DORËSHKRIM AUTOBIOGRAFIE E PATRIOTIT DHE RAPSODIT POPULLOR, HASAN KALLARATI (1903-1980)

Biografi e lënë prej tij në dorëshkrim sipas dialektit te kohës dhe e shtypur nga origjinali prej djalit të tij Hiqmetit dhe nipit Andi Meçaj.

HasanKallarati“U linda në Kallarat, më 1903, në vendin e quajtur Buzë-Dushk, në një familje me tradita të thella patriotike. Babai im ishte Shamo Mustafa Meçja dhe Nëna Qerime Dervish Duka nga Vranishti. Babai kishte bërë gjashtë vjet ushtar në Prevezë, që atëhere ishte nën okupacionin e Turqisë. Rrjedh nga familja Hyso-Skëndaj, me origjinë nga Pëllumb Toja, me profesion bari dhe bujk, ishte shumë i drejtë por pa arsim. Ndërsa gjyshi, Mustafa Meçja, kishte bërë edhe ky gjashtë vjet ushtar në Jemen, njeri shumë punëtor që njihej në Kallarat si bujk shumë i mirë, po me tokë të paktë, i varfër, sepse kishte mbetur jetim duke qenë se babanë e tij, Meçe Haxhinë, ia kishin vrarë turqit në Sudan, me rastin e kryengritjes së Kurveleshit, më 1847. Kur u kthye nga ushtri u martua me Alidie Çelen nga Kuçi, e bija e Çelo Hoxhës, trim i Gjolekë Kuçit dhe kështu formoi familjen ku lindi tre djem: i madhi Zotua, që ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Këlcyrë, me rastin e kryengritjes së Tepelenës dhe Korçës kundër Turqisë, në vitin 1887, për të mos dhënë ushtarë, u arratis dhe u bashkua me çetën e Elmaz Dukatit, bashkë me Sheme Halon nga Kallarati, që edhe kyj kishte dezertuar bashkë me të dhe që këjo çetë vepronte në rrethin e Tepelenës dhe atje u vra dhe humbi farej.

Djali i dytë ishte babai im Shamua dhe i vogli, Hasani, që vdiq pa martuar. Gjyshi jetoi deri më 1907, mbas vdekjes së këtij, filluan trazirat, kryengritjet, Lufta Ballkanike kundër turqve dhe si konseguencë u shkatërruam farej ekonomikisht, aq sa arrijtim të vuajshim edhe për bukën e gojës.

