DY GEZIME NE NJE DITE

Enver Strati, promovon librin “Historiku i Kallaratit” dhe feston 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 75 vjetorin e bashkëshortes, Anushes.

Në një atmosferë të veçante në diskoklubin Alpha Buzuku në Tiranë, Enver Strati në mes të bashkëfshatarëve të tij kallaratas dhe njerëzve të afërm, pjesëtarëve të familjes, miqve, shokëve e veteranëve, promovoi librin “Historiku i Kallaratit”, shkruar prej tij në shenjë mirënjohje e detyrimi për vendlindjen e tij Kallaratin. Këtë ditë me të drejtë mund ta quanim “dy gëzime në një ditë”, pasi përveç promovimit të librit familja e tij, djemtë, nuset kishin organizuar e ndërthurur mjaft bukur, festimin e 80 vjetorit të lindjes së Enverit dhe 75 vjetorin e Anushes. Nuk ka si vete më mirë që në këtë 80 vjetor, Enveri bën realitet një dëshirë te tijën për t’u dhuruar lexuesve kallaratas ketë libër, ku është munduar që nëpërmjet fakteve historike, gojëdhënave, tregimeve të prindërve të tij, të moshuarve kallaratas, bashkëfshatarëve, por edhe nga vetë jeta e tij si bir i këtij fshati, t’ju dhurojë atyre, sipas këndvështrimit të tij, një pjesë nga historia e Kallaratit. Siç u shpreh edhe vetë ai, “Të tjerë mund dhe duhet ta plotësojnë atë”. Libri përmban rreth 200 faqe dhe është i ilustruar me foto. Këtë libër të shtypur në 300 kopje, Enveri ua dhuroi si kujtim bashkëfshatarëve të tij në Tiranë, Fier, Vlorë e Kallarat pa lekë.

Në fjalën e hapjes që mbajti Razip Golloshi, Kryetar i Degës së Shoqatës “Kallarati” në Tiranë, vlerësoi punën dhe përpjekjet e autorit në këtë moshë për t’u dhënë kallaratasve këtë libër me vlera historike dhe shoqërore. Vlerësime e përgëzime Enveri mori edhe nga folës të tjerë, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Tiranës, nga njerëzit e tij të familjes e të afërmit; si Xhemali, Afërdita, djali i tij Besniku, bashkëshortja Anushja e plot të tjerë.

Kastriot Karabollaj, Kryetar i Shoqatës “Kallarati”, pasi i uroi Enverit e Anushes jetë të gjatë e të lumtur në këtë përvjetor të lindjes së tyre dhe pasi vlerësoi punën dhe përpjekjet e Enverit për t’u dhënë lexuesve dhe bashkëfshatarëve këtë libër, u shpreh se duke patur parasysh edhe këtë libër të punojmë të gjithë si kallaratas që të t’ju sjellim atyre historinë e tyre të vërtetë, në periudhat e ndryshme të historisë dhe në rrjedhat e ndryshme të saj, një historik që të jetë sa më i pranueshëm dhe me koncesus sa më të gjerë të brezave të vjetër e të rinj, një historik që të pasqyrojë sa më me realitet përpjekjet e vazhdueshme të kallaratasve për çlirim kombëtar e shoqëror, për kulturë e dije e për demokraci, në kuadrin e përpjekjeve të gjithë shqiptarëve. Si çdo fshat e krahinë e Shqipërisë edhe Kallarati duhet dhe i takon të ketë historikun e tij. Kjo tashmë është një nga objektivat kryesorë të shoqatës “Kallarati”. Botimi i këtij libri me vlerë le të shërbejë si pikënisje e nxitje për botime të tjera të këtij karakteri, përfundoi Kastrioti.

