Cili është Rami Memushaj? Bisedë me zv/kryeredaktorin e gazetës “Hora” te Vranishtit, Albert Hitoaliaj.

Rami MemushajProf.dr. Rami Veip Memushaj lindi në Kallarat 65 vjet më parë, më 28 shkurt të vitit 1943. në vitin 1961 mbaron shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë dhe punon si mësues për tre vjet. Diplomohet në vitin 1968 në Universitetin e Tiranës për gjuhë shqipe dhe letërsi. Pas diplomimit punon në disa shkolla të rrethit të Vlorës si drejtor shkolle deri në vitin 1974, kur vjen në Tiranë në Katedrën e gjuhës shqipe të Universitetit të Tiranës, ku edhe vazhdon të punojë. Në vitin 1985 mbron doktoraturën me disertacionin “Morfonologji e eptimit të gjuhës shqipe”. Ka dhënë lëndët “Hyrjes në gjuhësi”, “Praktikum i gjuhës shqipe”, ndërsa vitet e fundit lëndët “Fonetikë e shqipes” dhe “Gjuhësi gjenerative”. Ka punuar si lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe në Universitetin e Palermos. Ka kryer specializime në SHBA (me bursën “Fullbrajt”), në Danimarkë e Gjermani. Është autor tekstesh universitare e monografish. Me interes për lexuesin vranishnjiot janë librat “Himara” (2004) dhe “Histori e Kurveleshit” (2004).

Nga gjuhët e huaja, zotëron anglishten, rusishten e italishten; njeh edhe frëngjishten e rumanishten dhe ka njohuri të kufizuara në latinishte e kinezishte.

Në Vranisht ka shërbyer katër vjet, një vit si mësues dhe gjatë 1970-1973 si drejtor shkolle.

Për vitet e tij të punës në Vranisht, pati një bisedë me zv/kryeredaktorin e gazetës “Hora” Albert Hitoaliaj.

Ishin vitet kur shkolla 7-vjeçare që në Horë dhe kur një prej emrave të njohur në fushën e gjuhës shqipe, prof.dr. Rami Memushaj, sapo kishte nisur rrugën të mësuesisë. Kishte mbaruar shkollën e mesme pedagogjike dhe kishte filluar punën në arsim si mësues në ciklin e lartë të shtatëvjeçares. Kur erdhi në Horë ishte viti i dytë i punës. Ishte një rikthim në Vranisht, pasi në Horë kishte bërë edhe klasën e shtatë, bashkë me Mikadon, Piron Hysin, Namikun, Islamin, Teutën etj. Një rikthim i dytë do të ishte ai më 1970, po kësaj here në fshat, ku qe ndërtuar shkollë e re.

Ja ç’tregon profesori për ato vite.

“Kam filluar punë në Vranisht më 15 gusht 1962, kur shkolla ishte në Horë. Për mua ishte viti i dytë i punës, një vit më parë kisha punuar në Gjormë, ku u emërova fill pas mbarimit të shkollës pedagogjike “Jani Minga”. Atëherë shkolla 7 vjeçare e Vranishtit mblidhte edhe nxënës nga fusha e Tërbaçit, Bolena e Kallarati. Drejtor shkolle kishim Ferjat Shkurtin, nga mësuesit vranishtiotë më kujtohen Mexhite Limaj dhe Isak Habili, i cili vinte në shkollë me mushkë. Pjesa tjetër ishim nga fshatrat fqinje.

Atë vit dhashë matematikë, gjeometri e fizikë, lëndë që më pëlqenin shumë. Fëmijët ishin të zellshëm. Edhe pse të veshur e të mbathur keq, ata nuk mungonin, duke ardhur në mësim të lagur e të mardhur, shumica e tyre pasi kishin bërë 4-6 km udhë për të ardhur në shkollë. Në detyrat me shkrim në matematikë e gjeometri dilnin 50-60% dhe unë prapë nuk kënaqesha! Ne mësuesit nuk linim pas dore asnjëherë përgatitjen për mësim. Punonim me pasion dhe nuk dinim ç’ishin ndërhyrjet, i vetmi favor ishte lëshimi që i bënim drejtorit për të kaluar disa që ishin midis dyshit e treshit, sepse atij i kërkohej përqindja e kalimit. Nuk dinim shumë, por ato që dinim ua jepnim atyre nxënësve.