Ishim tre vëllezër, tri motra, babai, nëna dhe gjyshja, si pasuri kishin mbetë 10 dhi, kriza ish e madhe për bukë, e cila së bashku me trazirat, vazhduan për disa vjet. Më 1914, u dogjëm dhe u shkatërruam fare nga shovinistët grekë. Unë qysh prej moshës 6-7 vjeç, ruaja ato 10 dhi, mandej babai mori edhe një lopë nga një mik i tij në Bolenë, të cilin e quajshin Ajas Hyseni dhe kështu m’u bënë për të ruajtur dhjetë dhi dhe një lopë. Më 1915 i shitëm dhitë për bukë dhe na ngeli lopa me një viç. Më janar 1916, babai më dërgoi tek një dajua im në Vranisht, kyj fshat në atë kohë ish nën okupacion italian, ndërsa tek nevej ishin akoma ushtritë greke dhe dajua më mori dhe më shpuri në malin e Shashicës, në Vlorë, ku kishte tufë me dhënë, prej 300 kokë dhe vazhdova të ruaja dhëntë e dajos, në prill të po atij viti, ika mshehurazi nga dajua dhe erdha në Kallarat, në këtë kohë erdhi në Kallarat gjyshi im, i ati i nënës, Dervish Mingua dhe me shumë këshilla e agjitacione, më mbushi mëndjen që të kthehesha prapë tek dajua, i cili e kishte djalë të vetëm (Kalem Dervishin) dhe unë ashtu bëra, mirëpo me të ardhë muaji maj, ika prapë pa leje dhe shkova në Kallarat, atëherë fillova prapë të kullosja lopën dhe të ndihmoja edhe në punët e bujqësore, më 16 gusht, 1916, në Kallarat, erdhë ushtria italiane, që zëvendësoi atë greke, që ndodhesh më parë atje dhe në tetor, të po atij viti, u hap shkolla shqipe me mësues Jaho Hodon, në shtëpinë e Maze Dushan Jonuzaj, babai im ishte shumë i vobektë, po edhe arsimdashës, më regjistroi në shkollë dhe vazhdova deri sa e mbarova shkollën fillore me tre klasë, me shumë mundime dhe sakrifica, zbathur, zhveshur, ushqimi ishte një copë bukë misri, nga një herë na mungonte edhe këjo. Më tetor, 1919, pasi e mbarova filloren dhe s’kishte më shkollë ku të shkojshim, megjithëse edhe sikur të kishte, nevej s’mundeshim ta vazhdojshim, mbasi nuk na lejonte gjendja ekonomike, prandaj ika dhe erdha në Vlorë, për ndonjë punë, po punë nuk gjendej. Atëherë, një shoku im bashkëfshatar Veip Balili, që ishte më i madh se unë dhe në kondita të barabarta ekonomike me mua, më thotë se kishte parë një shpallje të afishuar në treg, që bënte fjalë për regjistrim nxënësish për në Shkollën e Xhandërmarisë, me qendër në lagjen Muradie, të Vlorës, ku gjetëm një Marshall Maxhior italian, që quhej Cioni, ai ishte si instruktor i kësaj shkolle. Cioni na regjistroi nevej nxënës xhandarë, bile për mua bëri edhe pak naze dhe nuk deshi të më regjistronte, me pretekst se isha i vogël, po me këmbënguljen time dhe të shokut tim, Veipit, më regjistroi dhe na dërgoi në shkollë, që ishte në një ndërtesë në lagjen Varrosh, të Vlorës. Atje gjetëm një Marshall, Dalloxhio i thoshin, që ishte si instruktor i shkollës, me emrin Greko dhe disa Nënoficerë shqiptarë, ndërmjet tyrej, Shaqo Derri dhe një Kapter tjetër nga Shkodra, me emrin Mustafa. Atje bëheshim 70 nxënës xhandarë, ku na stërvitnin instruktorë shqiptarë dhe italianë.

Pa mbaruar këtë shkollë që ishte me afat dy vjeçar, në shkurt 1920, na shpërndanë nëpër Postëkomanda, mua në Radhimë, Veipin në Postën e Burgut Ordiner në Babicë. Në Postën ku shkova unë u caktuan edhe shokët Mersin Zoto nga Vranishti, Zubi Haxhi Përmeti, Selfo Lapuleci nga Lapuleci i Ballshit. Më prill të po atij viti, italianët po lëkundeshin, mbasi ishin informuar që po përgatitej një kryengritje dhe na mblodhën prapë në Vlorë. Në maj u arratisnë nga Burgu i Babicës, Rreshteri Shyqyri Koko nga Vranishti, bashkë me dhjetë xhandarë shqiptarë, ndërmjet tyre dhe Veip Balili e Dalan Haxhiu nga Kallarati dhe shkuan e u bashkuan me çetat kryengritëse në Baçardha të Dukatit. Mas këtyrej u arratisëm edhe nevej, me gjithë armatimet nga Vlora dhe shkuam në Beun. Atje gjetëm një sasi të madhe kryengritësish dhe Halim Xhelon nga Tërbaçi. Aty u bë plani i shpërndarjes që do të godisnim forcat italiane, nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, Kryetar i të cilit ishte Osmën Haxhiu. Më tre qershor, forcat shqiptare goditën qendrat ushtarake italiane, Gjorm, Kotë, Llogara, Sinanaj dhe njëkohësisht mbas këtyrej Drashovicën.