Besnik Strati, djali i tij në emër të familjes falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë eveniment të familjes së tij. Ai tregoi për dëshirën dhe përpjekjet e të atit prej disa vitesh për t’ju sjellë kallaratasve këtë libër. Ai u shpreh se të gjithë duhet të kontribuojmë sado pak për fshatin tonë, për gazetën, pse jo edhe për hapjen e një faqe të veçantë të Kallaratit në internet, për të cilën tregohet i gatshëm ta mbështet atë financiarisht. Babai im, përfundon ai, bëri diçka modeste për Kallaratin, që me siguri nuk do të thotë se është e përkryer dhe e fundit. Të gjithë së bashku si kallaratas le të bëjmë shumë më tepër për të.

Dy fjalë për Enverin, në mënyrë të veçantë për atë pjesë të brezit të ri që ndoshta nuk e njeh sa duhet. Ka lindur më 29 prill 1930 në Kallarat. Rritur dhe edukuar në një familje të varfër, po me ndjenja atdhetare. Pushtimi fashist e gjeti në Qishbardhë–Xhyerinë, ku jetonte me bagëti familja e tij. Gjatë Luftës Antifashiste, megjithëse i vogël, u aktivizua si korrier për marrjen e trakteve dhe komunikatave në Vlorë. Për 43 vjet rresht ka punuar në sektorë të ndryshëm të pushtetit, partisë dhe të ekonomisë në Vlorë e Fier. Më 1990 doli në pension. Është i aktivizuar në degën e Shoqatës Kallarati e gazetën e saj si dhe në organizatën e veteranëve në Tiranë. Me pasion e këmbëngulje ai bëri realitet botimin e këtij libri “Historiku i Kallaratit”.

Ja se si shkruan vetë Enveri në parathënien e librit: “Historia shekullore e Kallaratit për ne banorët e tij përbën një temë shumë tërheqëse që, për shkak të dokumentimit të paktë, jo aq të lehtë për t’u trajtuar. Me gjithë këtë vështirësi, kam guxuar t’i vihem shkrimit të historikut të fshatit tim, mbështetur në dokumentacionin e zbuluar deri më sot, po kryesisht në tregimet e prindërve të mi dhe të moshuarve të brezit të tyre, si dhe në kujtimet vetjake. Për Kallaratin ka pasur autorë që nëpërmjet shkrimesh kanë hedhur dritë mbi të kaluarën e tij; edhe në të ardhmen do të ketë të tjerë që do të zbulojnë fakte të tjera e do të shkruajnë për njerëz, ngjarje, data, rite e zakone. Guximi që më shtyu t’i vihem punës për të shkruar historikun e Kallaratit, tani që këtë historik e kam mbaruar ia ka lënë vendin dyshimit se a kam arritur te pasqyroj, sado pak, jetën dhe veprimtarinë shekullore të popullit të Kallaratit.

Historia e Kallaratit nuk mund të shkëputet nga ajo e Kurveleshit në veçanti dhe e Labërisë në përgjithësi. Kurveleshasit janë shquar në shekuj për qëndresën ndaj pushtuesve. Jo më kot Follmerajeri e ka quajtur Kurveleshin “akropol” të Labërisë. Prandaj kënga popullore thotë: “Kurveleshasit” trima burrat, trime gratë, të shqyejnë me sëpatë.” Pjesë e kësaj historie janë edhe trimat dhe trimet e Kallaratit. Kjo traditë e shkëlqyer përpjekjesh për liri duhet të njihet nga brezat që vijnë. Shoqëria ka nevojë për përvojat e kaluara, me qëllim që të dijë të zgjedhë rrugën e duhur në përballjet e së ardhmes. Shkrimtari i madh Dritëro Agolli thotë: “Kush harron të kaluarën, nuk ka të ardhme.”

Të fshehësh apo të harrosh prejardhjen tënde, është një gabim i pafalshëm, kudo që lind apo të hedhin valët e jetës. Qëndrimet e deritanishme tregojnë se bijtë dhe bijat e Kallaratit, ngado që i ka shpërndarë jeta, nuk e kanë harruar prejardhjen e tyre apo të prindërve të tyre, ata e quajnë veten krenarë që janë nga Kallarati. Këtë e vërteton pjesëmarrja e tyre në kremtimet e organizuara në Kallarat vitet e fundit në kujtim të ngjarjeve të ndryshme historike, si vendosja e bustit të Heroit Popullit Mumin Selami në vitin 2002, përkujtimi i 90-vjetorit të qëndresës kundër andartëve grekë më 2004, në takimin e brezave më 2005, në tubimin e Bashait më 20 gusht 2008 për të përkujtuar betimin e popullit 65 vjet më parë për luftë deri në fund kundër pushtuesve fashistë etj.