Ne mësuesit e ardhur ishim vendosur në një kthinë në shkollë. Gatuanim vetë, në shtëpi shkonim zakonisht të shtunave dhe, kur ktheheshim të hënën në mëngjes, sillnim edhe bukë për gjithë javën. Në ato vite jeta në fshat ishte e vështirë, për ndriçim përdornim llambë me vajguri, për radio as që bëhej fjalë. Rrallë na binte në dorë ndonjë libër, se librat dhe transporti nuk ishte si sot. Kështu që i vetmi dëfrim ishte futbolli. Luanim 2-3 orë në ditë e më shumë pa pushim, në diell e shi. Një herë, nëna e Petrit Jovanit na kishte dërguar një këndes, meqë dy prej nesh ishim nga Kallarati, fshati i saj. Mezi e pranuam. Një koleg nga Kuçi i preu kokën këndesit, e qëruam, e pastruam, e hodhëm në poçe dhe vrap të luanim. Po, kur u kthyem, korridori binte era shkrumb. Ishte djegur jo këndesi, po dhe poçja.

Në shtatorin e vitit 1963 më transferuan në Bolenë. Nuk e kundërshtova, sepse atëherë nuk dinim të ankoheshim. Pata përshtypjet më të mira nga ai vit që punova në Vranisht, prandaj ika për në Bolenë pa dëshirë”, – tregon ai.

Megjithatë, edhe pse largohet për të ndjekur rrugën e tij dhe për të kryer studimet, pas disa vitesh profesor Ramiu kthehet sërish në Vranisht, kësaj radhe si drejtor i shkollës 8-vjeçare.

“Shkolla tashmë kishte vuajtur në fshat. Ishte një ndërtesë relativisht e mirë, edhe pse, kur frynte ndonjë jug e fortë, shkuleshin tjegullat e çatisë dhe shiu e era na prishnin tabelat në korridor, të cilat detyrohesha t’i shkruaja vetë nga e para. Numri i nxënësve ishte shtuar në rreth 250, nga Vranishti e Kallarati dhe dëshira e tyre për t’u arsimuar ishte e fortë. Fryma e arsimit vazhdonte të ishte e fortë. Fryma e arsimit vazhdonte të ishte po ajo që kishte qenë, por kishte përmirësim të personelit, i cili ishte akoma më i kualifikuar. Shumica ishim të huaj, vranishtjotë ishin mësueset e fillores – mësues Isaku, Peçua, Tefta, Neza e Bardha, në ciklin e lartë ishte Bilbili dhe Natasha Bashaj. Kam punuar tre vjet në atë shkollë, deri në vitin 1973

Ruaj kujtime të mrekullueshme nga ajo periudhë. Vranishtin e brodha me pëllëmbë dhe i njoha më mirë vranishtiotët. Bashkë me Thoma Lamin, mësues i letërsisë nga Vlora, qeparotas me prejardhje, brodhëm Dushkun, u ngjitëm në shpella e vramë pëllumba. Në Vreshta, buzë Kaurit, hapëm varre ilire, se donim të bënim një muze të lashtësisë. Po në to nuk gjetëm as eshtra, pasi qenë grabitur kushedi në ç’kohë. Siç ishte tradita atëherë, si shkollë shkonim për shëtitje në Val, në Mesaplik etj., natyra në pranverë zbukurohej vërtet, po Vali ishte një bukuri e rrallë në maj.

Jeta në Vranisht në vitet ’70 i ngjante jetës së një qyteze. Më 1970 fshati u elektrifikua. Përfundoi edhe ndërtimi i shtëpisë së kulturës, ku bëheshin shumë veprimtari: takime e biseda, shfaqeshin filma, grupi folklorik i fshatit jepte programe me këngë e valle. Po edhe shkolla nuk mbetej pas. Nga ora tre deri në orën katër nxënësit recitonin poezi në qendrën e zërit dhe zërat e fëmijëve dëgjoheshin edhe përtej përroit. Në ato vite jeta kulturore në fshat bëri një hap. Rinia dhe nxënësit e Vranishtit filluan të shquheshin në veprimtaritë sportive e artistike që organizoheshin mes fshatrave të krahinës. Shkolla filloi të fitonte në konkurset e garat në bazë zone, kishim një ekip të mirë sportiv, me përgatitjen e të cilit merreshin Thomai dhe Natasha Bashaj. Biblioteka e shkollës ishte e pasur dhe nxënësit i përpinin librat, sepse ishin të etur për dije. Mbaj mend disa prej tyre si Pano Hallkon, Leonidha Begajn, Zihni Shkurtin, Gëzim, Arben e Linda Saliun e plot e plot tëtjerë. Megjithatë unë nuk e kisha kuptuar se sa të mirë ishin nxënësit tanë. Këtë e mora vesh kur zbrita në Llakatund si drejtor shkolle, ku më i miri i atjeshëm ishte si më i keqi i shkollës së Vranishtit”, – tregon ai buzagaz.