Mbas këtyrej vazhdoi lufta përreth qytetit të Vlorës, deri në shtator kur italianët u mundën dhe kërkuan armëpushim për tu tërhequr. Me çlirimin e Vlorës, Qeveria Provizore e saj formoi Xhandërmarinë Shqiptare, me në krye Major Ahmet Lepenicën, kohë në të cilën mbeta dhe unë në Xhandarmëri. Më 24 qershor 1924, që u bë Revolucioni Demokratik Fanolist, nevej na nisnë në këmbë për në Tiranë, se nuk kishte rrugë automobilistike, por kur arrijtim në Fier erdhi urdhri se fuqia kundërshtare e Ahmet Zogollit u shpartallua, u kthyem prapë në Vlorë.

Më 24 dhjetor 1924, kur Ahmet Zogolli me forcat kundërrevolucionare erdhi në Shqipëri, nevej u shpartalluam dhe shkuam në shtëpitë tona, ku vendin tonë e zunë forcat mercenare të Zogut. Qeveria e Ahmet Zogollit, nuk mori ndonjë masë kundër nesh, veçse mua më thirrën ushtar dhe më dërguan në Kompaninë e dytë në Delvinë, Komandant i së cilës ishte Sami Koka, Kapiten i I-rë. Më shkurt 1927, u lirova me gradën Tetar dhe erdha në shtëpi, ku qëndrova deri në shtator të atij viti, ndërkohë Komanda e fuqive të Armatosura, ashtu quhej atëherë, më kërkoi të paraqitesha në Tiranë, kështu që më dy tetor 1927 shkova në sekretarinë e Komandës së Sipërme, ku më njoftuan se më kishin dhënë gradën Rreshter dhe do të punoja në sekretari si protokollist. Atje gjeta edhe dy shokë të tjerë, Bedri Kondin nga Kuçi, arshivist dhe Fejzi Ismail Kason nga Dhëmblani si daktilografist, ku qëndrova deri më tetor 1928, kohë në të cilën Komanda e Postës së Xhandërmarisë, kërkonte nga Komanda e fuqive të Armatosura të gjithë ata persona që kishin qenë në Xhandarmëri më parë dhe tash ndodheshin në ushtri, të ja kthejshin asaj.

Kështu u bë, atëherë mua mbasi më muarë në Xhandarmëri më dërguan me shërbim në Vlorë, prapë po me të njëjtën detyrë, ku qëndrova deri më shkurt 1930. Në këtë vit më transferuan në Theollogo të Konispolit, ku qëndrova deri në vitin 1932, ndërkohë më dërguan në një kurs të Xhandarmërisë që funksiononte në Durrës. Pas një viti që mbarova kursin, më dërguan në Kolonjë (Ersekë). Më 1935, me rastin e Kryengritjes së Fierit, më mbajtën nën vëzhgim një muaj (si i dyshimtë, antizogist), por për arsye shëndetësore dhe me kërkesën time më transferuan në Himarë, si Sekretar i Rrethit dhe me rastin e Kryengritjes së Et-hem Totos më 15 Maj 1937, më arrestuan prapë si antizogist, ku më mbajtën një muaj e ca nën vëzhgim, megjithëse nuk kisha asnjë dijeni mbi kryengritjen dhe më vonë më qitën në lirim. Në këtë kohë janë qitur në lirim edhe shokë të tjerë kurveleshas po me të njëjtin motivacion si Kapter Birçe Selmani nga Kuçi, Myrdar Faslli Breshani Tetar nga Kallarati, Bilal Murçe nga Kuçi, xhandar e shumë të tjerë.