Dallgë të shumta janë përplasur mbi banorët e Kallaratit gjatë rrjedhës së historisë jo pak herë, ai është vrarë, shkatërruar e djegur tërësisht ose pjesërisht nga pushtuesit e ndryshëm, është goditur nga fatkeqësi të natyrës dhe epidemi shfarosëse, por pavarësisht nga këto, ai ka mbijetuar, duke i përballuar me stoicizëm e optimizëm të rrallë këto fatkeqësi dhe duke besuar gjithnjë në një të ardhme më të mirë. E përgjithshmja ka qenë progresive, ai ka jetuar dhe është zhvilluar në sasi dhe cilësi.

Fatet e banorëve te Kallaratit kanë qenë të lidhura e të kushtëzuara nga fatet e të gjithë vendit dhe shoqërisë shqiptare. Ata kanë dhënë ndihmesën e tyre në fatet e kombit, i cili ka qenë vendimtar për ekzistencën e zhvillimin e këtij fshati. Historia na ka mësuar se kurdoherë interesat e fshatit t’i shikojmë të lidhura ngushtë me ato të mbarë vendit dhe këto të fundit të vihen në plan të parë, në zbatim të devizës: “Kombi mbi te gjitha”.

Në përballjet shekullore me kushtet e vështira të natyrës dhe me pushtuesit, populli i Kallaratit ka fituar shumë cilësi të larta morale e virtyte, të cilat përbëjnë atë thesar të pasur traditash e veçorish specifike e të përbashkëta me ato të popullit tonë. Veti të tilla, si patriotizmi, trimëria, vendosmëria, shpirti i sakrificës, solidariteti popullor, modestia, atdhetaria, besa, mikpritja, dashuria, respekti dhe shpirti i pamposhtur i lirisë, kanë qenë një burim i brendshëm i vitalitetit e i forcës së tij, që e kanë nxjerrë atë faqebardhë në situatat më të vështira të historisë. Këto veti përbëjnë një pasuri të madhe dhe një trashëgimi të pasur për brezat që do të vijnë për të çarë përpara me sukses në të ardhmen. Prandaj në këtë libër, krahas pasqyrimit të jetës dhe të vetive të mira të popullit të Kallaratit, u kam kushtuar një vend të dukshëm të rënëve për liri e pavarësi në dy shekujt e fundit dhe për ndërtimin e vendit, shoqëruar me këngët e thurura e të kënduara nga populli dhe vajet e prindërve të tyre. Gjaku i derdhur prej tyre qëndron në themelet e të arriturave të kombit dhe sakrifica e tyre sublime nuk duhet harruar kurrë. Luigj Gurakuqi na thotë: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimet e tyre, jo vetëm nderon faqet e historisë, por mbi rrasat e në monumente ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndenjësi të hollë.”

Banori i Kallaratit në shekuj ka qenë i lidhur ngushtë me tokën, me natyrën ku ka lindur, ka jetuar e punuar, ku ka derdhur djersë e gjak brez pas brezi. Malet, fushat, luginat, kodrat, majat e qafat, lumenjtë, përrenjtë e pyjet i kanë mbrojtur; tokat, edhe pse të pakta, së bashku me blegtorinë i kanë mbajtur. Ato i kanë dhënë atij kënaqësinë shpirtërore dhe lumturinë që s’mund ta gjente kollaj gjetkë.

