënë me foto dhe të dhëna personale e të jetës në arsim të babait të tyre, Bilal Breshanaj.

___________________________________

Për më tepër rreth jetës së tij, mund të ndiqni shkrimin me kujtime e vlerësime “MËSUESI I BREZAVE NË VIJIMËSI”, nga ish nxënësi, kolegu dhe drejtuesi i shkollës 8 – vjeçare “Mumin Selami”, ÇIZE XHAFERAJ

_____________________________________

BILAL BRESHANAJ, “MËSUES I BREZAVE NË VIJIMËSI”

(Kujtime e vlerësime nga ish nxënësi dhe kolegu, Çize XHAFERAJ)

Ishin vitet e para të çlirimit të atdheut. Kallaratasit si gjithë shqiptarët, kishin dalë nga një luftë e madhe shkatërrimtare. Të gjithë i gëzoheshin lirisë së fituar. Për të mbyllur plagët e luftës dhe prapambetjen shekullore të trashëguar, shteti i ri shqiptar lëshoi kushtrimin: “Më shumë bukë, arsim e kulturë për popullin”. Për t’ju përgjigjur kësaj thirrjeje edhe një brez i ri po ngrihej. Pjesë e këtij brezi ishte edhe i riu Bilal Demo Breshanaj. Ai ishte rritur bonjak pa të atin. Mes fukarallëkut të kohës kishte kryer pesë klasë në shkollën e Tërbaçit, i mbështetur tek të afërmit e nënës së tij, Dudisë.

Bilali në vitin 1948 kreu kursin njëvjeçar për mësues në qytetin e Vlorës së bashku me bashkëfshatarët e tij, Enver Golloshin e Namik Mehmetin. Të tre djemtë kallaratas, që në ato vitet e para të çlirimit, u vunë në shërbim të shkollës dhe gjuhës shqipe. E nisi Bilali mësuesinë në shkollën e fshatit Nartë të Vlorës. Aty ku çeleshin shkollat e para shqipe, kishte dhënë mësim Meçan Selami. Ai ishte mësues i shkollave shqipe me qeverinë e Ismail Qemalit. Bilali, e solli rastësia të vazhdonte misionin e këtij patrioti të madh kallaratas, por në kushte të reja, në Shqipërinë e çliruar nga shtypja dhe shfrytëzimi i huaj.

Shtatori i vitit 1950 e gjeti Bilalin mësues në fshatin  e tij të lindjes në Kallarat, unë atëherë nxënës në klasën e tretë. Shikonim te mësuesi ynë djaloshin e veshur bukur, me flokët bjond të shtrira. Shpjegonte me pasion, na qëndronte afër, kërkonte të shkruanim bukur e të lexonim rrjedhshëm. Asnjëherë nuk përdori ndëshkimin fizik, si formë të qortimit e të edukimit. Mes bashkëfshatarëve u në pjesë e jetës dhe halleve të tyre. Ditën jepte mësim në shkollë, në mbrëmje nën dritën e kandilit me vajguri mësonte djem, vajza, nuse e gra të moshuara të shkruanin e lexonin. Ata, siç thoshnin, ishin me sy po qorra. Dhe ishte Bilali dhe mësuesit e atij brezi që në kurset e analfabetizmit, do t’u largonin verbërinë.

Vitet që pasuan, Bilali përfundoi arsimin e plotë për mësues të letërsisë e gjuhës shqipe. Në kapërcimin e viteve 50 e 60-t, ai ishte drejtor në shkollat 7- vjeçare Kocul e Bolenë. Në atë kohë unë isha mësues në Drashovicë. Takoheshim shpesh në mbledhje e seminare në Vlorë. Me Bilalin isha edhe fis, por mësuesia na bashkoi edhe më shumë. Në ditët e nxehta të verës shkonim e laheshim në det. Dhe mblidheshin aty shumë. Bisedat tona ishin mbi ecurinë që bënte shkolla e arsimi nga viti në vit, vullnetin e madh që kishin nxënësit për të mësuar, dashuria e prindërve për shkollën dhe respekti që gëzonte mësuesi në ato vite.

Në janar të vitit 1969, unë bëhem pjesë e kolektivit arsimor të shkollës në Kallarat. Bilali ishte aty. Ai kishte dhënë ndihmesën dhe kontributin që shkolla fillore e Kallaratit në shtatorin e vitit 1966 të kalonte në sistemin tetëvjeçar. Në atë vit aty jepnin mësim: Kujtim Hysi, Burbuqe Qejvani, Proletare Habilaj, Lumturi Begaj, Levzat Velaj e Lefter Beqiri. Për mëse çerek shekulli, Bilali dha mësim në shkollën e fshatit të tij deri sa doli në pension.

