(familjare) kushtuar vëllait tim Refat Qejvani
Vëlla i dashur, shpesh më kap një mall
Që më këput e fjalët s’i nxjerr dot
Kaluan pesë vjet që na ke lënë
E mua më duket sikur ke ikur sot.
Pasditeve, kur dikush troket në derë
Në orën që ti trokisje zakonisht,
Më gënjen mendja, çohem menjëherë
Se mos je ti, por ti mungon sërish.
E di që nuk ke për të ardhur kurrë
Të vdekurit ecin veç në balada
Ti hero baladash nuk ke qenë
Por njeri me cilësi të larta.
Ti ike shpejt, vëlla, nga kjo botë
Të lodhi jeta jonë plot me sherre
I mbylle llogaritë me laps të hollë
Dhe faqebardhë na le pas ne të tjerëve
Sa herë vij në varrezë pranë varrit tënd
Kur sytë e mi bien mbi sytë e tu
Një lëmsh më mblidhet në gjoks e nuk më lë
Lotët e mi nisin të rrjedhin çurg.
Dhe s’më vjen turp aspak që qaj për ty
(Lotët për gratë janë një gjë e zakonshme)
Por kur një burrë qan me të vërtetë
Loti merr një vlerë të jashtëzakonshme.
Dhe dije, një të fshehtë po ta them,
Që askujt nuk ia kam thënë gjer tani,
Kur shpinën të kthej , më duket të tradhtoj
Dhe kthehem i brengosur në shtëpi.
Unë e di mirë, ti s’do të rri aty
Se ti e kishe shpirtin borë të bardhë,
Por mua më duket se jam fajtor me ty,
Meqënëse ti nuk je me ne i gjallë
Ti ishe aq i dashur dhe i mirë,
Sa s’më ke dalë në ëndërr asnjëherë.
Më shfaqesh në trotuarin para shkollës
Me Endrin dhe Brisidën shënd e verë.
Tani ata në shkollë shkojnë vetë
Dhe vet kthehen kur mbaron mësimi
Veç e di : hija e shikimit tënd të lehtë
I shoqëron kudo si flladi i prillit.
Ata janë rritur, janë bërë fëmijë me mend
Dhe janë të dy nxënës të shkëlqyer.
Kur shkoj e pyes unë në vendin tënd,
E ndjej veten krenar e të shpërblyer.
Mos u mërzit vëlla, se kjo është jeta
Të gjallët kanë telashe plot
Atë që vendos fati edhe zoti
Të vdekshmit nuk e ndryshojnë dot.
Vëlla i dashur, prehu me shpirt në qiell.
Pas pak do vij dhe vet për të pushuar…
Të të njoh me ato që ndodhën pasi ike,
Të takoj dhe mëmën dhe babanë e përmalluar…
Petrit Qejvani, 2006