Më korrik të po atij viti, na thirrën prapë në Tiranë dhe na rimorën në shërbim, për arsye se çështja bënte përshtypje politike siç duket. Meqënëse kishin dyshime, na dërguan në Veri, mua dhe Birçe Selmanin në Peshkopi, Dibër, të tjerët në Shkodër, Pukë e Dukagjin. Më 2 prill 1939, meqë isha si Post Komandant i Omeshit (Rreth i Zerqanit) më urdhëruan nga Komanda e Qarkut të Xhandërmarisë së Peshkopisë që së bashku me 10 xhandarë që kisha nën komandën time në Omesh të nisesha sa më parë për në Tiranë e mandej në Durrës, sëbashku me fuqitë civile vullnetare të Shaqir Demës që gjoja do të luftojshi kundër italianëve, të cilët erdhë deri në Burrel dhe mbasi grabitën gjithë mobiliet e ish shkollës së Xhandarmërisë u kthyen një nga një në shtëpitë e tyre, kurse unë së bashku me xhandarët vazhduam rrugën dhe mbërritëm në Tiranë. Atje na vunë nën Komandën e Abaz Kupit dhe na nisën për në Durrës dhe në darkën e 6 prillit ndodheshim në Durrës. Në mëngjesin e 7 prillit, fuqitë italiane filluan të zbarkojnë, nevej sëbashku me disa njerëz të Abazit hapëm zjarr kundër flotës italiane dhe kështu vazhduam për disa orë, po mandej duke qënë se flota dendësoi zjarrin e artilerisë dhe të mortajave e të mitralozave u bë e pamundur rezistenca jonë, kështu që u tërhoqëm drejt Tiranës dhe së andejmi në këmbë bashkë me fuqinë time u kthyem në Omesh e së andejmi kaluam në Jugosllavi, (Në Maqedoninë e sotme). Në Dibër të Madhe, na njoftuan autoritetet jugosllave që të ktheheshim prapë në Shqipëri mbasi ishte restauruar gjendja, kështu bëmë, u kthyem prapë në vendet e mëparshme.

Kur u kthyhem në Peshkopi, forcat italiane akoma nuk kishin ardhur këtu. Mbas pak ditëve një repart ushtarak i blinduar erdhi nga ana e Librazhdit dhe një repart kavalerie dhe këmbësorie nga Burreli. Për të pritur me nderime këta ushtarë fashistë kishin dalë në Shupenzë, Myftiu i Peshkopisë dhe bajraktarët dhe paria si dhe një grup tjetër tek ura Lundra e Muhurit. Më korrik 1939 Komanda e Legjionit të Karabinierisë urdhëron dërgimin në Itali të 25 Nënoficerëve, që siç duket kishte marë informata se këta kishin marë pjesë në Luftën e 7 Prillit kundër tyre. Kështu na mblodhë në Tiranë dhe mbasi na mbajti edhe një fjalim agjitacioni një oficer madhor i Komandës së Lartë, na nisnë për në Itali, duke na imbarkuar në një anije lufte në Durrës dhe na nxuarrë në Bari, ku na mbajtën 10 ditë duke na bërë gjithnjë agjitacion nevej që të mos ishim të pakënaqur, etj. Aty na veshnë edhe me teshat e tyre të zeza dhe mandej me tren na shpunë në Romë. Atje na vendosnë në shkollën e karabinierëve ku qëndruam dy muaj, duke na bërë stërvitje gjimnastikore dhe mësimin e gjuhës italiane. Së këtejmi na çuan në Akademinë e Nënoficerëve në Firence për të mësuar taktikën e profesionit të karabinierisë. Aty na mbajtën gjashtë muaj në një kurs intensiv. Mbasi kryem këtë kurs na shpërndan një e nga një nëpër komandat e qarqeve të qyteteve të Italisë, për t’u praktikuar: Në Modena, Rimini, Viarexhio, etj. Pas disa muajsh na mblodhë prapë në Firence ku ndenjëm pak kohë. Ksandejmi na kthyen në Shqipëri duke na dërguar prapë në vëndet ku jeshim nisur, po këto Posta ishin zëvendësuar me Nënoficerë italianë dhe nevej mbetëm ndihmësa.

