Drejtshkrimi në syrin e ciklonit

Rami MemushajNga dy format, në të cilat gjëllin gjuha, ligjërimi i shkruar i nënshtrohet kontrollit si të atij që shkruan, edhe të atyre që e lexojnë materialin e shkruar. Dhe gjëja e parë që i bie në sy lexuesit, pavarësisht nga shkalla e formimit gjuhësor, janë gabimet e drejtshkrimit. Çështjet e tjera që lidhen me normën leksikore, morfologjike e sintaksore, me pikësimin apo me çështje të stilit, ai nuk i vëren. Ato i vërejnë vetëm ata që kanë përgatitje gjuhësore ose një intuitë të mprehur nga përvoja e gjatë me fjalën e shkruar. Prandaj procesi i kodifikimit të normës gjuhësore fillon me përcaktimin e normës drejtshkrimore, e cila, nga ana e vet, pasqyron atë që është arritur në kodifikimin e normës morfologjike dhe fonetike. Jo më kot Kongresi i 1972-shit u quajt Kongresi i Drejtshkrimit. Kodifikimi i drejtshkrimit është një pjesë e vogël, por që bie shumë në sy, e planifikimit gjuhësor. Madje, për folësin që nuk është specialist i gjuhës, drejtshkrimi përfaqëson gjithë fushën e asaj që mund të quhet korrektesë në të shkruar, d.m.th., gjithçka që atij i duhet të dijë për të shkruar si duhet.

Kushdo që shkruan has vështirësi në paraqitjen me shkrim të ideve që ka në kokë: si ta shkruajë një formë fjale, si ti përshtatë gjymtyrët në fjali, si ta pikësojë tekstin etj. Këto raste vështirësish e mëdyshjesh qëndrojnë në themel të idesë se rregullat janë të paqarta a të vështira dhe prandaj duhen ndryshuar apo thjeshtuar. Pikërisht, problemet në zbatimin e rregullave të drejtshkrimit përbëjnë një nga arsyet pse vëmendja e publikut është përqendruar të drejtshkrimi. Përpos kësaj arsyeje objektive, ka edhe shkaqe të tjera, të cilat do të përpiqemi ti shtjellojmë më poshtë, pse drejtshkrimi këta 20 vjetët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes në tubime gjuhësore, në polemika në shtypin e përditshëm e shkencor dhe në debate televizive.

Pra, po të shprehemi metaforikisht, mund të themi se drejtshkrimi ndodhet në syrin e ciklonit. Ndër ata që janë përfshirë në debatet për drejtshkrimin, një palë është për ndryshime substanciale të rregullave të tij; një palë tjetër është kundër ndryshimeve, duke pranuar vetëm retushime të lehta. Midis këtyre dy grupeve qëndron një palë e tretë, që mban një qëndrim të mesëm.

Debatet për gjuhën standarde vlerësohen si një shfaqje e konfliktit mes elitave dhe kundërelitave. Elitat e mbështetin standardizimin e gjuhës, si mjet që realizon integrimin e periferive me qendrën. Në rastin e shqipes, elita kulturore kosovare e viteve 60, duke e parë gjuhën standarde si mjet për ruajtjen e njësisë kombëtare përkundrejt rrezikut të sllavizimit, u përpoq të bashkonte gjuhësisht trojet shqiptare në ish-Jugosllavi me trungun kombëtar. Kundërelita, e cila në kohën kur ndodhi ky proces përfaqësohej nga intelektualë të emigracionit politik, kurse sot nga intelektualë në të dy pjesët kryesore të vendit, kërkojnë ti shkëputin periferitë nga qendra, duke goditur simbolet e përbashkëta dhe të vërtetat historike, siç janë gjuha standarde, prejardhja ilire e shqiptarëve, luftërat për çlirim dhe heronjtë kombëtarë. Për këtë qëllim, ata përpiqen të çmitizojnë gjuhën standarde, historinë kombëtare e heronjtë tanë kombëtarë, duke lartësuar të folmet krahinore dhe duke ngritur mite e figura lokale. Për të parët goditja e gjuhës standarde shihej si goditje kundër stalinizmit shqiptar, pra një kontribut për shembjen e komunizmit në Shqipëri; motivet e këtyre të dytëve janë më së pakti krahinore.

Pjesa e sotme e kundërelitës përfshin disa specialistë të gjuhës dhe gazetarë, letrarë e njerëz të kënduar. Këta e vënë theksin në atë që standardi i shqipes është formuar në diktaturë dhe mbi bazën e një dialekti. Për ta, fakti që standardizimi u krye në kohën e diktaturës e delegjitimon gjuhën standarde, si pjellë të diktaturës, si shqipe totalitare, rrënjët e së cilës i gjejnë madje që në politikat gjuhësore të Rilindjes kombëtare. Prandaj, sipas tyre, ndryshimet e mëdha historike dhe integrimi kulturor i pjesëve të kombit e bëjnë të domosdoshëm shtotalitarizimin e saj.

Argumenti tjetër i këtyre është gjuhësor. Duke u nisur nga konstatimi se në çështjet e drejtshkrimit është i evidentueshëm largimi gjithnjë e më i theksuar i shqiptimit nga forma e shkruar e fjalës, ata kërkojnë ndryshime të thella të normës drejtshkrimore, si një detyrim ndaj vendimit të Kongresit të Drejtshkrimit, që parimi themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik. Ata shkojnë deri aty sa të kërcënojnë se mosbërja e ndryshimeve krijon mundësinë që kërkesat për përmbysjen e plotë të normës standarde të shtohen.

Që gjuha standarde u ngjiz në periudhën e regjimit totalitar, kjo dihet. Planifikimi gjuhësor është pjesë e procesit tërësor të ndryshimit shoqëror (planifikimit social), qoftë si shkak apo si pasojë e tij, d.m.th., ka vulën e kohës kur kryhet. Prandaj, natyra dhe drejtimi i tij nuk mund të kuptohen jashtë kontekstit social ose shkëputur nga rrethanat historike që prodhuan këtë kontekst. Po kjo nuk i justifikon kërkesat e këtij grupi për ndërhyrje të thella në normat e gjuhës standarde, duke filluar me normën drejtshkrimore, apo për përmbysjen e bazës së saj.

Debati rreth normës drejtshkrimore nuk është një dukuri tipike vetëm për hapësirat shqiptare. Ai është pasojë e asaj që norma drejtshkrimore, ashtu si gjithë normat e gjuhës, nuk është statike. Rrjedhimisht, diskutime për reforma gjuhësore janë zhvilluar në shumë vende, po veçanërisht i ashpër ka qenë debati midis atyre që janë për ndryshime të thella të normës dhe kundërshtarëve të tyre në shoqëritë në tranzicion të Europës Lindore. Për të parët, grafemat, si njësi e drejtshkrimit janë shenja të rendit të dytë që përdoren për të shënuar shenjat e rendit të parë (tingujt) dhe, rrjedhimisht, shenjat e rendit të dytë duhen ndryshuar me qëllim që të pasqyrojnë me besnikëri ato të rendit të parë. Mirëpo, sipas J. Fishmanit, ndikimi që ka planifikimi gjuhësor mbi gjuhën e folur është derivat i ndikimit që ka gjuha e shkruar mbi gjuhën e folur dhe jo anasjelltas, d.m.th., me standardizimin e gjuhës, nuk është gjuha e folur që udhëheq, po gjuha e shkruar. Gjuha e shkruar, thotë J. Fishmani, nuk është e ngrirë, as e ngulitur për jetë, por nuk është as objekt i përhershëm i ndikimeve të mëdha nga këngët popullore dhe zhargonet e pararinorëve. Pra, drejtshkrimi nuk mund ta ndjekë hapi pas hapi shqiptimin. Sikundër tregon historia e shkrimit të gjuhëve të tjera, drejtshkrimi vetëm në fillim është fonetik, pastaj, me kalimin e kohës vjen duke u bërë gjithnjë e më morfologjik. Kurse drejtshkrimi i shqipes që në fillim ka qenë më shumë morfologjik a morfofonologjik sesa fonetik.

Po cilat janë, në vija të trasha, propozimet e kësaj pale? Së pari, mosshkrimi i /ë/-së së patheksuar në rrokje të hapur; së dyti, mënjanimi pothuajse i plotë i grafemës . Propozimi për /ë/-në e patheksuar argumentohet me atë që në rrokje të hapur kjo zanore nuk shqiptohet. Por, sikundër jemi përpjekur të provojmë në një rast tjetër, ky është një konstatim i pambështetur nga të dhënat e eksperimentit, që niset nga shqiptime krahinore dhe përshtypje empirike. Studimet akustike, ndonëse të pakta, kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë. Sa u përket pasojave që do të rridhnin nga mosshkrimi i /ë/-ve në rrokje të hapura, këto do të ishin të shumta dhe do të preknin si rrafshin fonetik, dhe rrafshin morfologjik. Në rrafshin fonetik, do të ndodhnin ndryshime në dendurinë relative të zanoreve, që do ta bënin shqipen standarde një gjuhë konsonantike, por edhe ndryshime të mëdha fonotaktike, si mbizotërimi i rrokjeve të mbyllura, krijimi i grupeve konsonantike shumëfonemëshe, si dhe ndryshime të strukturës së onseteve dhe të kodave të rrokjeve. Ndërsa mosshkrimi i /ë/-së fundore, do të sillte një përmbysje në morfologjinë e shqipes. Propozimi tjetër për të shkruar /j/ në vend të /nj/ si formant i shumësit të emrave dhe të mbiemrave apo si bashkëtingëllore e temës, që niset gjithashtu nga shqiptime krahinore të kësaj foneme, sjell një revizionim të sistemit fonol

Nga Rami Memushaj, Gazeta Shekulli , Publikuar më 2011-12-21 06:17:57

Next Post

“Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”, të Profesor Shaban Demiraj

Die Maj 20 , 2012
Në këtë epokë të “romantizmit patriotik” shqiptar, që ka lindur si shpërdorim i lirisë së penës, nuk janë të pakta botimet që përpiqen t’i nxjerrin shqiptarët si popullin më të vjetër, si popull pellazgjik, dhe gjuhën shqipe si gjuhën më të vjetër, si çelësin për të shpjeguar gjithë gjuhët e […]
Rami Memushaj