Ecte mësues Bilali drejt shkollës me trupin drejt, me çantën meshinë ngjyrë rozë në dorë, ku mbante literaturën pedagogjike për kualifikimin sistematik, aty edhe punët me shkrim të nxënësve. Tek Bilali dalloja mësuesin korrekt në punë, me përvojë në mësimdhënie, në organizimin e orës së mësimit, që shumë shpejt aplikonte të renë shkencore. E shikoja gjithmonë të rrethuar me plot respekt nga nxënësit dhe kolegët e tij. Ata gjithmonë i drejtoheshin “profesor” dhe ai siç thoshte edhe vet, mbeti profesor në jetë e jo me dekret.

Në ato vite lufta e klasave u shfaq dukshëm edhe në Kallarat. Ajo ishte një njollë e zezë që kishte trokitur edhe në derën e shkollës. Mësuesi nuk shkonte dot te familja e nxënësve të tij. Rrethanat e sollën që mësues Bilali të përballet me ata që ishin ulur në karriget e larta të drejtimit të shtetit. Me kurajën dhe guximin që e karakterizonte duke përdorur “armën e tij letrare” ironinë e sarkazmën u tha: “U bëmë si patricët dhe plebenjtë”

Marsi i vitit 1970 e goditi rëndë familjen e Bilal Breshanaj. Kur ai ishte në mezin e viteve 40-t të jetës së tij, i ndahet nga jeta bashkëshortja, Kafazja, nëna e 6 djemve, më i vogli 9 muajsh e më i madhi 11 vjeç. Jo vetëm Bilali, por i gjithë fshati u trondit nga kjo ngjarje e rëndë. Në gjendjen e krijuar Bilali e tregoi veten si një burrë kurajoz e kryefamiljar largpamës. Ai diti të gjej ilaçin e duhur për të mjekuar plagën që iu krijua. Ngjarjen që ndodhi e la pas, plagën e saj e ruante aty brenda dhe çdo ditë shikonte në sytë e fëmijëve, teksa rriteshin u mungonte ngrohtësia dhe përkëdhelia e nënës dhe kraharori i saj, ku të mbështetnin kokën. (Ja shikoni fotografinë, ajo flet më shumë se shkrimi im).

Së bashku me zonjën e re të shtëpisë, Nasipen, ata rritën tashmë 7 djem të shkëlqyer me arsim të lartë: mjek, inxhinier, mësues dhe në degë të tjera të ekonomisë.

Shtëpia e Bilal Breshanaj ishte mikpritëse e sofërshtruar. Shkoja shpesh atje. Të parën që takoja, ishte nënë Dudia, e ëma e Bilalit. Ajo ishte një grua që e kishte shpirtin me plagë shumë. I përkiste atij brezi nënash që kishte dëshirë të bisedoje me to. Me fjalën e ëmbël të tregonin udhëtimin në jetë dhe me ligjërimet e tyre të portretizonin histori. Djali i saj Bilali e respektoi si rrallëkush. Në vitet e rënduara të saj të pleqërisë, Bilali i shërbeu si nëna foshnjës së saj.

Mësuesi Bilal Breshanaj, për mëse katër dekada, iu përkushtua shkollës, gjuhës e letërsisë shqipe. Janë me qindra nxënës kallaratas dhe jo vetëm, që kanë kaluar nga dora e mësues Bilalit, i cili u mësoi me dashuri shkrim e këndim.

Puna e tij është vlerësuar nga Kuvendi Popullor, duke i akorduar urdhrin “Naim Frashëri”, Klasi i III, si dhe “Qytetar Nderi” i Bashkisë Himarë dhe shumë vlerësime të tjera.

Edhe me daljen në pension, Bilali nuk u mbyll në jetën e tij të ngushtë familjare. Atij si intelektual i formuar i dëgjohej e respektohej mendimi dhe këshillat që jepte. Për një legjislaturë, në vitet e demokracisë, drejtoi pushtetin në fshat dhe më pas kryetar i Këshillit të Komunës, Horë, Vranisht.

Vitet e fundit të jetës Bilali i kaloi në qytetin e Vlorës, pranë djemve, i rrethuar mes shokëve, miqve e bashkëfshatarëve të tij.

Mësues Bilal Breshanaj do të kujtohet gjithmonë me respekt nga ish nxënësit e tij, kolegët, vëllazëria, fisi e bashkëfshatarët. Ai ishte dhe mbeti mësuesi i brezave në vijimësi që ishte trupëzuar me shkollën dhe nxënësit e saj.

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Gazeta Kallarati. nr. 107

Enj Maj 26 , 2022
kallarati107