Aty nga fundi i vitit 1941, kohë në të cilën unë dhe Abaz Muslli Shakua ndodheshim të transferuar në Fier dhe që në këtë periudhë filloi të përhapej Lëvizja Nacional Çlirimtare, simpatizuam këtë dhe në marrëveshje me disa të rinj komunistë, siç ishim: Rakip Kryeziu, Todi Samarxhiu, Vangjel Andon Capo, Myzafer Trebeshina, Kastriot Muço, Sokrat Bufi, etj, banuesa në Fier, i ndihmuam këta moralisht e materialisht duke qënë të mbrojtur dhe nën maskën e uniformës. Kështu vepruam gjatë gjithë kohës së Luftës Nacional Çlirimtare. Mirëpo aty nga fillimi i muajit maj 1944, kur tradhëtarët sëbashku me gjermanët kishin arritë kulmin e terrorit, ne mbetëm të ekspozuar. Në këtë kohë u hodhëm në rreshtat e Ushtrisë Nacional Çlirimtare në grupin e tretë Vlorë-Mallakastër, që vepronte në atë nahije, deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Mas pak kohëve pas çlirimit, u tërhoqëm nga ushtria dhe shkuam në administratë, ku ishte e nevojshme për atë kohë. Unë u emërova sekretar teknik në Prefekturën e Vlorës dhe më vonë Komiteti ekzekutiv i K.P. të Vlorës. Mas 3 muajve më transferuan në Kom. Ekz. Ballsh, ku qëndrova deri më 15 dhjetor 1949. Më pas u transferova në Vlorë si shef i administratës të bashkimit të kooperativave të konsumit të rrethit të Vlorës”. (Deri këtu janë shënimet e gjyshit)

Historinë dramatike të jetës së tij të mëpasshme po e jap të shkurtuar, siç e tregojnë fëmijët e tij:

Pas arrestimit të Skënderit, të vëllait, ish partizan deri në Jugosllavi, i cili u dënua me vdekje, pushohet nga puna dhe më vonë merret si magazinier në bashkimin e kooperativave. Më 1953, pas hedhjes së bombave në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë, pushohet nga puna dhe detyrohet të shkojë në Kallarat për të nxjerrë kucka (rrënjë shqopesh) për të bërë qymyr, sepse kishte në ngarkim një familje të madhe me 6 fëmijë të mitur për të ushqyer. E shoqja Kalemja nuk mundej të punonte dot.

Rimerret përsëri në punë si magazinier, ku qëndroi deri në fillim të vitit 1960, kohë kur u arrestua në moshën 57 vjeçare. I trilluan një difiçit qesharak, por shkaku i vërtetë ishte agjitacion e propagandë. E dënuan 4 vjet, prej të cilave kreu dy, sepse e zuri amnistia e vitit 1962.

Mbylli sytë më 25 dhjetor 1980. La pas një dorëshkrim me historikun e fshatit Kallarat, një tufë me këngë popullore të tijat, shënime të ndryshme historike, si dhe emërtimin e fiseve të fshatit dhe pemën gjenealogjike të fisit të tij.

Të gjitha këto do të përpiqem t’i publikoj, sepse jo vetëm që kanë dalë nga zemra e tij fisnike, por janë edhe një thesar i çmuar për ne brezat e rinj.

Nga nipi i tij, Andi

Hasan Kallarati njihet edhe si rapsod popullor. Krahas rapsodëve të tjerë kallaratas si: Xhebro Strati, Isa Sejdiu, Veliko Murati, Elmaz Çerçizi e ndonjë tjetër, Hasani ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimtarinë popullore.