Ishte ky momenti kur profesori filloi të kuptonte vetitë e banorëve të fshatrave labe ku kishte punuar deri ato momente.

“Që nga ajo kohë bëra një rivlerësim të Luginës së Shushicës. Fëmijët ishin shumë të zgjuar dhe përparonin mirë, megjithëse kushtet nuk ishin fort të përshtatshme për shkollim, sepse jeta e fshatit kishte vështirësitë e veta. Prindit i nderonin e i respektonin mësuesit, ishin shumë bujarë e mikpritës. Kam qenë i ftuar në gavete për ne mësuesit apo për sebepe të tjera në shumë familje të Mëno Limua, të Ferjat Shkurtit, të Isak Habili, të xha Çobua, xha Mamani, Haxhi Cara e sa e sa familje të tjera.

Nuk do të harroj një rast, kur një grua nga Limajt vjen në shkollë të më takojë dhe më drejtohet me fjalën “zotrote”. Unë, me mendjelehtësi, i them se “nuk ka zotërinj” sot. E ajo, e zënë ngushtë nga sjellja ime harbute, më përgjigjet se ma kishte thënë për të më nderuar. Ngela keq vërtet. E përmenda këtë episod për të treguar se sa respekt kishin ata njerëz për mësuesit.

Kishim një harmoni të jashtëzakonshme në kolektiv dhe puna ishte mbi çdo gjë. Punonim shumë dhe e donim punën që bënim, sepse ishte gjithçka kishim. Kishim një harmoni të shkëlqyer me njëri-tjetrin, por puna ishte punë, nuk i shkonte kujt në mendje të hynte në mësim pa ditar. Korrektësia dhe disiplina ishte sikur të punonim prapa Ministrisë së Arsimit. Kohë që nuk kthehen më, paçka se ishim të varfër. Ishin vite të bukura, sepse kishte njerëz të mirë dhe arsimdashës”, – thotë profesor Ramiu, duke kujtuar ata njerëz të cilët me thjeshtësinë e tyre dhe dëshirën për të shkolluar fëmijët zënë një vend të veçantë në kujtimet e tij.

Ai vazhdoi më pas në rrugën e tij si pedagog në Universitet, duke bërë studime të vlefshme në fushën e gjuhësisë e duke vazhduar të kontribuojë, ashtu si bën edhe sot. Rikthimi në Vranisht do të ndodhte pas shumë vitesh, por krahas nostalgjisë dhe zgjimit të kujtimeve, ky rikthim do të sillte edhe trishtimin me vete. Një trishtim që vinte për shkak të transformimit negativ që shikoje në Vranisht. “Kam vajtur pas shumë vitesh në Vranisht, në 2006-ën, ku më ftuan në takimin e brezave, dhe kam mbetur i tronditur kur kam parë shtëpinë e kulturës, të shkatërruar. Dritaret ishin mbyllur me kashtë dhe në dyert e saj rrinin gomerë. Më parë ai vend ziente nga muzika, nga recitimet, nga veprimtaritë,.. me fjalë, ziente nga jeta… Ajo që ishte disi ngushëlluese, që se kishin ngelur akoma banorë dhe kishte edhe nga ata që vinin nga qyteti për ta vizituar fshatin.

Të vjen keq, kur shikon se si ajo qytezë e vogël kishte bërë prapa. Natyrisht që kjo rënie nuk është vetëm e Vranishtit, atë e sheh në të gjitha fshatrat e luginës dhe në gjithë Shqipërinë. Nëse do të kishte ndonjë projekt qeveritar, mund të zbrisje edhe fshatrat e tjerë dhe të bëhej një qytezë e vogël në Horë, por gjithsesi kjo gjë i përket të ardhmes”, – përfundon ai me një keqardhje që i shihet në sy.

Botuar ne gazeten “Hora te Vranishtit, Vlore.

Next Post

Është më mirë të flasin të tjerët për ty. Intervistë dhënë për gazetën "Kallarati"

Die Maj 20 , 2012
1. Është një dëshirë e imja, por edhe një kërkesë e mjaft bashkëfshatarëve kallaratas për një intervistë për gazetën “Kallarati”. Si do ta prisnit ju? Ndonëse nuk më pëlqen të flas për veten, se është më mirë të flasin të tjerët për ty, për të respektuar dëshirën tuaj dhe kërkesën […]
Rami Memushaj