Ndryshimin i sistemit politik dhe hapja e vendit nuk qe pa pasoja edhe për Kallaratin. Me hapjen e kufijve të vendit, shumë bashkëfshatarë të moshave të reja e të mesme u larguan nga fshati, duke emigruar në Greqi, Itali, Angli, Gjermani, në SHBA dhe në vende të tjera të Evropës, ku janë ngulur ose kanë krijuar familje. Një pjesë tjetër kanë zbritur në qytetet e mëdha të vendit, sidomos në Vlorë e Tiranë. Këto lëvizje sollën edhe ndryshime demografike. Sot në Kallarat kanë mbetur shumë pak familje, kryesisht çiftet moshuarish. Megjithatë, të ikurit nuk e kanë harruar fshatin ku kanë lindur e janë rritur dhe kjo jep shpresa se Kallarati nuk do të braktiset.

Për hartimin “Historikut të Kallaratit”, veç materialeve arkivore dhe botimeve historike, janë shfrytëzuar dhe botime të bashkëfshatarëve, si ato të profesor Rami Memushajt, Llano Llanajt, Seit Jonuzajt, Dalan Memushajt si dhe mjaft shkrime të autorëve të ndryshëm në gazetën e shoqatës së Kallaratit, si Enver Golloshi, Gafur Shameti, Çize Xhaferi etj. Veç këtyre, jemi mbështetur në shënime dhe kujtime të pjesëmarrësve në Luftën Antifashiste dhe në ngjarje të tjera të rëndësishme, por edhe në mendime të vjela nga të moshuar e bashkëkohës.

Falënderoj shokët që më kanë ndihmuar me të dhëna të vlefshme: Idajet Llanaj, Kujtim Dautin, Bejo Xheferin, Luto Demirin, Sulo Hoxhën, Xhemal Stratin; Razip Golloshin për të dhënat dhe Agim Stratin për hedhjen në kompjuter të një pjese të materialit, Falënderoj veçanërisht Prof. Dok. Rami Memushaj, që me durim e redaktoi librin për ta sjellë në formën që po i paraqitet lexuesit. Më në fund, por jo të fundit, falënderoj djemtë e mi, që më mbështetën financiarisht për botimin e librit, dhe bashkëshorten time, Hanushe, për kushtet e krijuara gjatë punës.

Librin Historiku i “Kallaratit”-përfundon fjalën e tij Enveri- shtypur në 300 kopje, në shenjë respekti ua dhuroj bashkëfshatarëve të mi, nga të cilët mirëpres çdo vërejtje a mendim për ta përmirësuar në të ardhmen, nga kushdo qoftë. E rëndësishme është, që Kallarati si çdo fshat, qytet e krahinë e Shqipërisë, të ketë historikun e vetë, të cilën brezat e ardhshëm kallaratas, jo vetëm që duhet ta njohin, por ta pasurojnë atë vazhdimisht. Unë mendoj, se si bir i këtij fshati, bëra diçka, të tjerët le të bëjnë edhe më shumë dhe kam bindje të plotë se do të bëjnë shumë më tepër”.

Ceremonia pasoi me një me një koktejl organizuar mjaft bukur në diskoklubin Alpha Buzuku, pronë e djemve të tij.

Në emër edhe të redaksisë së gazetës, e falënderojmë Enverin për këtë dhuratë që u jep bashkëfshatarëve të vet në këtë 80 vjetorë të lindjes dhe i urojmë jetë të gjatë e të lumtur me familjen tij.

Besnik Gjonbrataj

Botuar ne Gazeten “KALLARATI”  Nr. 52 korrik-gusht 2010 

Next Post

Rami Memushaj: Është një vepër e shëmtuar. Interviste dhene gazetares Dhurata Hamzai

Hën Kor 2 , 2012
Duke qenë se ndryshimet ishin shumë të thella gjatë debateve në mbledhjen e Komisionin Mbarëkombëtar të Gjuhës, akademiku Rami Memushaj rrëfen pse gjuhëtarët shqiptarë dhe nga Kosova kanë refuzuar vendimin. Ju keni qenë anëtarë në komisionin e drejtshkrimit, pse u ndërpre për 6 vjet puna e tij? -Komisioni e ka […]
RamiMemushaj