Disa nga krijimet e tij më të dëgjuara që janë kënduar dhe vazhdojnë të këndohen edhe në ditët e sotme janë:

• Kënga e vajzes shqiptare;

• Këngë kushtuare 7 Prillit 1939;

• Këngë kushtuar Luftës Gjormit 1 Janar 1943;

• Këngë kushtuar dëshmorit Filo Faslli Breshanit;

• Këngë kushtuar dëshmorit Nuredin Selamit;

• Këngë kushtuar dëshmorëve te fshatit Kallarat;

• Këngë kushtuar 60 vjetorit te shpalljes se Independencës;

• Këngë kushtuar 28 Nëntorit 1919, Demonstratës se madhe kundër italianeve, te Kalaja ne Kanine;

• S’meti burrë ne shtëpi;

• Gunat për mbi tela vunë;

• Këngë kushtuar aksionit Post-Komandës Karabinierisë Pilurit me 20 .V. 1920;

• Këngë kushtuar ngrehjes flamurit ne shkolle te Kallaratit me 28 Nentor 1919;

• Këngë kushtuar trimit patriot Nase (Thanas Benit) nga Vunoi;

• Korrieri i fshatit, elegji per heroin Mumin Bajram (Selamin);

• Këngë kushtuar Qafes e Hubavit nga ku niseshin partizanet per ne lufte;

• ju male legjendare;

• Këngë kushtuar Vlorës;

• Këngë kushtuar Andon Zako Çajupit (poet dhe patriot);

• Këngë kushtuar patriotit veteran Xhemil Veli Dukes;

• Agaj dhe zonja;

• Malli për fshatin tim;

• Prendvera ne mal;

• Kujtime te femijerise;

• Dashnores qe me braktisi;

• Gërmadhave te Fshatit Vjetër (Kallaratit);

• Bogonica;

• Lufta e Kallaratit me andartet greke me 1914 etj

Si dhe disa këngë të vjetra historike si: Një ferman nxori Sulltani; Gjemitë ne det po vijnë; Ç’u ç’kule nga Manastiri; Vajtim për Birbil Dautin mbeture ne Jemen ushtar, të mbledhura prej Hasan Kallaratit, që i përkasin trimave të kryengritjes vitit 1847 dhe që sipas shënimit të tij “nukë i kam parë të përmëndenë as në një shkrim, as në ato të mbëledhura nga Mexhit Kokalari të shkruara në revistën “Studime Historike”.

Siç e shihni prej shënimeve të lëna në dorëshkrim dhe ato çfarë shkruajnë djemtë dhe nipërit e tij, por edhe mjaft bashkëkohës të tij dhe studiues, Hasan Kallarati ka qenë dhe mbetet një burrë patriot për çështjen kombëtare dhe një rapsod popullor i dëgjuar. Këngët dhe poezitë e tij i kushtohen vendlindjes së tij Kallaratit, heroizmave të këtij fshati dhe bijve dhe bijave të tij që dhanë jetën për çlirimin kombëtar në periudha të ndryshme të historisë, duke justifikuar e përligjur në këtë mënyrë plotësisht mbiemrin “Kallarati”. Por krijimtaria e tij del edhe jashtë kufijve të fshatit dhe të krahinës së Vlorës, apo çfarë është më e rëndësishmja, poezia u kushtohet momenteve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar dhe atyre që i dhanë emër Shqipërisë.

Ne traditën dhe gjurmët e Hasan Kallaratit, kane ecur sot fëmijët dhe nipërit e tij si: Gafur Shameti, Hiqmet Mecaj e nipi Andi Mecaj, te cilët e kanë çuar më përpara amanetin e tij, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë artistike shqiptare të kohës së sotme, duke u bërë mjaft të njohur e të vlerësuar brenda e jashtë vendit.

Përgatiti për faqen www.kallarati.com

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Këngë kushtuar dëshmorëve te fshatit Kallarat

Sht Qer 2 , 2012
Do këndoj do them ca fjalë, prata dëshmorët tanë, do t’i zë t’i them me radhë, Mumini dëshmor i parë, me gjak skuqi Topananë, Avduli një trim i rrallë, në Dukaj e derdhi gjaknë, me të shitur e me gjermanë, Adili një djal i gjallë ish në Brigatën e parë; […]
HasanKallarati

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt