DUKE PARË NDESHJE ME DEMA.(Meditim) Nga Petrit Qejvani

PetritQejvaniRastësisht më ka ndodhur të shoh sekuenca të ndeshjeve me dema në tv dhe me stermundim mund te kem cuar ndonje deri në fund. Dhe a e dini pse? Sepse kjo më është dukur një gjë e shemtuar dhe e padrejtë. Dhe gjithnjë më ka shoqëruar një ndjenjë parehatie, më saktë një ndjenjë e përzier keqardhjeje dhe ndëshkimi. Keqardhje për kafshën e gjorë, që, me dinjitetin dhe forcën që i ka dhënë natyra, duhet të përballet me padinjitetin e shitur si trimëri të njeriut, jo sic e ka bërë natyra, por të plotësuar me ca hekura me majë, që tinëzisht ia ngul në shpinë kafshës dinjitoze me nje poze triumfale. Dhe ndjenja tjetër, ajo e ndëshkimit për njeriun.

As që kam ndër mend të përshkruaj një duel të tillë të pandershëm, ku supremacia e vetme është arsyeja (në këtë rast hileja) me të cilën natyra ka bërë dallimin midis njeriut dhe kafshës. Dhe as me duhet te hyj ne histori si dhe pse zhvillohen keto “gara”.Tjetër gjë më intereson. C’duhen dëshmi të tilla superioriteti dhe “trimërie” te njeriut? Apo për të treguar thelbin kafshëror të tij? Sepse nuk është një dyluftim për ekzistencë, kur njeriut i kërcënohet jeta nga kafsha dhe , pra, i justifikuar. Dhe gjithe ky pamiratim imi për këtë të ashtuquajtur sport nuk vjen prej faktit se jam anëtar i ndonje shoqate për mbrojtjen e kafshëve. Jo, por thjesht prej nje njeriu normal, si shume te tjere..

Ndonëse një betejë e tillë e ka të gjithë rekuizitën dhe dekorin e një beteje të madhe, në dukje edhe “respektin” për kafshën “armike,”duke filluar nga veshja e toreadorit e deri tek thirrjet entuziaste e nxitëse të spektatorëve të stadiumit, që bërtasin dhe quajnë triumf cdo shtizë të ngulur në shpinën e kafshës krenare, ajo është një betejë e turpshme per njeriun. Kurse njollat e gjakut mbi shpinën e kafshës i ngrejnë në ekstazë turmat e stadiumit. Realisht ato janë gjurmët e krimit, e një krimi publik, prandaj më të shëmtuar. Ato njolla të nxehta gjaku akuzojnë njeriun, atë që është përballë kafshës së pafajshme dhe turmat histerike në shkallët e stadiumit, që shfrejnë pasionin e vrasjes, anën e errët të njeriut.

Në këtë betejë, më dinjitoze është kafsha e provokuar, që lufton me c’i ka dhënë natyra, sesa njeriu i armatosur. Dhe fundi i ndeshjes është edhe më i turpshëm, kur njeriu fitimtar ngre duart përpjetë në shenjë triumfi mbi kafshën ë përgjakur, që ngulcon nga dhembjet e shtizave mizore.. Një ndeshje e pabarabartë dhe prandaj e turpshme në kuptimin e një morali gare. E padrejtë, sepse zhvillohet midis njeriut superior dhe kafshës inferiore. E pandershme, sepse njeriu nuk ndeshet me c’i ka dhënë natyra, por me ato që krijon falë arsyes, që i ka dhënë natyra..

Edhe pse nuk i parapëlqej ndeshjet e njeriut me kafshët, do të pëlqeja një ndeshje të “barabartësh”, ku kafsha dhe njeriu të ndeshen me c’u ka falur natyra. Atëherë do të durtrokisja një fitore të njeriut mbi kafshën. Sepse, në instancë të fundit, vetë natyra e ka bërë njeriun superior mbi kafshët.

Njeriu asnjëherë nuk më është dukur më i dobët dhe mizor, sesa kur “triumfon” mbi kafshët!..

Tetor 2012

Next Post

LOJE SFILITESE, NGA PETRIT QEJVANI

Mër Jan 23 , 2013
                                                       Nuk e di se ç’ke                                                   Nuk e di se ç’bën                                                   Krahët shpesh më kthen                                                   Të më luash mendsh.                                                     Vetullat tendos                                                   Kur më ke përballë                                                   Sytë i ul përdhe                                                   S’më thua një fjalë.                                                     Edhe unë s’të flas,   […]
PetritQejvani