DESHMI PER 7 PRILLIN 1939

Shkas për këtë shkrim u be njohja nëpërmjet faqeve të interrnetit me një shkrim të titulluar “Dëshmi për 7 Prillin 1939 ” shkruar nga Dashnor Kaloçi e botuar në një nga gazetat e diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai,nëpërmjet dëshmive të disa veteranëve vlonjatë pjesëmarrës në qëndresën ndaj italianëve në Vlorë më 7 Prill1939 , hedh dritë mbi një figurë, ndoshta deri tani të lënë në harresë , e pikërisht për kapiten Gafurr Jegenin me origjinë nga Dibra e Madhe.Sipas këtij autori, Gafurri së bashku me shumë atdhetarë të tjerë vlonjatë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e kësaj qëndrese në Vlorë , qëndresë , e cila u organizua edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë si në Durrës, Porto-Romano, Shëngjin, Ura e Baçallëkut, Shkodër e Sarandë. Por, gjithëmonë sipas autorit, kjo figurë historike është lënë në harresë për arsye politike.Në vitin 1951 ai akuzohet për implikim në incidentin e ambasadës Sovjetike në Tiranë dhe pushkatohet.

Por qëllimi i këtij shkrimi s’ është për të vënë në vend ” padrejtësitë ndaj kësaj figure ” , pasi ato i takojnë historisë , por për të nxjerr në pah qëndresën që populli ynë u bëri fashistëve italianë më 7 prill 1939 si edhe për të vënë në dukje pjesëmarrjen në këtë qëndresë të dy kallaratasve Abaz Kallaratit dhe Shahin Jonuzit. Mund të ketë edhe të tjerë pjesëmarrës, por nga burimi i shfrytëzuar për këtë shkrim përmenden vetëm këta të dy persona .

Më poshtë po japim , pa asnjë ndryshim. pjesë nga shkrimi i zotit Dashnor Kaloçit .

DESHMIA E ABAZ KALLARATIT

Ato ditë të para të prillit 1939, që u përhap lajmi se Italia po përgatitej për të zbarkuar në portet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës, Gafurri u angazhua tërsisht në organizimin e rezistencës së armatosur në molin zero të portit të Vlorës, ku kishin nisur dhe revoltat masive të popullit të atij qyteti. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, veterani Abaz Kallarati, i cili ka qenë një nga pjesmarrësit e rezistencës kundër pushtimit Italian në qytetin e Vlorës, ka dëshmuar: “Unë disa vjet shërbeva në xhandarmërinë e Vlorës. Në qytet keshë njohur edhe të tjerë vlonjatë, si Ibrahim Avdullai, Murat Tërbaçi, Beqir Velo e Tol Arapi, atdhetarë të çquar që ua dëgjonin fjalën tërë popullata dhe ishin kundër politikës së Italisë. Në fillim të prillit 1939, plasën revolta e demostrata nëpër qytete. Më 5 prill, mua dhe shokëve të mij, na thërriti ushtaraku Gafurr Jegeni, në një lokal në Skelë. Ai kishte qenë në Tiranë dhe i kishin thënë se Italia fashiste kishte qëllim të pushtonte Shqipërinë. Në Vlorë-tha ai, Italia e ka një bazë për të zbarkuar, se ka liman. Atje duhet me rezistue, me organizue djelmninë me pushkë. Po atë ditë e pashë Gafurrin edhe në Prefekturë në biseda me prefektin, ku u grind dhe diçka i kërkonte. Në prefekturë ishte një depo me armë që mund të armatoseshin 400-500 vetë. Gafurri kishte miq disa kaniniotë si Beqir Velo, që mblodhi disa djem e rininë në gatishmëri në Ujë të Ftohtë, se atje ishte edhe moli. Më 7 prill 1939, ne u gjendëm rreth 123 veta në rërën buzë detit. Gafurri na ndau municione dhe ushqime. Sa më shumë afroheshin anijet ushtarake italiane, ne plasëm luftën. Në tërheqje drejt Sqelës, u vra Hamit Vasho (Gumenica)”, thuhet në dëshminë që Abaz Kallarati ka dhënë më 12 Prill të vitit 1988.

DESHMIA E SHAQO DERRIT E MUSA MUHOS

Një nga veteranët e tjerë vlonjatë, pjesmarrës në rezistencën kundër italianëve në 7 prillin e 1939, ka qenë edhe Shaqo Derri, i cili në mes të tjerash ka dëshmuar: ” Atje nën ullinj ku kalon rruga ka qenë një lapidar në kujtim të kësaj lufte. Në Bestrovë u bë përpjekje e madhe me fashistët. Rezistenca e parë u bë në molin e Vlorës, organizuar nga vlonjatët dhe oficerët Gafurr Jegeni e Mark Pjetër Doçi. Siç më ka thënë togeri Shahin Jonuzi, (në Bestrovë ai ishte komandant i baterisë “Semani”) u luftua me predha Sharpnel dhe fashistëve iu desh të shpërndaheshin nëpër ullishta për të zënë pozicione të tjera. Në këtë betejë u shquan edhe ushtarakë të tjerë si Osman Pepmarku, e togeri Neshat Tefik Shehu, që ishte komandant i batalionit “Kaptina”. Përveç dëshmive të Abaz Kallaratit e Shaqo Derrit, një nga vetarënët e tjerë vlonjatë që hedh dritë mbi ngjarjen e 7 prillit të vitit 1939 në qytetin e Vlorës dhe angazhimin e pjesmarrjen e kapiten Gafurr Jegenit në organizimin e rezistencës kundër pushtuesëve italianë, ka dëshmuar edhe ish-mësuesi i shkollës Tregtare të Vlorës, Musa Muho, i cili në mes të tjerash është shprehur: “Në ditët e para të prillit të vitit 1939, edhe në Vlorë u përhap lajmi se do të pushtohej vëndi nga fashizmi Italian. Në shkollën tonë erdhi kapiten Gafurr Jegeni dhe dy ushtarë nga Burreli. Na pritën sa zbritëm tek rrapi i Ujit të Ftohtë dhe pasi na pyetën na thanë se çduhet të bëjmë për të shpëtuar vatanin. Të nesërmen disa mësues e nxënës shkuan në Prefekturë dhe kërkuan shpjegime e armë që të ishin gati. Atje kudo dëgjohej thirrja: “Duam armë”. Më pas nën drejtimin e kapiten Gafurr Jegenit, Memisha Stepës e Mark Pjetër Doçit, ne u sulëm në drejtim të depove të xhandarmërisë dhe si u armatosëm mirë, u nisëm në drejtim të molit ku u ndamë në formacione luftimi”.

DESHMIA E FAIK BEDINIT

Po kështu lidhur me rezistencën në bregdetin e Vlorës, ka dëshmuar edhe ish-ushtaraku e vetarani Faik Bedini, i cili në mes të tjerash është shprehur: “Në prillin e vitit 1939 unë kam qenë 17 vjeç dhe e kujtoj shumë mirë luftën që u bë në Skelë, sepse në atë kohë unë me familjen time e kishëm shtëpinë dhe banonim tamam në atë vënd. Kam parë edhe lëvizjet në Komandën e Rojes së Kufirit, që ndodhej po në Skelë. Pashë kur zunë pozicion në molin zero, ku ishin magazinuar blloqe bitumi , të Selenicës, për t’u ngarkuar në anije e për t’u dërguar jashtë shtetit. Pashë kur filloi zbarkimi në mëngjez herët. Nga motoskafët zbrisnin pa pushim ushtarë italianë. Ndërkohë pashë kapiten Jegenin që dha urdhër sapo ushtarët italianë zbarkuan në tokë dhe u dëgjuan breshëri. Ranë përtokë disa ushtarë italianë dhe vala e parë e motoskafëve u zbraps. Por nuk vonoi dhe u panë të tjerë motoskafë ku prejt tyre filluan të gjuanin parreshtur, duke krijuar perde zjarri për të mbuluar ushtarët që zbarkonin. Lufta qe e ashpër. Më vonë kam marrë vesht se Gafurr Jegeni si i çartur kishte thirrur në italisht: “Ku shkoni, ky vatan ka zot”. Pranë kapiten Jegenit ka qenë dhe nëntoger Mark Pjetër Doçi. Po kështu më kanë treguar se si kapiteni dhe nëntogeri u rrethuan nga trupat italiane dhe u arrestuan”.

Kështu përfundojnë dëshminë e tyre disa veteranë vlonjatë , pjesëmarrës ne qëndresën ndaj italianëve më 7 Prill 1939.

Mirënjohje gjithë atyre që luftuan me armë në dorë dhe dhanë jetën në ditën e qëndresës ndaj pushtuesve italianë dhe në luftërat e tjera për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit e huaj. (shenimi ynë).

Shënim: Materjali i mësipërm është marrë në inerrnet në adresën:

http://www.albasoul.com/modules.php?op

Përgatiti për botim

BESNIK GJONBRATAJ

Botuar ne Gazeten Kallarati ,Mars 2005

Next Post

DY GEZIME NE NJE DITE

Hën Kor 2 , 2012
Enver Strati, promovon librin “Historiku i Kallaratit” dhe feston 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 75 vjetorin e bashkëshortes, Anushes. Në një atmosferë të veçante në diskoklubin Alpha Buzuku në Tiranë, Enver Strati në mes të bashkëfshatarëve të tij kallaratas dhe njerëzve të afërm, pjesëtarëve të familjes, miqve, shokëve […]